-4.3 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Intensifikohen përgatitjet për mbajtjen e samitit Biden-Putin

Më të lexuarat

Uashingtoni dhe Moska janë duke bërë përgatitjet për një takim mes presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe atij rus, Vladimir Putin që pritet të mbahet në muajin qershor.

Përmes një deklarate të përbashkët, Këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan dhe homologu i tij rus, Nikolay Patrushev, thanë se konsultimet që po zhvillohen në Gjenevë janë një hap i rëndësishëm në planifikimin e mbajtjes së takimit.

“Diskutimet ishin konstruktive dhe, megjithë dallimet, mundësuan një mirëkuptim të pozicioneve të njëri-tjetrit”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Takimi pritet të mbahet në muajin qershor kur Biden ka planifikuar të zhvillojë vizitën e parë jasht vendit si president i SHBA-së. Dita dhe vendi ku do të mbahet samiti mes Bidenit dhe Putinit do të bëhen të ditura më vonë. Megjithatë, Gjeneva është përmendur si vendi i mundshëm për samitin dypalësh. Presidenti amerikan gjatë vizitës në Evropë pritet të marrë pjesë në një takim të G7-ës, grupit të vendeve më të zhvilluara të botës, pastaj do të ketë bisedime me udhëheqësit e BE-së dhe zyrtarët e NATO-s në Bruksel.

Krahas organizimit të samitit Biden-Putin, zyrtarët e lartë të sigurisë nga SHBA-ja dhe Rusia kanë diskutuar edhe për një sërë çështjesh tjera që kanë në fokus strabilitetin strategjik.

“Palët shprehën besimin se mund të gjenden zgjidhje të pranueshme në një sërë çështjesh”, u tha në deklaratën e përbashkët.

Aty thuhet gjithashtu se “palët kanë rënë dakord se normalizimi i marrëdhënieve SHBA-Rusi do të ishte në interesin e të dyja vendeve dhe sigurinë globale”.

Ideja për mbajtjen e një samiti mes dy presidentëve ishte e administratës amerikane pasi raportet u përkeqësuan edhe më shumë për shkak të ndërhyrjeve të pretenduara ruse në zgjedhjet amerikane, pastaj sulmeve kibernetike, helmimit dhe burgosjes së liderit të opozitës ruse Alexsei Navalny dhe konfliktit në Ukrainën lindore.

Më herët, presidenti Biden ka thënë se dëshiron të bashkëpunojë me palën ruse aty ku të dyja vendet kanë interesa të përbashkët.

Ai është shprehur kundër hyrjes në një rreth të përshkallëzimit të raporteve.

Javën e kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilloi bisedime me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në Islandë. Ata theksuan se vendet e tyre kishin “dallime serioze”, por ende mund të gjejnë mënyra për të punuar së bashku.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit