-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e festës së Fitër-Bajramit

Më të lexuarat

Falënderojmë Allahun e Madhëruar, me ndihmën e të Cilit arritëm ta përfundojmë agjërimin e këtij muaji të bekuar Ramazan.Salavatet e selamet tona qofshin mbi më të dashurin e Allahut xh.sh., Pejgamberin tonë, Muhamedin a.s., mbi familjen e tij të ndershme dhe mbi shokët e tij besnikë.

Të nderuar besimtarë,Vëllezër e motra!

Sot kemi festë, festë e cila na vjen pas kryerjes së njërit nga kushtet e besimit islam – agjërimit të muajit të bekuar Ramazan, ibadet ky që bëhet vetëm për hir të Krijuesit të gjithësisë.Festa e Fitër-Bajramit, si asnjë festë tjetër na bashkon me familjen e me më të dashurit tanë, me fqinjët, miqtë e farefisin, ngase këtë e kemi obligim. Zoti në Kuranin fisnik ka thënë:وَٱلَّذِينَ يَصِلُونَ مَآ أَمَرَ ٱللَّهُ بِهِۦٓ أَن يُوصَلَ وَيَخْشَوْنَ رَبَّهُمْ وَيَخَافُونَ سُوٓءَ ٱلْحِسَابِ ,Në këtë ajet kuranor, Zoti na mëson se besimtarë të vërtetë janë ata të cilët mbajnë lidhjet familjare, ngase për to ka urdhëruar Allahu, ata të cilët ia kanë dronë Zotit dhe kanë frikë nga Dita e Llogarisë.Festa e Fitër-Bajramit për besimtarët është një ndër momentet më të gëzueshme për të gjitha kategoritë e shoqërisë, ngase në vete përmban mesazhet hyjnore që ofrojnë familjen, të afërmit, miqtë dhe farefisin.Po ashtu, kjo festë ka në vete mesazhin e gëzimit, haresë e lumturisë, që nga fëmijët, të rinjtë e për të gjitha grupmoshat, të cilët, kjo festë në formën më të mirë i ofron rreth vlerave e porosive hyjnore, humane e sociale.Festa e Fitër-Bajramit na bashkon në xhami në ibadet, falje e lutje drejtuar Krijuesit të gjithësisë, na bashkon me familjen, me farefisin e miqësinë në vizita të ndërsjella duke uruar e përgëzuar, si dhe duke kujtuar ata që kanë shkuara para nesh nga kjo dynja.Fitër-Bajrami bart mesazhin më të mirë për kultivimin e dashurisë për paraardhësit dhe pasardhësit tanë, e kultivon dashurinë e respektin e nipërve e mbesave për gjyshërit e anasjelltas, kultivon respektin dhe kujdesin e prindërve për fëmijët, kultivon mbështetjen e solidaritetin për ata që kanë nevojë.Po ashtu, festa e Fitër-Bajramit e bashkon komunitetin dhe e bënë atë që të reflektojë duke trokitur në ndërgjegjen e tyre, e duke nxitur e kultivuar në formën më të mirë ndjesinë e mirëkuptimit, tolerancës, harmonisë, respektit e bujarisë, vlera këto që e fisnikërojnë individin e shoqërinë.

Vëllezër e motra!

Mbrëmë kemi përfunduar muajin Ramazan, nga i cili kemi përfituar nimete, begati e falje nga rahmeti i Zotit, dhe gjatë tërë muajit Ramazan shtuam ibadetet, lutjet, punët e veprat e mira.Allahu xh. sh. në Kuran na thotë :قُلْ بِفَضْلِ ٱللَّهِ وَبِرَحْمَتِهِۦ فَبِذَٰلِكَ فَلْيَفْرَحُوا۟ هُوَ خَيْرٌۭ مِّمَّا يَجْمَعُونَ“Thuaj se me mirësinë e Zotit dhe me mëshirën e Tij le të gëzohen besimtarët. Ajo është më e mirë seç grumbullojnë.”Agjërimi është një ibadet që kryhet me përkushtim të veçantë vetëm për Krijuesin, kështu që përveç agjërimit ishim së bashku në namaze, në iftar e në syfyr, në kujdesin për tjetrin, si në zekat e sadaka.Të gjitha këto nimete e virtyte i ka ofruar muaji Ramazan, të bindur që Krijuesi ynë do t’i pranojë bindjen e përkushtimin tonë ndaj Tij.Në Ramazan ishim më të afërt, më të dëlirë, më të urtë, më fisnikë e më humanë.Kishim më shumë urtësi, mirëkuptim e solidaritet, pa harruar këtu devotshmërinë e sinqeritetin, vlera këto që duhen kultivuar gjatë gjithë jetës sonë.Sot, njerëzimi i dhënë pas kësaj bote materiale, sikur po harron shpirtëroren e mësimet hyjnore. Si besimtarë, e kemi për obligim që ta ruajmë me kujdes ekuilibrin ndemjet dynjasë e ahiretit, ndërmjet materiales e shpirtërore, ndërmjet humanes e egoizmit.Krijuesi Fuqiplotë e ka dërguar njeriun mëkëmbës në këtë botë, e ka graduar me gradën më të martë se melaqet, dhe ia ka dhënë Kuranin si udhërrëfyes për jetë me dinjitet në dynja dhe fitimin e ahiretit.Sot bota po përballet me kriza e konflikte nga më të ndryshmet, kur ne sot po festojmë të lirë Fitër-Bajramin, kur ne po shijojmë mirësitë e kësaj feste, në shumë vende të botës kemi konflikte, luftëra e gjakderdhje, ku popullata e pafajshme po përballet me padrejtësi, dëbime, vrasje e shkatërrime.Nuk është ky misioni i njeriut në këtë botë, nuk është ky misioni ynë në këtë jetë, kështu nuk na mësojnë as librat e Zotit, e nuk na kanë ligjëruar kështu as pejgamberët e Tij.Në këtë ditë të madhe, nga ky vend, lutemi që në vatrat e krizës të ndalen luftërat e konfliktet, lutemi që në ato vende të vendoset paqja e qetësia, lutemi që të mos preken pleqtë, gratë, fëmijët e të pafajshmit.Paqe e dashuri për të gjithë, e jo konflikte, urrejtje e mosdurim.Për t’i arritur këto vlera, njerëzimi ka nevojë më shumë se kurrë t’i njoh e t’i përvetësojë drejt mësimet hyjnore, porositë e pejgamberëve dhe traditat tona pozitive që nuk janë të pakta.Më shumë se kurrë na duhet unitetit e solidariteti. Tanë së fundmi, përveç konflikteve e luftërave, bota po përballet edhe me rritjen e krizës sociale që rrezikon shtresën e mesme ekonomike të popullatës.

Vëllezër e motra!

Misioni ynë në këtë botë është që t’i mbështesim punët e mira e të hairit, dhe në këto punë duhet garuar, ngase kështu na mëson Allahu në Kuranin e tij fisnik, kur thotë:وَفِي ذَلِكَ فَلْيَتَنَافَسِ الْمُتَنَافِسُونَQë do të thotë, në punë të hairit le të garojnë besimtarët.Në këtë mision duhet të kemi unitetin, të cilin duhet ta kultivojmë në familjet tona, me farefisin tanë, e në komunitetin tonë. Vetëm duke qenë unikë mund të bëjmë më shumë punë e vepra të hairit.Vetëm unikë mund të edukojmë si duhet brezin e ri, duke qenë unikë e të bashkuar ndikojmë në krijimin dhe forcimin e paqes, tolerancës, sigurisë e mirëkuptimit.Zoti na ka bërë popuj e fise që të njihemi ndërmjet vete, e jo të diskriminojmë njëri-tjetrin, jo ta shtypim njëri-tjetrin. Zoti na ka dhënë pushtet e pasuri për të na sprovuar, andaj duhet që të udhëheqim me urtësi e drejtësi, e pasurinë ta shfrytëzojmë në rrugën e drejtë.Qëllimi ardhjes sonë në këtë botë është që t’i njohim vlerat e njëri-tjetrit dhe të jetojmë me dinjitet, si krijesa më e përzgjedhur e Krijuesit të gjithësisë.

Vëllezër e motra!

Këtë vit, festën e Fitër-Bajramit, fal Zotit të Madhëruar po e përjetojmë pa masa kufizuese, duke shijuar të gjitha mirësitë që na i jep kjo festë, jemi bashkë në xhamia, në lutje, ibadete e falënderime.Do jemi bashkë me familjarët e me të dashurit tonë në sofrën e Bajramit. Do urojmë e përgëzojmë duke vizituar njëri-tjetrin, ashtu siç është në traditën tonë për këtë festë të madhe.Në fund, duke lutur Zotin që ta ketë pranuar agjërimin, lutjet, ibadetet e punët tona të mira, të gjithëve ju uroj festën e Fitër-Bajramit, duke ju dëshiruar shëndet e mbarësi, kudo që jeni, ju përgëzoj e ju uroj të gjithëve festën e Fitër-Bajramit.

Me hair e me të mira na qoftë Fitër-Bajrami!

Prishtinë, më 2 maj 2022

Myftiu i Kosovës,Naim ef. Tërnava
The post Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e festës së Fitër-Bajramit appeared first on Bashkësia Islame e Kosovës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit