Një kik-boksier kosovar në Zvicër, emri i të cilit nuk është bërë publik, është dënuar me mbi 4 vjet burg për sulm ndaj gruas dhe vajzës së vet.
“Marrëdhënia juaj u karakterizua nga provokime, nga të dyja palët dhe nga dhuna”. Kështu deklaroi të enjtën, René Ernst, president i Gjykatës Penale të Bazelit, teksa shpalli aktgjykimin për sportistin kosovarin.
Rasti për të cilin u dënua kik-boksieri kosovar kishte ndodhur në korrik të vitit 2015, raporton gazeta zvicerane Blick.
Kosovari i dënuar kishte goditur gruan e tij teksa ajo kishte qenë duke e mbajtur në krah fëmijën e tyre, 2 muajsh. Një nga goditjet e kosovarit, goditi kafkën e foshnjës, duke i shkaktuar një thyerje prej 4 centimetrash në kokën e fëmijës.
“Për fat të mirë, vajza e vogël kaloi pa asnjë dëmtim madhor”, tha gjykatësi zviceran, Rene Ernst./Insajderi.com