4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Të rinjtë dhe seksi – temë është goxha e rëndësishme për të rinjtë dhe të rejat

Më të lexuarat

Kjo temë është goxha e rëndësishme për të rinjtë dhe të rejat. Unë do u drejtohem atyre si një person që i do të mirën. Fjalët e mia të dala nga zemra dhe uroj që të depërtojnë në zemrat e tyre.

Grup-mosha së cilës i drejtohet kjo temë është ajo nga fillesat e adoleshencës gjer në momentin e martesës. Pra, do të flasim për marrëdhëniet seksuale gjatë kësaj faze.
Në mënyrë të veçantë, me këtë temë dua t’u drejtohem vajzave në gjimnaze dhe atyre në universitete, shumë prej të cilave marrin rrugë të keqe për shkak se janë të painformuara. Për fat të keq, këto vajza as nuk janë kuptuar në shtëpi, por dhe janë keqkuptuar. Kur dolën në jetë, hasën në ujqër të etur dhe të gatshëm për t’i shqyer.
Nga përvoja ime me të rinjtë, kam parë që shumë vajza kanë ndjekur rrugë të keqe sepse nuk kanë pasur dikë që ti mbështesë.
E dashur motër dhe vëlla! Unë nuk po u flas thjesht si një predikues, por po u flas si vëlla dhe njeri i afërt. Ju lutem ua vini veshin këtyre fjalëve që do të them në këtë temë!
Kjo temë u drejtohet dhe prindërve, pasi do u shërbejë fort në mënyrën si ti trajtojnë fëmijët e tyre dhe si të komunikojnë me ta.
Me fillimin e adoleshencës, tek fëmijët tanë vihet re një kureshtje e madhe për zbulimin e botës përreth. Një nga gjërat më joshëse dhe tunduese për tu zbuluar në këtë moshë është dhe seksi tjetër.
“Burrave u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: për gratë…”. (Ali Imran: 14)
Mes mashkullit dhe femrës ekziston një tërheqje e natyrshme, e cila manifestohet fuqishëm në dëshirën për ta eksploruar dhe njohur më thellë njëri-tjetrin, me fillimin e adoleshencës.
Prandaj, prirja që pikasim tek të rinjtë tanë për të njohur seksin tjetër, është një instinkt normal. Të duash të kuptosh më shumë rreth seksit tjetër nuk do të thotë se je fëmijë i paedukatë. E rëndësishme është që kjo tërheqje dhe ky instinkt të orientohet në mënyrë të drejtë. Kjo dëshirë dhe kureshtje për tu njohur me seksin tjetër nuk duhet përballur me kundërshti, akuza apo dhe me heshtje. Ne nuk duhet të harrojmë se njohja e seksit tjetër është diçka instinktive tek çdo i ri dhe e re.
Pika tjetër që dua të theksoj është se, mes heshtjes dhe rezervimit të familjes e mes shfrenimit dhe degjenerimit moral në mediat e ndryshme, ekziston një hendek shumë i madh. Ajo që ndodh është se adoleshentët dhe të rinjtë fillojnë dhe e eksplorojnë njëri-tjetrin bashkë, pa pasur informacionin e duhur në mënyrë paraprake. Ata e shohin veten mes rezervave dhe heshtjes familjare dhe mes degjenerimit që shohin jashtë familjes. Mediat, kur e hapin si çështje për diskutim, e bëjnë këtë në mënyrë tunduese dhe provokuese, jo edukuese.
Dikush mund të çuditet që po flasim për diçka të tillë, por sinqerisht kam parë që mungesa e edukimit të drejtë në këtë fushë, ka çuar në shpërbërjen e shumë familjeve. Nëse duam që familjet tona të mblidhen tok dhe të jenë të bashkuara, nuk mund ta lëmë pa diskutuar një temë të tillë. Nëse edukimi çalon që në adoleshencë, s’mund të pretendojmë që të rinjtë tanë të krijojnë familje të stabilizuara. Sa më shumë që të përhapet degjenerimi dhe shfrenimi seksual në shkollat e mesme dhe në universitet, aq më shumë largohemi nga familja model. Kjo sepse themelet nuk kanë qenë të forta.
Prindër! Fëmijët tuaj janë, mes heshtjes tënde totale në çështjet e seksit dhe mes shfrenimit seksual që haset në internet dhe media të ndryshme. Imazhi i krijuar tek të rinjtë tanë rreth seksit dhe gjinisë tjetër, është më pranë mitologjisë sesa realitetit. Prandaj, është detyrë e prindërve që ti mësojnë, të ulen dhe të diskutojnë me fëmijët e tyre rreth kësaj çështjeje. Ndoshta, një shekull më parë, heshtja është parë si një lloj edukimi dhe kjo për shkak të rrethanave dhe mjedisit përreth. Por sot, të heshtësh në çështje të tilla, do të thotë ta marrësh fëmijën më qafë. Që në fazën e parë të adoleshencës, prindërit duhet të bisedojnë me fëmijët e tyre dhe tu qasen tematikave seksuale në mënyrë të përshkallëzuar. Fëmijëve u duhet bërë e qartë se në çfarë stadi moshe po hyjnë. Sa më pranë fëmijëve të jesh, sa më marrëdhënie të forta të kesh krijuar, sa më miqësor të jesh dhe sa më shumë të përdorësh gjuhën e ndjenjave me fëmijët, aq më i besueshëm do të jesh teksa i ofron këtë lloj informacioni. Nëse shoqëria i tregon mite dhe legjenda mbi seksin, ti si prind ia jep këtë informacion kaq shumë të nevojshëm, në formë të qetë dhe plot dhembshuri e dashuri në mënyrë të përshkallëzuar. Nëse prindërit i kanë dhënë informacionin e duhur dhe marrëdhëniet e tyre me fëmijët janë të forta dhe të sigurta, çfarëdo lloj informacioni që do i ofrojnë shoqëria apo interneti, do të shoshitet mirë nga logjika e tyre. Para se të befasohesh si prind, se fëmija yt bashkëjeton me dikë tjetër, duhet ta kesh edukuar dhe seksualisht atë, duhet t’i kesh folur për seksualitetin e tij dhe të gjinisë tjetër, duhet ti kesh treguar histori dhe ngjarje nga aktualiteti. Ndonjëherë mund të shfrytëzosh një fragment filmi që jeni duke parë bashkërisht dhe të bësh komentet e tua rreth tij. Një herë tjetër mund të shfrytëzosh një reklamë që është vënë buzë rrugës për të komentuar dhe ofruar një informacion. Kështu, edukatën seksuale fëmija yt e merr në mënyrë të përshkallëzuar, logjike, të ekuilibruar dhe të pranueshme. Që të mbërrijmë gjer tek edukata seksuale, siç e kemi cekur dhe më parë, babai dhe nëna duhet të kenë krijuar marrëdhënie miqësore me fëmijët e tyre.
Historia e një nëne
Më kujtohet historia e një nëne e cila kishte një vajzë 15 vjeçare. Shoqet e saj organizonin një festë dhe ajo kishte ditë që i kërkonte të ëmës ta lejonte të marrë pjesë, edhe pse festa organizohej natën. Fillimisht, nëna ndihej e frikësuar dhe aspak e qetë. Meqë vajza i dha garanci se festa është brenda kuadrit të lejuar dhe se shoqet e saj janë të respektuara, nëna pranoi që ajo të shkojë. Tre – katër ditë pas festës, e ëma dëgjoi se kjo festë ishte organizuar nga djem dhe vajza jo të respektuar. Gjatë kësaj feste kishin ndodhur ngacmime seksuale mes dy gjinive dhe disa vajza ishin shprehur se kjo ishte diçka normale. Kur i kishte dëgjuar këto fjalë e ëma, e kishte parë veten para katër alternativave:
1 – Qortimi dhe kanosja. “Ti je vajzë e paedukatë… Si ma bëre këtë! Me këtë që bëre nuk të besoj më… Kjo ishte hera e fundit që dole me shoqet e tua, prandaj mos më kërko herë tjetër të dalësh…”
2 – Ironizimi dhe tallja me vajzën e saj.
3 – Ndëshkimi, duke i hequr të drejtën e përdorimit të celularit, duke mos e lejuar të dalë jashtë dhe duke e mbyllur në dhomën e saj.
Në fakt, këto tre alternativa thjesht do e përkeqësonin dhe rëndonin situatën. E kush është ai prind që mundet ta kontrollojë fëmijën e tij në këto kohë, kur mjetet e komunikimit kanë depërtuar në çdo qoshe! Prandaj, zgjidhja dhe alternativa e vetme është:
4 – Të shtrohet për diskutim kjo çështje me qetësi dhe larg çdo forme ofendimi dhe fyerje. Prindi duhet të ulet dhe të bisedojë me vajzën, për të kuptuar perceptimin e saj. Prindi, në këtë rast mund t’ia shtrojë çështjen kështu:
“Unë kam dëgjuar nga disa persona, që gjatë festës për të cilën më fole, kanë ndodhur disa gjëra të papëlqyeshme. A mund të më tregosh diçka më tepër se çfarë ndodhi realisht në atë festë”?
Vajza mund të mohojë gjithçka që i thuhet, ashtu siç mund ta hapë zemrën dhe të rrëfejë gjithçka. Nëse e refuzon, pyete kështu: “Mirë, nëse do të kishte ndodhur kjo që thuhet, vallë çfarë do e shtynte një vajzë të sillej kështu? Sipas teje, si mund të ndikojë kjo në të ardhmen e vajzës”?…
Shkon një djalë tek profeti Muhamed (a.s) dhe i thotë: “O i dërguari i Allahut! Dua të më japësh leje të kem marrëdhënie seksuale jashtëmartesore”!
Myslimanët që u gjendën aty, u revoltuan nga kjo kërkesë e padëgjuar dhe e paturpshme, saqë disa deshën t’i japin një mësim të mirë këtij djali.
Sakaq, vetë Profeti (a.s) zgjodhi alternativën e katërt, për të cilën po flasim. Ai e hapi çështjen për diskutim me qetësi dhe maturi duke i thënë: “A do e pranoje një vepër të tillë për nënën tënde”?
I riu u përgjigj: “Jo, aspak”.
Profeti (a.s) e pyeti: “A do e pranoje për motrën tënde”?
I riu u përgjigj: “Jo”.
Profeti (a.s) e pyeti: “A do e pranoje për hallën tënde”?
I riu u përgjigj: “Jo”.
Profeti (a.s) e pyeti: “A e pranon për tezen tënde”?
I riu u përgjigj: “Jo”.
Profeti (a.s) i tha: “Askush nga njerëzit nuk e pranon një vepër të tillë për nënat, motrat, tezet dhe hallat e tyre”. Mandej, Profeti (a.s) i fërkoi kraharorin e tij nga krahu i zemrës dhe u lut: “O Zot jepi qëndrueshmëri, drejtoja zemrën dhe ruaja nderin”! Këtë, e bënte ndërkohë që i buzëqeshte në fytyrë të riut.
Vetë i riu tha: ”Pasha Zotin nuk do e bëj diçka të tillë sa të jem gjallë”!
Shohim që ky reagim nuk përmban aspak fyerje, britma dhe qortime. Profeti (a.s) thjesht e hapi temën për diskutim duke e respektuar palën tjetër.
Çfarë t’u themi të rinjve?
Unë do të përmend tre gjëra kryesore të cilat duhet të bëhen objekt bisede mes prindërve dhe fëmijëve. Sigurisht do t’i përmend në një temë si kjo, por prindërve u duhen tre vite për t’ua thënë fëmijëve të tyre në mënyrë të përshkallëzuar. Këto tre pika janë:
1 – Seksi nuk është lojë. Seksi është një marrëdhënie e shenjtë me një qëllim të caktuar.
2 – Ngacmimi seksual është një rrugë që të çon drejt marrëdhënieve të plota seksuale.
3 – Seksi jashtë kuadrit martesor, shkakton zemërimin e Zotit dhe rrezikon të ardhmen tënde. Seksi i shkatërron disa aspekte të së ardhmes tënde, të cilat nuk mund të ndreqen më, ai rrënon në mënyrë të pandreqshme një pjesë të personalitetit dhe karakterit tënd.
Tani le tu qasemi një e nga një këtyre tre pikave tepër të rëndësishme në formimin seksual të të rinjve tanë.
1 – Seksi nuk është lojë
Marrëdhënia seksuale është një marrëdhënie mes dy partnerëve, që e respektojnë, e duan dhe i besojnë njëri-tjetrit me dijeninë e familjeve përkatëse dhe njerëzve të rrethit miqësor. Institucioni i martesës i cili e përligj një marrëdhënie të tillë, nuk përbëhet nga dy individë burrë e grua të martuar. Jo, ai përbëhet nga dy familje që janë lidhur me njëra-tjetrën. Marrëdhëniet seksuale kanë si qëllim ndërtimin dhe riprodhimin e familjes, brez pas brezi. Marrëdhëniet seksuale mes bashkëshortëve, përveç aspektit të kënaqësisë, kanë dhe rolin e riprodhimit dhe shtimit të species njerëzore, të cilës i duhet të përmbushë misionin me të cilin e ngarkoi Zoti: Ndërtimin e jetës sipas ligjeve dhe dispozitave hyjnore. Që kur krijoi dy njerëzit e parë, Zoti i solli në tokë si një familje e vetme. Jeta e njeriut në tokë filloi si familje dhe ashtu duhet të vazhdojë gjer në ditën e Kiametit.
Vetëm pasi të jenë njohur dhe prezantuar, pasi ta kenë pranuar njëri-tjetrin dhe të jenë të kënaqur individualisht dhe familjarisht për lidhjen, vetëm pasi të bëhet martesa dhe të deklarohet publikisht, çifti ka të drejtë të ketë marrëdhënie seksuale me njëri-tjetrin. Kjo është linja që ka zgjedhur Zoti dhe Krijuesi ynë për jetën e njeriut në tokë.
Krijimi i Ademit (a.s) shkaktoi xhelozi tek shejtani, i cili deklaroi se është më i mirë se njeriu. Që atëherë, ai orvatet me të gjitha mënyrat që të vërtetojë se ai është më i mirë se njeriu. Meqë Zoti ka caktuar familjen si institucion për edukimin e njeriut, i cili do të mbajë mbi supe misionin hyjnor në tokë, shejtani ka caktuar marrëdhëniet seksuale jashtë martesore, të cilat e minojnë institucionin e familjes.
Ai i ri dhe e re që zgjedh imoralitetin, në vend të linjës së përcaktuar nga Zoti, ka zgjedhur linjën e përcaktuar nga shejtani. Mos harrojmë, se përmes përhapjes së marrëdhënieve seksuale jashtë kuadrit martesor, shejtani minon themelet e një shoqërie të shëndoshë. Me këtë, shejtani kërkon ti thotë Zotit se njeriu të cilin e nderove dhe vlerësove, nuk e meritonte këtë status të lartë. Vetë fakti se njeriu po ndjek linjën e degjenerimit dhe jo atë të familjes, është tregues se ai nuk e meritonte nderin dhe vlerësimin hyjnor, sipas shejtanit.
Prandaj dhe Zoti zemërohet fort kur robërit e tij zgjedhin linjën e imoralitetit, pasi kështu shkelet me këmbë vullneti i Zotit, minohet institucioni që Ai vendosi për garantimin e jetës mbi tokë, sepse imoraliteti është ndryshim i ligjeve të Zotit.
Krijesa më e fisme që ka krijuar Zoti mbi tokë është njeriu, sakaq më inferiorja është kafsha e cila ndjek instinktin e saj. Shejtani, kërkon që njeriun ta zbresë më poshtë nivelit të kafshës, duke e bërë të rendë pas instinktit seksual. Kafsha nuk ka rregulla të caktuara që duhet t’i respektojë kur bëhet fjalë për instinktin seksual, sakaq njeriu i ka këto rregulla dhe duhet t’i respektojë ato. Nëpërmjet imoralitetit seksual, shejtani kërkon që njeriu ti thyejë këto rregulla dhe ta zbresë njeriun nën nivelin e kafshës.
“Gjithashtu, tha: “A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua? Nëse Ti më jep kohë deri në Ditën e Kiametit, unë do tu vë fre pasardhësve të tij, përveç një pakice prej tyre”! (Isra: 62)
Zakonisht, freri u vihet vetëm kafshëve, pasi vetëm kështu i komandojmë sipas dëshirës tonë. Shejtani, duke u vënë frerin e epshit dhe shfrenimit seksual, dëshiron ta komandojë njeriun sipas dëshirës. Me këtë, ai kërkon t’i thotë Zotit: Ja krijesa Jote që e lartësove dhe nderove aq fort!
Kafsha nuk e bën dallimin mes një kafshe dhe një tjetre gjatë sezonin të ndërzimit. Ajo është e gatshme të ndërzehet me çfarëdo lloj kafshe të species së vet. Shejtani kërkon që të njëjtën gjë ta kultivojë dhe tek njerëzit.
Vëlla dhe motër e dashur! Teksa zgjedh linjën e marrëdhënieve seksuale jashtëmartesore, t’i sikur zgjedh vullnetin e shejtanit dhe refuzon vullnetin e Zotit.
Mos harroni asnjëherë se seksi nuk është një lojë. Ai është marrëdhënie e cila duhet të kryhet vetëm në kuadrin e institucionit të martesës, i cili nga ana e tij garanton përmbushjen e misionit të njeriut në tokë. Nëse orvatemi që misionin e njeriut në tokë ta përmbushim jashtë institucionit martesor, kemi dështuar.
Motër e nderuar! Meqë seksi nuk është lojë, Zoti i lartësuar të ka dhënë një status të preferuar dhe të lartë. Statusi yt është lartësuar dhe nderuar nga vetë Zoti, prandaj mos ia ul vlerat vetes. Për të arritur gjer tek marrëdhënia seksuale brenda kuadrit martesor, burrit i duhet të fitojë simpatinë tënde dhe të familjes, të ofrojë një dhuratë martesore, duhet të bëjë një dasmë, duhen ftuar njerëz etj. Vetë profeti Muhamed (a.s) thoshte: “Publikojeni martesën dhe u bini daulleve”!
Të gjitha këto, për faktin se ti motër je e shtrenjtë dhe e vyer tek Zoti i lartësuar. Prandaj, mos prano t’ia ulësh çmimin vetes. Nuk ka fyerje më të madhe për ty, sesa të pranosh që dikush të të shfrytëzojë fizikisht e mandej të të hedhë. S’ke asnjë arsye përse t’ia ulësh vetes vlerat dhe të shitesh lirë. Asnjëherë mos harro se seksi nuk është lojë, por një marrëdhënie e shenjtë. Mos prano të shfrytëzohesh dhe të përdoresh si leckë! Çdo i ri që e shtie në dorë një femër krejt lehtësisht, pas dy tre marrëdhëniesh fillon e ndjen neveri prej saj. Kjo, sepse i duket mall i lirë. Këtë e kam dëgjuar me veshët e mi nga të rinjtë që janë sprovuar me marrëdhënie seksuale jashtë martese. Ata nuk u përgjigjen telefonatave të saj, nuk i takojnë dhe i injorojnë. Nga ana tjetër, femrat e kësaj shtrese ndihen të zhgënjyera dhe të shfrytëzuara sepse ato vetë e ulën dhe e shitën veten krejt lirë. Kushdo që e shet veten lirë, në këtë mënyrë do të trajtohet.
Motra ime! Dashuria është diçka madhështore dhe e shenjtë, por vetëm nëse kalon nga institucioni i martesës. Djemtë e përdorin fjalën dashuri për të shtënë në dorë femrat dhe për t’i shfrytëzuar ato.
Trupi yt është amanet, prandaj mos e shkel këtë amanet që ta ka dhënë Zoti. Nderi dhe virgjëria jote janë amanet. Zoti i lartësuar thotë në Kuran: “O ju që keni besuar! Mos e tradhtoni Zotin, e për rrjedhojë ti tradhtoni amanetet tuaja duke e ditur”!
Në rastin e të riut i cili shkoi tek Profeti (a.s) dhe i kërkoi leje të ketë marrëdhënie seksuale me vajzat jasht kuadrit martesor, Profeti (a.s) e kuptoi se ai i shihte femrat si një lodër seksi. Për këtë, ai ia përafroi më shumë realitetin, duke ia shëmbëllyer me familjarët e tij më të ngushtë, me nënën, motrën, hallën dhe tezen.
Po ti vëlla, a e pranon që nëna jote të ketë marrëdhënie jashtëmartesore, ashtu siç ke ti marrëdhënie intime me vajzat e botës?! Unë e di që diçka të tillë nuk dëshiron ta çosh as në mendje. A e pranon këtë për motrën tënde, për tezën dhe hallën? Po për vajzën tënde në të ardhmen? A e imagjinon dot që atë vit që ke nisur marrëdhëniet seksuale me vajzën e botës, dikush tjetër ka nisur të njëjtën marrëdhënie me njërën nga familjaret e tu? Mos harro i dashur vëlla dhe seksi nuk është lojë! Këtë fakt duhet ta kesh të ngulitur thellë në mendjen tënde, kjo duhet të jetë pjesë e kulturës dhe vlerave të tua. Sado që shejtani të përpiqet të joshë drejt haramit, duhet të kesh krijuar një kredit të mjaftueshëm vlerash të cilat të largojnë nga ai.
Për arsye se seksi nuk është lojë, Zoti shprehet për aktin e martesës: “dhe ato kanë marrë prej jush një besë të rëndë”
Si mund të jetë lojë, një akt dhe marrëveshje e cila konsiderohet e rëndë dhe me peshë? Si mund të jetë e tillë përderisa ti vë dorën në dorën e vjehrrit dhe i premton respekt në këtë marrëveshjeje?
Fjalën “besë të rëndë” Zoti e ka përdorur në Kuran vetëm për misionin e profetëve dhe për institucionin e familjes. Qiejt dhe toka tronditen kur një individ kryen marrëdhënie seksuale jashtë kësaj marrëveshjeje dhe bese të rëndë.
“dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar”. (Furkan: 68-69)
Shohim që kurvërinë apo marrëdhëniet seksual jashtë martese, Zoti i ka shoqëruar me shirkun dhe vrasjen. Menjëherë pasi përmendet dhe kurvëria, retorika hyjnore fillon dhe ashpërsohet. Megjithë ndëshkimin e rëndë dhe poshtërimin që i pret, Zoti e lë derën e pendimit të hapur.
“Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë”. (Furkan: 70)
Në kohën e Profetit (a.s) ndodhi një eklips dielli. Profeti (a.s) doli me vrap për në xhami dhe falën namazin e eklipsit. Mandej, gjatë predikimit të rastit, Profeti (a.s) u thotë diçka që s’kishte lidhje të drejtpërdrejtë me eklipsin. Ai u tha: “Zoti i lartësuar zemërohet me robin dhe robëreshën e tij, kur kryejnë marrëdhënie jashtë martesore”.
Profeti (a.s) doli me ngut nga shtëpia, pasi eklipsi është një fenomen i ngjashëm me atë që do të ndodhë kur të bëhet Kiameti. Ai e lidhi eklipsin me marrëdhëniet seksual jashtë martesës, sepse nëse shtohet imoraliteti dhe kurvëria, bëhet Kiameti. Shtimi i marrëdhënieve seksuale jashtëmartesore, minon misionin reformues të njeriut në tokë e për rrjedhojë njeriu mbetet pa mision, që do të thotë se do të bëhet Kiameti. Prandaj e përsëris sërish që seksi nuk është lojë, por është një marrëdhënie e shenjtë në shërbim të misionit të njeriut në tokë. Filmat dhe materialet pornografike ua kanë errësuar logjikën shumë njerëzve. Gjithçka e tillë është iluzion që çon në shkatërrimin e jetës në tokë.
Thotë profeti Muhamed (a.s): “Kush kryen marrëdhënie jashtë martesore, Zoti do ia heqë besimin ashtu siç heq dikush prej jush këmishën”.
Në çastin kur je duke bërë marrëdhënie seksuale jashtë martesore, ti je zhveshur nga besimi yt. Në ato çaste ti nuk zhvishesh vetëm nga rrobat, por dhe nga gjëja më e shtrenjtë, besimi fetar.
Në një hadith tjetër profeti (a.s.) thotë: “Nuk bën imoralitet dikush duke qenë besimtar”. Kjo, sepse një marrëdhënie e tillë minon themelet e institucionit i cili garanton reformimin e jetës në tokë. Imoraliteti nuk është një gjynah i rëndomtë dhe që kapërcehet kollaj. Seksi jashtë martese nuk është lojë, ai është kulmi i poshtërimit tënd, mashkull qofsh apo femër. Prandaj shumica e lidhjeve jashtë martesore kanë në fund lotët dhe dhimbjen. Zoti thotë në Kuran: “Ai (djalli) u premton atyre dhe i josh me shpresa, por ato që premton djalli, janë vetëm mashtrime”. (Nisa: 120)
Djali mund ta ketë seriozisht lidhjen, mund të synojë martesën, e dashuron marrëzish vajzën etj… Por pasi të kenë kryer marrëdhënie seksuale, pasi ta ketë shitur vajza veten krejt lirë, ai heq dorë prej saj duke gjetur pretekste nga më të ndryshmet.
Çfarë të bëj me energjitë dhe instinktet e mia?
Me të drejtë, një i ri dhe e re mund të pyesin: Meqë seksi nuk qenka lojë, por diçka e shenjtë, çfarë të bëj me energjitë e mia? Si ti përmbush nevojat e mia? Ku ta shkarkoj ngarkesën time emocionale?
Si në çdo aspekt tjetër, edhe këtu Islami ofron zgjidhjen dhe alternativën e tij. Alternativa islame është e ngjashme me makinën. Askush prej nesh nuk e ndez makinën nëse nuk do të lëvizë me të nga një vend në një tjetër. Nëse ti vëlla nuk ke mundësi të martohesh aktualisht, nuk ka përse të kërkosh të krijosh lidhje. Në të kundërt, bëhesh si ai që e ndez makinën dhe e lë të ndezur.Islami ka vendosur disa norma morale dhe virtyte të cilat i ndihmojnë të rinjtë për t’i qetësuar dhe kontrolluar instinktet e tyre. Një nga këto është dhe ulja e shikimit. S’ke asnjë arsye për të parë materiale pornografike, të cilat u vënë flakën instinkteve seksuale. Ulja e shikimit e qetëson dhe redukton instinktin seksual. Ne nuk e shtypim instinktin, nuk e mohojmë dhe hedhim poshtë. Ne e pranojmë që e kemi këtë instinkt, vetë Kurani ynë e pranon dhe pohon këtë. “Burrave u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: për gratë, fëmijët”. (Ali Imran: 14)
Islami nuk e sheh instinktin seksual si diçka kafshërore të refuzuar, aspak. Ai thjesht e kanalizon dhe e shkarkon nëpërmjet martesës.
Prandaj, Islami u kërkon besimtarëve që shikimin mos e lënë të lirë të bredhë nga një “lule” në tjetrën, nga një film pornografik në tjetrin.
Profeti Muhamed (a.s) thotë: “Kush e ul shikimin, edhe pse mundet ta lërë të lirë, Zoti do i mundësojë të zgjedhë nga hyritë e xhenetit ditën e Kiametit sipas dëshirës.”
Një formë tjetër për qetësimin e instinkteve seksuale, është agjërimi. Profeti (a.s) thotë: “O ju të rinj! Kushdo prej jush që mundet të martohet, le të martohet! Kush nuk mundet, le të agjërojë, pasi agjërimi është mburojë!”
Diçka tjetër që na ndihmon në kanalizimin e instinktit, është dhe marrja me aktivitete të ndryshme si sporti, puna, angazhime vullnetare etj… Kjo nuk vlen vetëm për djemtë, por dhe për vajzat, madje për vajzat vlen dhe më shumë. Edhe ato duhet të merren me sport.
Vëlla dhe motër! Merruni me diçka të dobishme, që të shkarkon ngarkesat instinktive tuajat! Nëse nuk keni mundësi të punoni, merruni me ndonjë aktivitet bamirës. Shumë vajza më kanë shkruar se familjarët nuk i lejojnë të merren me akte bamirësie dhe më kërkonin që gjatë emisioneve të mia t’u bëj thirrje prindërve që t’i lejojnë vajzat të merren me këtë fushë. Angazhime me akte bamirësie dhe aktivitete vullnetare, është shumë herë më i dobishëm dhe ua mbush kohën e lirë, të cilën do ua mbushte shejtani me ide dhe mendime të liga.
Një alternativë tjetër, është dhe martesa. Unë u bëj thirrje të gjithë prindërve të cilët i kanë mundësitë, që të bëjnë çmos që t’i martojnë fëmijët. S’ka përse ta koklavisim çështjen e martesës. A nuk të shkon në mendje se çfarë mund të ngjasë nëse e vonon martesën e fëmijëve të tu, edhe pse i ke mundësitë? Përse pret të derdhësh lot e të bëhesh pishman? Me gjithë problemet e tyre, të rinjve dhe të rejave u është bërë padrejtësi, pasi askush nuk u ka qëndruar pranë, askush nuk i ka orientuar, nuk i ka edukuar, askush nuk ua ka hapur si temë në mënyrë të përshkallëzuar, askush nuk i ndihmon në zgjidhjen e problemeve me qetësi dhe maturi, por vetëm me britma e kritika. Ne si myslimanë kemi modelin, shembullin më të mirë për të ndjekur, profeti Muhamed (a.s.).
Motra ime, kujtoji fjalët e mia: Seksi nuk është lojë
Motër e nderuar! Edhe ti je përgjegjëse për qetësimin e instinkteve seksuale të meshkujve dhe kjo duke u mbuluar me hixhab. Në Kuran, Zoti u bën thirrje femrave që të bëjnë kujdes edhe në mënyrën e komunikimit, të mos përdridhen e llastohen para meshkujve. “Mos flisni me përkëdheli, që të mos ju dëshirojë ai që ka zemër epshore, por flisni drejt dhe në mënyrë të ndershme!” (Ahzab: 32)
Me këtë, sikur u thotë femrave: Kjo nuk do të thotë se ti je e keqe nëse flet me përkëdheli, por sepse mund të ketë njerëz me zemër të sëmurë, të cilët e përkthejnë këtë si sinjal erotik.
Një përgjegjësi për qetësimin e instinkteve seksuale kanë dhe mediat. Mos harrojnë se të gjithë jemi të dëmtuar nga materialet që transmetohen prej tyre, përfshirë dhe fëmijët e pronarëve dhe punonjësve të këtyre mediave.
2 – Ngacmimet seksuale, konsiderohen si një lloj marrëdhënie seksuale tek Zoti dhe janë një nga hapat drejt marrëdhënieve seksuale të plota.
“Mos i ndiqni hapat e shejtanit!” (Kuran)
Për fat të keq, ngacmimet seksuale i hasim në shumë vende publike, në shëtitore, në urbane, në rrugë, pranë shkollave të mesme etj… Ky akt ndonjëherë shihet edhe si një lojë nga vajza, edhe pse në fakt, është një fyerje e rëndë për femrën. Si mund të shihet si lojë dhe shaka, ndërkohë që djali nuk ka fijen e respektit për ty si personalitet?!
Po ti o vëlla, si mundesh dhe ngacmon vajzat e botës?
Nga Jemeni vjen një herë një grup njerëzish që kishin pranuar Islamin për t’i dhënë besën Profetit në Medine. Ngaqë kishin ardhur natën vonë, do të prisnin të nesërmen që të takoheshin me Profetin. Me ta kishte ardhur dhe një i ri, që e kishte marrë çështjen si një mundësi për të shëtitur. Tek po kalonte në një rrugë, duke shëtitur, shikon një vajzë, të cilës i del përpara dhe e tërheq nga rrobat. Me gjuhën e sotme, ishte një lloj ngacmimi me natyrë seksuale. Më pas e lejon të kalojë. Të nesërmen, Profeti (a.s) ishte i gëzuar që kishin ardhur njerëz të pranonin Islamin, i përgëzonte dhe secili prej tyre i jepte besën. Kur i erdhi radha këtij djaloshit, Profeti e tërheq dorën dhe me fytyrë të skuqur e pyeti: “A nuk je ti, ai që e tërhoqi vajzën për rrobash një ditë më parë?” Djali i hutuar i tha: “Po”. Atëherë Profeti a.s i thotë: “Për Zotin, nuk e pranoj besën tënde kurrë!”  dhe i ktheu shpinën. Djali i hutuar i shkoi pas duke i thënë: “O Profet, të lutem pranoje besën time, se për Zotin nuk do ta bëj më një veprim të tillë kurrë!” Profeti a.s u kthye duke i thënë: “Për Zotin, nuk do ta bësh më kurrë?” “Po!” – i tha djali. “Ma jep dorën atëherë!” – ia ktheu Profeti duke buzëqeshur.
Thotë Profeti a.s: “Është më mirë ti ngulet një shufër hekur në kokë një burri, sesa të prekë një femër që nuk i lejohet ta prekë.” Pra, ta prekë me epsh.
Një burrë, e ngacmoi një femër dhe arriti ta puthë. Menjëherë u bë pishman dhe vajti tek Profeti (a.s) dhe i tha: “O i dërguari i Zotit! Kam puthur një grua të huaj!” Profeti (a.s) u zemërua dhe i ktheu shpinën. I prekur burri i tha: “O i dërguar i Zotit! Më thuaj çfarë të bëj!” Profeti (a.s) e la dhe nuk i ktheu përgjigje. Më pas, Profetit (a.s) iu shpall ajeti: “Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija.” (Hud: 114)
Aq e rëndësishme ishte çështja, saqë për këtë ngacmim, Profetit iu shpall Kuran. Pas namazit, Profeti (a.s) ia tregoi këtë ajet këtij personi, i cili e pyeti: “A vetëm për mua është kjo o i dërguar i Allahut?”
Profetit (a.s) i erdhi sërish Xhibrili dhe e plotësoi ajetin: “Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat.”
Vëlla dhe motër! Nëse jeni përfshirë në akte të ngjashme, është koha të pendoheni dhe të zotoheni se nuk do i ktheheni sërish këtyre akteve. Është koha t’i japim besën Zotit se do shkëputemi nga harami. Është koha ta kuptojmë se seksi nuk është lojë. Është koha të kuptojmë dhe ndërgjegjësohemi se edhe ngacmimet janë një lloj marrëdhënie seksuale. Është koha të vendosim se nuk do të kemi marrëdhënie jashtë kuadrit martesor. Është koha të vendosim se kur të dalim para Profetit (a.s), të jemi ballëlart. Është koha të vendosim që kur të shkojmë tek Profeti (a.s) të na japë ujë nga Keutheri, të mos na kthejë shpinën për shkak të lidhjeve haram. Është koha motër që të ruash nderin tënd, edhe pse mund të mos jesh e mbuluar me hixhab. Bëj kujdes me mënyrën si komunikon, si ecën dhe si vishesh.
3 – Seksi jashtë kuadrit martesor, shkakton zemërimin e Zotit dhe rrezikon të ardhmen tënde.
Ne si shoqëri lindore kemi vlerat tona të rrënjosura përgjatë historisë. Për fat të keq, këto vlera ka filluar t’i kanosë “krimbi” nga brenda, edhe pse sipërfaqja dhe aparenca duket e fortë dhe e qëndrueshme. Reformatorët socialë përballen me një problem në raste të tilla; Të depërtojnë në thellësitë e krizës, apo të notojnë në sipërfaqen e saj. Një pjesë e tyre pohojnë se është më e sigurt të “notosh” në sipërfaqe të saj. Por kur sheh që sipërfaqja po hollohet gjithnjë e më shumë, duke i rrezikuar shumë këto vlera, duhet zhytur në thellësi të problemit.
Marrëdhëniet seksuale jashtë kuadrit martesor, ndikojnë në dy gjëra kryesore: Shkaktojnë zemërim tek Zoti dhe dëmtojnë të ardhmen tënde personale, djalë apo vajzë qofsh.
A e di ti vëlla dhe motër sa zemërim shkakton tek Zoti çdo marrëdhënie haram?
Shumë të rinj e të reja, e krijojnë imazhin dhe perceptimin e tyre për jetën nga filmat dhe telenovelat që shohin në televizion. Jo vëlla dhe motër! Jeta nuk është aq e lehtë sa na paraqitet në televizion.
Në Kuran, në shumë ajete, Zoti vë theksin në rëndësinë e ruajtjes së nderit. Zoti e quan si rrugë të keqe dhe të gabuar, rrugën që cenon nderin e djalit apo vajzës. “Dhe mos iu qasni imoralitetit, se ajo është shfrenim dhe rrugë e shëmtuar!” (Isra: 32)
Në një hadith, Profeti (a.s) thotë: “O myslimanë! Ruhuni nga imoraliteti, pasi ai ka gjashtë pasoja, tre në këtë botë dhe tre në botën tjetër. Tre pasojat e kësaj bote, janë: Humbja e nurit të fytyrës, shkurtim të jetës dhe nevojë e vazhdueshme për të tjerët dhe fukarallëk i pandashëm.”
Ai që hyn në linjën e marrëdhënieve jashtëmartesore, privohet nga shkëlqimi dhe nuri i fytyrës. Edhe pse është i ri apo e re, fytyra i duket e zymtë dhe pa shkëlqim. Veç kësaj, atij i shkurtohet jeta, edhe nëse jeton gjatë, nuk i ka bereqet, i duket sikur nuk ka jetuar aspak. E treta, ai ka nevojë përherë për të tjerët. Fukarallëku në këtë rast, nuk është domosdoshmërish material, pasi mund të jetë dhe fukarallëk në zemër. Ashtu siç ke poshtëruar familjen e vajzës dhe vetë vajzën, ashtu të poshtëron dhe ty Zoti.
Zoti i lartësuar është i Gjithëmëshirshëm dhe Falës, por ekzistojnë disa zona të cilat nëse shkelen nga njeriu, Ai zemërohet pafund. Nga këto zona është lënia e namazit, keqtrajtimi i prindërve dhe imoraliteti.
“Kurse tre pasojat e botës tjetër, janë: Zemërimi i Zotit, llogari e rëndë Ditën e Kiametit dhe ndëshkim me zjarr nëse nuk është penduar.”
Imagjinoni një person që vdes dhe nuk pendohet për marrëdhëniet seksuale jashtë martesore, ose imagjinoni dikë i cili vdes në një marrëdhënie të tillë. Profeti (a.s) thotë: “Njeriu ringjallet në formën që ka vdekur.”
“Sot Ne do t’ua vulosim atyre gojët e do të Na flasin duart e tyre dhe do të dëshmojnë këmbët e tyre për atë që kanë bërë.” (Jasin: 65)
“Ata do t’u thonë lëkurëve të veta: “Pse dëshmuat kundër nesh?” e ato do të përgjigjen: “Allahu, i Cili ia jep aftësinë e të folurit gjithçkaje, na ka bërë që të flasim. Ai ju ka krijuar për herë të parë dhe tek Ai do të ktheheni”. (Fussilet: 21)
Ditën e Kiametit, do të thirret: “Le të ngrihen imoralët!” dhe një pjesë e njerëzve do të ngrihen në këmbë. A e imagjinoni dot sa të vështirë e kanë të dallohen nga të gjithë njerëzit? Sa turp!
Kur të peshohen veprat e mira dhe të këqija, çdo vepër ka peshën e saj, sipas rëndësisë. Haxhi do të vijë i materializuar dhe do të peshohet, sadakaja do të peshohet e materializuar etj… E njëjta gjë do të ndodhë edhe me gjynahet.
Nëse dikujt i kanë shkarë këmbët në imoralitet dhe marrëdhënie seksuale jashtë martesore, e ka në dorë që të mos ekspozohet para gjithë këtij sikleti në botën tjetër. Kjo, duke u penduar në këto çaste nga ajo vepër dhe duke qenë të vendosur për të mos iu kthyer më kurrë.
Ditën e Kiametit, Profeti (a.s) do të qëndrojë tek Hauzi i tij, për të shuar etjen e besimtarëve. Kur të të shohë, do të hapë krahët dhe do të mirëpresë. Por melekët do të ndalojnë dhe do i thonë: “O Muhamed! Ti nuk e di çfarë ka bërë ky person pas teje!” Atëherë Profeti (a.s) thotë: “Ma hiqni sysh!”
Edhe pse Zoti i lartësuar është i Gjithëmëshirshëm dhe i Dhembshur, kur vjen puna tek marrëdhëniet seksuale jashtë martese, Ai përcakton aktin penal përkatës dhe shton: “Të mos ju pengojë kurrfarë mëshire për të kryer detyrën e fesë së Allahut!” (Nur: 2)
Zoti i lartësuar e pëlqen mbulimin dhe na motivon për këtë, por në rastin e shkelësit të nderit, Ai thotë: “Le ta shikojnë dënimin e tyre një grup besimtarësh!” (Nur: 2)
Zoti i ka kushtuar kaq rëndësi çështjes së nderit, pasi nëpërmjet tij forcohet familja dhe për rrjedhojë njeriu vazhdon ta luajë rolin e tij reformues në tokë. Është pikërisht shkelja e nderit, marrëdhëniet seksuale jashtë martesore, ato që e minojnë institucionin e familjes dhe për rrjedhojë minohet dhe misioni i njeriut në tokë. Shejtani nuk do të që njeriu ta përmbushë misionin me të cilin e ngarkoi Zoti. Ai kërkon t’ia vërtetojë Zotit se ai vetë është më i mirë se njeriu. Këtë e bën duke të shtyrë drejt ligësisë dhe poshtërsisë.
Dëmtimi i të ardhmes tënde
Tani le të shohim si e dëmtojnë të ardhmen tënde, marrëdhëniet seksuale jashtë martesës. Nëse je i ri dhe ke raporte seksuale me vajza, dëmtohesh në disa gjëra:
E para, mësohesh dhe familjarizohesh me diçka të tillë. Kështu, kur të martohesh dhe të krijosh familje, do të vazhdosh me raportet poligame, pasi kështu je mësuar. Aq shumë je mësuar dhe familjarizuar me një jetë të tillë, saqë edhe pse i martuar, nuk i di deri ku shtrihen kufijtë e tu, nuk di çfarë detyrash ke ndaj bashkëshortes. Shumë familje shpërbëhen dhe shumë çifte ndahen pikërisht për këtë fakt. Sa ishe i ri, i justifikoje raportet seksuale me vajza se e ke të vështirë ta frenosh instinktin. Por tani që je martuar, nuk njeh mënyrë tjetër jetese dhe e gjen veten të shtyrë drejt tradhtisë.
Profeti (a.s) në një hadith thotë: “Tre persona nuk do i shohë me sy Zoti, nuk do u flasë dhe nuk do i pastrojë.” Dikush e pyeti: ”Kush janë këta o i dërguar i Allahut?” Profeti (a.s) tha: ”Një i moshuar imoral…”
Profeti (a.s) e ka përmendur këtë të moshuar, pasi ai e ka kaluar rininë dhe është plakur në raporte seksuale jashtë kuadrit martesor. Tradhtia bashkëshortore i është bërë si ushqimi i përditshëm. Prandaj dhe Zoti as do e shohë dhe as do i flasë.
E dyta, humbet mbështetjen e Zotit dhe privohesh për tu martuar me një vajzë të ndershme dhe të mirë, e cila ta bën të lumtur edhe këtë jetë edhe jetën tjetër.
E treta, humbet vullnetin. Personaliteti yt dobësohet dhe nuk ke forcë për rezistencë dhe qëndrueshmëri. Duke vazhduar në të njëjtën linjë, edhe pse e di që është e gabuar, ti humbet forcën e rezistencës, personaliteti yt dobësohet dhe çdo ditë e më shumë poshtërohesh.
Le të marrim një shembull dhe model të vendosmërisë së çeliktë, i cili na bën të urojmë dhe shpresojmë t’i ngjajmë atij. Ky shembull dhe model është profeti Jusuf (a.s.) Përvoja që na ofron profeti Jusuf (a.s), na bën që të hidhet poshtë çfarëdo justifikimi për lidhjet haram. Ai ishte i ri në kulmin e fuqisë, beqar, shumë i hijshëm, simpatik dhe shtatlartë. Veç kësaj, ai jetonte në një vend të huaj, larg vendit të tij. Sot ka shumë njerëz të cilët udhëtojnë në vende të huaja, pasi atje ndihen të lirë për t’ia plotësuar dëshirat vetes. Përveçse i huaj në Egjipt, Jusufi (a.s) ishte dhe skllav dhe nga një skllav pranohen akte dhe vepra që nuk i pranohen një njeriu të lirë. Të gjithë këto, ishin faktorë që mund ta shtynin Jusufin (a.s) drejt gjynahut.
Sakaq, femra e cila e joshte, ishte gruaja e ministrit të financave, kishte një status të lartë shoqëror, ishte e bukur dhe tërheqëse, ishte ajo që ia kishte kyçur dyert dhe që i propozon për gjynah. Fakti që Jusufi (a.s) ishte skllavi i saj, e bënte t’i bindej për çdo urdhër, por jo.
“Por ajo në shtëpinë e së cilës gjendej ai, iu vardis kundërshtim me dëshirën e tij. Ajo ia mbylli të gjitha dyert dhe i tha:”Jam e gatshme për ty!” (Jusuf: 23)
Zonja e shtëpisë iu vardis profetit Jusuf (a.s) dhe nga vetë fjala vardis, kuptojmë se e kishte joshur herë pas here. Kjo na lë të kuptojmë se Jusufi (a.s) nuk u tregua i vendosur dhe rezistent vetëm një herë, por kushedi sa herë të tjera më parë. Ai jetonte brenda mureve të një shtëpie me zonjën e tij dhe nuk kishte nevojë as të udhëtojë larg, gjithçka ishte e gatshme.
Megjithëse gjithçka e ftonte dhe e joshte drejt gjynahut, Jusufi (a.s) manifeston vullnetin dhe vendosmërinë e tij për ti thënë jo.
“Kurse ai tha: “Allahu më ruajt! Me të vërtetë, Zoti im ka treguar kujdes për mua dhe, pa dyshim, keqbërësit nuk do të shpëtojnë kurrë”. (Jusuf: 23)
Ishte një qëndrim fisnik dhe i vendosur nga Jusufi (a.s.). Kjo rezistencë dhe ky qëndrim, i bëri përshtypje dhe vetë zonjës së shtëpisë, e cila e përshkruan refuzimin e tij me fjalët: “Jam përpjekur ta josh, por ai është ruajtur nga gjynahu.” (Jusuf: 51)
Kur Jusufi (a.s) konstatoi se çështja po merr përmasa më të rrezikshme, u lut: “O Zoti im, më shumë e dua burgun se atë ku më shtyjnë ato.” (Jusuf: 33)
Dikush mund të thotë se kjo është një histori e lashtë, sakaq rrethanat kanë ndryshuar dhe mjedisi përreth është bërë i parezistueshëm. Në fund të fundit, Jusufi (a.s) ishte profet i Zotit, ndërkohë që ne nuk jemi të tillë.
Njoh një marangoz nga qyteti Ismailije në Egjipt. Ai më ka treguar përvojën e tij duke më thënë: ”Shkova pas kërkesës së një familjeje aristokrate për t’i bërë disa punime në shtëpi. Zonja e shtëpisë ishte nga kategoria e zonjës në historinë e Jusufit (a.s). Ajo krijon një atmosferë tunduese në shtëpi dhe më pas i propozon haptazi që kërkon të shkojë në shtrat me të. Marangozi stepet dhe vrapon drejt derës për tu larguar. Zonja e shtëpisë e interpreton si fyerje një akt të tillë dhe nxjerr pistoletën dhe e kërcënon se nëse nuk i bindet, do e qëllojë. Marangozi mbyll sytë dhe thotë: “Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.” Në ato çaste, zonja e shtëpisë i afrohet dhe e shtyn duke i thënë: “Dil jashtë!”
Fakti që i the “jo” një gjynahu të tillë, të bën të ndihesh krenar më shumë se të kishte renduar pas këtij gjynahu dhe ta kishe vepruar.
Dy fjalë për vajzat:
Vajzat janë më rezistente dhe të qëndrueshme lidhur me instinktin e tyre personal. Ato janë më të afta ta kontrollojnë këtë instinkt dhe më të vullnetshme sesa djemtë. Atëherë, si ndodhin kaq shumë lidhje dhe raporte seksuale jashtë martese?
Këto ndodhin në emër të dashurisë. Sipas një rregulli që e kam gjetur në disa libra psikologjikë, femra ofron seks për hir të dashurisë, kurse burri ofron dashuri për hir të seksit. Për femrën, dashuria është diçka themeltare dhe shumë e rëndësishme. Sakaq, mashkulli ia ofron këtë në këmbim të seksit.
Nga biseda të ndryshme që kam pasur me të rinj të ndryshëm jo fetare, kam kuptuar se ata e njohin mirë femrën e cila bën për jetë martesore, ashtu siç njohin femrën për qejf dhe argëtim. Ata i kanë të qarta kategoritë e femrave me të cilat ia vlen të martohen. Për ti shtënë në dorë të dyja kategoritë, djemtë përdorin dashurinë dhe botën emocionale të femrës. Dashuria është një emocion dhe ndjenjë shumë e bukur, nëse vendoset në linjën e duhur dhe të drejtë, atë të martesës. Shoh të rinj 16-17 vjeçarë që u propozojnë vajzave dhe u shprehin atyre ndjenjën e dashurisë, duke u premtuar martesë, edhe pse nuk janë të aftë të martohen edhe për nja dhjetë vite të tjera. Çunat që i kanë mësuar hapat dhe taktikat deri sa ta shtinë në dorë një femër, psikologjikisht u ngjajnë hajdutëve dhe banditëve.
Motra ime! Mos e errëso të ardhmen tënde, për hir të një lidhjeje haram, e cila nuk dihet si përfundon! Vajzat që kanë bashkëjetuar me djem, kanë pasur marrëdhënie seksuale me ta dhe janë martuar, janë shumë pak, për të mos thënë nuk ekzistojnë. Shumica dërmuese e këtyre vajzave kanë përfunduar të braktisura, në mëshirë të fatit.
Motra ime! Nëse i hyn një rruge të tillë, do të humbasësh një vlerë tepër të vyer për ty si femër, nderin. Shkronjat e kësaj fjale janë të pakta, por pesha e saj është shumë e rëndë. Kjo fjalë e bëri Merjemen zonjën e të gjithë grave. Zoti e përmend emrin e Merjemes si model sublim në ruajtjen e nderit të saj dhe të familjes.
“Allahu ka dhënë si shembull për besimtarët ….Edhe Merjemen, të bijën e Imranit, e cila ruajti virgjërinë e saj”. (Tahrim: 12)
Ruajtja e nderit ishte pjesë e lutjeve të përditshme të profetit Muhamed (a.s.) Ai lutej: “O Zot! Unë kërkoj të më udhëzosh, të më bësh të devotshëm dhe të ndershëm…”
Kur myslimanët morën Mekën, Profeti (a.s) u ul me gratë e Mekës dhe u mori besën që të mos i shoqërojnë rival Zotit, të mos vrasin fëmijët e tyre nga frika e fukarallëkut dhe të mos bëjnë tradhti bashkëshortore. Fatime bintu Kajs, një grua mekase, kur dëgjoi tradhtinë bashkëshortore, uli kokën nga turpi dhe mbuloi sytë.
Fjala nder e bënte Aishen, që sa herë hynte në shtëpi ku ishte varrosur Profeti (a.s), Ebu Bekri dhe Umeri, qëndronte e mbuluar edhe brenda, vetëm për faktin se aty ishte dhe Umeri edhe pse i varrosur.
Frika nga se njerëzit do e akuzonin pikërisht për çështje nderi, e bëri Merjemen të thotë: “Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejt!” (Merjem: 23)
Nderi është shumë herë më i rëndësishëm dhe i çmuar, sesa një cipë e hollë, të cilën shumë vajza mendojnë se mund të rregullohet me një ndërhyrje të vogël nga ana e mjekut.
Një grua vajti tek i dërguari i Zotit (a.s) dhe i tha: “Unë vuaj nga epilepsia, prandaj lute Zotin të më shërojë!” Profeti (a.s) iu përgjigj: ”Nëse dëshiron, e lus Zotin për ty dhe shërohesh, por nëse duron dhe fiton xhenetin.”
Gruaja i tha: “Do të duroj që të fitoj xhenetin. Por unë kur më kap kriza e epilepsisë, më zbulohet trupi. Prandaj, lute Zotin që të paktën të mos më zbulohen gjymtyrët!” Profeti (a.s) e luti Zotin, dhe kur këtë grua e kapnin krizat me vonë dhe nuk zbulohej. Nderi për këtë grua cenohej edhe nga fakti që i zbulohej një pjesë e gjymtyrëve që duheshin mbuluar.
Nderin e njohin dhe vlerësojnë edhe shpendët e kafshët. Pëllumbesha shndërrohet në luan nëse një mashkull i huaj mundohet t’i afrohet.
Për profetin Muhamed (a.s) thuhet se ka qenë më i turpshëm sesa një vajzë e ndershme, natën e martesës. Nëse shoqet dhe koleget e tua o motër të ironizojnë se je e ndershme, dije se t’i je pranë Zotit dhe profetit Muhamed (a.s) me këtë moral.
Në fund të kësaj teme, mos harro vëlla dhe motër se seksi nuk është lojë, por një lidhje e shenjtë, me një qëllim sublim, në funksion të misionit të njeriut në tokë.
E lus Zotin t’i ruajë të rinjtë dhe të rejat myslimanë!

Nga: Amer Halid

Perktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit