0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

“Ideologjia e çuditshme gjinore” e demokratëve mund t’i shtyjë muslimanët drejt Trump-it

Më të lexuarat

Vlerat familjare dhe tradita po i shtyjnë shumë muslimanë amerikanë ta rishikojnë mbështetjen e tyre për demokratët

Nga Noureldein Ghanem*

Edhe pse lufta gjenocidale e Izraelit në Gaza dhe bashkëpunimi i Partisë Demokratike me këtë politikë po ndikon në zgjedhjet e shumë votuesve arabë dhe muslimanë amerikanë, disa anëtarë të këtij komuniteti po afrohen me Partinë Republikane për një arsye tjetër – “ideologjinë gjinore” dhe “indoktrinimin” e fëmijëve në shkolla.

Shumë votues muslimanë, me të cilët bisedoi TRT World, u shprehën se ndjejnë vështirësi për të përputhur vlerat e tyre islame me “ideologjinë e çuditshme gjinore” që nxitet nga demokratët, ndërsa ajo “sfidohet” nga republikanët dhe lideri i tyre, Donald Trump.

“Kjo është më shumë sesa një votë proteste për Gazën,” deklaroi për TRT World Nagi Almudeghi, një specialist IT 50-vjeçar nga shteti i Miçiganit. “Shumë njerëz në komunitetin tonë janë lodhur nga Partia Demokratike. Kjo nuk është e njëjta parti që mbështeste babai im në vitet 1980 dhe 1990.”

Almudeghi theksoi se partia nuk përfaqëson më vlerat tradicionale të shumicës së muslimanëve dhe arabo-amerikanëve, duke vënë në dukje se “ka devijuar shumë majtas”.

“Sot, është partia që promovon abortin e pakufizuar, elitizmin e korporatave, luftërat e pafundme dhe ideologjinë e çuditshme gjinore. Partia që qortonte amerikanët për ‘ndjekjen e shkencës’ tani beson se ‘gjinia është fluide’.”

Mbështetja për GOP në rritje në mesin e muslimanëve

Shumë muslimanë amerikanë mbështetën demokratët në vitin 2020, pas një mandati katërvjeçar kaotik të Trump-it, i cili pa një rritje të ndjenjave anti-muslimane, Islamofobisë dhe ndalimit të shumë kritikuar të hyrjes së muslimanëve nga disa vende me shumicë muslimane.

Megjithatë, me përdorimin e armëve amerikane nga Izraeli për të kryer masakra në Gaza dhe Liban, shumë votues muslimanë po e braktisin Partinë Demokratike dhe po zhvendosin mbështetjen drejt Trump-it ose kandidatëve të pavarur, si Jill Stein dhe Cornel West.

Partia Republikane (GOP) gjithashtu po fiton terren mes muslimanëve me mesazhet e saj për lirinë fetare dhe mbrojtjen e vlerave familjare.

Sipas shumicës së shkollave të mendimit në Islam, aborti lejohet vetëm në raste shumë specifike, ndërsa ndryshimi i seksit është rreptësisht i ndaluar. Demokratët kanë hasur gjithmonë vështirësi për të ruajtur unitetin me aleatët e tyre muslimanë më konservatorë për këtë çështje.

Në vitin 2022, prindërit muslimanë në shtetet e Maryland-it dhe Michigan-it u tronditën kur mësuan se distriktet e tyre shkollore ndryshuan kurrikulën, duke mos informuar më prindërit për librat që po u mësoheshin fëmijëve të tyre.

Prindërit u shqetësuan kur mësuan se disa nga librat shkollorë përmbanin përmbajtje seksualisht të hapur. Ndryshimet përfshinin përfshirjen e librave për “identitetin seksual dhe gjinor,” që do t’u mësoheshin fëmijëve nga mosha parashkollore deri në klasën e 8-të.

Prindërit muslimanë protestuan kundër këtij vendimi dhe kërkuan rikthimin e opsionit të përjashtimit nga kurrikula.

Debatet mbi ndryshimet gjinore dhe edukimin seksual në fokus

Çështja e terapive për ndryshimin e gjinisë është kthyer në një temë të diskutueshme, ndërsa prindërit e shqetësuar po kundërshtojnë normalizimin e diskutimeve për marrëdhëniet homoseksuale në shkolla.

Aktualisht, në SHBA jetojnë rreth 3.5 milionë muslimanë, dhe në shtetet kyçe të Arizonës, Xhorxhias, Miçiganit, Nevadës, Karolinës së Veriut, Pensilvanisë dhe Wisconsin-it, votuesit muslimanë mund të luajnë një rol vendimtar.

Partia Republikane është e vetëdijshme për këtë dhe po tërheq muslimanët, të cilët ndjejnë përputhje vlerash me GOP dhe Trump-in për çështjet gjinore.

Në një tubim më 26 tetor në Michigan, Trump-i e trajtoi këtë temë, duke theksuar se muslimanët “nuk janë dakord me operacionet transgjinore.”

Në një tubim tjetër në Virxhinia më 2 nëntor, Trump-i premtoi: “Ne do të ndalojmë indoktrinimin e fëmijëve tuaj dhe nuk do t’i lejojmë ata të përpiqen të ndryshojnë gjininë e fëmijëve tuaj.”

“Lavjerrësi po Lëkundet”

“Prindërit nuk duan që fëmijët e tyre të ekspozohen ndaj ideologjisë gjinore dhe nuk duan që ata të marrin vendime që ndikojnë jetën e tyre kur bëhet fjalë për trupin,” tha për TRT World Omar Shajira, një prokuror 30-vjeçar nga Michigan. “Kjo është një ideologji që feja jonë e refuzon.”

“Demokratët kanë harruar rëndësinë e prindërimit. Nuk mund të injorojmë rolin e prindërve. Është themeli që mbështet bërthamën e një familje të fortë,” shtoi ai.

Shajira tha se komuniteti musliman e ka kuptuar që vlerat konservatore të republikanëve “janë në fakt ato me të cilat ne e identifikohemi si njerëz të besimit,” por vuri në dukje se këto vlera dallohen nga lëvizja MAGA.

“A na përfaqëson vërtet Partia Demokratike? A janë këtu për të na ndihmuar?” pyeti ai.

“Të dhënat e tyre flasin vetë dhe nuk janë aspak bindëse.”

Aktivistja jemenase-amerikane Samra Luqman tha për TRT World se Gaza është padyshim faktori kryesor që po shtyn muslimanët drejt republikanëve, por “ruajtja e vlerave konservatore është një arsye tjetër.”

“Gjenocidi është pa diskutim arsyeja kryesore për këtë zhvendosje masive drejt republikanëve,” tha Llukman, duke shtuar se ky ndryshim bazohet edhe në ndëshkimin e demokratëve për mospërfaqësimin e vlerave të tyre.

Shajira shtoi se muslimanët po bëhen më të informuar për çështjen e “ideologjisë gjinore,” të cilën demokratët jo vetëm që nuk e adresojnë, por madje e promovojnë.

“Lëvizja po tregon që lavjerrësi po lëkundet, dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një çështje të vetme,” përfundoi Llukman.

*Noureldein Ghanem është Asistent Producent në TRT World.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit