1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Indiferenca

Më të lexuarat

Bekim LAÇI

Nuk është ky tekst apologjetik, nuk është as kritikues, por paraqet vetëm një këndvështrim për letargjinë mbarëpopullore si rrjedhojë e skepticizmit kolektiv, që është vrasësi i optimizmit, për të cilën fukaraja kishte thënë: t’i jap të gjitha, por ama ymytin nuk ta jap”. Optimizmi është ajo ndjenja që e mbanë njeriun vital, e bënë të jetë aktiv, të kontribuojë në çështje për të cilat beson, sepse në të kundërtën bëhet pasiv dhe e mbulon indiferenca. Protestat e fundit studentore, ato për honorarët dhe parasegjithash e punonjësve arsimorë, po ngjallë shpresën madje edhe te skeptiket e përbetuar se në Maqedoni po zgjohet masa kritike, po shtohet numri i atyre qe nuk qëndrojnë dot indiferent, sepse fatkeqësisht ka vite që masën kritike në vend e karakterizon letargjia dhe kjo më së miri vërehet te heshtja e një populli që po varfërohet, i cili po detyrohet të braktisë vendlindjen për të kërkuar lumturinë diku jashtë, ndërsa nuk guxon të flet, të ngrit zërin dhe të kërkojë jetë më të mirë aty ku e ka oxhakun, së paku sa çereku i asaj që kanë ministrat tanë qeveritarë. Ne kemi ditur te jemi aktiv dhe në periudha të ndryshme kohore kemi marrë pjesë, nuk kemi qëndruar indiferent që dikush tjetër të caktojë fatin tonë, por pas revoltës popullore të vitit 2001, futemi në fazë të pashpjegueshme hibernacioni. Arsyet ndoshta mund t’i gjejmë te frika qe ka instaluar pushtetit i cili në forma te ndryshme shantazhin dhe kërcënon ata që mendojnë ndryshe, por sidoqoftë, e kaluara na bënë të shpresojmë se në brumin shqiptarë ka të tillë që e sfidojnë frikën. Kur thash më lartë se nuk është ky tekst apologjetik, qëllimin e kisha se është një vështirim mbi pasivitetin e qytetarit, është shkrim për indiferentët, ashtu siç e quan Antonio Gramshi (Antonio Gramsci) këtë kategori të njerëzve. Me Gramshin, (themelues i Partisë komuniste italiane), mund të mos pajtohemi ideologjikisht, por ama, ai e meriton një BRAVO të madhe italiane për qasjen e tij ndaj kësaj kategorie të njerëzve për të cilën thotë: “I urrej indiferentët. Besoj se të jetosh do të thotë të përfshihesh diku. Cilido jeton, me të vërtet, nuk mund të mos jetë qytetar dhe i përfshirë (diku). Indiferenca është abuli (mungesë vullneti), është parazitizëm, është ngurrim, nuk është jetë. Prandaj i urrej indiferentët, thotë ai, në tekstin e shkruar në vitin e largët 1917. Nga kjo perspektivë kohore, mund të polemizojmë se vallë Gramshi do t’kishte të njëjtën qasje nëse do t’jetonte në këtë kohë, të cilën ne e quajmë epoka moderne, sepse në Itali kanë ndryshuar rrethanat, është demokratizuar shoqëria, por prejardhja e tij arbëreshe më bën të jem i sigurt se Gramshi do shkruante të njëjtat fjalë duke qenë i shqetësuar për situatën e bashkëkombësve të tij. Kur lexon Gramshin e vitit 1917-të, krijon përshtypjen se ka pasur ndonjë mjet me të cilin ka udhëtuar nëpër kohë, na ka parë si funksionojmë, ka parë se te ne studentëve u imponohen ligje, se punonjësve honoraristë shteti mundohet t’ua me atë që me djers e fitojnë me 35%-shin e kontributeve për shtetin, se mësuesin e ka ngarkuar me ligje të cilat e shndërrojnë atë në punonjës administrativ, i cili kohën më të madhe e harxhon duke shënuar të dhëna sesa të përcjell dijen te nxënësit. Thotë: “Kjo që po ndodh, e keqja e cila bie mbi të gjithë, ndodh sepse masa e njerëzve mohon vullnetin e saj, lejon (kështu) të miratohen ligje të cilët vetëm revolta do të mundë t’i shfuqizojë”, por cila revoltë, kur pjesa më e madhe qëndron indiferente, si rrjedhojë e instalimit të frikës se do të gjobiten, do të përjashtohen nga puna, do të zëvendësohen me tjerë dhe formave të ndryshme presioni psikologjik. “Disa rënkojnë përvajshëm, ndërsa të tjerë mallkojnë në mënyrë vulgare, veçse, asnjeri, ose vetëm disa, pyesin veten: nëse kisha bërë edhe unë detyrën time, nëse përpiqesha të imponoja vullnetin tim, a do të ndodhte ajo që ndodhi”? shkruan Gramshi për INDIFERENTËT. 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit