2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Iniciativa për “Rrugën Peter Handke” nxit kundërshtime në Srebrenicë

Më të lexuarat

Të hënën, Asambleja e Komunës së Srebrenicës do të shqyrtojë propozimin për të riemëruar rrugën kryesore “Marshall Tito” (ish-udhëheqësi jugosllav, Josi Broz Tito).

Nëse miratohet propozimi i ri, rruga do të quhet “Peter Handke”, në emër të fituesit të Çmimit Nobel për Letërsi më 2019, i cili njihet për mohimin e vazhdueshëm që i ka bërë gjenocidit të kryer në Srebrenicë, nga ana e forcave serbe më 1995.

Anëtari i Asamblesë Komunale, Radomir Pavlloviq, nga Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se të hënën do të vendoset për këtë çështje.

“Për këtë dhe propozime të tjera do të vendosim. Nuk vendosi unë, por kolegët”, tha ai.

Propozimi për ndryshimin e emërtimit të rrugës, është bërë nga Iniciativa Qytetare “Alternativa Lindore” e Republikës Serbe (RS).

Kreu i kësaj shoqate, Vojin Pavlloviq, i tha Radios Evropa e Lirë se “është absurde që sot të ekzistojë rruga “Marshall Tito” në Srebrenicë, ndërsa një fitues i Nobelit nuk mund të ketë rrugën e tij”.

“Së pari Peter Handke është një mik i madh i popullit serb, dhe së dyti, një luftëtar i madh për të vërtetën”, thekson Pavlloviq.

Në rast se propozimi nuk miratohet, Pavlloviq thotë se ai do të vendosë posterë dhe fotografi me emrin e Handkes, në rrugën kryesore të Srebrenicës.

Në korrik të vitit 1995, gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, 8.372 burra dhe djem boshnjakë, u vranë kur forcat serbe të Bosnjës pushtuan këtë qytet në lindje të vendit.

Deri më tani, viktimat nga 94 varre masive janë zhvarrosur në Srebrenicë dhe komunat përreth dhe janë identifikuar eshtrat e më shumë se 6.900 viktimave.

Handke kishte folur në funeralin ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq më 2006. Millosheviq vdiq në çelinë e paraburgimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve për ish-Jugosllavi në Hagë, derisa po zhvillohej gjyqi kundër tij, me akuzat për krime lufte në Jugosllavi në vitet 1990.

Handke gjithashtu mbështeti liderët serbë të Bosnjës, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, të cilët janë të dënuar për gjenocid në Srebrenicë.

Cilat janë reagimet e qytetarëve?

Në Srebrenicë jetojnë 7.248 boshnjakë, sipas regjistrimit të vitit 2013. Kjo shifër është për 20.000 më pak se në vitin 1992, kur filloi lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Për banorët boshnjakë propozimi që rruga të quhet “Peter Handke” është i papranueshëm.

“Zoti na ruajt. Këtë duhet ta shikojnë viktimat? Ai është një mohues i gjenocidit, një njeri që lavdëron gënjeshtrën, që glorifikon të pavërtetën? Është një provokim me të cilin po matet pulsi i viktimave se si ata do të reagojnë”, thotë Fadila Efendiq për Radion Evropa e Lirë. Asaj i janë vrarë burri dhe djali në masakrën e Srebrenicës.

Shahida Abdurahmanoviq, të cilës i është vrarë burri, ka një mendim të ngjashëm.

“Ne i njohim provokimet çetnike të Vojin Pavlloviqit, ne e dimë punën e tij të deritanishme kundër popullit boshnjak”, thotë Abdurahmanoviq. Ajo thotë se në vend të këtyre propozimeve duhet të ketë përpjekje për të siguruar një jetë dhe të ardhme më të mirë për të rinjtë.

Për qytetarin, Dragan Cvjetinoviq, situata në Srebrenicë është e trishtueshme.

“Ne jemi serbë të pafuqishëm këtu. Gjithmonë është më e rëndësishme fjala e dikujt prej anash sesa e imja prej këtu. Nuk kam fjalë, kjo është e trishtuar, e shëmtuar. Para luftës, ishte kënaqësi të kaloja përmes Srebrenicës, sot, pas tridhjetë vjetësh, kjo qeveri na kthen mbrapsht”, thotë Cvjetinoviq.

Kush është Vojin Pavlloviq

Vojin Pavloviq është anëtar i Partisë Radikale Serbe të krahut të djathtë ekstrem, “Dr. Vojislav Sheshelj”, e cila mban emrin e një të dënuari të Hagës dhe një propaganduesi të flaktë të “Serbisë së Madhe” gjatë luftërave të viteve 1990-të.

Shoqata e tij “Alternativa Lindore” me qendër në Bratunac, rreth 20 kilometra nga Srebrenica, pretendon se lufton për të vërtetën në lidhje me vuajtjet e serbëve dhe pavarësinë e entitetit të Republikës Serbe nga Bosnje dhe Hercegovina. Shoqata me të njëjtin emër vepron edhe në Serbinë fqinje.

Në vitin 2019, Pavlloviq i dërgoi një kërkesë udhëheqjes së Komunës së Srebrenicës, për të gjetur dhe miratuar një lokacion në qendër të qytetit ku duhej ngritur një bust për Peter Handke, por kjo kërkesë u refuzua.

Më 7 mars të këtij viti, shoqata shpalosi një bilbord në Bratunac, të ish-udhëheqësit ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq. Së bashku me foton e Mlladiqit, ishte edhe ajo e anëtarit të presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik.

Pavlloviq tha se ata ishin “dy mbrojtësit më të mëdhenj të popullit serb”.

Mlladiç është dënuar me burgim të përjetshëm nga vendimi i shkallës së parë për gjenocidin në Srebrenicë, nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë. Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq është dënuar me 40 vjet burgim më 2016 dhe më 2019, gjykatësit ndryshuan këtë dënim në burg të përjetshëm.

Deri më tani, një total prej 47 personash janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për krime në dhe përreth Srebrenicës dhe janë shpallur katër dënime të përjetshme.

Çfarë mendojnë anëtarët e Asamblesë Komunale të Srebrenicës?

Zulfo Salihoviq, një anëtar i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA) në Asamblenë Komunale të Srebrenicës, i tha Radios Evropa e Lirë se këshilltarët boshnjakë do të dalin me propozimin që rruga të quhet – Rruga e Gjenocidit të Srebrenicës.

“Mendoj se është një emër më i përshtatshëm për atë rrugë të Srebrenicës. Në raste se miratohen të dyja propozimet, atëherë kjo mund të çojë në trazira të ndryshme, por nuk mendoj se ky është qëllimi”, tha Salihoviq.

Dragic Glisiq nga Partia e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) në Asamblenë Komunale të Srebrenicës, beson se çdo vendim duhet të merret me pajtimin e dy komuniteteve.

Ai thekson se iniciativa të tilla që mund të nxisin destabilizimin e situatës në Srebrenicë, “do të dekurajojnë investitorët e mundshëm dhe nuk janë të mira për Srebrenicën”.

Asambleja e Komunës së Srebrenicës ka 21 këshilltarë, nga të cilët 15 janë përfaqësues të partive që janë kryesisht serbe dhe gjashtë janë boshnjakë.

Në një pjesë të Bosnjës “non grata” në pjesën tjetër i nderuar

Peter Handke mori Çmimin Nobel për Letërsi më 10 dhjetor të vitit 2019. Shoqata e Shkrimtarëve të Republikës Serbe, e shpalli atë një anëtar nderi. Në Serbi, në vitin 2015, shkrimtari austriak u shpall qytetar nderi i Beogradit me vendim të Asamblesë së Qytetit. Gjatë një vizite në Vishegrad më 7 maj, vendi i vuajtjeve të 3.000 boshnjakëve në luftën e kaluar, regjisori Emir Kusturica i ndau Handkes “Çmimin e Madh Ivo Andriq” për letërsinë.

Në të njëjtën ditë, ai u vlerësua me Urdhrin e Republikës Serbe në Banja Llukë, në veriperëndim të Bosnje dhe Hercegovinës.

Më 9 maj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjithashtu i dorëzoi Handkes “Urdhrin e Yllit të Karagjorgjit”.

Përfaqësuesit e Asamblesë së Kantonit të Sarajevës, një nga dhjetë kantonet e njësisë Boshnjake të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës e shpallën Handken person (non grata) një ditë pasi iu nda Çmimi Nobel. Edhe qyteti i Tuzllës e ka marrë një vendim të tillë.

“Handke në paraqitjet e tij publike, mbështeti publikisht regjimin e udhëhequr nga krimineli i luftës Sllobodan Millosheviç dhe në mënyrë të përsëritur, mohoi krimin e gjenocidit në Srebrenicë, pavarësisht vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë”, u tha në njoftim.

Shkrimtari dhe laureati i Çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke është shpallur person i padëshiruar (non-grata) edhe në Kosovë.

“Kam vendosur ta shpall Peter Handke si persona non-grata në Kosovë për shkak të mbështetjes që ai i dha Millosheviqit dhe politikave të tij gjenocidale në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë dhe mohimin e gjenocidit të kryer nga Serbia. Ai dhe Komiteti i Nobelit treguan mos-respekt ndaj viktimave të gjenocidit”, pati shkruar në dhjetor të vitit 2019, ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Ditën e ceremonisë së ndarjes së çmimeve Nobel, dy protesta janë mbajtur në kryeqytetin e Suedisë dhe gazetarë të shumtë të luftës që raportuan për luftërat në Bsonje dhe Kosovë, i publikuan në rrjetet sociale raportet që ata kishin shkruar gjatë luftës në vitet 1990-të.

Turqia dhe Kroacia iu bashkuan Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnje dhe Hercegovinës, në bojkotimin e ceremonisë së ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi, për lauretatin e vitit 2019.

[email protected] (Maja Zhuvella, Sadik Salimoviq)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit