Alexander Kasanoff, zëvëndësuesi i Escobar-it, mesazhe nga Zagrebi
Uashingtoni ka zhvilluar një politikë të vazhdueshme ndaj Ballkanit Perëndimor për tre dekadat e fundit dhe unë pres që të mbetet e tillë, i tha Hina-s i dërguari i qeverisë amerikane për rajonin, Alexander Kasanoff, dy javë pasi Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale.
Kasanoff zëvendësoi Gabriel Escobar, mandati i të cilit skadoi në fund të majit.
Nëse do të qëndrojë atje pas datës 20 janar, kur të marrë detyrën qeveria e Donald Trump, Kasanoff nuk ka dashur të spekulojë, por ka theksuar se do të vazhdojë të punojë deri në ditën e fundit që rajoni të përparojë në të gjitha aspektet dhe nëse largohet, pasardhësi i tij i mundshëm të gjejë një situata më të mirë të mundshme.
“Dëshiroj të theksoj se ka një vazhdimësi të fortë në politikën tonë ndaj Ballkanit në 30 vitet e fundit. Pres që kjo vazhdimësi, rreth synimeve themelore që kemi për këtë rajon, të vazhdojë”, tha Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën, përgjegjës për Ballkanin dhe diplomacinë publike.
Kasanoff, një diplomat me përvojë me angazhime të mëparshme në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë, ishte në Zagreb për të “shprehur kënaqësinë e thellë të Uashingtonit me marrëdhëniet e forta dypalëshe me Kroacinë”, një vend që është një udhëheqës rajonal.
Ndikimi tinëzar rus
Kasanoff ishte në ambasadën amerikane në Kiev gjatë revolucionit të njohur si “Euromaidan”, duke punuar atje si këshilltar politik.
Ai e konsideron luftën në Ukrainë “një moment kyç për sigurinë evropiane” dhe shton se është i shqetësuar se Rusia tashmë ka kërcënuar ligjin dhe rendin ndërkombëtar me agresionin e saj.
SHBA-ja është gjithashtu e shqetësuar për ndikimin rus në rajon, kështu që po punon me vendet e Ballkanit Perëndimor për të parandaluar dezinformimin, tha ai.
Ndikimi rus është “njëlloj tinëzar” në të gjitha vendet e rajonit, por edhe kudo në botë, ndaj shtetet duhet të qëndrojnë “vigjilentë”.
Kasanoff theksoi se Uashingtoni sheh aktualisht një “mundësi reale” të përparimit të rëndësishëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimit euroatlantik.
Ai veçoi Planin e Rritjes prej gjashtë miliardë eurosh të BE-së për rajonin, i cili është i kushtëzuar me zbatimin e reformave, sepse mund të kontribuojë ndjeshëm në ato vende dhe “banorët e tyre mund ta ndiejnë atë”.
Zyrtari amerikan, megjithatë, paralajmëron se “nuk është një periudhë që do të zgjasë përgjithmonë” dhe prandaj duhet shfrytëzuar momenti i tanishëm i favorshëm.
“Qëllimi këtu është që në fund të sigurohet që rajoni të largohet nga trashëgimia e luftërave të viteve 1990 dhe të ketë sukses, ku me të vërtetë të kthejë faqen nga të këqijat e etno-nacionalizmit,” theksoi Kasanoff. /tesheshi.com/