0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Inteligjenca emocionale, element suksesi

Më të lexuarat

Inteligjenca emocionale, element suksesi

Çdokush mund të zemërohet – kjo është e lehtë.
Por të hidhëroheni në personin e duhur, në masë të duhur, në kohë të duhur, për arsye të duhur, në mënyrë të duhur – kjo nuk është e lehtë.
 
Kur themi njeri i suksesshëm, menjëherë na vjen në mendje një njeri i zgjuar dhe me inteligjencë të lartë. Është e vërtetë, një njeri i tillë mund të jetë i suksesshëm por jo vetëm. Suksesi i një individi nuk shënjohet vetëm nga koifiçenti i inteligjencës së tij, një element shumë i rëndësishëm që të bën vërtet njeri të suksesshëm është inteligjenca emocionale për të cilën shumë pak kemi dëgjuar të flitet, pavarësisht se çdo njeri prej nesh mund ta zotërojë. Çfarë është inteligjenca emocionale? Si mund ta rrisim atë? Për çfarë na shërben ajo?
Inteligjenca emocionale është aftësia për të identifikuar, përdorur, kuptuar dhe menaxhuar emocionet pozitivisht në mënyrë që të shmangim stresin, të komunikojmë në mënyrë efektive, të kemi empati për të tjerët, të përballemi me sfidat dhe të shmangim konfliktet. Inteligjenca emocionale ndikon në aspekte të ndryshme të jetës së përditshme siç është sjellja dhe ndërveprimi me të tjerët. Studiuesit e kanë përmbledhur inteligjencën emocionale në katër cilësi kryesore1:
–          Vetëndërgjegjësim që ka të bëjë me njohjen e emocioneve dhe mënyrën se si ato ndikojnë në mendimet dhe në sjelljet tona. Ne shpesh e ndjejmë se si një emocion negativ apo pozitiv ndikon tek mendimet tona për një gjë të caktuar apo edhe në sjelljen tonë. Kur jemi të mërzitur e gjithë bota na duket e zymtë dhe pesimizmi zë vendin kryesor në mendimet tona, fillojmë të sillemi ashpër dhe pakuptim ndaj të tjerëve por edhe ndaj vetes. Po ashtu edhe kur ndihemi të lumtur, menjëherë këndvështrimi jonë për botën ndryshon, sjellja jonë bëhet shumë e ëmbël me të tjerët edhe pa një arsye të caktuar. Të jesh i vetëdijshëm gjithashtu do të thotë të dish pikat e tua të forta dhe të dobëta si dhe të kesh besim tek vetja jote.
–          Vetëmenaxhim ka të bëjë me aftësinë për të kontrolluar ndjenjat dhe sjelljet impulsive, për të menaxhuar emocionet në mënyrë të shëndetshme apo për tu përshtatur me ndryshimet e mjedisit. Përveçse të jesh i ndërgjegjshëm që ti tashmë po përjeton një emocion negative apo pozitiv, është e rëndësishme të kesh aftësinë për ta kontrolluar këtë emocion dhe për të reaguar në mënyrë të shëndetshme.
–          Ndërgjegjësimi social është aftësia për të kuptuar emocionet, shqetësimet dhe nevojat e njerëzve të tjerë. Kur je pjesë e një grupi të caktuar social duhet të kuptosh që grupi karakterizohet nga energji dhe dinamizëm. Që të funksionojmë mirë në një shoqëri duhet që përveç ndërgjegjësimit për emocionet personale të kemi aftësinë të kuptojmë që ashtu si ne edhe të tjerët përjetojnë emocione të caktuara, andaj kur dikush kryen një sjellje të padëshiruar karshi nesh, duhet të jemi të aftë të kuptojmë që ai mund të jetë i mërzitur për një arsye të vetën dhe reagimi ynë në këtë rast duhet të jetë mirëkuptues dhe jo sulmues. Kështu mund të ndihmojmë veten dhe të tjerët të krijojmë një marrëdhënie pozitive dhe të shëndetshme.
–          Menaxhimi i marrëdhënieve, nënkupton aftësinë për të krijuar dhe ruajtur një marrëdhënie të mirë me të tjerët. Një marrëdhënie e mirë ndërtohet nëpërmjet një komunikimi të mirë, të qartë dhe korrekt, nëpërmjet ndikimit pozitiv që mund të kesh tek të tjerët si dhe nëpërmjet menaxhimit të konflikteve. Në këtë botë jemi krijuar që të bashkëjetojmë me të tjerët, sado të përpiqemi të qëndrojmë brenda guaskës sonë nuk mund të bëjmë pa të tjerët, andaj është e rëndësishme të përpiqesh që kjo bashkëjetesë të jetë në mënyrën më të mirë të mundshme.
 
Këshilla e Sokratit “Njihe veten tënde” është element kryesor i inteligjencës emocionale, njohja e ndjenjave kur ato shfaqen. Në pamje të parë mund të na duket sikur kemi ndjenja të qarta, por kur mendojmë më thellë, kuptojmë se kemi qenë të pavetëdijshëm për një ndjenjë të caktuar dhe vetëm më vonë jemi ndërgjegjësuar rreth asaj ndjenje. Gjej me vend të përmend një tregim të vjetër japonez që flet për një samuraj luftarak i cili shkoi tek një njeri i urtë për ta pyetur rreth ferrit dhe parajsës. I urti i drejtohet samurajit me fjalët: “Ti nuk je asgjë tjetër veçse një budalla i rëndomtë, unë nuk kam kohë të humbas me njerëz të tillë!”. Pasi iu cenua krenaria, samuraji i tërbuar nxjerrë shpatën duke ulëritur dhe i drejtohet të urtit: “Mund të të vras për paturpësinë tënde”. “Ky është ferri”, i përgjigjet me qetësi i urti. I befasuar nga përgjigja samuraji menjëherë e ul shpatën dhe e falënderon të urtin për mësimin e dhënë. “E kjo është parajsa”, i thotë i urti.
Reagimi i menjëhershëm i samurajit me agresivitet tregon reagimet tona të menjëhershme kur provojmë një emocion dhe reagimi i mëvonshëm i tij tregon ndërgjegjësimin tonë dhe njohjen e emocioneve që na përshkojnë.
 
Empatia si pjesë e inteligjencës emocionale
Shpeshherë shkaktar i prishjes së marrëdhënieve tona me të tjerët është mungesa e empatisë ose ndryshe alexitimia. Empatia është aftësia jonë për të njohur dhe kuptuar emocionet dhe ndjenjat e të tjerëve. Ajo është një formë e vetëvetëdijës; sa më mirë t’i njohim emocionet tona, aq më lehtë do t’i kuptojmë ndjenjat e të tjerëve.
Paaftësia për të deshifruar emocionet e njerëzve të tjerë është tregues i një inteligjence të ulët emocionale. Njerëzit rrallë i shprehin emocionet e tyre verbalisht, më lehtë e kanë t’i shprehin ato në mënyrë joverbale, nëpërmjet gjesteve, mimikës, veprimeve etj. Aftësia për të lexuar pikërisht gjërat e pathëna është dhe çelësi i të kuptuarit të emocioneve të të tjerëve dhe si rrjedhojë çelës i marrëdhënieve të suksesshme.
Empatia është ndjenjë ekzistente tek çdo njëri prej nesh, mjafton të përpiqemi t’i lejojmë hapësirë të veprojë. Qysh në foshnjëri të hershme kur një foshnjë dëgjon një foshnjë tjetër duke qarë menjëherë fillon të reagojë edhe ajo me të qarë, kjo mund të quhet një tregues i hershëm i empatisë edhe pse në mënyrë të pavetëdijshme. Duke u rritur njeriu me të rritet dhe egoja e tij, ndikuar dhe nga faktorët mjedisor apo kultura, njerëzit kanë filluar të bëhen individualist, për ta bota është në rregull për aq kohë sa ata janë mirë. Por në të vërtetë bota nuk funksionon kështu. Gjithçka që duhet të bëjmë për të mos e lënë individualizmin të na zotërojë është të llogarisim edhe tjetrin si pjesë e shqetësimeve tona, si pjesë e lumturisë sonë sepse nesër edhe ne mund të jemi në pozitën e tij.
E kundërta e kësaj, mungesa e empatisë, dashje pa dashje të çon drejt veprimeve të pahijshme, të çon drejt krimit, drejt dhunës. Një njeri i bën keq dikujt pasi është i paaftë të ndjejë dhimbjen e tij, lëndimin e tij. Një kriminel ka një inteligjencë të ulët emocionale, ai nuk përmbush asnjë nga pjesët përbërëse që përmendëm më sipër të inteligjencës emocionale. Ai nuk është i aftë të njohë dhe të kuptojë ndjenjat e tij dhe as të të tjerëve, nuk është iu aftë të kontrollojë emocionet, nuk është i aftë të menaxhojë marrëdhëniet me të tjerët.
 
Pse është e rëndësishme inteligjenca emocionale?
Siç përmendëm dhe më sipër njerëzit me inteligjencë të lartë nuk janë më të suksesshmit apo më të plotësuarit në jetë. Dimë shumë raste të njerëzve të shkëlqyer intektualisht por që nuk janë të aftë në aspektin shoqëror, janë të pasuksesshëm në punë dhe që nuk kanë marrëdhënie personale të shëndetshme. Inteligjenca intelektuale mund të na ndihmojmë të fitojmë një shkollë të mirë por është inteligjenca emocionale ajo që na ndihmon të menaxhojmë stresin dhe emocionet kur përballemi me një provim të rëndësishëm. Pra, mund të themi se inteligjenca emocionale është edhe më e rëndësishme se inteligjenca akademike.
Një inteligjencë emocionale e lartë na ndihmon të kemi performancë më të mirë në punë, të jemi më të motivuar dhe të mund të motivojmë edhe të tjerët. Ditët e sotme kompanitë e mëdha e shohin inteligjencën emocionale po aq të rëndësishme sa dhe aftësitë profesionale, madje shumë prej tyre kërkojnë dhe bërjen e testit të inteligjencës emocionale (EQ) përpara se të të punësojnë. 
Inteligjenca emocionale ndikon në shëndetin fizik dhe atë mendor. Nëse nuk jemi të aftë të menaxhojmë nivelin e stresit mund të kemi probleme serioze me shëndetin tonë fizik. Stresi rrit presionin e gjakut, dobëson sistemin imunitar, rrit riskun e një infarkti, mund të nxisë infertilitet dhe përshpejton proçesin e plakjes. Stresi i pakontrolluar po ashtu mund të ndikojë dhe në shëndetin mendor duke na bërë vulnerabil ndaj ankthit dhe depresionit. Paaftësia jonë për të kuptuar dhe menaxhuar emocionet na bën të kemi gjendje të çrregullt të humorit. Prandaj, të mësosh si të reduktosh stresin është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të inteligjencës emocionale.
Inteligjenca e lartë emocionale na ndihmon të kemi marrëdhënie të shëndetshme më të tjerët. Nëse ne do jemi të aftë të kuptojmë emocionet tona dhe të dimë si ti menaxhojmë ato, rrjedhimisht do jemi të aftë të shprehim se si ndihemi dhe të kuptojmë se si ndihen të tjerët gjithashtu. Kështu mund të komunikojmë në mënyrë efektive dhe të krijojmë marrëdhënie të forta si në punë dhe në aspektin personal.
 
 
1.      Goleman, D. (1998). Working with emotional intelligence. New York: Bantam Books
 
Suada Hajredinaj
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit