Nga Klajd Bylyku
“Nëse nuk ke turp, bëj ç’të duash.”
-Profeti Muhamed-
Për nga natyra, skandali i përket asaj kategorie dukurish të cilat karakterizohen nga e papritura, e befta, nga ajo që shpërthen pa pritur e pa kujtuar. Si rregull ai është pasojë e një krize të neglizhuar, të pamenaxhuar apo të mohuar. Sepse marrëdhënia me krizën mund të jetë problematike, shfarosëse por edhe shpërblyese, gjithmonë nëse kuptohet, ekzaminohet dhe ekziston vullneti dhe dituria e duhur për ta zgjidhur. Në këtë kuptim, shpërthimi i skandalit/skandaleve është rrjedhojë e një krize që siç e thamë, është njëra nga tri mundësitë të cilat duhet të kemi durimin t’i marrim me radhë.
Në rastin e parë kriza nuk ndeshet si pasojë e neglizhencës. Përballja me të nuk ndodh sepse ajo mohohet, as se del nga kontrolli, por sepse thjesht konsiderohet e atyre përmasave të cilat autoritetet përkatëse, mbikqyrëse dhe përgjegjëse për kontrollimin e saj, i cilësojnë si qesharake, të pavlefshme, jo shqetësuese. Në një atmosferë, qeverisje, situatë, shoqëri në të cilën kriza nuk ekziston, për rrjedhojë skandalet jo vetëm që nuk janë të mirëpritura, por konsiderohen një anomali, ngase nuk kanë prej nga ku të shpërthejnë. Diferenca midis së brendshmes dhe së jashtmes, midis asaj që ekziston/dihet në prapaskenë dhe asaj që ekziston/njihet në publik, është e papërfillshme si pasojë e transparencës së lartë. Kjo është ajo që parimisht do të ishte një qeverisje e mirë. Marrim këtë si shembull sepse objekti i shkrimit në fjalë është pikërisht ky. Pra duke qenë se kriza është e përmasave të papërfillshme, rrjedhimisht edhe skandalet vështirë se mund të ekzistojnë.
Në rastin e dytë ajo nuk menaxhohet. Ky është një rast më i moralshëm dhe më i pranueshëm, sepse përballja me krizën pranohet, vlerësohet dhe në parim bëhen përpjekjet e nevojshme që masat e ndërmarra të rezultojnë të mjaftueshme. Kur përballja/ballafaqimi me të është shtyrë për një kohë të gjatë, ekziston mundësia që kriza të ketë arritur përmasa të paimagjinueshme më parë dhe ashtu nën vorbull, ajo zien një atmosferë e cila do të jetë lënda e parë e skandaleve të ardhshme që priten të shpërthejnë. Kur ato shpërthejnë, dhe në këtë rast janë pikërisht skandalet në cilësinë e kambanave të alarmit që zgjojnë autoritetet nga gjumi (apo nga mbyllja e njërit sy) dhe i detyron të vrapojnë drejt sjelljes së krizës në binarë, atëherë pritet ose kolapsi i plotë, gjë që do të ishte provë se kriza është neglizhuar më shumë sesa duhej, ose rikuperimi i situatës, shmangia e anomalisë dhe rikthimi i normalitetit.
Ndërsa rasti i tretë është ai i mohimit të saj. Për hir të së vërtetës duhet pranuar se ky është më i keqi. Mohimi i krizës, qoftë ajo hipotetike apo e vërtetë, është më i rrezikshëm sesa dy rastet e para. Mohimi i saj autoritetet përkatëse i shtyn të besojnë edhe vetë se ajo nuk ekziston; rrjedhimisht u krijon atyre sigurinë se skandalet nuk ekzistojnë, se ato nuk mund të ekzistojnë, madje edhe nëse shpërthejnë, duke ditur që krizë nuk ka, ato gjithsesi nuk ekzistojnë, ndaj duhen parë arsyet se nga na u shpifën këto simptoma të kësaj sëmundjeje prej së cilës nuk vuajmë, e që me siguri janë shpikje e armiqve, dashakeqësve, tradhtarëve që i gjuajnë shtëpisë me gurë apo kazanit, për të hyrë disi në temë.
I rënditëm kështu sepse gjykojmë se me doemos na nevojitet njëfarë themeli teorik, mbi të cilin të parashtrojmë qëndrimet tona. Kështu ne gjendemi përballë një situate sa absurde aq edhe lehtësisht të shpjegueshme. Udhëheqësi suprem ka kohë që gjendet në vështirësi. I janë vërsulur të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, të marrë e të mençur, nga të vetët e nga “tanët”. E shajnë dhe e sikterisin, i hapin bela ditë e natë, me kuç e me maç nga fundi i dheut ia nxjerrin skandalet, nga brenda apo nga jashtë vendit. E fajësojnë për gjithçka: për çmimet e larta, për papunësinë, për pagat qesharake, për arsyet e emigrimit, për ministrat e korruptuar, për deputetët e pasuruar, për arsimin aspak cilësor, për ujin e munguar nëpër konvikte, për shtrenjtësinë e rrugëve, për prishjen e shtëpive, për drogën, shëndetësinë, krimin, teatrin, kullat, përmbytjet, luhatshmërinë e motit, ndryshimin e orës, shtimin e qenve, e për plot të tjera. Por ai vazhdon retorikën e tij, vijon të zbatojë me një stoicizëm të pashembullt strategjinë e njohur e të dalë boje të kazanizimit të ligjërimit publik, njësoj si ajo palltoja e strepëcuar të cilën nuk di nga ta kthejë më sepse i është arnuar aq shumë, saqë janë arnat ato që kanë filluar të ndihen të pajisura me një pallto, sesa vetë palltoja e turpëruar nga elektroshokët agonizues që valanga e rrobaqepëseve të orkestruar nga Endri Fuga, vazhdon t’i japin për ta mbajtur ende në jetë.
Por ai vijon i qetë, i karakterizuar nga siguria që i ofron bindja se tashmë natyrën deklarative të bishtnimeve publike përmes të cilave ka rezistuar në pushtet për pesë vjet, e ka shndërruar në një pothuajse-teori. Në këtë kuptim ai tashmë ka themeluar një teknikë që e përdor poshtë e përpjetë, nëpër panele televizive dhe konferenca shtypi, dalje në Facebook dhe intervista me gazëtarë. Teknika ka për qëllim relativizimin e çdo skandali, mohimin e njohjës së krizës dhe fajësimin e çdo denoncuesi të saj, të shpallur publikisht si shpifës, gënjeshtar, hiperbolizues, kazan. Kësisoj udhëheqësi suprem na bën një ndarje thelbësore, që në origjinën e saj nuk bën të mundshme vetëm shquarjen e ndasisë që ekziston midis dy llogoreve, atë në të cilën janë reshtuar mbajtësit e pushtetit dhe atë ku rrinë gati hienat e opozitës, medias së kazanizuar, shqiptarëve të budallallepsur nga qorrsokaku opozitar dhe së fundmi dhe studentët, por të mbërrijë deri atje sa të na tregojë kufirin absolut që ndan të drejtën nga e padrejta, të mirën nga e keqja, normalen nga anormalja. Ai luan bllofin teksa të gjithëve na konsideron të paaftë, të padenjë e të pandershëm për dialog; akuzon – herë me butësi duke na cituar librat e shenjtë e herë me kërcënime duke na kanosur pas qafe ligjin e shpifjeve – gjithçka dhe këdo si barbarë që hedhin baltë mbi figurën e tij të qelibartë dhe qeverinë e tij shembullore. Në të gjithë këtë Republikë të Kazanit, ai është i vetmi që ka vendosur të mbetet jashtë, dhe mënyra më e mirë për të na shpjeguar surrealitetin e realitetit që na ka kapur prej fyti, në vend që të na e analizojë shoqëruar me përgjegjësitë morale, politike dhe ligjore që duhet të mbajë, na e shpjegon duke na e shërbyer si fryt të anomalisë që vjen prej përplasjes së pashmangshme, rrjedhojë kjo e bashkëjetesës fatale midis normalitetit, shkëlqimit e diturisë së tij, dhe anormalitetit, errësirës dhe paditurisë sonë.
Ky aludim midis normales dhe anormales, ne na kujton komedianin e famshëm që më së shumti e njohim nën emrin e personazhit të Mr. Bean-it. Mr. Bean, i cili nuk ka aspak nevojë për ndonjë prezantim, ndërtoi një mënyrë unike e të jashtëzakonshme humori pikërisht duke shfrytëzuar thelbin e dallimit që ekziston midis botës në të cilën jetojmë dhe asaj estetike. Vlerat morale si drejtësia, normalja dhe e arsyeshmja vlejnë dhe janë themelore në një botë ku marrëdhënia e individëve përcaktohet nga përballja e tyre përmes integriteteve morale të njëri-tjetrit. Mbështetur në logjikën që gjithësecili është përgjegjës për veprimet e tij, shoqërisë i lind e drejta që premisën e llogaridhënies si themel të jetës morale të saj, ta konsiderojë të panegociueshme. Kjo do të thotë se tjetri publik prej nesh duhet të gjykohet dhe merret në konsideratë me të njëjtën masë që ne jemi vullnetmirë që veten ta ekspozojmë tek ai në të njëjtën mënyrë. Të qenët i drejtë, normal dhe i arsyeshëm, janë imperativë që burojnë nga i njëjti botëkuptim: shoqëria ka kufij të cilët nuk duhen kaluar, ka integritete që nuk duhen shkelur, ka (gjithmonë) veprime dhe qëndrime për të cilat duhet të japim llogari. Në mënyrë të tërthortë, kështu njëherazi fitojmë dhe të drejtën legjitime për të aspiruar dinjitet, drejtësi dhe mirëbësim. Në këtë kuptim, tjetri dhe ne jemi vazhdimisht si kriteri i parë moral shoqëror i njëri-tjetrit, ashtu edhe imperativi më i vjetër që historia e njerëzimit njeh për parandalimin e së keqes: mos më bëj mua atë që nuk do doje të ta bëja ty. Ky rregull i artë që qëndron në themel të moralit, që të përmbushet duhet të marrë të mirëqenë se individët bashkëjetues të një shoqërie e besojnë se duhet të jenë njëherazi të drejtë, normalë dhe të arsyeshëm.
Por në veprat e artit dhe botët e ndërtuara mbi premisa estetike, nuk funksionon kështu. Drejtësia, normalja dhe e arsyeshmja, si kategori morale, e humbin krejtësisht legjitimitetin e tyre. Për ta ilustruar na vjen në ndihmë analogjia që duam të bëjmë me Mr. Bean. Në një botë si e tija, të ndërtuar me aq përpikmëri dhe finesë, ne gjendemi përballë dy tipologjive personazhesh, atij vetë dhe pjesëtarëve të tjerë nëpër episodet e tij. Që në fillim na bie në sy diçka, që të gjithë botën që ai ka ndërtuar e shndërron në sa humoristike aq edhe të rafinuar. Diferenca e madhe dhe dallimi thelbësor që ekziston midis tij dhe personazheve të përkundërt, qëndron pikërisht në faktin se si rregull, ata janë gjithnjë të drejtë, normalë dhe të arsyeshëm. Ata sillen në përputhje të plotë me normat shoqërore me të cilat përballen dhe nëpër çdo atmosferë (restorant, rrugë, hotel, parukeri, spital, bibliotekë) ku gjenden të përfshirë mundohen të jenë në harmoni të plotë me rregullat në fuqi. Nga ana tjetër, “armiku” i tyre kryesor, i pajisur me virtuozitetin e mimikës së tij të veçantë, lëvizjet e jashtëzakonshme, ecjen komike dhe shqiptimin e çuditshëm, qëndron Mr. Bean. Sapo ai hyn në lojë e gjithë bota që na shfaqet në ekran estetizohet. Barrierat qartazi të dukshme që ekzistojnë midis tij dhe tyre në kuptimin moral, pluhurosen sikur të ishin të tepërta. Dhe në të vërtetë të tepërta janë. Në botën e Mr. Bean-it nuk është e drejta dhe e arsyeshmja ajo që vlen, por e papritura, spektakolarja, hileja dhe superioriteti ndaj tjetrit me çdo kusht, me çdo mjet, pa pasur aspak nevojën të pyesësh nëse një veprim është i drejtë apo jo. Kështu, nëse në qetësinë e atmosferës britanike të ilustruar në pamjen e episodeve në fillim na duket gjithçka perfekte dhe e qetë, nëse jemi të vëmedshëm, është vetëm atëherë kur Bean-i shfaqet, çasti kur ne vetëdijësohemi se deri në atë moment gjithçka kishte qenë e kotë, e errët dhe e pavlerë. Nga normalë dhe të arsyeshëm, ata personazhe na shndërrohen në të rëndomtë dhe të tepërt. Në mungesë të pranisë së kritereve morale, personazhet vlerësohen mbi jashtëzakonshmërinë dhe spektakolaritetin që ata ofrojnë dhe jo mbi normalitetin e veprimeve. Në botën tonë të moralit, të vërtetës dhe politikës, njeriu mund të konsiderohet i vlefshëm edhe duke qenë i rëndomtë, i zakonshëm dhe pa aftësi shpirtërore apo intelektuale, gjithmonë nëse përmbush me korrektësi detyrat morale që i kërkohen. Ndërsa në një botë te ekranizuar komike, duke qenë se kriteri moral delegjitimohet automatikisht, identitetet përkatëse, tashmë personazhe dhe jo më persona, gjenden përballë dy zgjedhjeve, ose të jenë artistikisht të jashtëzakonshem dhe të fitojnë një prestigj superior karshi të tjerëve, ose të qëndrojnë të qetë dhe normalë, duke na dhënë të drejtën legjitime që t’i konsiderojmë të rëndomtë dhe të pavlerë. Dhe në “garat” që ndodhin mes tyre ne jemi gjithnjë me Mr. Bean-in. Për të qeshurën dhe shkaktimin e efektit të komikes, personazhet mund edhe të vdesin fare, si në episodin me të sëmurin ndanë rrugës të cilin duke u munduar ta shpëtojë, pothuajse e vdes duke i dhënë goditje elektroshoku; e sikur të mos mjaftonte kjo, pasi ambulanca vjen, Bean-i vazhdon qetësisht duke shkarkuar baterinë e ambulancës e duke mbushur të vetën. Por kjo nuk ka asnjë rëndësi; ajo që ka rëndësi është mbërritja e qëllimit që ai ka dhe përftimi i asaj vetëkënaqësie të dukshme që i mundëson të tejkalojë, qoftë dhe përkohësisht, vetminë që e karakterizon vazhdimisht.
Për të qenë të saktë, e gjithë kjo na erdhi në mend duke ndjekur emisionin e Rudina Xhungës, ku udhëheqësi ishte përpara nja një muaji përballë tri gazetarësh të nderuar. Jo se nuk e kishte bërë më parë, por atë natë “spektakli” arriti kulmin. Shpallja e të treve si shpifës dhe armiq të partisë, pasuar kjo nga kazanizimi i gjithë jetës publike, opozitare dhe mediatike, na zhvendos në botën e Mr. Bean-it. Sepse ne kurrë nuk kemi parë ndonjëherë një Kryeministër të këtillë, i cili është i gatshëm të bëjë gjithçka vetëm e vetëm t’i dalë e vetja. Grabitja tepër e lartë e kohës televizive, pajisja me një numër të stërmadh analistësh dhe gazëtarësh që i thonë derrit dajë e dajës derr vetëm e vetëm që të sigurojnë kënaqësinë e udhëheqësit, përdorimi i turpshëm i forumit rinor, i tejmbushur me të vobektë të cilëve përveç varfërisë së tij u shet edhe vetën si model, janë elemente jo të huaj për mizanskenën politike shqiptare, me dallimin që kësaj radhe janë shpënë në skajshmëri dhe mbipërdorimi i tyre është shndërruar në banalitet.
Përmes virtuozitetit dinak, ligjërimit të sofistikuar politik, industrisë manipuluese të televizionit personal të mbajtur në këmbë në mënyrë të përkryer nga dhjëtëra zagarë që i shkojnë nga pas, udhëheqësi ka ndërtuar një perandori të pathyeshme manipulimi. Është pikërisht ky çasti ku ne pikasim anomalinë e integritetit të tij moral, politik dhe publik. Studiot televizive dhe tjetrin politik dhe mediatik ai i konsideron njësoj si Mr. Bean-i personazhet e rëndomtë me të cilët përballet. Por nëse virtuoziteti i këtij të fundit implementohet me qëllimin për të shkaktuar komiken dhe triumfin e çastit në një situatë fare banale të përditshmërisë së tij, virtuoziteti shfarosës i belasë sonë konsiston në një mashtrim të vazhdueshëm e të përsosur, i shoqëruar me tirada të jashtëzakonshme virtuale pa askënd përballë. Është e habitshme se si ngjashmëria midis të dyve është kaq e lartë. Ashtu siç Bean-i nuk i lë shteg dhe kohë “kundërshtarëve” të tij të mbrohen apo reagojnë, duke i mundur ata lehtësisht me mimikë, ecje apo thjesht idiotizëm të papërshkrueshëm, udhëheqësi e shmang përballjen duke kalëruar nga maja e mëhallës së tij virtuale e duke na konsideruar të gjithëve si të paditur e të pavlerë.
Si pasojë e kësaj, për ta mbyllur e për t’i lidhur gjërat me aty nga ku e nisëm, kriza e thellë në të cilën është zhytur vendi, zyrtarisht ende nuk njihet. Kjo na kujton katastrofën e Chernobyl-it, e cila nga autoritetet sovjetike u pranua vetëm katër muaj pas shpërthimit, me daljen e famshme të Gorbachov-it në Televizion. Njësoj edhe këtu, skandalet që shpërthejnë çdo ditë, ende vazhdojnë të mbulohen përmes relativizimit të vazhdueshëm dhe përdorimit të një numri të madh instrumentesh. Krahasimi me qeverisjet e kaluara kur për gjithçka shprehimisht thuhet se duhet bërë punë ama në këto pesë vite është bërë më shumë se në njëzet e dy të tjerët bashkë, tashmë është shndërruar në epitafin e shplarë funeralit të Rilindjes. Dhe kjo ndodh sepse si nëpër diktatura, ne kemi vetëm një version zyrtar të ndodhjes së gjërave. Kriza refuzohet të njihet, skandalet mohohen se ndodhin, opozita gjymtohet ex cathedra, ndërsa media konsiderohet – në rastin më të mirë e paaftë, në atë më të keq e pavlerë – e padenjë për përçimin e saktë të së vërtetës tek masat.
Kjo ndodh si pasojë e paturpësisë dhe përgënjeshtrimit të gënjeshtërt që Kryeministri i bën së vërtetës. Një Kryeministër që deklaron publikisht se është veprimtaria politike ajo që e parandalon nga dalja publike lakuriq si dikur, përpara se me qenë një Kryeministër i padenjë, është mbi të gjithë një qenie që ka shkelur me të dy këmbët vlefshmërinë e pranisë së gjithëpranueshme të së drejtës, normales dhe të arsyeshmes si kritere morale. Integriteti fizik i individit në sferën publike fillon tek veshja e tij. Nëse veshja eleminohet me dashje, atëherë kemi të bëjmë me shkatërrimin e çdo barriere që funksionon si mbrojtëse ndaj njëri-tjetrit. Për ata që e kuptojnë, kjo është e rëndë. Përsëri për ata që e kuptojnë, për herë të parë politika në vendin tonë është duke u konceptuar në rrafshin estetik dhe jo etik. Zotëria në fjalë na e ka shndërruar realitetin në një komedi komike. Paturpësia e mosnjohjes së diferencës midis së mirës dhe së keqes, veçori themelore kjo e jetës politike, është arsyeja kryesore përse vendi është në një krizë kaq të thellë. Dhe nëse duam të jemi të vërtetë deri në fund, po, edhe opozita, edhe media, edhe klasa akademike dhe profesorati, edhe shoqëria civile, kanë përgjegjësitë e tyre në këtë katrahurë që kemi shkaktuar të gjithë bashkë, por mbi të gjitha, përgjegjësi kryesor dhe përgjegjësit kryesor për gjithë këtë katastrofë kombëtare është Kryeministri dhe kabineti i tij, deputetët e tij, klika e tij, për të mos i ashpërsuar më tonet, e paaftë qeveritare.
Estetizimi i ligjërimit, tërheqja e vëmendjes me atlete, poturre, yamamoto, AirAlbania, bashkëqeverisje, piktura, basketboll, tepsi, kazan, ERTV, bashkim kombëtar e gjithçka tjetër, nuk janë analiza, arsyetime dhe marrje përgjegjësish, por vetëm se fortifikojnë edhe më shumë teknikën strategjike që tashmë ai e ka ngritur në mani: të relativizojë gjithçka, të mbjellë kulturën perspektiviste të shikimit të së vërtetës dhe paturpësisht të konsiderojë të padenjë dialogun, ballafaqimin, debatin e madje edhe përplasjen me elitat e vërteta të këtij vendi. Përderisa do të vazhdojë t’i drejtohet masave, të cilat si rregull për nga natyra as nuk lexojnë, as nuk kuptojnë dhe as nuk mendojnë, logjika në fjalë do të vazhdojë të triumfojë e të prodhojë sukses politik dhe mediatik, ashtu siç është ende duke e bërë, sepse përndryshe si t’i shpjegojmë lukunitë e mëdha që ende besojnë se politikbërja e udhëheqësit do t’i shpjerë në Europë e do t’u zbardhë faqen? Janë elitat e vërteta ato të cilave nuk mund t’u flasësh dot artistikisht, as t’u hedhësh hi syve, e as t’i marrëdh për të padenja, ndërsa masave po. Është pikërisht ky shtegu në të cilin individët e përgjegjshëm duhet të luftojnë fort, për ta rikthyer debatin publik dhe ligjërimin politik. Derisa kjo të ndodhë përfundimisht, duke pasur mirësinë që të shpresojmë se një ditë do të ndodhë, kriza do të vazhdojë të mos njihet, skandalet do të vazhdojnë të konsiderohen si alergji stinore dhe jo sëmundje kronike, ndërsa turpi do të vazhdojë të mbesë mbi ata që nuk reshtin së mbështuri këtë impiant të jashtëzakonshëm prodhimi pavërtetësie, manipulimi dhe sharlatanizmi, kurse sa i përket që refuzojnë të bëhen palë me të keqen, sikur për hiçmosgjë tjetër, e gjithë kjo përpjekje shpirtërore do t’u vlejë për të qenë të qetë në marrëdhënien e tyre personale me turpin, duke u vetëpërjashtuar kështu nga këshilla me të cilën e nisëm këtë shkrim.