-4.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Instituti për Çështje Evropiane: Gjysma e qytetarëve në Serbi mendojnë se Kosova është e humbur

Më të lexuarat

Numri i qytetarëve serbë që e mbështesnin pavarësinë e Kosovës për një anëtarësim më të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian po rritet, pothuajse gjysma e tyre besojnë se Kosova është e humbur dhe se shteti serb nuk ka mundësi të rivendosë kontrollin e plotë mbi Kosovën.

Kështu thuhet në hulumtimin e fundit të realizuar nga Instituti për Çështje Evropiane, duke shtuar se shumica e serbëve nuk e dinë se cili është plani i Qeverisë së Serbisë për Kosovën, një e pesta e tyre mendojnë se kjo Qeveri do ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke forcuar mendimin se është e nevojshme vendosja e paqes me shqiptarët.

“44.2 për qind e qytetarëve mendojnë se Kosova është e humbur, ndërsa 44.6 për qind janë të mendimit se nuk është dhe 11 për qind janë të pavendosur. Qëndrimin se Kosova është e humbur shprehet në një masë më të madhe nga gratë, të anketuarit e moshës 30-59 vjeç, të anketuarit me nivelin më të lartë të arsimimit, nga Vojvodina dhe popullata urbane”, thuhet në raport.

Po ashtu, aty thuhet se mendimi se Qeveria aktuale e drejtuar nga Aleksandar Vuçiq nuk do ta njohë Kosovën në masë më të madhe e përfaqësojnë meshkujt.

“Pak më shumë se një e pesta apo 23 për qind e të anketuarve besojnë se kjo Qeveri do ta njohë Kosovën, më shumë se gjysma apo 56 për qind e tyre besojnë se kjo Qeveri nuk do ta bëjë këtë, ndërsa 21.1 për qind nuk dinë si të shprehen për këtë çështje. Mendimi se kjo qeveri nuk do ta njohë Kosovën në masë më të madhe e përfaqësojnë meshkujt, të anketuarit mbi 60 vjeç, me arsim të mesëm dhe fillor dhe banorë të vendbanimeve periferike”, raporton instituti.

Krahasuar me herët e kaluara, është vërejtur përqindja më e lartë e të anketuarve që do të njihnin pavarësinë e Kosovës për hir të hyrjes më të shpejtë në BE.

“75 për qind e qytetarëve, nuk do ta përkrahnin pavarësinë e Kosovës për hir të hyrjes më të shpejtë të Serbisë në BE, ndërsa 16 për qind do ta përkrahnin dhe 9 për qind janë të pavendosur. Meshkujt dhe të anketuarit më të vjetër janë më të shumtë në mendimin se nuk duhet njohur pavarësia, si dhe të anketuarit me diplomë të shkollës së mesme, të anketuar nga të gjitha rajonet përveç Vojvodinës dhe nga rrethinat. Krahasuar me pjesët e mëparshme të hulumtimit, është vërejtur përqindja më e lartë e të anketuarve që do të njihnin pavarësinë e Kosovës për hir të hyrjes më të shpejtë në BE”, thekson raporti.

Instituti tregon se gjysma e qytetarëve serbë nuk besojnë se vendi i tyre mund të rikthej sovranitetin dhe kontrollin mbi Kosovën.

“Pothuajse gjysma e të anketuarve, më saktë 49.9 për qind besojnë se nuk është e mundur që Serbia të rifitojë kontrollin dhe sovranitetin e plotë mbi Kosovën, ndërsa 35 për qind besojnë se është e mundur dhe 15.1 për qind e qytetarëve deklarojnë se nuk dinë të përgjigjen. Se është e mundur besohet në një masë më të madhe nga meshkujt si dhe të anketuarit me nivelin më të ulët të arsimimit. Shumica dërrmuese e të anketuarve apo 87.7 për qind nuk e dinë se cili është plani i Qeverisë serbe për Kosovën”, tregon Instituti për Çështje Evropiane.

Tutje në raport citohet se më shumë se gjysma e qytetarëve serb nuk do ta mbështesnin planin e Vuçiqit, i cili do ta sillte njohjen e Kosovës.

“Më shumë se gjysma e të anketuarve apo 53.5 për qind nuk do ta mbështesnin planin e presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili do t’i sillte njohjen e Kosovës, 26.3 për qind do ta mbështesnin këtë plan, ndërsa 20.2 për qind nuk kanë përgjigje. Krahasuar me hulumtimet e mëparshme ka pasur një rritje të lehtë të atyre që do të mbështesnin propozimin e përmendur”, citon raporti.

Për sa i përket mbajtjes së një referendumi që do të sillte njohjen apo jo të Kosovës, të gjeturat tregojnë se 60.5 për qind janë kundër pavarësisë.

“Nëse nesër do të bëhej referendum për pavarësinë e Kosovës, numri më i madh i të anketuarve do të votonin kundër apo 60.5 për qind, nga ana tjetër apo 11.6 për qind do të votonin pro, 15 për qind nuk do të votonin dhe 13 për qind nuk kanë opinion. Të anketuarit që do të votonin kundër janë kryesisht meshkuj, të anketuarit më të vjetër, me të paktën një diplomë të shkollës së mesme, nga të gjitha rajonet përveç Beogradit dhe vendbanimeve periferike”, thotë ky institut.

Në fund, aty thuhet se 75.2 për qind e serbëve e mbështesin vendosjen e paqes së përhershme me shqiptarët në Kosovë, 9.2 për qind janë kundër kurse pjesa e tjetër nuk kanë mendim për këtë. /Telegrafi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit