Qendra kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) ka organizuar sot një ligjëratë me pjesëtarët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas në Mitrovicë.
“Qytetarët e Kosovës janë të njëjtë, kanë të drejta të njëjta. Kanë ëndrra të njëjta. Pavarësisht etnisë, gjuhës apo rajonit, të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të mbrohen nga të këqijat dhe ti mundësohen kushtet për shkollim, jetë dhe perspektivë. E tëra ndodh në komunitet, prandaj komuniteti është mekanizmi që më së miri mund të parandalojë shtrirjen e ideologjisë dhe të pakësojë radikalizimin e të rinjve. Ky komunitet që përfshin familjen, shoqërinë, lagjen, vendbanimin duhet përfshirë në rritjen e Iniciativave Lokale për parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm. Aktivitete si kjo e sotmja janë ato që ndikojnë në vetëdijesimin e qytetarëve, krijimin e bindjes së lirë fetare, tolerancës e pastaj në krijimin e një shteti të bashkuar dhe më të sigurt”, tha përfaqësuesi i SPRC Eris Hana. Panelistë tjerë në këtë ligjëratë ishin edhe përfaqësues nga Policia e Kosovës dhe nga Bashkësia Islame e Kosovës.Ismet Koca, përfaqësues i Policisë së Kosovës theksoi se situata në lagjen e komunitetit RAE është e qetë në krahasim me vitet e kaluara. Sipas Hoxhës Rexhep Lushta pasojë kryesore e krimeve ekstremiste është padituria ndaj fesë. Të gjithë qytetarët duhet të fillojnë të mbledhin fidanët e paqes duke filluar nga vetja, shoqëria, kolegët, lagjja dhe vendbanimi dhe të bëjnë të pamundurën që të ndikojnë në parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm.
Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë bashkë me RRJETIN e Organizatave Partnere kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe për Promovimin e Sundimit të Ligjit të njohur si RRJETI, është duke realizuar aktivitete të shumta në promovimin e angazhimit të shoqërisë civile kundër ekstremizmit të dhunshëm në komunën e Pejës, Mitrovicës, Gjilanit, Ferizajit dhe Kaçanikut.