2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Hoxhë Enis Rama: Lëvizja për braktisjen e fesë Islame: “e destinuar të shuhet”

Më të lexuarat

Para disa ditësh në Deçan është formuar një lëvizje e padëgjuar më parë, që sipas tyre ka qëllim braktisjen e fesë islame dhe do të quhet “Lëvizja për braktisjen e fesë islame”.

Kjo Lëvizje e formuar nga rreth 70 persona nga gjitha vendet shqiptare, por të mbledhur në Deçan deklarojnë motivin e tyre se “ “Feja e Shqiptarit është Shqipëria” dhe se mendojnë vetëm shqip.

Për këtë çështje ka folur për “Bota Sot” hoxhë Enis Rama, i cili thotë se tendencat janë që të jetë një lëvizje përçarëse, por me formacione që ajo ka nuk beson se mund të ngrihet në nivel të destabilizimit.

Sipas Ramës, mund të ketë individë që mund t’ju bashkëngjiten, por ajo nuk do të jetë afatgjate dhe është e destinuar të shuhet.

Ai kërkon që institucionet të dalin me qëndrim të përbashkët kundër lëvizjeve të kësaj natyre, gjersa shton se vetëdija kombëtare dhe shqiptaria në themelet e saj dhe në nuancat e saj në etnitetin e saj, e ka të pandarë faktorin e fesë.

Intervista e plotë e NAILE EJUPI, nga Bota Sot:

“BS”: Z. Rama, besoj jeni në dijeni për ngjarjet e fundit nga Deçani rreth një lëvizje që po thërret në braktisje të fesë Islame. Si e shihni ju këtë ngjarje apo fillesë nëse mund ta quaj? 

Enis Rama: Normalisht edhe unë si të gjithë të tjerët jam informuar përmes mjeteve të informimit, përmes lajmeve të ndryshme, se në Deçan ka dalë një Lëvizje ku kemi pasur rastin të shohim disa njerëz të moshuar, të mbledhur në një vend disi të çuditshëm dhe të braktisur, ku prej aty është shpallë një Lëvizje që është e paprecidentë, e panjohur në historinë e shqiptarëve. Prandaj, si e tillë pa hyrë në detaje tjera konsideroj se nuk është një lëvizje që mund të përçojë mesazhe të tilla që na qetësojnë, apo na bëjnë të ndihemi rehat apo komod.

“BS”: Mendoni që kjo lëvizje mund të ketë diçka në prapavijë: përçarje, destabilizim? 

 Enis Rama: Sa i përket kësaj lëvizjeje, nuk dua të hyjë në paragjykime, të flasë çfarë prapavije ka, çfarë motivi ka, kush i ka shtyrë, kush i ka nxitur, nuk dua të flasë për këtë, kjo për shkak se për këtë duhet më tepër argumente dhe fakte, por, sa i përket rrjedhave të kësaj lëvizje, tendencat janë që të jetë një lëvizje përçarëse dhe me formacione që ajo ka nuk besoj që mund të ngrihet në nivel të destabilizimit, por në qoftë se nuk trajtohet me seriozitet dhe nëse nuk e trajtojmë të gjithë ne si qytetarë të këtyre trojeve me një lloj maturimi dhe urtësi mund të ketë përmasa të destabilizimit, Zoti na ruajtë.

“BS”: Sa do të gjejnë përkrahje nga kjo Lëvizje dhe cilat vende mund t’i përgjigjen pozitivisht? 

Enis Rama: Nuk besoj që si lëvizje mund të gjejnë përkrahje të madhe në vendin tonë, ngase kultura jonë, tradita jonë shumë shekullore refuzon lëvizje të tilla. Mund të ketë individ që të ketë frustrim ndaj fesë, mund të ketë një qasje të caktuar karshi fesë dhe mund t’i bashkëngjiten kushtimisht në fillim. Mirëpo, nuk besoj që me një përkatësi të sinqertë, apo me ndonjë qasje afatgjate mund të jenë pjesë e kësaj lëvizje. Kjo është e destinuar për t’u shuar, është destinuar për të përfunduar si shumë lëvizje tjera në histori që kanë pasur tendenca jo të mira dhe të rrezikshme për kombin tonë. Tash kur përfundon dhe si përfundon nuk e di, por dua të them që nuk do të ketë jetë të gjatë që të ketë kohë të mjaftueshme për të krijuar një bazament të gjerë të ndjekësve.

“BS” Kemi pare reagime edhe nga diaspora, madje kanë përkrahur këtë lëvizje, cili është komenti juaj? 

Enis Rama: Sa i përket diasporës. Edhe në diasporë ka njerëz të profileve të ndryshme, ne shohim që në përgjithësi në masë të madhe diaspora kultivon vlerat e tyre kombëtare dhe fetare kudo që janë, ndërsa raste të ndryshme p.sh. përjashtimet që mund të bëhen, nuk e përfaqësojnë diasporën dhe nuk mendoj se diaspora ka disponim për lëvizje të tilla.

“BS”: Kosova është shquar si vend i tolerancave fetare, vend ku jetojnë mirë edhe myslimanet, edhe katolikët e ortodoksët, pse kjo pakënaqësi e këtij grupi? 

Enis Rama: Është e vërtetë që Kosova është vend i njohur me tolerancë fetare, ku jetojnë myslimanët, katolikët, por edhe ortodoksët, me shekuj jetojmë, ndajmë të njëjtin vend, ndajmë të njëjtat probleme, i kemi tempujt afër njëri- tjetrit dhe asnjëherë nuk ka ndodhë që asnjë shqiptar mysliman të rrënojë kisha, apo të tjera të rrënojnë xhamia, përveç fatkeqësisë në luftë që patëm ku pushtuesi serb ka rrënuar shumë xhamia dhe tempujt të tjerë. Prandaj, mendoj se kjo pakënaqësi që vjen nga ky grup më tepër mund të them, mund të jetë e prirë nga një mbetje e shqetësimit të kaluar, monist që realisht ka pasur nuanca të ateizmit dhe të një disponimi anti fetar. Mund të jetë një ndezje të një qelize të së kaluarës më tepër, si diçka racionale, si diçka e ristrukturuar apo e menduar mirë.

“BS” Cilët duhet të jenë hapat nga Bashkësia Islame në opinion që në ditët në vijim të mos lejohen përçarje mes njerëzve dhe besimeve të ndryshme në Kosovë shkaku i asaj nisme? 

Enis Rama: Bashkësia islame në vazhdimësi sa herë ka pasur tendenca për përçarje, për të nxitur urrejtje në mes të njerëzve ka ngritur zërin dhe ka marrë qëndrimin e duhur në këtë aspekt duke i përdorur të gjitha mekanizmat që i ka në këtë drejtim. Besoj që edhe kësaj radhe Bashkësia islame është duke i përcjell situatën me vëmendje, duke vëzhguar çfarë po bëhet dhe çfarë po ndodh dhe në momentin që vlerësojnë që është serioze apo mund të ketë përmasa shqetësuese, unë besoj që do të dalin me sqarim, do të marrin masa të duhura që të parandalohet një tendencë e tillë, jo e mirë për vendin tonë dhe për popullin në përgjithësi.

“BS”: Do të ishte e rrugës sipas jush që krerë nga të gjitha institucionet fetare të organizohen dhe të dalin me konferencë të përbashkët para publikut? 

Enis Rama: Po mendoj që krerët institucional duhet të bëhen bashkë dhe edhe një herë ta dëshmojnë edhe praktikisht unitetin e tyre dhe luftimin e përbashkët të tendencave të tilla që nuk kanë precedencë, nuk ka bazë, nuk kanë rrënjë në vendin tonë që të rikonfirmojnë edhe një herë ndjekësve të tyre që jemi të përkushtuar për tolerancë, jemi të përkushtuar për liri të besimit, por jo duke cenuar lirinë e tjetrit, ngase njeri ka të drejtë që të jetë po mendoj t’i përkas çfarëdo feje që ai të do, por jo të krijohen lëvizje p.sh. për braktisjen e islamit, për braktisjen e krishterimit, për braktisjen e kësaj, ndërtoje ndërtimin tënd, ndërtoje besimin tënd dhe platformën tënde, pastaj ftoje atë që ti mendon se është e duhur, por jo që të ngritesh në eliminimin e tjetrit ngase kjo nuk është tradita, e nuk është kulturë e jona përderisa është e tillë mendoj se duhet që të gjithë krerët të bëhen bashkë dhe të japin qëndrimin e përbashkët kundër lëvizjeve të kësaj natyre.

“BS”:  Nga ajo lëvizje u tha që kudo në Kosovë po ka organizime të tilla, çfarë mund të pritet nga kjo nëse veç rezulton e vërtetë. Ku dërgon kjo gjendje e krijuar papritmas?

Enis Rama: Nuk e di, nuk kam informata, nuk e kam shqyrtuar, por në bazë të informatave që i kam nga terreni, nga kontakti me njerëzit, nuk besoj që mund të gjejnë tokë të pëlleshme për të kultivuar një tokë të tillë. Nuk besoj që mund gjejnë përveç zhurmës dhe eventualisht pompozimin medial që dikush dëshiron të përfitojë nga rasti, përndryshe nuk mendoj që mund të gjejnë përkrahje.

“BS”: Nga pjesa e besimit Islam në Kosovë shumë fjalime nga organizimi i tyre dukeshin kontroverse, por si i komentoni ju ato fjalime? 

Enis Rama: Është e vërtetë që ishin kontraverse, madje pati deklarime të pjesëmarrësve që janë të mashtruar, ndihen të manipuluar, për shkak se janë ftuar për tjetër manifestim, për diçka tjetër dhe ju ka dalë diçka tjetër, pra që nga fillimi ky grup u nda, nuk vazhduan tutje ngase posa njerëzve iu bë e qartë se çfarë kërkuan nuk vazhduan tutje t’i përcjellin në vendimet e tyre. Nuk mendoj që duhet faktorizuar tutje këta më shumë, nuk duhet të vazhdohet përtej asaj, duhet përcjell natyrisht me vëmendje, por hapësira e madhe mediale, mundësia e tepërt mund të ndihmojë padrejtësisht në fryrjen e tyre, përtej asaj që janë.

“BS”: Akterë nga ajo lëvizje u deklaruan se këtë po e bëjnë për shkaqe të shqiptarisë dhe vetëdijes kombëtare, por mendoni që në rrethanat ku gjendemi ka hapa tjerë për t’i kontribuar çështjes shqiptare? 

Enis Rama: Vetëdija kombëtare dhe shqiptaria jonë në themelet e saj dhe në nuancat e saj në etnitetin e saj, e ka të pandarë faktorin e fesë, andaj ne gjithnjë kemi qenë fetar, feja ka qenë pjesë përbërëse e etnitetit tonë, pavarësisht nëse kemi qenë katolik apo mysliman, e rëndësishme se kemi qenë besimtar dhe këtë e kemi kultivuar në vazhdimësi. Ndikimi i fesë në kulturën tonë, është i pashmangshëm, i pamohueshëm, ne kemi parë në luftën e fundit që patëm, pjesëmarrjen e madhe të besimtarëve, të hoxhallarëve në këtë betejë, në këtë luftë, për të treguar realisht se feja e ushqen elementin e patriotizmit, e ushqen elementin e shqiptarisë dhe nuk e lufton. Prandaj, të ngritesh dhe të thuash se duhet të zhveshësh nga feja për të dhënë shqiptarinë, është realisht mohim i një tradite, historie shekullore, mohim dhe mbyllje sytë karshi një realiteti të tashëm dhe të kaluar dhe kjo pastaj shpërfaqë edhe dyshime a thua vallë ku është qëllim i kësaj lëvizje.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit