3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Ilir Meta gënjeu Donald Trump-in/ Letra e presidentit shqiptar ‘kokë e këmbë’ një mashtrim

Më të lexuarat

Votimi i Shqipërisë në OKB dhe vendimi për të dalë kundër Presidentit Donald Trump, ka ngjallur diskutime dhe reagime të shumta në sferën publike dhe politike.

Rreagimi më i fuqishëm ka qënë pa dyshim letra e Presidentit Ilir Meta për Donald Trump, ku i kërkonte falje në emër të kombit shqiptar.

Por pas investigimeve, është zbuluar se kjo letër përmbante edhe shumë gënjeshtra.

Me sinqeritetin e panatyrshëm për një burrë shteti, Ilir Meta rrëfeu në këtë letër se nuk kishte pasur asnjë komunikim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme për çështjen, kur u shpreh: “kjo votë është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe as me Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar”.

Letra ishte një prezantim tjetër komik i shtetit shqiptar në sytë e të huajve, kësaj radhe në sytë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nga pozitat e shtetarit të indinjuar Meta iu drejtua Trumpit me premtimin se “Do të kërkoj personalisht shpjegime dhe sqarime për këtë qëndrim dhe vendim të qeverisë që bie ndesh me marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesat tona kombëtare”.

Qëndrimi i Metës nuk lë vend për interpretime dhe tenton ta zhveshë Presidentin nga çdo përgjegjësi për votën në OKB, por Lapsi.al u njoh me disa fakte që e nxjerrin të pavërtetë mesazhin dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lapsi.al ka parë me detaje disa mesazhe të shkëmbyera përmes postës elektronike mes Sokol Gjokës, drejtor i Marrëdhënieve Shumëpalëshe në Ministrinë e Jashtme me Valter Ibrahimin, Këshilltarin Diplomatik të Presidentit.

Emailet janë dëshmi e komunikimit të pandërprerë mes Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme dhe Presidencës.

Komunikimi nisi para mbledhjes së Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, aty ku u inicua rezoluta kundër Trump dhe ku Shqipëria u përfaqësua nga ambasadori i saj.

Në email, Sokol Gjoka i Ministrisë së Jashtme informon Këshilltarin Diplomatik të Presidentit, Valter Ibrahimin për pjesëmarrjen e ambasadorit tonë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik.

Madje Presidencës i dërgohet edhe fjalimi i ambasadorit tonë në OBI, përveç informacioneve të tjera për rezolutën.

Lapsi.al dalloi në emaile edhe lutjen e Sokol Gjokës, për një reagim nga Presidenca. Përgjigjia në orën 17:45 të pasdites së datës 11 Dhjetor nga këshilltari i Ilir Metës ka qenë lakonike. “Sa te kem nje instruksion te njoftoj menjehere”.

Por kjo përgjigje ishte e fundit për këtë çështje dhe nuk u shoqërua nga një tjetër.

Një zyrtar në Ministrinë e Jashtme tregoi për Lapsi.al se për votën në OKB, Drejtori i Përgjithshëm Politik, Ferit Hoxha pati komunikim të vazhdueshëm në telefon me shefin e Kabinetit të Presidentit, Arben Cicin.

Para votimit, shefi i Kabinetit të Presidentit u mbajt i informuar për komunikimin me trupin diplomatik në Tiranë, për qëndrimin që do të mbahej duke e vënë theksin në linjën e përbashët me vendet e BE-së.

Madje komunikimi në telefon mes Ferit Hoxhës dhe Arben Cicit vazhdoi edhe pas votimit në OKB.

Presidenca u njoftua për qëndrimin që mbajti Shqipëria në OKB, tha zyrtari i Ministrisë, duke theksuar se “në të gjitha komunikimet, nga presidenca nuk erdhi asnjë shenjë pakënaqësie”.

Emailet zbulojnë lojën që u bë në Tiranë me votën e Shqipërisë në OKB. Veç këtyre emaileve dhe komunikimeve, Presidenca e kishte të qartë qëndrimin në OKB, që kur u informua për praninë e ambasadorit tonë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik.

Vota në OKB kundër Trump nuk mund të ishte surprizë për Ilir Metën.

Pa u futur në gjykimin, nëse Shqipëria mori vendimin e drejtë apo jo, del qartë se Meta qëndroi në heshtje deri në momentin që Rama votoi kundër SHBA.

Më pas, nisi letrën për Donald Trump ku shfaqej i painformuar dhe i indinjuar, duke luajtur një lojë që, sado e vështirë të duket, e bën akoma më qesharak imazhin e shtetit shqiptar në sytë e të huajve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit