1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Ibrahimi a.s dhe privimi nga fëmija, çfarë mund të mësojmë nga historia e tij për fëmijët dhe familjen

Më të lexuarat

Ibrahimi a.s dhe privimi nga fëmija

Lindja e fëmijëve, është një ndër faktorët që e nxisin njeriun për t’u martuar. Kjo, pasi në këtë mënyrë plotësohet një nga nevojat më jetësore të njeriut, dëshira për të qenë prind. Ashtu si çdo burrë që ëndërron të bëhet baba një ditë, ashtu dhe  çdo femër ëndërron të bëhet nënë. Duke pasur parasysh diçka të tillë dhe duke u frymëzuar nga historia e Ibrahimit a.s me Sarën, ne do të flasim mbi vonesën në lindjen e fëmijëve. Ne do të përmendim motivin e martesës, objektivat e lindjes së fëmijëve dhe dobitë në vonesën e lindjes së fëmijëve.

Lindje e vonuar

Pas një periudhe të gjatë, të cilën e kaloi pa fëmijë, Ibrahimi a.s ndjeu mall për fëmijë. Gruaja e tij Sara, duke e ndjerë dëshirën e Ibrahimit a.s për të pasur fëmijë, i tha:”Zoti më ka privuar nga lindja e fëmijëve, prandaj fli me skllaven time! Ndoshta Zoti të jep një fëmijë me të!”
Kështu, Ibrahimi a.s e pranoi dhe fjeti me Haxheren, e cila mbeti shtatzanë. Duke parë shtatzaninë e ish skllaves së saj, Sara filloi të bëhej xheloze. Sjelljet plot xhelozi të Sarës e frikësuan Haxheren dhe vendosi të largohej. Pasi u largua nga shtëpia ku banonte, u vendos pranë një burimi ku iu shfaq një melek i cili i tha:”Mos kij frikë, pasi Zoti do e begatojë djalin që ke në bark!” Më pas e urdhëroi të kthehej sërish në shtëpinë e Ibrahimit a.s.
Kur u kthye tek Ibrahimi a.s, ajo lindi djalin e saj Ismailin. Thuhet që asokohe Ibrahimi a.s ishte tetëdhjetë e gjashtë vjeç, trembëdhjetë vjet para se t’i lindë Is’haku.
Më vonë, Zoti e përgëzoi Ibrahimin a.s me një djalë tjetër i cili do i lindte nga e shoqja e tij Sara.
“Gruaja e tij, që rrinte aty, qeshi kur Ne i dhamë lajmin e mirë për Is’hakun e pas Is’hakut – për Jakubin. Ajo tha: “Ah! E mjera unë! A mos vallë, kështu plakë do të lind unë, ndërkohë që edhe burri im është plak! Me të vërtetë, kjo është diçka e jashtëzakonshme!” Ata (engjëjt), thanë: “A mos vallë, po çuditesh me urdhrin e Allahut? Mëshira e Allahut dhe bekimi i Tij qoftë mbi ju – familjen e të Dërguarit. Me të vërtetë, Ai është i Falënderuar dhe i Lavdëruar!”
(Hud, 71-73)
Nga ky sihariq, Ibrahimi a.s ra në sexhde për Zotin, si formë mirënjohje.
Zoti i tha:”Unë t’a pranova lutjen për Ismailin dhe e kam bekuar atë. Prej tij do të lindin njëmbëdhjetë pasardhës të famshëm dhe do e bëj udhëheqës të një populli të fisshëm.” (Historia e Ibnu Kethirit 1/145)

Objektivat dhe motivi i martesës

1 – Nevoja fiziologjike. Me anë të martesës plotësohen nevojat fiziologjike.
2 – Feja. Nxiten të rinjtë beqarë që të plotësojnë një kriter të fesë, për të cilin nxit si Zoti në Kuran ashtu dhe Profeti a.s në sunet.
3 – Tradita. Me anë të martesës, ruhen dhe përcillen tek brezat e ardhshëm traditat dhe vlerat humane.
4 – Pozita shoqërore. Duke u martuar krijohen lidhje të reja, gjë e cila ndikon në zgjerimin dhe ngritjen e nivelit shoqëror të familjes. Kjo, sidomos nëse lidhjet martesore realizohen me familje që gëzojnë një pozitë shoqërore të lakmueshme.
5 – Presionet shoqërore. Në shoqëritë arabe (fshat apo qytet, fetare apo jo) ushtrohet një presion i madh mbi beqarët – djem ose vajza – derisa të martohen.
6 – Presionet ekonomike. Sidomos në fshatra, burrat martohen nga nevoja që kanë për krahë të rinj pune.
7 – Dashuria. Martesa realizohet edhe për të përmbushur nevojën për të dashur dhe për t’u ndjerë i dashur.
8 – Lindja e fëmijëve. Për të plotësuar nevojën e të qënit prind. (Psikologjia e familjes arabe. Autor Hamdi Jasin dhe Ahmed El-kenderij. Faqe 92-95)

Objektivat e lindjes së fëmijëve

1 – Pastërtia morale, nderi. Thotë Profeti a.s:”Edhe në marrëdhëniet seksuale me gratë tuaja ka shpërblim.”
Dikush e pyeti i habitur:”O i dërguar i Zotit! Edhe nëse ndonjëri prej nesh kryen marrëdhënie seksuale me gruan, do të shpërblehet?”
Profeti a.s ia ktheu:”Po. Nëse do të kryente marrëdhënie seksuale jashtëmartesore ai do të ndëshkohej. Nëse këtë e bën me bashkëshorten shpërblehet.” (Muslim, 2/697, hadithi 1006)

2 – Pasardhës të denjë. Zoti i ka lëvduar njerëzit e Tij të dashur (evlijatë) ngaqë i kërkonin t’u japë gra dhe pasardhës të mirë. Thotë Zoti në Kuran:
“edhe ata që thonë: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!” (Furkan, 74)

3 – Shpërblimi. Transmeton Ebu Hurejre se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Kur vdes biri Ademit, i ndërpritet shpërblimi nga veprat e mira që vepronte, përveç tre gjërave: Një sadaka rrjedhëse, një dije nga e cila kanë dobi njerëzit dhe një fëmijë që lutet për të.” (Muslimi 3/1255, hadithi 1631)

Fillesat e kufizimit të lindjeve familjare

Thirrjet për kufizimin e lindjeve në Europë, kanë filluar që në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë. I pari që bëri thirrje për këtë ishte prifti dhe ekonomisti Maltos. Ai bënte thirrje për kufizim të lindjeve, me anë të metodave morale, si murgjëria dhe shtyrja e martesës.
Me këtë rast, është mirë të bëjmë dallimin e duhur mes kufizimit dhe planifikimit. Kufizimi i lindjeve do të thotë të lindësh një numër të caktuar fëmijësh. Ky numër duhet respektuar nga të gjithë familjet, pa pasur parasysh kushtet ekonomike, shëndetësore, psikologjike dhe sociale. (Ndërtimi i familjes muslimane, autor Halid El-ak, fq 266)

Rrethanat kur Sheriati e lejon kufizimin e lindjeve

1 – Nëse shtatzania dhe lindja ndikojnë negativisht ose e rrezikojnë shëndetin e nënës.
2 – Dëshira e gruas për t’u dukur gjithmonë e bukur dhe e freskët para të shoqit. Kjo, nëse sigurohet se shtatzanitë dhe lindjet e shumta e dëmtojnë bukurinë e saj. Thotë imam Gazaliu:”Një ndër arsyet e moslindjes së fëmijëve është dhe dëshira e gruas për të ruajtur bukurinë dhe freskinë e saj para burrit. Kjo është një arsye e konsiderueshme dhe nuk është e ndaluar.” (Rizgjimi i shkencave fetare 2/52)
3 – Dëshira dhe nevoja e burrit për të lehtësuar barrën e jetesës. Thotë imam Sheukanij:”Nga arsyet që e bëjnë një burrë të tërhiqet (duke e derdhur spermën jashtë mitre) është dhe dëshira për të mos pasur shumë fëmijë.” (Nejlul Eutar 6/251)

Dobitë e vonimit të lindjes së fëmijëve

1 – Forcohen lidhjet me Zotin dhe shtohen lutjet.
2 – Prindërit janë më të pjekur kur lindin fëmijën.
3 – Prindërit janë më të ndërgjegjshëm mbi vlerën e fëmijës dhe i përkushtohen totalisht edukimit të tij.
4 – Dy bashkëshortëve u jepet mundësia të kontribojnë më shumë në specialitetet e secilit, në lidhjet shoqërore dhe kanë rast të prezantohen me njëri-tjetrin më mirë.

Përfundim

Në traditën profetike (sunet) ceket një ilaç efektiv për të lindur fëmijë. Transmeton Xhabir ibnu Abdulla se një burrë nga Medineja vajti tek Profeti a.s dhe i tha:”O i dërguar i Zotit! Nuk kam asnjë fëmijë.”
Profeti a.s e pyeti:”Po a ke bërë istigfar dhe dhënë sadaka, që të kesh fëmijë?”
Tregon Xhabir:”Personi filloi të bëjë istigfar dhe të japë sadaka dhe i lindën nëntë djem.”
Dijetari Ali El-qari, në komentin mbi këtë hadith thotë:”Diçka te tillë e përftojmë edhe nga ajeti që flet mbi popullin e Nuhut a.s:”
“..e u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!” (Nuh, 10-12)

Nga: Xhasim Mutava

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit