3.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Identiteti nën kthetrat e “pop-hedonizmit”

Më të lexuarat

“Pop-hedonizmi” që ka mbërthyer shoqëritë e sotme postmoderne, përmes formulës “menjëherë, tani”, ka vënë në pikëpyetje të madhe marrëdhënien e gjithkujt prej nesh me kohën, me veten, me tjetrin dhe me lirinë. Për pasojë, identiteti ynë, nuk mund të ravijëzohet qartësisht përmes komunikimit të sotëm, e aq më pak mund të besojmë se e kemi mundësi për ta përcaktuar atë përfundimisht.
Përballë këtij realiteti ne kemi njevojë të shtrojmë disa pyetje të rëndësishme, e më pas të besojmë se edhe mund të kemi disa përgjigje: A jam unë “tjetri” për dikë? A është domosdoshmërisht edhe “tjetri” për mua? A e përcaktojmë ne vete se cilët jemi, apo na peshojnë edhe përcaktimet e të tjerëve për ne? Sa të aftë jemi të ruajmë identitetin tonë përballë sistemeve dhe mundësive abstrakte që na rrethojnë, si banka, interneti, sistemet e sigurisë, regjimeve të shëndetit apo mendimit që na sugjerohen? Sa individualë mund të jemi në një botë ku frika dhe shijet kanë krijuar burokracinë e pandalshme të spektaklit që na mban të lidhur në një mënyrë a në një tjetër me lajmin që do të na sugjerojnë?
Sociologët besojnë se, progresi dhe racionalizmi kanë luajtur rolin e vet thelbësor në betejën e modernëve dhe postmodernëve për të lënë pas mbështetjen e individit të sotëm në traditë apo në histori. E padyshim që, në këtë fushëbetejë, ajo që ka pësuar padyshim tronditjen më të madhe ka qenë Identiteti, i cili përmes progresit dhe racionalizimit të tejskajshëm kaloi nga mendimi në zbavitje, nga e bukura si njësi trashandentale në mbretërimin e shijes si spektakël.
Sipas profesorit të Letërsisë së Krahasuar në Indiana University në SHBA, Matei Calinescu, modernët më së pari nisën të vinin në dyshim estetikën e artit klasik, duke kërkuar gabime teknike, apo mungesë parashikimesh për të ardhmen. Kjo betejë mes modernëve dhe klasikëve u zhvillua më së shumti në shekujt 17 dhe 18. Sipas Calinescut, kërkimi përmes aryes i gabimeve, qofshin të Homerit, Virgjilit apo edhe shumë autorëve të tjerë të mëvonshëm, nuk ishte veçse relativizmi i debatit, duke devijuar thelbin e domethënieve.
Parë nga kjo betejë, konstatohet lehtësisht se, postmoderniteti synon që njeriu të mos ketë si udhëtim rrrugën drejt thelbit, por vetëm të kujdeset për vijëzimet dhe rregullat, pa e arritur kurrë destinacionin e pyetjeve të duhura. Edukimi përmes kënaqësisë e ka kthyer njeriun në viktimë të stërhollimit të shijes duke u mbështetur më së shumti në heqjen e kufijve moralë. Për pasojë, në “republikën e shijeve” gjithçka kthehet në relative dhe si e tillë, edhe larg mundësisë për të ndërtuar një profil të identitetit, pasi tradita më e qartë e modernëve është antitradicionalizmi dhe antihistorikja.
E para që është goditur nga “republika e shijeve” diskursi i besimit dhe familja. E kur goditen këto dy trase të rëndëisshme të jetës shoqërore, atëherë trenat e ideve nuk janë më të sigurtë për atë që trasportojnë nga njëra kohë në tjetrën. Ndaj dhe sot thuajse gjithçka është e diskutueshme, pasi në “republikën e shijeve” e rëndësishme është ajo që duhet të ndodhë përpara syve të spektatorit e jo ajo që mendohet për të shkuarën dhe për të ardhmen.
Në një realitet të tillë, njeriu pret më pas veç t’i sugjerojnë sjelljen e jo të mendojë vetë për atë që i duhet apo që i shërben atij për të kuptuar veveten. Pa këtë shtyllë të rëndësishme shoqëria do të jetë nën ndikimin e botës së sugjeruar e jo të asaj që mendon apo dëshiron vetë, duke e vënë identitetin në një dizhezë të rrezikshme të zhdukjes dhe humbjes.

Agim Baçi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit