0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Infrastruktura s’ndihmoi zhvillimin ekonomik

Më të lexuarat

Që nga pas lufta, Kosova, investimet kapitale kryesisht i ka drejtuar në ndërtimin e rrugëve, që nga ekspertët e çështjeve ekonomike ishte vlerësuar e gabuar, për faktin se, siç thonë ata, investimi vetëm në infrastrukturë rrugore nuk ndikon në zhvillimin e vendit.

Investimet e Qeverisë së Kosovës, vlerësojnë ekspertët e ekonomisë, janë bërë pa ndonjë analizë të mirëfilltë paraprake, e cila do të nxirrte përfitimet dhe koston e atyre investimeve.

Profesori i ekonomisë nga Instituti Riinvest, Alban Hashani, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, deklaron se investimi i qeverisë vetëm në ndërtimin e rrugës nuk ka ndihmuar ekonominë e vendit.

“Përmirësimi i infrastrukturës ndikon që bizneset të jenë më konkurruese, mirëpo kjo duhet të paraprihet me masa tjera për uljen e barrierave tjera që ne i quajmë barriera institucionale. Investimet në rrugë nuk na bëjnë ndonjë shërbim të madh. Barrierat më të mëdha që kanë bizneset janë joformaliteti, korrupsioni, evazioni fiskal që i bëjnë të pabarabartë shumë biznese që të jenë më konkurruese në treg”, thotë Hashani.

Sipas tij, përmirësimi i infrastrukturës është parakusht për zhvillimin e ekonomisë së një vendit, por siç thekson Hashani, pa përmirësimin e shumë faktorëve, siç është prokurimi publik, i cili përfaqëson 1.6 për qind të ekonomisë së vendit, si dhe sundimi i ligjit nuk mund të arrihet që të ketë zhvillim ekonomik.

Mjedisi biznesor, për më tepër, shton Hashani, nuk është në mjedis tërheqës për investitorët.

“Kemi shumë probleme institucionale, nuk funksionon si duhet gjyqësori, për pasojë nuk mundet të zbatohet kontrata. E, moszbatimi i kontratave dihet se çfarë implikime ka në ekonomi – rrit koston e transaksionit, rritë koston operative dhe rrit koston e financimit që do të thotë se i bën kosovarët, por edhe investitorët e huaj që do të investonin në Kosovë, të pabarabartë karshi firmave në venet tjera”, shton Hashani.

Në anën tjetër, ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, thekson se niveli i tanishëm i zhvillimit ekonomik të Kosovës, nuk i përgjigjet asaj që investimet kryesore të orientohen në infrastrukturë rrugore.

“Kosova me këtë aftësi ekonomike që ka, nuk mundet të ndajë mjete për investime në atë masë që të garantojë zhvillim më të shpejtë. Kosovës i duhet të ketë investime të huaja, në mënyrë që ta rrisë normën e punësimit”, vlerëson Shatri.

Bartësi kryesor i zhvillimit ekonomik, sipas Shatrit, duhet të jetë sektori privat. Por për të pasur investime private, duhet të përmirësohet infrastruktura në përgjithësi në Kosovë. Kjo, siç thotë Shatri, arrihet me një organizim dhe qeverisje të mirë.

“Në këtë mënyrë si po punohet, investimet e jashtme brenda pesë vjetëve janë zvogëluar dyfish. Nga 500 milionë sa kanë qenë në vitin 2007, kanë rënë në 260 milionë euro. Investitorët e jashtëm po tërhiqen, ambienti biznesor është përkeqësuar, bizneset po kanë problem ta zhvillojnë biznesin në Kosovë”, thekson Shatri.

Projekti më i madh në infrastrukturë rrugore është autostrada Prishtinë – Vërmicë ku deri më tani në qarkullim janë lëshuar 60.4 kilometra, derisa deri në fund të këtij viti, kur edhe do të përfundojë ky projekt, kanë mbetur edhe 40 kilometra të tjera.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit