3.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Hyrje ne problemet familjare 1

Më të lexuarat

Nga: Xhasim El-mutawa

Hyrje ne problemet familjare 1

Çdo njëri prej nesh që jeton në familje, patjetër që do të ballafaqohet me probleme familjare dhe bashkëshortore. Problemeve familjare dhe bashkëshortore sot u kushtohet një rëndësi e veçantë. Sot ka metoda dhe studime të shumta, të cilat udhëzojnë të interesuarit si t’i menaxhojnë dhe trajtojnë probleme të tilla.
Duke qenë se njerëzit janë me natyrë të ndryshme, disa prej tyre i zmadhojnë problemet sado të vogla qofshin. Ndërkohë që njerëz të tjerë, kanë aftësi dhe gatishmëri t’i zvogëlojnë problemet, sado të mëdha qofshin.
Diçka të tillë, do të përpiqemi t’ua transmetojmë juve lexues të nderuar, nëpërmjet kësaj trajtese.
Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se problemet familjare dhe bashkëshortore, nuk lindin pa pritur e pa kujtuar. Të gjithë ne e dimë proverbin që thotë “Ç’të mbjellësh, do të korrësh.”
Prandaj, secili prej nesh kontribon në një mënyrë apo në një tjetër në problemet e shumta me të cilat ndeshemi. Diçka të tillë, na e kujton dhe përmend edhe Zoti në Kuran me fjalët:”Thuaj (o Muhamed): “Kjo u erdhi prej vetes tuaj.” (Al Imran 166)
Kështu, problemet dhe fatkeqësitë, janë sprova prej Zotit, me anë të cilave Ai vë në provë besimin tonë. Profeti Muhamed a.s, në shumë hadithe jep udhëzime dhe orientime mbi reagimin e duhur ndaj një fatkeqësie.  Janë pikërisht këto reagime, ato të cilat e dallojnë një musliman dhe besimtar, nga të tjerët.
Thotë Profeti a.s:”Është për t’u çuditur me besimtarin. Gjithçka është në dobinë e tij. Dhe kjo nuk është veçse për një besimtar. Nëse Zoti e sprovon me begati, ai e falenderon Atë dhe kjo është në dobinë e besimtarit. Nëse Zoti e sprovon me një fatkeqësi, ai duron dhe kjo është në dobinë e tij.”
Me këto fjalë, Profeti a.s na ofron një teknikë e cila na ndihmon si të reagojmë në rast fatkeqësish dhe problemesh. Një besimtar, kur gjendet para një mirësie dhe begatie, ai tregohet mirënjëhës dhe e falenderon Zotin e madhëruar. Nëse gjendet përballë një sprove dhe fatkeqësie, ai tregohet i durueshëm dhe i përmbajtur.
Duke pasur parasysh një karakter të tillë të besimtarit, edhe Profeti a.s shpreh habi. Një karakter i tillë kaq fleksibël, është i aftë të përballojë goditjet dhe problemet e ndryshme në jetë.
Prandaj, edhe problemet familjare dhe bashkëshortore hyjnë tek sprovat me të cilat Zoti vë në provë besimin e njerëzve.
Çështja e dytë, siç e përmedëm dhe më lart, është se për këto probleme, kemi dorë edhe ne njerëzit. Ky është një realitet që duhet pranuar.
Çështja e tretë, është diçka e rëndësishme të cilën duhet t’a kuptojmë drejt. Shumë njerëz, mendojnë se vetëm ata kanë probleme të tilla familjare dhe bashkëshortore. Ata mendojnë se njerëzit e lumtur dhe të fashëm, nuk hasen me probleme të këtij lloji.
Sa herë që yjet e artit dhe njerëzit me famë pyeten nëse kanë probleme në familje dhe përgjigja është pozitive, njerëzit shprehin habi. Si është e mundur që edhe ata të kenë probleme?!
Shumë prej nesh, mendojnë se një njeri i lumtur, nuk kalon asnjë problem shoqëror dhe familjar në jetën e tij. Padyshim që një koncept i tillë është i gabuar.
Nëse do të studiojmë familjet e profetëve, që nga Ademi a.s deri tek profeti Muhamed a.s, do të gjejmë se të gjithë kanë pasur probleme familjare. Ademi a.s u sprovua me një problem shumë të madh familjar. Njëri nga djemtë e tij, vrau të vëllanë. A e imagjinoni dot që një krim me përmasa të tilla, ku vëllai vret vëllanë, të ndodhë në familjen e një profeti?! A e imagjinoni dot që kjo makabër të ndodhë në familjen e Ademit a.s, babait të njerëzimit?!
Probleme familjare ka pasur edhe profeti Nuh a.s. Gruaja e tij nuk ishte muslimane, nuk i përkiste fesë së Nuhut a.s. Madje, akoma më keq, ajo tallej me Nuhun a.s. Po ashtu, njëri nga fëmijët e Nuhut a.s, nuk ishte musliman dhe besimtar. Fëmijët e tjerë kishin ndjekur fenë e Nuhut a.s dhe hypën bashkë me të në anijen e shpëtimit. Por njëri prej tyre, refuzoi dhe u mbyt. Fjalët e fundit mes Nuhut a.s dhe djalit të tij jobesimtar i përmend edhe Zoti në Kuran:
“Nuhu thërriste birin e vet, i cili ishte ndarë veç: “O biri im, hip me ne e mos u bëj me mohuesit!” . (I biri) tha: “Unë do të strehohem në një mal i cili do të më ruajë nga uji”.
Djali i Nuhut a.s, mendonte se duke u ngjitur në mal, do të shpëtonte nga tufani dhe nga ndëshkimi i Zotit.
“Nuhu iu përgjigj: “Sot askush nuk do të kursehet nga dënimi i Allahut, përveç atij që e mëshiron Ai!” Një valë në mes tyre i ndau dhe ai u fundos.”  (Hud, 42-43)
Kështu, djali i tij iu bashkangjit nënës së tij jobesimtare dhe u shkatërrua bashkë me popullin e Nuhut.
Profeti Ibrahim a.s, u përball edhe ai me probleme bashkëshortore, pasi u martua me një grua të dytë. Kjo martesë, shkaktoi xhelozi dhe probleme mes dy bashkëshorteve të tij.
Ai e braktisi të shoqen e tij Haxheren, bashkë me Ismailin foshnje në luginën e Mekes. Edhe kjo është një problem familjar. Gruaja e tij do të qëndronte e vetme në një luginë ku nuk kishte as njerëz, as kafshë, as bimë dhe as ujë e ushqim.
Ibrahimi a.s udhëtonte shpesh, duke e lënë familjen vetëm.
Profeti Lut a.s, edhe ai u përball me probleme familjare me të shoqen e tij.
Në historinë e Jakubit a.s, kemi smirën dhe urrejtjen që lindi tek fëmijët e tij për Jusufin a.s. Kjo smirë dhe urrejtje, i bëri që t’a hedhin të vëllanë në një pus të thellë në mes të shkretëtirës. Surja Jusuf, është një sure e plotë e cila i kushtohet problemeve familjare.
Problem familjar është edhe ai i profetit Musa a.s, i cili u braktis nga nëna dhe u hodh në lumë, kur ishte foshnje. Në rini, ai u detyrua të arratiset dhe u vendos në Medjen. Martesa e tij me një nga vajzat e Shuajbit a.s dhe shumë ndodhi të tjera, hyjnë tek vuajtjet dhe problemet familjare.
Prandaj, kur flasim mbi problemet familjare, nuk kemi përse të mendojmë se jemi njerëz të përvuajtur dhe se njerëzit e lumtur nuk kanë probleme të tilla. Ne nuk kemi përse të mendojmë se meqë kemi probleme familjare në shtëpi, kjo do të thotë se jemi njerëzit më të vuajtur dhe të dëshpëruar.
Vetë profeti Muhamed a.s, ka pasur probleme nga më të ndryshmet në familjen e tij. Kushdo që lexon biografinë e tij, do të gjejë kushedi sa probleme mes tij dhe Aishes, Hafsas, Seuda etj…
Megjithë këto probleme dhe halle, të gjithë profetët jetuan të lumtur. Kështu, lumturia konsiston në të kuptuarit e drejtë të problemit dhe trajtimit të duhur të tij. Problemi nuk qëndron që ne kemi mosmarrëveshje dhe të tilla, por qëndron në faktin që unë nuk di të reagoj dhe t’a trajtoj atë siç duhet.
Unë si individ, e kam në dorë që një kokër t’a zmadhoj sa një kube. Një problem të vogël, mund t’a ekzagjeroj dhe t’a paraqes si gjëmën më të madhe.
Ne duhet të reflektojmë dhe të mësojmë si t’i trajtojmë problemet familjare. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për rrethanat ku ndodhemi, duhet të mësojmë si të sillemi me fëmijët dhe bashkëshortet, me komshinjtë, miqtë, të afërmit dhe dashamirësit.
Për të gjithë këtë, Zoti na dërgoi profetin Muhamed a.s, i cili hedh bazat e një metodologjie në trajtimin e problemeve dhe halleve të përditshme.
Nëse lexojmë librat e jetëshkrimit të Profetit a.s, do të gjejmë që ai na mëson si të sillemi dhe t’i trajtojmë të moshuarit, të vegjlit, gratë, hipokritët, jobesimtarët, çfarë lidhjesh duhet të krijojmë me veten tonë, me Zotin e madhëruar, me armikun, prindërit etj…
E gjithë kjo i ngjan një programi të plotë dhe perfekt të trajtimit të problemeve familjare.
Kështu, kur flasim mbi problemet familjare dhe artin e trajtimit të tyre, nuk do të thotë se po shpikim diçka të re. Në fakt, ne vetëm kemi shtuar disa gjëra të reja. Në këtë trajtesë, ne do u ofrojmë disa ide të reja rreth kësaj çështjeje. Ashtu siç do të flasim rreth këndvështrimit islam rreth problemit, do të flasim edhe mbi disa metoda praktike për zgjidhjen e problemeve. Me anë të ketyre ushtrimeve, do të zbuloni nëse jeni të aftë t’i menaxhoni dhe më pas t’i zgjidhni problemet tuaja.
Më pas, do të flasim rreth kategorive të njerëzve. Siç dihet, njerëzit kanë këndvështrime dhe mendime të ndryshme mbi reagimin dhe trajtimin e duhur kundrejt një problemi. Në fund, do të zbulosh se cilës kategori i përket.
Një pikë tjetër e rëndësishme, është edhe dallimi mes trajtimit të problemit, të përshtaturit me problemin dhe shfrytëzimin e tij. 
Më pas, do të përmendim disa ushtrime, me anë të cilave ne do të zbulojmë mënyrën e të menduarit të secilit prej nesh.
 
Origjina e problemeve
 
Ne të gjithë e dimë dhe besojmë se Zoti ka krijuar njerëzit dhe gjithçka tjetër. Për çdo gjë, Ai ka krijuar të kundërtën dhe sfiduesen e saj. Jeta e kësaj bote, është jetë e sprovave dhe sfidave. Një nga krijesat e krijuara nga Zoti, është dhe shejtani, objektivi i të cilit është të devijojë njerëzimin nga rruga e Zotit. Ai përpiqet me shpirt e me zemër që njeriun t’a shtyjë drejt gjynaheve dhe t’a kthejë kundër Zotit. Një ndër objektivat e shejtanit, të cilin e përmend dhe profeti Muhamed a.s, është të shkaktojë probleme mes bashkëshortëve. Ky është plani strategjik i shejtanit, për të shkatërruar një shoqëri.
Transmeton Xhabir ibnu Abdila, se i dërguar i Zotit a.s ka thënë:”Shejtani e vendos fronin e tij mbi ujë dhe thërret ushtarët. Ai që ulet më pranë tij, është më i rrezikshmi. Ushtarët fillojnë të raportojnë dhe një prej tyre i thotë:”Kam bërë këtë e atë…” Shejtani i thotë:”S’paske bërë gjë.” I vjen një tjetër dhe i thotë:”Kam bërë këtë e atë…” Shejtani i thotë:”S’paske bërë gjë.” Derisa të vijë një tjetër që i thotë:”Nuk iu ndava derisa u divorcua nga gruaja e tij.” Atëherë, shejtani e afron pranë dhe i thotë:”Ti paske arritur rezultat të kënaqëshëm.”
Prandaj, në çdo problem bashkëshortor, ne duhet të ndërgjegjësohemi që betejën nuk e kemi vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me shejtanin, objektivi i të cilit është ndarja dhe shkurorëzimi mes bashkëshortëve. Ne jemi dëshmitarë që në shumë raste, divorci ka ndodhur për shkak të një problemi shumë të vogël, por që është kultivuar dhe i është hedhur benzinë. Problemet e vogla të cilave u fryhet dhe u hidhet benzinë, i ngjajnë topit të borës, të cilin sa më shumë ta rrotullosh rritet dhe zmadhohet.
Në rast i tillë, mu paraqit para disa kohësh gjatë një konsulence.  Gjatë rrugës së kthimit nga puna, burri i telefonon të shoqes në shtëpi dhe i thotë:”Nëna më kërkoi që t’i blej diçka të gatshme për darkë për të dhe për motrat. Unë tani jam nisur drejt restorantit dhe thashë të të pyes nëse kërkon edhe ti diçka për të ngrënë.”
Gruaja i tha:”Po, unë dua kos me lisna.”
Burri shkoi në restorant, bleu porosinë e nënës dhe të motrave dhe ua dërgoi në shtëpi. Më pas u nis drejt shtëpisë së tij, ku e priste e shoqja. Me të hyrë brenda, ata u përshëndetën dhe e shoqja e pyeti:”Ku e ke kosin me lisna?”
I shoqi ia ktheu:”Për Zotin paskam harruar ta blej.”
E shoqja i tha:”Nuk ka problem, por më vjen keq për nënën dhe motrat e tua, si do të qëndrojnë pa darkë sonte!”
Burri i tha:”Në fakt, unë e bleva porosinë e nënës dhe të motrave. Ajo që harrova të blej, është pikërisht porosia jote.”
Kur e shoqja dëgjoi që burri kishte blerë gjithçka që i kishte kërkuar nëna dhe motrat dhe kishte neglizhuar porosinë e saj, i hypën xhindet. Si ishte e mundur që ta kishte harruar? Mos vallë nëna e tij dhe motrat ishin më të rëndësishme se e shoqja? A nuk tregonte kjo se i shoqi nuk interesohej shumë për gruan e tij? A nuk tregonte se sa pak e vlerësonte atë?
Zërat mes tyre filluan të ngrihen derisa të dy palët kërkuan divorcin. E gjitha kjo, për shkak të një kutie kos me lisna.
Kur ky rast mu paraqit mua, u thashë:”Unë jam i bindur që ky divorc nuk ka ndodhur për shkak të një kutie kosi me lisna. Padyshim që ky divorc, ka prapaskena të tjera. Ndodhia e kutisë së kosit, vetëm sa i zbuloi problemet e mëparshme.”
Probleme të ngjashme ka kaluar edhe vetë i dërguari i Zotit, profeti Muhamed a.s. Një herë, Profeti a.s zgjohet në mesnatë dhe del nga shtëpia. Atë natë, ai qëndronte tek Mejmune bintu Harith. Kur Mejmune ndjeu se Profeti a.s nuk ishte në dhomën e saj, filloi të mendojë ku mund të kishte vajtur. Mendimi i parë që i vajti në mendje, ishte se ai kishte shkuar tek ndonjë grua tjetër. E inatosur, ajo u ngrit dhe kyçi derën nga brenda. Pas pak, Profeti a.s u kthye dhe kur deshi të hyjë, pa që dera ishte e kyçur. Ai filloi të trokasë dhe i kërkoi Mejmunes ta hapë. Por Mejmune refuzoi ta hapë derën. Profeti a.s vazhdonte t’i kërkojë Mejmunes ta hapë derën, por ajo vazhdonte të refuzojë.
Gjatë një ligjërate, i pyeta burrat:”Nëse gratë tuaja do u mbyllnin derën nga brenda dhe refuzojnë ta hapin, si do të reagonit?”
Njëri prej tyre më tha:”Unë do e thyeja derën.”
Një tjetër tha:”Do e divorcoja menjëherë.”
Dikush tjetër tha:”Shkoj në hotel apo diku tjetër dhe kthehem në shtëpi të nesërmen.” Një tjetër tha:”Do të flija tek dera.”
Profeti a.s qëndroi pas dere, derisa më në fund Mejmune pranoi ta hapë derën. Kur hyri brenda, Profeti a.s e pyeti:”O Mejmune! Përse e mbylle derën?”
Mejmune i tha:”Përse shkon te gratë e tua në mes të natës o i dërguar i Allahut?”
Profeti a.s ia ktheu:”O Mejmune! Unë nuk isha tek asnjë nga gratë e tjera! Unë dola për nevojat e mia personale.” Më pas, Profeti a.s u shtri dhe fjeti duke e mbyllur çështjen me kaq.
Kush është ai që i prodhon problemet? Kush është ai që i zmadhon problemet? Kush është ai që i ndërlikon gjërat?
Përgjigja e vetme është:”Ne.”
Profeti a.s e dinte se ajo që e shtyu Mejmunen t’i mbyllë derën, është dashuria e madhe e saj, e cila e bënte të ndihet xheloze.
Lidhur me problemet bashkëshortore, ne përmendëm dy raste: Ai i kutisë së kosit, ku çifti u divorcua dhe ai i profetit Muhamed a.s, ku situata u qetësua falë reagimit plot urtësi të Profetit a.s.
Sidomos në raste të tillë, prej burrit dhe gruas pritet një zemërgjersi dhe fleksibilitet më i madh. Ne nuk kemi përse të nevrikosemi dhe të inatosemi me t’u përballur me një problem. Ashtu siç nuk kërkohet prej nesh që t’i anashkalojmë dhe t’i injorojmë, por të mësojmë si t’i trajotjmë dhe si të reagojmë pozitivisht.
 
 
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit