Kohën e fundit është vërejtur se një numër i refugjatëve në Idomeni që ndodhet në kufirin greko-maqedonas ka filluar të pranojë transferimin në kampet tjera të ndërtuara nga qeveria e Greqisë, ku ofrohen kushte më të mira, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyrtarja e Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) në kampin e Idomeni, Elodi Lamel në deklaratën e saj për gazetarin e AA-së, njoftoi se është vërejtur rritje e madhe kohën e fundit të numrit të refugjatëve të cilët pranojnë të transferohen nga kampi i qytezës Idomeni e cila gjendet në kufirin greko-maqedonas, në kampet tjera të ndërtuara nga ana e qeverisë greke në të cilat ofrohen kushte më të mira.
Ajo theksoi se që nga koha kur ka qenë gjendja e vështirë në kamp në bashkëpunim me qeverinë greke janë përpjekur që refugjatët të transferohen në kampet me kushte më të mira. Lamel tregon se e kanë rritur numrin e personelit dhe se kanë vizituar një nga një tendat në kamp për të informuar refugjatët.
“Ka rritje të numrit të refugjatëve të cilët pranojnë të transferohen nga Idomeni në kampet tjera. Njerëzit kuptuan se Idomeni është vetëm zgjidhje e përkohshme. Ashtu që refugjatët të cilët i mendojnë vetes dhe familjeve të tyre të mirën pranojnë të transferohen në kampet ku ofrohen kushte më të mira”, deklaroi Lamel, duke treguar se ka rritje edhe të numrit të refugjatëve në kampet tjera, të cilët aplikojnë për azil në Greqi dhe për programin për shpërndarje në vendet e tjera të Bashkimit Evropian (BE).
Sipas saj, procesi për transferim nga ka kampi në Idomeni në kampet tjera ka filluar më 25 mars. “Nga ajo datë deri dje rreth 2 mijë refugjatë u transferuan në kampe të tjera për të shfrytëzyar të drejtat e ofruara nga mbështetja e UNHCR-së”, tha Lamel, e cila gjithashtu njoftoi se sipas të dhënave zyrtare numri aktual i refugjatëve në kampin Idomeni është 10 mijë e 500 persona.
Ndërkohë, qeveria greke dhe UNHCR-ja më 25 mars u dakorduan që refugjatët të mund të kërkojnë azil nga Greqia ose të kërkojnë të zhvendosen në shtetet e BE-së.