1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Ibn Khaldun: Gjeniu i Shekullit XIV (14-të)

Më të lexuarat

HAKAN ARSLANBENZER
ISTANBUL, Publikuar me 03.03.2017

I njohur si paraardhës i disiplinave moderne të sociologjisë dhe demografisë, Ibn Khaldun ishte një dijetar arab, i cili u lind në epokën e pasur kulturore të Andaluzisë, mençuria e të cilit u la nën hije nga ndërhyrjet e orientalistëve dhe manipulimi në botën islame
Ekzistojnë dy drejtime të njohura në historinë e shkencave islame: “Shkencat Pozitive” dhe “Shkencat Tradicionale.” Tafsiri (komentimi/interpretimi i Kuranit), Fikh (Jurisprudenca islame) dhe Hadithi (thëniet e Profetit a.s.) janë shkencat tradicionale, ndërsa matematika astronomia, gjeografia e të ngjashme konsiderohen si shkencat pozitive. Opinioni i gjerë popullor tregon se ka pasur një devijim të madh në historinë e shkencave islame që bëri shkencat pozitive të dominohet nga shkencat tradicionale, e si rezultat muslimanët thjesht mbeten duke përsëritur dijen e themeluar kohë më parë në vend se të merreshin me krijimtari të reja dhe zhvillim të mendimit (e qytetërimit). Një dëshmi të parë të këtij trendi e shohim në shekullin e 17-të, i cili vazhdoi deri në shekullin e 20-të. Orientalistët ishin në gjendje të bindin masat muslimane se asnjë evolucioni intelektual nuk do të mund të arrihet pas Ibn Rushd-it (Averroes).

Sidoqoftë, kur rishikohet historia e shkencave islame shihet qartë se shkencat pozitive kanë vazhduar dhe se në fakt opinioni i përgjithshme se ato kanë stagnuar del të jetë i gabuar. Sikur të ishin braktisur shkencat pozitive qysh në shekullin e 11-të, atëherë si është e mundur që muslimanët arritën ta ruajnë epërsinë në vendet e tyre përgjatë një periudhe 700-800 vjeçare? Orientalistët janë përpjekur të minimizojnë rolin e shkencës pozitive duke i vendosur grupet militante muslimane në ballë të gjithçka islame, por kjo nuk shpjegon se si arriti “Ummeti Islam” – të udhëheqë Azinë dhe Afrikën plotësisht, si dhe një pjesë të konsiderueshme të Evropës – pa përdorur shkencat pozitive. E vërtetë se këto shtete u patën pushtuar nëpërmjet luftës, por ato nuk janë qeverisur me luftë por me dituri dhe shkencë.
Ibn Khaldun ishte një person i cili ishte fokusuar tërësisht në këtë temë. Ai pyeti veten: Si mund të ngritën dhe të bien qytetërimet? Ibn Khaldun u përpoq ta studiojë këtë fenomen me një histori metodologjike, të cilën ai e quajti “Umran al-Alam” (Ndërtimi i Botës) në veprën e tij të famshme “Muqaddimah” (Enciklopedia).

Fanatizmi orientalist dëshiron që ne atë ta konsiderojmë si një yll të veçantë i punës me urtësi vetjake, e jo si një pasardhës i përdorimit të përbashkët të shkencave pozitive dhe tradicionale. Në vend se ta sqaronin këtë fakt, orientalistët e portretizuan atë si një shenjë paralajmëruese të shkencave të stilit perëndimor. Ibn Khaldun është quajtur një Marx-i hershëm ose një Weber-i hershëm sikur ai të mos ishte fare pasardhës i mijëra historianëve, teologëve, komentuesve, “muhadithëve” – transmetuesve të fjalëve të Profetit Muhamed a.s., poetëve, dialektikëve dhe matematikanëve, të cilët që të gjithë ekzistuan në historinë e shkencave islame. Nuk ka nevojë të potencohet, por orientalistët kanë nxjerrë një pikëpamje të njëanshme dhe paragjykuese për Ibn Khaldun-in.

Ibn Khaldun është një nga njerëzit më të arritshëm në historinë e shkencave islame. Puna e tij shpjegon vetë për të. Ngjashëm me punën, personaliteti i tij, metodat e tij shkencore dhe biografia e tij janë gjithashtu shumë të qarta. Udhëzuesit tanë kryesore rreth jetës dhe teorive të Ibn Khaldun janë veprat e tij: “Iberian History” (Historia e Gadishullit Iberik) si dhe biografia e tij e famshme, të cilën e kishte shkruar vet, e njohur si “Mukaddimah”(Enciklopedia e Ibn Khaldun), libërthi i tij në lidhje me sufizmin, “Sifau” (Surfimi/Lundrimi), si dhe një mori broshurash rreth logjikës, matematikës e poezisë. Këto vepra, edhe pse jo të shumta, janë studiuar për shekuj me radhë dhe kanë ndikuar në masë të madhe mendimin dhe qytetërimin osman-turk.

Kur teologët modernë-orientalistë dhe shkencëtarët politikë analizojnë Ibn Khaldun, ata shpesh krahasojnë pikëpamjet e tij rreth shoqërisë dhe qytetërimit me ato të Aristotelit, Platonit, Farabiut dhe Ibn Sina-it. Këto janë subjekte të rëndësishme të drejtimit të tij studiues, por gati askush nuk e ka vlerësuar Ibn Khaldun mbi bazë të veprimtarisë dhe fushëveprimit të vet – veçanërisht në analizat brenda Turqisë. Kohëve të fundit është bërë i pamohueshëm fakti se Ibn Khaldun ka qenë i njohur në Turqi që nga shekujt 16-të dhe 17-të, por askush nuk është fokusuar në veprat e tij për t’i studiuar ato në mënyrë të pavarur nga pikëpamja klasike orientaliste.

Në realitet, Ibn Khaldun ishte i biri i një qytetërimi të shpërbërë. Familja e tij ishte një familje e njohur Andaluziane që emigroi në Afrikën e Veriut, me saktësisht në Tunizi, në fund të shekullit të 12-të. Ibn Khaldun filloi rrëfimin e tij nga një pikëpamje historiko-sociologjike. Shkrimi i biografisë së vet duke treguar fatin historik të familjes së tij ishte një shenjë e qartë se si kishte funksionuar mendësia e tij. Mund të thuhet se secili person mund të përfitojë nga fati i familjes, prejardhjes dhe komunitetit në të cilin jeton, mu sikur Ibn Khaldun. Ku jemi lindur, cilën gjuhë flasim, ku jetojmë dhe ku jemi arsimuar të gjitha këto janë produkte të kontekstit tonë arsimor dhe historisë së familjeve tona.

Informacioni më interesant në biografinë e Ibn Khaldun është sqarimi i detajeve në lidhje me shkollimin e tij unik: në mesin e shumë lëndëve tjera gjejmë edhe recitim të Kuranit, kaligrafi të Kuranit, Hadith, Biografi Profetike (Sire), Fikh sipas Medhhebit Maliki, poezi, letërsi, histori dhe matematikë. Kur kemi parasysh disiplinat që i kishte mësuar, gjejmë se sasia e përmbajtjes së shkencës islame të shekullit 14-të ishte e një niveli të lartë.

Pas përfundimit të arsimit të tij, Ibn Khaldun filloi të punonte si nëpunës, duke u bërë më vonë edhe “Kadi”- gjyqtar musliman. Brenda shoqërisë muslimane, Kadit-ë ishin gjyqtarë të pavarur dhe kryenin detyra të rëndësishme në lidhje me çështjet arsimore dhe burokratike. Ata nganjëherë luajtën role të rëndësishme në administratën e qytetit. Ibn Khaldun ishte një Kadi aq madhështor sa që kulmin e karrierës e arriti duke u bërë (Gjykatës Suprem) Krye-Kadi (i medhhebit Maliki) për tërë Egjiptin. Në fund të fundit, ai ishte një mjeshtër i madh dhe dijetar i shkencave tradicionale.

Tani kemi ardhur te një pikë kritike në argumentimin tonë se ndërlidhja e shkencave pozitive dhe atyre tradicionale është e vlefshme apo jo. Në fakt, gjurmët e vëzhgimeve të tij të bëra gjatë vizitave në Afrikën e Veriut dhe në Andaluzi si Kadi shfaqin metodologjinë e tij historike. Sikur ai të kishte jetuar vetëm në një qytet, njohuritë dhe përvoja të tilla të gjera në librin e tij “Umran” (Ndërtimi) nuk do të ishin të mundura. Qytetet e çrregulluara muslimane të shekullit të 11-të kanë shtyrë Ibn Khaldun të ri-interpretojë historinë dhe mbi këtë fakt u ngrit edhe metodologjia e tij e famshme.

Megjithatë, besohet se teoritë e Ibn Khaldun nuk kanë pasur shumë ndikim në Andaluzi dhe në Afrikën e Veriut, të cilat ishin objekt studimi i shkencës së tij. Fundi i fundit, ai kishte pak ndikim në këtë rajon të botës islame. Përderisa Ibn Khaldun shkruante veprat e tij, epërsia dhe centralizimi e botës islame po zhvendosej në vendet osmane, Anadoll. Kjo na shtyn drejtë pyetjeve tjera: Kur ndodhi ngritja e osmanëve? Kur ndodhi rënia e arabëve të Afrikës së Veriut?

Ibn Khaldun u lind në gjysmën e parë të shekullit të 14-të, në vitin 1332, dhe vdiq në fillim të shekullit 15-të, në vitin 1406. Timurlani (Tamerlane) sundonte gjatë kohës kur vdiq Ibn Khaldun. Dy shekujt e ardhshëm do ta dëshmojnë rritjen e Perandorisë Osmane, si dhe dominimin e saj mbi vendet fqinje islame si dhe shumicës së Evropës.

Pasi osmanët themeluan perandorinë e tyre, shkrimet dhe teoritë e Ibn Khaldun-it tërhoqën vëmendjen e tyre. “Sheikh el-Islam” dhe historiani osman, Kemalpaşazade (1468-1534) – njihet si historiani i parë që dokumentoi ndikimin e Ibn Khaldun në historinë dhe metodologjinë sociologjike. Përveç kësaj, një sasi të caktuar të ndikimit të Ibn Khaldun është parë edhe tek veprat e Qatib Celebiut (1609-1657) dhe Naima (1655-1716), të cilët ishin po ashtu historianë të rëndësishëm.

Interesimi osman rreth Ibn Khaldun vazhdoi në vitet në vijim, kështu historianët ia përcollën këtë interesim dhe njohuri historianëve të epokës se Republikës Turke. Megjithatë, është fakt se orientalizmi gjithmonë, si parazit, është përpjekur ta ndërpresë këtë proces. Orientalizmi e nxori Ibn Khaldun jashtë kontekstit të tij si një dijetar islam dhe burokrat i suksesshëm, duke e futur atë në karakterin e mendimit të skajshëm perëndimor. Ka ardhur koha që ta lëmë imitimin artificial orientalist prapa e të lexojmë Ibn Khaldun-in sipas stilit tonë.

Përktheu: Driton Morina

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit