9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Instituti për hetimin e krimeve të luftës – i pavarur a nën Qeveri

Më të lexuarat

Kosova synon rikrijimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Por, Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë se një institut i tillë nuk do të duhej të jetë nën administrimin e Qeverisë së Kosovës, për shkak të rrezikut nga ndikimi politik.

Qeveria e Kosovës më 16 shtator miratoi Projektligjin për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe ai është dërguar në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim.

Projektligji parasheh themelimin e institutit me qëllim të hulumtimit dhe dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, nga 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999.

Parashihet që instituti të jetë agjenci në kuadër të Zyrës së kryeministrit, i udhëhequr nga një drejtor ekzekutiv, të cilin e emëron kryeministri i Republikës.

Lidhur me këtë projekligj, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë i ka dërguar komente Qeverisë në kuadër të së cilave [komenteve] është shprehur se një institut i tillë duhet të jetë një agjenci e veçantë dhe jo pjesë e një qeverie.

“Ka rrezik që ndoshta jo të keqpërdoret, por të ketë ndikim politik. Nuk do të duhej të ishte nën çfarëdo institucioni, i cili është politik. Në rend parë është pavarësia e një trupi të tillë. Ka mundur të jetë në kuadër Akademisë së Shkencave, Bibliotekës Kombëtare, apo siç ka në vende të ndryshme ku një institucion i tillë funksionon në kuadër të Fakultetit Juridik, që është megjithatë, apolitik. Mirëpo, nën ombrellën e Qeverisë apo institucioneve qeveritare, është pak problematik. Mund të ketë interferenca të ndryshme politike për të cilat ne nuk jemi të vetëdijshëm në këtë moment, por sigurisht do të dalin”, thotë Blakaj.

Ngjashëm sikurse Balakaj, mendon edhe profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu.

“E mira e së mirës do të ishte që instituti të jetë institut tërësisht i pavarur, sikur që është Instituti i Historisë, sikur që është Instituti Albanologjik, e ky të jetë institut për krime të luftës. Ose, eventualisht të jetë në kuadër të Universitetit të Prishtinës”, thotë Salihu.

Deri në momentin e publikimit të këtij teksti, Qeveria nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me komentin e Blakajt për mënyrën e administrimit të këtij insituti.

Si është e rregulluar kjo çështje në rajon?

Instituti për Kërkimin e Krimeve Kundër Njerëzimit dhe të Drejtës Ndërkombëtare në Bosnjë dhe Hercegovinë funksionon në kuadër të Universitetit të Sarajevës, si anëtar i tij i plotë. Është themeluar në vitin 1992 si institucion publik kërkimor shkencor, i cili merret me hulumtimin e krimeve kundër paqes, krimeve të gjenocidit dhe shkeljeve të tjera të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare nga aspekte historike, juridike, sociologjike dhe të tjera me rëndësi për kërkimin shkencor gjithëpërfshirës të krimeve.

Gjithashtu, brenda Ministrisë së Sigurisë të Bosnjë dhe Hercegovinës (SIPA), ekziston një sektor për hetimin e krimeve të luftës dhe krimeve të dënueshme sipas Ligjit ndërkombëtar humanitar.

Ky sektor heton krimet e luftës nën juridiksionin e gjykatës së BeH-së, mbledh informacione dhe të dhëna për aktet kriminale, analizon raportet dhe informacionet për të dyshuarit dhe personat e akuzuar dhe krimet dhe vlerëson dhe analizon të dhënat e inteligjencës.

Në vendet e tjera të rajonit nuk ka institucione të veçanta publike që merren me krimet e luftës.

Në Serbi ekziston një Prokurori e posaçme për Krimet e Luftës dhe është i vetmi institucion që mund të sigurojë mbrojtje sistematike për viktimat dhe familjet e viktimave të krimeve të luftës të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë. Ndryshe, prokurorin për krime lufte e zgjedh Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë.

Në Kroaci, krimet e luftës hetohen nga Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës, në mënyrë të pavarur ose në koordinim me organet e tjera kompetente, si Ministria e Punëve të Brendshme, Prokuroria e Shtetit ose Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës Ushtarake. Në faqen zyrtare thuhet se po bëhen përpjekje të veçanta për identifikimin e autorëve të krimeve të luftës, qofshin ata autorë të drejtpërdrejtë apo ata që janë përgjegjës përmes zinxhirit komandues.

A është vonuar Kosova?

Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1998 – 1999, janë vrarë më shumë se 13.500 persona, 76 për qind e të cilëve besohet se kanë qenë civilë.

Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e rreth 1.600 personave të pagjetur.
Edhe pse “kurrë nuk është vonë”, Blakaj edhe Salihu mendojnë se Kosova është vonuar në krijimin e një instituti për hetimin e krimeve të luftës.

Një institut i tillë ka ekzistuar në të kaluarën, të cilin gjithashtu e pati formuar Qeveria e Kosovës.

Instituti për hulumtimin e krimeve të luftës ishte krijuar për herë të parë në vitin 2011, megjithatë, ai nuk kishte funksionuar siç duhet dhe i njëjti ishte mbyllur në vitin 2018, kur në krye të Qeverisë ishte Ramush Haradinaj. Ky institut kishte publikuar tetë libra për vrasjet, për personat e pagjetur, për gjenocidin serb, si dhe për shkatërrimin e monumenteve dhe pronave të shqiptarëve.

Mbyllja apo shuarja e atij instituti ishte bërë me arsyen se zyrtarët që punuan aty nuk patën rezultate, edhe pse të njëjtit ishin ankuar për mungesë të stafit e fondeve, si dhe mbështetjes shtetërore. Pas shuarjes së institutit, disa përgjegjësi janë bartur në Departamentin për Drejtësi Tranzicionale dhe Mbështetje të Viktimave të Krimit.

Profesor Ismet Salihu, i cili ka qenë atëherë anëtar i ish-institutit, thekson se formimi i një Institutit ika një rëndësi politike, historike, kombëtare e shtetërore.

“Puna nuk është duke shkuar me tempon e nevojshme, për shkak se në mënyrë urgjente është dashur që brenda dy – tre muajve të rithemelohet ky institut. Edhe ashtu e patëm themeluar vonë më 2011 – 11 vjet pas luftës. Aty kemi punuar ne afër shtatë vjet. Madje për të qenë ironia më e madhe me nënshkrimin e atëhershëm u mbyll ai institut dhe tani do të ri-themelohet. Mirëpo, duhet të punohet me urgjencë për shkak se koha në këtë aspekt është shumë e rëndësishme”, vlerëson Salihu.

Salihu thotë se vonesa për themelimin e këtij instituti do t’i kushtojë Kosovës pasi që, sipas tij, gjurmët zbehen e disa zhduken dhe dëshmitarët po vdesin.

“Atij instituti duhet t’i krijohen kushte optimale, aty nuk dihet të ketë kursim buxheti për shkak se çështja është shumë me rëndësi sepse me këtë dokumentohen krimet dhe lehtësohet edhe dialogu i Kosovës me Serbinë dhe të dhënat që do të mblidhen, do të mbesin për gjeneratat e reja dhe gjeneratat e ardhshme”, shton Salihu.

Kurse, Blakaj mendon se hulumtimi i krimeve është më i lehtë menjëherë pasi që ato ndodhin, porse “kurrë nuk është vonë”.

Blakaj thotë se një çështje tjetër brengosëse nga projektligji është koha e periudhës për hulumtim të krimeve, së cilës i referohet projektligji. Projektligji thotë se hulumtimi dhe dokumentimi “mund të aplikohet” edhe për krimet e kryera pas periudhës së luftës, por jo më vonë se me datën 31 dhjetor 2000.

“Këtë periudhë e kanë shkurtuar jashtëzakonisht shumë dhe përfundon më 20 qershor, 1999. Për fat keq, ka viktima edhe pas kësaj periudhe dhe nuk besoj që është e përshtatshme të përjashtohen ato viktima, që të mos dokumentohet mënyra se si u janë shkaktuar ato shkelje të rënda të të drejtave të njeriut edhe pas 20 qershorit”, thotë Blakaj.

Ai shton se, edhe pse krimet pas 20 qershorit nuk mund të quhen krimet lufte, për shkak se lufta zyrtarisht ka përfunduar më 10 qershor, ka shumë viktima të cilat janë “vrarë, zhdukur apo kanë qenë të keqtrajtuar për shkak luftës, pas kësaj periudhe, nga grupe të ndryshme”.

Nëse projektligji miratohet, Instituti do të ketë kompetenca dhe përgjegjësi në hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës nga aspekti historik, ushtarak, ekonomik, juridik, ekologjik, kulturor, psikologjik, mjeko-ligjor dhe sociologjik përfshirë aspektet tjera me rëndësi për shqyrtimin e këtyre ngjarjeve.

Ky institut pritet të dokumentojë krimet e kryera gjatë luftës duke siguruar edhe të dhëna të humbjeve në njerëz, dëmeve fizike dhe shpirtërore apo psikologjike, dëmeve ekonomike apo materiale, dëmeve në ambient, pronës kulturore, dhe llojet e tjera të dëmeve të shkaktuara nga krimet e kryera gjatë luftës.

Instituti do të hulumtojë dhe dokumentojë rrethanat, në të cilat janë kryer krimet gjatë luftës duke bërë grumbullimin, verifikimin, sistemimin dhe ruajtjen e të dhënave, si dhe siguron qasjen publike për viktimat dhe palët e interesuara në pajtim me legjislacionin në fuqi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit