Mesazhet e para të profesorit me mision diplomatik në Ballkan
Presidenti Biden pritet të emërojë një emisar special për njohjen e Kosovës nga pesëshja e Bashkimit Evropian – Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro.
Propozimi është për Edward Joseph në këtë pozicion, ligjërues në shkollën e studimeve të avancuara ndërkombëtare në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, në një raport të fundit.
Por cili është mesazhi i parë i këtij emisari?
Është një lloj paralajmërimi:
“Administrata e Bidenit mund të nxisë ofertën për konvergjencë nëpërmjet emërimit të njëkohshëm të një të dërguari të ri të posaçëm kushtuar njohjes së Kosovës, paralelisht me shpalljen e sanksioneve të SHBA-së për liderët në Shqipëri apo Kosovë që promovojnë bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë”, shkroi Joseph mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor.
Ai argumentoi se emërimi i një përfaqësuesi të veçantë u tregon të gjitha palëve, duke përfshirë edhe mosnjohësit në BE, seriozitetin e administratës amerikane për konvergjencën dhe qëllimin e SHBA-së: një zgjidhje dinjitoze, stabilizuese dhe të përhershme të mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi që do të çojë në përmbylljen demokratike të çështjeve të hapura në këtë rajon.
“Emisari Special për njohjen e Kosovës mund të punojë gjithashtu me ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në vendet që janë bindur nga Serbia për të hequr njohjen e Kosovës… Emërimi i një të dërguari special për njohjen e Kosovës do të nënvizonte pritshmërinë amerikane për ndryshime të vonuara nga vendet evropiane që nuk e njohin Kosovën”, nënvizoi Joseph.
“SHBA-ja duhet ta bëjë të qartë, ashtu siç bëri kur sponsorizoi pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, se të gjitha format e ndarjes dhe bashkimit janë të papranueshme dhe se ata që e promovojnë ndarjen apo bashkimin do të sanksionohen. Duke bërë kështu, administrata do të rrisë konvergjencën midis të gjithë homologëve evropianë – njohësve dhe mosnjohësve”.