Tragjedia shqiptare vijon që të jetë kryefjalë në mediat kroate, që kanë sjellë disa dëshmi të të aksidentuarve.
Njëri prej pasagjerëve të aksidentuar që ka folur për mediat është Ramë Gashi, i cili ka treguar momentet e tmerrit që përjetoi së bashku me bashkëshorten. Gashi rrëfen se kishte dashur që të udhëtonin me avion, por bashkëshortja e tij kishte insistuar që të vinin me autobus.
“Udhëtimi ka qenë i këndshëm, madje edhe argëtues dhe nuk kemi fjetur deri rreth orës 05:00 të mëngjesit, sepse ishin disa të rinj që kënduan tërë natën. Por kur më zuri gjumi dëgjova një zhurmë. Ishte çështje sekondash.
Vetëm e kam parë veten teksa po bija poshtë, gjërat po na binin mbi, pashë se një grua që kishte vdekur. Gjithçka ishte shkatërruar përreth nesh, njerëzit binin mbi njëri-tjetrin.
Pastaj kërkova bashkëshorten time, e cila ishte e ulur pranë një mikeje të saj dhe kur e gjeta, dola jashtë dhe ndihmova të tjerët sepse isha mirë fizikisht. Nuk doja të shkonim me autobus, por ajo më bindi të shkoja me të me autobus.
Doja të shkonim me avion, sepse udhëtimi nga Shtutgarti në Prishtinë zgjat vetëm 1 orë e gjysmë, por ajo insistoi që të shkojmë me autobus. Nuk do ta harroj kurrë këtë”, tha Ramë Gashi.
Nëntë pasagjerë dhe shoferi i dytë i autobusit nuk arritën që të mbijetonin, ndërsa 42 u lënduan, 15 në gjendje më të rëndë dhe 15 janë akomoduar nga autoritetet kroate. Sot Kosova e ka shpallur ditë zie./ db/Abcnews.al