3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Inflacioni, rritja ekonomike dhe politikat monetare, çfarë po ndodh në tregjet financiare?

Më të lexuarat

Nga Adrian Civici

Javët apo muajt e fundit, tregjet financiare duket se janë “me temperaturë të lartë e nën presion të vazhdueshëm” përballë një tërësie faktorësh influencues e të ndërlidhur ngushtë ndërmjet tyre, ndër të cilët, më i rëndësishmi dhe më ndikuesi është padyshim niveli i lartë i inflacionit.

Inflacioni është fenomeni i rritjes së përgjithshme të cmimeve të mallrave e shërbimeve. Në kushte normale të jetës dhe zhvillimeve ekonomike, një nivel i caktuar inflacioni është i pranueshëm, pse jo dhe i dëshirueshëm, por deri në një farë limiti, p.sh., një, dy ose maksimumi tre përqind. Ky nivel inflacioni është i kontrollueshëm nga bankat qëndrore, duke bërë pjesë edhe në objektivin e politikës monetare të tyre.

Çfarë është inflacioni, në çfarë formash manifestohet dhe çfarë roli luan ai në zgjedhjet e familjeve, bizneseve dhe investitorëve? Sipas përkufizimit të përgjithshëm, inflacioni tregon një rritje progresive, të qëndrueshme dhe të vazhdueshme të nivelit mesatar të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve. Ky tregues konsiderohet përfaqësues i trendit të përgjithshëm ekonomik në një vend të caktuar (ose edhe në një kontekst më të gjerë). Llogaritja e inflacionit kryhet mbi bazën e shportave specifike që agregojnë kategori të ndryshme mallrash dhe shërbimesh. Inflacioni shprehet në përqindje, duke matur ndryshimin e çmimeve në periudhën e referencës dhe mund të matet në baza mujore ose vjetore. Disa sektorë mallrash shprehin dinamika çmimesh të ndryshme nga mesatarja dhe janë subjekt i luhatshmërisë së lartë: kjo është evidente për energjinë dhe ushqimin.

Por, ajo që po ndodh aktualisht me inflacionin është një situatë e frikshme e me shumë të panjohura, vështirësisht e kontrollueshme dhe menaxhueshme nga bankat qëndrore dhe qeveritë. Mbas shumë vitesh nivelesh inflacioni mjaft të ulta, duke filluar nga tremujori i fundit i vitit 2021 dhe gjashtë muajt e parë të vitit 2022, inflacioni po prek nivele alarmante pothujase kudo në botë.

Për disa vende, përfshirë këtu dhe SHBA, bëhet fjalë për nivele inflacioni të ta papara që prej 40 vitesh : SHBA 9.1%, BE 8.1%, vendet e OCDE 9.6%, etj. Ndërkohë, inflacioni i cmimeve të energjisë, ushqimeve dhe disa lëndëve të para ka njohur një rritje prej 30-40% muajt e fundit. Vende të vecanta si p.sh., Turqia, Estonia, Lituania, Rusia, Venezuela, Argjentina, Sudani, etj., tashmë janë në një situatë inflacioniste dy shifrore.

Por, cilat janë shkaqet kryesore të këtij inflacioni galopant?

Cilat janë shkaqet, dhe për rrjedhojë, padyshim përgjegjësitë e kësaj vale globale që nisi në fillim të vitit 2021, por që është përforcuar muajt e fundit? Një përshpejtim i kohëve të fundit që do të dëshmonte dhe për efektin negativ të luftës në Ukrainë.

Vendimi evropian për të bojkotuar hidrokarburet ruse në terma afatgjatë dhe për të filluar “tranzicionin energjitik” të diskutuar prej kohësh, sigurisht që ka rritur tensionin mbi çmimet e tyre, por duhet theksuar se çmimi i gazit rus ishte shumëzuar tashmë me tre gjashtë muaj para pushtimit ushtarak të Ukrainës. Përsa i përket fuçisë së naftës, pavarësisht kulmit në 130 dollarë, çmimi mesatar i saj në periudhën shkurt-qershor 2022 është rreth 15% më i lartë se cmimi 91 dollarë në janar 2022. Bota ka përjetuar tashmë shumë episode të rritjes ekuivalente, me në veçanti rekordin prej 145 dollarësh për fuçi në korrik 2008, por pa shkaktuar një inflacion të përgjithësuar sic është rasti aktual. Shumë më bindës duket se është shpjegimi se kjo valë inflacioni lindi nga periudha e izolimit gjatë pandemisë së Covid-19. Këto të fundit kanë paralizuar shumë fabrika dhe kanë ndërprerë zinxhirët e furnizimit për rreth dy vjet në të gjithë botën.

Ekspertët e analizave të situatave inflacioniste evidentojnë dy shkaqe kryesore : goditjen që pësuan cmimet e energjisë dhe ushqimeve dhe cballancimin e ofertës globale të mallrave dhe shërbimeve.

Problematika e parë, cmimet e energjisë, ushqimeve dhe disa lëndëve të para të rëndësishme,  lidhet me dy faktorë fondamentalë : rrifillimi i vrullshëm i aktivitetit ekonomik dhe shtimi po kaq i vrullshëm i konsumit mbas mbarimit të periudhës së pandemisë së covid-19, gjë që rriti ndjeshëm dhe menjëherë presionin mbi nivelin e përgjithshëm të cmimeve të mallrave dhe shërbimeve.

Efekt të ndjeshëm në këtë fenomen patën dhe politikat monetare tejet relaksuese të bankave qëndrore dhe “paratë e hedhura në qarkullim nga qeveri të ndryshme në kuadër të paketave e masave mbështetëse ndaj bizneseve dhe individëve për ti ndihmuar në përballimin e pasojave të pandemisë”. Fillimisht, u mendua se ky fenomen do të ishte i përkohëshëm dhe deri diku kalimtar që do të amortizohej brenda gjashtë mujorit të parë të vitit 2002. Por, megjithatë pikëpyetjet dhe paqartësitë vazhduan, vecanërisht në tremujorin e parë të vitit 2022.

Por, në fund të muajit shkurt 2022, shpërtheu konflikti ushtarak dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia, pasojë direkte e të cilit ishte dhe zgjerimi dhe thellimi i situatave inflacioniste, aq më tepër që Rusia dhe Ukraina rezultonin si vendet nga më kryesoret në eksportin e naftës, gazit natyror, energjisë, grurit, vajrave ushqimorë, etj.

Konflikti ushtarak e reduktoi ndjeshëm ofertën e këtyre produkteve, duke bërë që cmimet e tyre të ngriheshin akoma më shumë. Cmimet e larta të energjisë dhe lëndëve të para u transmetua gradualisht dhe automatikisht në shumicën e cmimeve të mallrave dhe shërbimeve në shkallë globale, duke bërë që inflacioni të prekte të gjithë sektorët e ekonomisë. Inflacioni u bë një fenomen strukturor dhe jo dicka e përkohëshme dhe konjukturore e lidhur me një vend, produkt, shërbim apo me një treg të caktuar.

Problematika e dytë, prishja e raporteve ndërmjet ofertës dhe kërkesës, cballancimi i ofertës globale të mallrave dhe shërbimeve, supply chains, u cfaq gjithashtu si një efekt post-pandemik, sidomos për një numër të madh biznesesh që u goditën rëndë nga mbyllja dhe izolimi gjatë pandemisë, crregullimet në tregëtinë ndërkombëtare, crregullimet në zinxhirët e prodhimit, mungesën e fuqisë punëtore dhe transferimin online të një pjese të aktiviteteve të tyre, uljen dhe ristrukturimin e kërkesës, etj.

Rrikthimi i tyre në kushtet e prodhimit dhe shpërndarjes së periudhës para covid-19 rezultoi i vështirë dhe me mjaft të panjohura e kosto të larta duke krijuar situata që në mënyrë metaforike quhen “hinka apo gryka të ngushta shishesh”.

Për pasojë, oferta nuk arrinte të kënaqte kërkesën, fenomen që ndikoi ndjeshëm në rritjen e cmimeve dhe inflacionit. Ky fenomen ndodhi në shkallë globale dhe kush më shumë apo më pak, gjithë vendet u prekën dukshëm prej tij.

Si mund të zgjidhet problemi i inflacionit?

Për të shmangur një recesion të rëndë pas krizës globale financiare të vitit 2008, bankat qendrore, veçanërisht ato perëndimore, u angazhuan në krijimin masiv monetar nën emrin e “lehtësimit sasior”, “politikës jokonvencionale” etj. Që atëherë, bota është përmbytur me para dhe kredi me norma shumë të ulëta apo edhe zero. Fed, banka qendrore amerikane ka krijuar dhjetë herë më shumë para gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit sesa gjatë gjithë ekzistencës së saj. Banka Qendrore Evropiane nuk mbeti jashtë kësaj tendence.

Mjeti kryesor, por jo i vetmi, me të cilin mund të luftohet inflacioni, në kuadrin e politikave monetare të bankave qëndrore, janë normat bazë të të interesit të vendosura nga bankat qendrore, të cilat në mënyrë të thjeshtuar mund të përshkruhen si çmimi me të cilin bankat tregëtare, dhe rrjedhimisht korporatat, kompanitë dhe konsumatorët, mund të marrin hua. Rritja e normave bazë të interesit do të thotë ta bësh borxhin dhe huamarrjen e likuiditetit më të shtrenjtë, dhe rrjedhimisht dekurajimin e tij; nëse ky aktivitet zvogëlohet, ekonomia ngadalësohet duke rezultuar në rënie të çmimeve.

Në këtë kuadër, bankat qendrore kanë filluar të rrisin normat e interesit. Banka qëndrore europiane (BCE), Fed në SHBA, Banka e Anglisë, Banka e Rusisë, Banka e Shqipërisë, etj., gradualisht po hyjnë në një proces rritje të normave bazë të interesit, duke kaluar nga politikat monetare lehtësuese e stimuluese drejt politikave monetare shtrënguese, nga politikat e lehtësimit sasior drejt politikave të shtrëngimit sasior dhe në një farë mënyre nxitjen e procesit që njihet si “ftohje e motorrit të ekonomisë”. Natyrisht që ky është një instrument i rëndësishëm i bankave qëndrore, por jo një “instrument cudibërës e magjik” që mund ti japë zgjidhje të shpejtë kontrollit të inflacionit.

Në parim, kur aktiviteti ekonomik ngadalësohet, banka qendrore duhet t’i japë stimul ekonomisë nëpërmjet një politike të lehtësimit monetar (norma më të ulëta interesi dhe ofertë më e lartë monetare), e cila do ta rridrejtojë ekonominë drejt rritjes së qëndrueshme. Në të kundërt, kur aktiviteti ekonomik është “shumë i fortë”, banka qendrore duhet të qetësojë ekonominë duke aplikuar një qëndrim më të shtrënguar monetar, për të shmangur mbinxehjen. Kjo përfshin rritjen e normave të interesit dhe reduktimin e injektimeve monetare për ta rikthyer ekonominë në rrugën e rritjes dhe çmimeve të qëndrueshme. Fed evidenton faktin se goditjet e furnizimit nga ndërprerjet e Covid-19 dhe lufta Ukrainë-Rusi po nxisin rritjen e indeksit të çmimeve të konsumit. Prandaj, Fed, BQE, Banka e Anglisë, etj., po përpiqen të zvogëlojë kërkesën për mallra dhe shërbime duke rritur normat e interesit për ta sjellë atë në përputhje me ofertën e reduktuar.

Për të luftuar inflacionin e lartë, Fed rriti normat e interesit me 0.75% duke e cuar atë në 1.75%, rritja më e madhe në tre dekada. Gjithashtu, Fed pritet të rrisë normat e interesit në rreth 3.8% në vitin 2023. Me këtë masë, Fed pret që inflacioni të bjerë në 4.3% këtë vit dhe 2.7% në 2023, duke iu afruar kështu objektivit të tij prej 2%. Por efekti anësor i rritjes së normave të interesit mund të jetë rritja më e ngadaltë ekonomike apo edhe rrëshqitja në recesion.

Ekspertët vlerësojnë rritjen e çmimeve si inflacion dhe se çmimet do të bien nëse kërkesa për mallra dhe shërbime reduktohet nga një shtrëngim i normave të interesit. Por nxitësi kryesor i rritjes së çmimeve është rritja e ofertës monetare. Cmimi i një malli është shuma e parave të paguara për ta marrë atë. Prandaj, rritja e ofertës monetare, nënkupton që dhënia e më shumë parave për mallra çon në rritjen e çmimeve të mallrave. Për pasojë, mund të nxjerrim përfundimin se forca shtytëse pas rritjes së përgjithshme të çmimeve është inflacioni monetar.

Të dhënat dhe tendencat e inflacionit në përgjithësi dhe cmimeve specifike në vecanti e po i vënë Bankat qëndrore në një dilemë të vështirë politike : rritja e normave të interesit për të qetësuar inflacionin apo përballja me rrezikun e frenimit të rritjes ekonomike në ekonomi që sapo kishin filluar të jepnin sinjale pozitive për rrikthim në rritje ekonomike të qëndrueshme mbas periudhës së vështirë të pandemisë së covid-19, pasi çmimet e larta të energjisë po ndikojnë në konsum dhe dëmtojnë investimet e biznesit.

Kjo situatë ka ngjallur demonët e frikës së rënies në një gjendje stagflacioni, në të cilën inflacioni i lartë shoqërohet me rritje ekonomike të ulët ose dhe stanjacioni. Të gjitha Bankat qendrore po përballen me “lojën e vështirë të balancimit” që synon të ekuilibrojë frenimin e rritjes së cmimeve pa shkaktuar pasoja të tepruara në rritjen ekonomike, tashmë të ekspozuara ndaj faktorëve të rinj të pasigurisë.

Hijet kërcënuese të stagflacionit

Rritja e normave bazë të interesit nga bankat qëndrore nuk është një politikë ekskluzivisht e tërësisht e dobishme, pasi, sic e përmendëm dhe më lart, ato kanë edhe efekte potencialisht negative në ekonomi dhe konsum. Arsyeja pse normat e larta të interesit favorizojnë një ngadalësim të inflacionit është sepse, në fakt, ato ndikojnë në aktivitetin ekonomik: kompanitë investojnë më pak (sepse është më e shtrenjtë të kërkosh kredi nga bankat), konsumatorët shtyjnë disa blerje si shtëpi, makina apo apartamente… ekonomia pëson një goditje negative të përgjithësuar.

Prandaj, bankat qendrore tentojnë vazhdimisht të jenë të kujdesshme për të rritur gradualisht dhe me kujdes normat bazë të interesit, duke e ditur se politikat monetare shtrënguese frenojnë një ekonomi në zgjerim.

Rritja e normave bazë të interesit në një kohë kur ekonomia është në rritje, në ekspansion nuk është problem. Por ta bësh atë kur ekonomia po ngadalësohet, sic po ndodh në fakt në shumicën e ekonomive të vendeve të zhvilluara dhe atyre të varfëra apo në zhvillim, përfshirë këtu dhe ekonomitë emergjente, krijon shumë shqetësime.

Në fakt, kur ekonomitë janë të dobëta ato janë më pak të afta të mbajnë normat e interesit në rritje. Është pikërisht ky kombinim i ngadalësimit të ekonomive, inflacionit të lartë, rritjes së normave të interesit që krijon një koktej të vështirë për t’u tretur nga tregjet. Shqetësimi më i madh është stagflacioni: pra një recesion i shoqëruar me inflacion të lartë.

Aktualisht frika ndaj stagflacionit po bëhet gjithnjë e më prezente. Si ekonomitë e zhvilluara ashtu edhe ato në zhvillim, tashmë janë në kushtet e një “stuhie perfekte”, ku, nga njëra anë, inflacioni gërryen të ardhurat e disponueshme të konsumatorëve (duke ulur pasurinë e tyre dhe duke dëmtuar ekonominë) dhe, nga ana tjetër, politikat e rritjes së normave bazë të interesit zvogëlojnë sasinë e parave në qarkullim dhe shtrëngojnë ekonominë.

Ky është tashmë një fenomen global. Pyetja dhe pikëpyetja fondamentale në këto momente është : si të përballeni me momentet e paqëndrueshmërisë? Inflacioni është sot në qendër të orientimeve kryesore ekonomike globale. I gjithëpranishëm në diskutimet politike, inflacioni është gjithashtu në qendër të debateve midis specialistëve e ekspertëve, objekt kundërshtimi midis “skifterëve”, mbështetësve të ortodoksisë monetare dhe “pëllumbave”, të cilët bëjnë thirrje për mbështetje më të madhe për ekonominë.

Si rezultat, ajo që fillimisht mund të duket si një rikuperim në formë “V”, domethënë i shpejtë dhe i fuqishëm, dhe që më vonë u konsiderua si një rikuperim në formë “U”, më gradual dhe më i ngadalshëm, tani do të marrë një rikuperim shumë të ngadaltë në formën ” L”, pasi pothuajse të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe bankat qendrore po e kufizojnë perspektivën për rritjen ekonomike./fjale.al/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit