-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Ibn Sina – Mjeku i mjekëve

Më të lexuarat

Dr. Monzur Ahmed

Ibn Sina ka lindur në vitin 980 të kohës së re në fshatin Afshana afër Buharasë i cili sot gjendet në jug të Rusisë. Babai i tij, Abdullahu, një përkrahës i sektit Ismaili, ishte nga Balkhu, ndërsa nëna e tij ishte nga një fshat afër Buharasë.

Ibn Sina, i njohur në Perëndim si Avicena, që fëmijë shfaqi aftësi të jashtëzakonshme intelektuale dhe në moshën dhjetë vjeçare ishte tashmë i aftë në Kur’an dhe në arabishten klasike. Gjatë gjashtë viteve të ardhshme ai ia kushtoi veten jurisprudencës islame, filozofisë dhe shkencave natyrore. Ai gjithashtu studioi edhe logjikën, gjeometrinë dhe kiminë.

Ai e ktheu vëmendjen e tij nga mjekësia në moshën 17 vjeçare dhe e mësoi atë duke shprehur me fjalët e tij: “jo e vështirë”. Megjithatë, ai ishte shumë i shqetësuar me problemet metafizike dhe në veçanti me veprat e Aristotelit. Rastësisht ai shtiu në dorë një manual mbi këtë subjekt prej filozofit të njohur Al-Farabi i cili i zgjidhi vështirësitë e tij.

Prej moshës 18 vjeçare ai kishte bërë nam si një fizikan dhe ishte ftuar që t’i shërbente sundimtarit të Samanit, Nuh ibn Mensurit (sundoi prej 976-997), i cili, në mirënjohje për shërbimin e Ibn Sinës, e lejoi atë që të shfrytëzonte falas librotekën (bibliotekën) mbretërore, e cila përmbante shumë libra të rralla dhe bile të vetme. I pajisur me aftësi të mëdha për të thithur dhe për të mbajtur në mend dituri, ky dijetar musliman i gëlltiti përmbajtjet e bibliotekës dhe në moshën 21 vjeçare ishte në gjendje që të hartonte librin e tij të parë.

Pothuajse në të njëjtën kohë ai humbi babanë e tij dhe pas disa kohësh ai e la Buharanë dhe u largua drejt perëndimit. Ai hyri në shërbim të Ali ibn Ma’munit, sundimtarit të Khivas, për pak kohë, por së fundi largohet për t’ju shmangur rrëmbimit prej Sulltanit Mahmud të Ghaznas. Pas shumë udhëtimesh ai erdhi në Xhurxhan, afër detit Kaspik, i joshur prej famës së sundimtarit të tij, si një përkrahës dhe mbrojtës i diturisë. Për fat të keq, arritja e Ibn Sinës përkoi me shkarkimin nga posti dhe vrasjen e këtij sundimtari. Në Xhurxhan, Ibn Sina predikoi (dha leksione për) logjikën dhe astronominë si dhe shkroi pjesën e parë të Kanunit, veprës së tij më të madhe.

Ai pastaj u vendos në Raj, afër Teheranit të sotëm dhe themeloi një praktikë të gjallë mjekësore. Kur u rrethua Raji, Ibn Sina u largua për në Hamadan ku ai mjekoi Amir Shemsud-Devla prej dhimbjeve të barkut dhe Amiri e bëri kryeministër. Një kryengritje e ushtarëve kundër tij (Ibn Sinës) shkaktuan shkarkimin dhe burgosjen e tij, por më pas Amiri, duke u sulmuar prapë prej dhimbjeve të barkut, e thirri atë duke i kërkuar falje dhe duke e rikthyer në pozitën e mëparshme; gjatë ditës ai ishte i zënë me shërbimin ndaj Amirit, ndërsa një sasi të madhe të natës ia kushtonte shkrimit të librave. Studentët u mblidhnin në shtëpinë e tij dhe lexonin pjesë të dy librave më të mëdha të tij, Shifas dhe Kanunit, tashmë të përfunduara. Pas vdekjes së Amirit, Ibn Sina u largua për në Isfahan pas një ndeshje të vogël me ligjin, duke përfshirë një periudhë në burg. Ai e shpenzoi vitin e tij të fundit në shërbim të sundimtarit të qytetit, Ala al-Devla të cilin ai e këshilloi për materialet shkencore dhe letrare që e shoqëroi në fushata ushtarake.

Miqtë e këshilluan atë që të ngadalësohej dhe t’a merrte jetën me butësi, por kjo nuk ishte natyra e tij. “Unë preferoj më shumë një jetë të shkurtër me gjerësi (horizont, dituri) sesa një jetë të gjatë por të ngushtë (të kufizuar)” – u përgjigj ai. I rraskapitur nga puna e rëndë dhe e vështirë, Ibn Sina vdiq në vitin 1036/7 në një moshë relativisht të re, në moshën 58 vjeçare. Ai është varrosur në Hamadan ku varri i tij gjendet ende aty.

Al-Kifti thotë se Ibn Sina përfundoi 21 vepra të mëdha dhe 24 të vogla mbi filozofinë, mjekësinë, teologjinë, gjeometrinë, astronominë, etj. Një burim tjetër (Brokelman) i atribuon Ibn Sinas 99 libra duke përfshirë 16 libra mbi mjekësinë, 68 mbi teologjinë dhe metafizikën, 11 mbi astronominë dhe 4 mbi poezinë. Shumica e tyre janë në gjuhën arabe; por në gjuhën e tij amtare persiane ai shkroi një manual të gjerë mbi shkencat filozofike të titulluar Danish-naama-i-Alai dhe një traktat të vogël mbi pulsin (rrahjet e zemrës).

Poema e tij arabe më e famshme përshkruan origjinën (prejardhjen) e shpirtit në trup prej Qiellit të Lartë. Ndër punimet e tij shkencore dy më kryesoret janë Kitab al-Shifa (libri i shërimeve, një enciklopedi filozofike bazuar në traditën e Aristotelit, dhe al-Kanun al-Tibb e cila paraqet kategorinë e fundit të ideve greko-arabe mbi mjekësinë.

Prej 16 punimeve mjekësore të Ibn Sinas, tetë prej tyre janë traktate të vargëzuara në mënyrë të tillë siç janë 25 shenjat që tregojnë përfundimin fatal të sëmundjeve, të rregullave higjienike, ilaçeve të vërtetuara, shënimeve anatomike, etj. Ndër punimet e tij në prozë pas Kanunit të famshëm është traktati mbi ilaçet e zemrës, për të cilin Muzeumi Britanik zotëron disa dorëshkrime të përsosura, ka mundësi më të rëndësishmet, por ai ka mbetur i papublikuar.

Kanuni është, padyshim, më i madhi, më i famshmi dhe më i rëndësishmi prej punimeve të Ibn Sinas. Vepra përmban rreth një milion fjalë dhe, sikurse shumica e librave në gjuhën arabe, është ndarë dhe nëndarë hollësisht. Ndarja kryesore është bërë brenda pesë librave, ndarja e parë e të cilave është bërë me parime të përgjithshme; i dyti prej ilaçeve (barërave) të thjeshta të rregulluara në mënyrë alfabetike; i treti me sëmundjet e organeve të veçanta të trupit, prej kokës deri te këmbët; i katërti me sëmundjet të cilat edhe nëse lokalizoheshin në fillimet e tyre përhapeshin në pjesët e tjera të trupit, sikurse ethet; e pesta prej përbërje ilaçesh (barërash).

Kanuni e veçon mediastinitisin prej pleuritit dhe e vlerëson natyrën ngjitëse të phthisit (turbekulozit të mushkërive) dhe përhapjen e sëmundjeve me anë të ujit dhe ndotësirave. Ai dha një diagnozë shkencore për ankylostomiasisin dhe i atribuoi kushtet një krimbi të zorrëve. Kanuni tregon për rëndësinë e dietologjisë, ndikimin e klimës dhe mjedisit natyror në shëndetin dhe përdorimin kirurgjik të anestezikëve oralë. Ibn Sina i këshilloi kirurgët që ta mjekojnë kancerin që në periudhën e hershme, duke siguruar zhdukjen e të gjitha indeve të sëmura. Materia mjekësore e Kanunit ka përmendur nja 760 ilaçe së bashku me përdorimin dhe efektin e tyre. Ai rekomandoi testimin e një ilaçi të ri për kafshët dhe njerëzit për përdorim të përgjithshëm.

Ibn Sina vërejti marrëdhëniet e ngushta ndërmjet emocioneve dhe rrethanave fizike dhe ndjeu se muzika krijonte një efekt të përcaktuar fizik dhe psikologjik te pacientët. Prej shumë çrregullimeve psikologjike që ai përshkroi në Kanun, njëri është me interes të jashtëzakonshëm: sëmundja e dashurisë! Ibn Sina është i njohur për diagnostifikimin e kësaj gjendjeje te një princ në Xhurxhan i cili vendosi që të sëmuret dhe dobësia (pafuqia) e të cilit kishte hutuar mjekët e vendit. Ibn Sina vërejti një rrahje në pulsin e princit kur u përmendën adresa dhe emri i të dashurës së tij. Mjeku i madh kishte një mjet të thjeshtë shërimi: të bashkonte të sëmurin me të dashurën e tij.

Teksti në gjuhën arabe i Kanunit është botuar në Romë më 1593 dhe si rrjedhim ishte njëri prej librave në gjuhën arabe që shihte dritën e botimit. Ai ishte përkthyer në gjuhën latine prej Gerardo Kremonese në shekullin 12. Ky “Kanun”, me përmbajtjen e tij enciklopedike, me rregullimin e tij sistematik dhe programin filozofik u ngrit shpejt në një pozitë të lartë në literaturën mjekësore të kohës duke i zënë vendin punimeve të Galenit, Al-Razit dhe Al-Maxhusit, duke u bërë libër mësimor për arsimimin mjekësor në shkollat e Europës. Në 30 vitet e fundit të shekullit 15, ai kaloi nëpër 15 botime latinisht dhe një në hebraisht. Në vitet e fundit, u bë një përkthim i pjesshëm në anglisht. Që prej shekullit 12-17, Kanuni shërbeu si udhëzues kryesor për shkencat mjekësore në Perëndim dhe thuhet se ka ndikuar edhe te Leonardo da Vinçi. Sipas fjalëve të Dr. William Osler, Kanuni ka qëndruar si “një Bibël mjekësore për një kohë të gjatë sesa çdo vepër tjetër”.

Pavarësisht nga kaq nderime madhështore që janë bërë për veprën e tij, Ibn Sina sot është i përmendur rrallë në Perëndim, ndërsa kontributi bazë i tij në mjekësi u bë i panjohur në Rilindjen Europiane. Sidoqoftë, në Muzeun e Buharasë, janë ekspozuar shumë prej shkrimeve të tij, si dhe pajisje kirurgjike që nga koha e tij. Një monument i rëndësishëm për jetën dhe veprën e tij që e bëri të njohur si “mjeku i mjekëve” ndodhet ende jashtë Muzeut të Buharasë dhe portreti i tij është i varur në sallën e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Parisit.

Përktheu nga gjuha angleze:
Ermal BEGA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit