Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë marrë vendim gjatë takimit të fundit në Luksemburg, që të kryejnë misionin për trajnimin e ushtarëve ukrainas.
E Hungaria është vendi i vetëm brenda BE-së, që refuzoi të marrë pjesë në programin e trajnimit të forcave ukrainase, transmeton Telegrafi.
Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, ka thënë se Hungaria nuk e konsideron ide të mirë dhe nuk do të marrë pjesë në këtë mision.
“Sot është marrë vendimi që BE-ja ta kryej misionin e trajnimit të ushtarëve ukrainas”, shtoi Szijjarto duke shtuar se Hungaria nuk e mbështet këtë vendim.
“Nuk do të marrim pjesë në misionin e trajnimit, e as që do të dërgojmë instruktorë për këtë”, tha ndër tjera shefi i diplomacisë hungareze.
Szijjarto theksoi gjithashtu se Hungaria nuk do të mbulojë kurrfarë shpenzimesh, lidhur me këtë mision të trajnimit të ushtarëve ukrainas.
“Qëllimi ynë është siguria e popullit hungarez dhe vet Hungaria”, tha Szijjarto. /Telegrafi/