-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Hoxhaj: Kujdes nga Viber – mbledh të dhënat nga telefonat tuaj

Më të lexuarat

Mentor Hoxhaj, mbikëqyrës shtetëror në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, sonte në emisionin Puls të KTV-së publikoi të dhëna për të cilat tha se qytetarët duhet të kenë kujdes për sa i përket komunikimit elektronik.
Sipas Hoxhajt, sfida kryesore është siguria e materialit të “përgjimit” të grumbulluar nga ana e prokurorit të rastit.

Tutje Hoxhaj tha se aplikacioni i komunikimeve online, Viber, i grumbullon komplet të dhënat që i keni në telefon.

“Viber i merr komplet çdo gjë që keni në telefon, i thithë komplet të dhënat, të gjitha kontaktet dhe të dhënat brenda telefonave të mençur në serverët e tij që nuk dihet ku janë. Fotot që i keni në telefon dhe komplet fotot e miqve tuaj ruhen, pra duhet të keni kujdes me Viber. Kurse Whats App është pronë e Facebook dhe ofron siguri maksimale. Facebook nuk përgjohet dhe nuk ka qasje, është e bllokuar. Nuk ju kisha rekomanduar shikuesve të përdorin aplikacion të cilit nuk i dihet prejardhja pasi që rrezikshmëria është më e madhe”, theksoi Hoxhaj.

Mbikëqyrësi shtetëror në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Mentor Hoxhaj, bëri me dije se ka bërë një hulumtim në lidhje me vendosjen e Viber-it dhe thotë se ka zbuluar se ky aplikacion bazën e ka në një zyrë postare kurse për sa i përket përmbajtjes, ato thotë se ruhen për dy vjet.

Ndërkaq, për sa i përket çështjes së SMS-ëve nga operatorët e telefonisë mobile në vend, Hoxhaj tha se asnjë prej tyre nuk ruhet sepse ligji e ndalon një gjë të tillë.

“Asnjë SMS i telefonisë mobile nuk ruhet në pajisje të operatorëve. Me ligj është e ndaluar. Më parë janë ruajtur, ndërsa tash jo”, theksoi ai.

Duke folur për të dhënat e qytetarëve të cilat mblidhen nga institucionet private dhe publike, “mblidhen në pajtim më ligjin dhe duhet të ruhen sigurt si bankë, spitale, MPB, etj.”.

Çështja e sulmeve kibernetike, Hoxhaj tha se është e çështje e rrezikshme, sidomos për institucionet, ndërsa potencoi se këto sulme shpeshherë kompanitë edhe i fshehin nga publiku. Ai bëri me dije se në Kosovë ka edhe kredit kartela të thyera të cilat theksoi se shumë lehtë mund të shpërndahen.

“Kemi një rast ku një institucion privat i ka humbur 11 mijë personave të dhënat personale kompletë”, theksoi Hoxhaj.

Hoxhaj foli edhe për databazat e institucioneve të drejtësisë duke përmendur një rast kur “një person është arrestuar, e ka kryer burgun kurse ende figuron i kërkuar në databazën e policisë”, ndërsa shtoi se Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe Policia kanë kapacitete për përgjime.

Sa i përket vendosjes së kamerave në hapësira publike, Hoxhaj tha se këtë të drejtë e ka vetëm Policia e Kosovës dhe Komuna përkatëse, kurse për kamerat brenda lokaleve, ai tha se pronarët nuk guxojnë të vendosin në atë pozitë ku shihet punëtori a po punon, por vetëm hyrjet kryesore për çështje të sigurisë.

Ndërsa për ndërtimet e larta, Hoxhaj tha se duhet të jepet pëlqimi i 70% të banorëve për vendosjen e kamerave për vëzhgim.

“Pra çdo kamerë që vendoset pa nënshkrime, ose vendoset në hapësira publike, dënimet janë deri në 8 mijë euro”, potencoi Mbikëqyrësi shtetëror në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Mentor Hoxhaj.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit