25.2 C
Pristina
Friday, July 5, 2024

IK PREJ DYSHIMEVE SIÇ IK PREJ LUANIT! – Hoxhë Muhamed Broja

Më të lexuarat

Nganjëherë të rastis të dëgjosh se filani ka devijuar nga e vërteta.
Kur interesohesh rreth shkakut të devijimit, merr vesh se ajo ka ndodhur si pasojë e dëgjimit të ndonjë audioje apo videoje me përmbajtje armiqësore ndaj fesë.
Më e çuditshme se kjo, është kur e kupton se dëgjuesi nuk e njeh fare personin në fjalë dhe nuk e ka idenë se kush mund të jetë ai. Thjesht, e ka parë në internet apo në rrjetet sociale, por në momentin e dëgjimit, bindja dhe besimi i ndërtuar për vite me radhë, fillojnë t’i lëkunden.
Pse ndodh kjo me gjithë këtë shpejtësi, është një çështje që kërkon sqarim dhe elaborim më të gjerë.
Me përhapjen e rrjeteve sociale, janë shtuar edhe mundësitë që secili t’i plason idetë e tij çfarëdo qofshin ato, duke u munduar të fitojë sa më shumë audiencë, për të përhapur ideologji e fe të ndryshme. Në këtë mënyrë, është shtuar edhe rreziku i futjes së dyshimeve në fe.
Shumë njerëz të nxitur nga kërshëria e madhe për të kuptuar se si mendon tjetri, pa pasur dituri të mirëfilltë paraprake rreth fesë, bijnë në kurthin dhe kthetrat e ndonjë folësi elokuent, i cili përdorë pseudoargumente për ta kundërshtuar islamin.
Disa muslimanë të tjerë, të shtyrë nga nijeti dhe qëllimi i mirë për ta mbrojtur islamin, hyjnë në dialogje online në space të twitterit apo platforma të tjera, me njerëz të ndryshëm, të cilët vazhdimisht hedhin dyshime rreth islamit. Mirëpo, kur përfundon dialogu i gjejmë se nuk kthehen ashtu siç kanë hyrë, ngase dyshimet e helmatisura që e kanë goditur zemrën pareshtur, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme dhe plagë të thella.
Ndodh që dikujt t’i tërhiqet vërejtja nga dëgjimi i dyshimeve rreth islamit apo në hyrjen në dialog me dikë, pa pasur dije të mirëfilltë rreth fesë, por nga besimi dhe siguria e tepërt në dijet e tij refuzon, pastaj, fatkeqësisht përfundon në humnerën e devijimit. Të tillët zakonisht privohen nga mbrojtja dhe përkrahja e Allahut.
Sufjan Thevriu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kush ia vë veshin bidatçiut, duke e ditur mirëfilli (se ai është bidatçi), i hiqet mbrojtja dhe përkrahja e Allahut dhe lihet i mbështetur në forcat e tij.”¹
Shumica e gjeneratave të hershme (selefëve) tërhiqnin vërejtjen nga dëgjimi i dyshimeve nga ana e shpikësve në fe (bidatçive).
Tabiini i njohur, Ebu Kilabe, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Mos rrini me shpikësit në fe (bidatçinjtë) e as mos polemizoni me ta, sepse nuk ndjej siguri për ju, ndoshta do t’ju zhytin në devijim apo do t’ua ngatërrojnë çështjet e fesë ashtu siç i kanë të ngatërruara në vetet e tyre.”²
Kjo është sa i përket shpikësve në fe të cilët konsiderohen muslimanë, e si qëndron çështja me armiqtë e hapur të islamit?
Natyrisht, dijetarët kanë përmendur se cili duhet të jetë personi që i lejohet të polemizojë me dyshuesit dhe kur, kanë përmendur edhe rregulla të shumta që kanë të bëjnë me këtë çështje, të cilat nuk mund t’i përmendim gjerësisht në këtë trajtesë të shkurtër. Por, qëllimi është të tregohet për rrezikun e dëgjimit të dyshimeve apo polemizimit me njerëz që kanë fe e ideologji të ndryshme nga ana e masës së gjerë.
“Dyshimet rreth islamit sado të shumta të jenë në numër, nuk mund të qëndrojnë përballë provave të forta e fakteve e pakontestuara të Islamit.”
Megjithatë, rreziku permanent mbetet tek individi i caktuar, sidomos nëse nuk posedon dije të mirëfilltë fetare.
Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, pasi që e përmend fjalën e Sufjan Thevriut që e cituam më lart, shton: “Shumica e elitarëve të selefit tërheqin vërejtjen (nga dëgjimi i dyshimeve). Ata thonë: “ZEMRAT JANË TË DOBËTA, NDËRSA DYSHIMET JANË GRABITËSE DHE RRËMBYESE.”⁴

1.El Ibanetul Kubra 2/461, nr (444), Hiljetul Evlija 7/26.

  1. Et-Tabekatul Kubra 7/184.
  2. Shih librin: “Tirjak”, fq 24.
  3. Sijer A’lamin-Nubela 7/261.

Shkroi dr.Muhamed Broja

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit