Në koncertin festiv të BDI-së, që u mbajt në ditën kur në Maqedoni u kthye krimineli maqedonas i luftës Johan Tarçullovski, Ahmeti i porositi analistët dhe “publiçistët” se BDI është s’i thëngjilli. “Un kam një porosi për të gjithë ata që kanë menduar dhe do të ju shkojë mendja të mendojnë në të ardhmen, se BDI është forcë që i ngjan thëngjillit, po e preke të djeg”, pat thënë Ahmeti në koncertin e mbajtur më 11 prill
Letër publike
Për: Ali Ahmeti, kryetar, Bashkimi Demokratik për Integrim
Duke parë se dy herë radhazi, për një kohë të shkurtër, publikisht përmendni analistë dhe publicistë dhe duke dashur që të mos ju ndodh kjo edhe për herë të tretë, e aq më pak të ju kalojë në shprehi, dëshirojmë të ju përkujtojmë për një rregull bazë që shumica e njerëzve që kanë arsim të rregullt formal e dinë: komentuesit e opinionit dhe shoqërisë janë vrojtues dhe nuk janë palë në proceset dhe dukuritë. Gjithashtu duam t’u tregojmë se “thëngjilli” është prush i shuar dhe nëse edhe në të ardhmen do doni të na kërcënoni nëpërmjet metaforave, duhet të keni kujdes si i përdorni ato, ngaqë kur ato i përdorë njeriu që nuk e dinë domethënien e tyre, atëherë fjalimi mund të ngjajë në lehje. Kështu që le t’u mbeten metaforat atyre që dinë t’i përdorin ato, e çiftelia me dy tela rapsodëve, e të mos i ngatërrojmë punët.
Ne i dimë të gjithë vrojtimet dhe tentativat e juaja të dështuara analitike; në gjeopolitikë, letërsi, fe dhe shoqëri në të kaluarën, kurse për momentin jemi të fokusuar të shpalosim skemën e tanishme të vasalitetit tuaj politik. Të cilën vazhdoni ta praktikoni me frikën, mungesën e dijes dhe kapacitetit lideresk personal. Ne gjithashtu e dimë mëkatin tonë të cilin edhe nëse do na e falin të tjerët, nuk do ia falim ne vetvetes: me vogëlsinë tonë ju ndihmuam në kohët kur nuk guxonit të vini në Shkup, duke shpresuar se nuk do “thëngjëlloseni” e do mbeteni prush që do e mbajë ndezur zjarrin e demokratizimit të shoqërisë shqiptare dhe të mendimit të lirë shqiptarë. Dhe kush mund ta parashikonte asokohe se ju do merreni me atë që bëni sot – me atë që me shekuj e kanë bë të tjerët në këto troje për çka nuk kishim nevojë nga ju: me përçarjen e shqiptarëve në të mirë e të këqij.
Ua bëjmë me dije se edhe tutje do vazhdojmë ta bëjmë me përkushtim atë që na takon neve, e që ka të bëjë me fatin dhe ardhmërinë tonë. Pra edhe me fatin tonë personal, të fëmijëve, familjeve tona dhe të popullit tonë. Pra, mos pretendoni se kërcënimet e juaj do na çojnë të heqim dorë nga bindjet dhe mënyra si ne i shohim e vlerësojmë punët e atyre që mund edhe të mendojnë se vota e shumicës së popullit, është e barabartë me mençurinë kolektive të një populli. Apo që nuk e kanë kuptuar se ka pasur politikanë që kurë nuk i kanë humbur zgjedhjet, që kanë qenë më të votuarit, por më në fund aq janë shfytyruar sa nuk e kanë parë se më lehtë është të sundosh me të tjerët se sa të kesh pushtet mbi vetveten. Andaj do bënit mirë ta ktheni pushtetin mbi vetveten dhe tërë trimërinë e guximin tuja ta vini në shërbim të asaj për çka u kanë votuar: të fitoni betejat me sunduesin të cilit i shërbeni, e jo t’i përçani shqiptarët.
Nga përvoja politike e shqiptarëve të këtushëm do mund të ju lavdëroheshim se edhe vet ne kemi qenë dëshmitarë të shumë rënieve të skemave politike të mëhershme për udhëheqje, kriminalitet, mashtrim dhe rrenë. Prej kohës së sundimit serb në këto vende e deri në përvojat e freskëta politike. Ranë gjithë shqiptarët e Kraljit, Pashiqit, Titos, Rankoviçit, Kolishevskit, Gligorovit dhe Cërvenkovskit, të cilët për nga vasaliteti shumë i përngjanin sjelljes tuaj parapolitike nën hijen e Mijallkovit dhe Gruevskit. Pra t’ua rikujtojmë: në këto troje kanë ardhur e shkuar shumë sundues, por ajo që ka mbetur e përhershme dhe e pavdekshme është ideja për lirinë dhe shqiptarinë. E ajo ide ka gjallëruar edhe para se të ktheheni ju nga Zvicra e do gjallërojë edhe pasi që ju përfundimisht të ktheheni në Zajas ku si pensionist dhe i qetë do mund më lehtë ta kuptoni se kur ju keni mbrojtur kolltukun që ua ka ofruar Gruevski, ne kemi bërë çmos të ruajmë dinjitetin, nderin dhe mendjen tonë.
Ne nuk mundemi, dhe as që pretendojmë, të ndalim epshin tuaj për mbulim të natyrës intrigante dhe nevojën për maskim të kapitullimit të plotë para shkopit të Gruevskit, duke shpikur armiq mes shqiptarëve. Të vetëdijshëm plotësisht për prejardhjen tuaj politike dhe modus operandin tinzar, ju mbase mund edhe te na mbyllni gojën fizikisht, por ja që as ju, as partneri Gruevski Nikola, nuk mund të ndalni akrepat e kohës dhe nuk mund te verbëroni sytë e atyre që më nuk ju besojnë gënjeshtrave dhe mashtrimeve tuaja, e të cilat së bashku me emrin tuaj do mbarojnë si vargje turpi mbi dy telat e çiftelisë.
Te vetëdijshëm për handikapët tuaja arsimore dhe thjeshtësinë e mendimit, po e përmbyllim këtë letër shkurt dhe shqip me një porosi: “Nuk ta kemi frikën hiq!”
Kim Mehmeti
Arsim Zekolli
Ramadan Ramadani
/almakos/kohaislame