1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Hoxha që ngriti flamurin kombëtar në Vlorë

Më të lexuarat

Vehbi efendiu është një nga figurat me kontributin më të madh në historinë moderne të Shqipërisë. Kontributi i tij politik e patriotik është i përmasave të jashtëzakonshme dhe me përgatitjen e tij të lartë ai u kthye në një figurë shumë aktive të patriotizmit shqiptar. Haxhi Vehbi Dibra (Agolli) u lind më 1867 dhe u rrit në qytetin e Dibrës së Madhe prej nga mori edhe mbiemrin dhe u njoh gjerësisht në të gjitha trojet shqiptare. Vehbi efendi Dibra qysh në moshën e fëmijërisë shquhej për një zgjuarsi dhe mendjemprehtësi të rrallë. Ai dallohej midis moshatarëve për zellin e tij të madh për të mësuar. Më pas vazhdon studimet e larta në Stamboll. Pas kryerjes së studimeve të larta për teologji, kryen specializime në degë të veçanta, si: filozofi islame, logjikë e jurisprudencë. Ai i zotëronte shumë mirë tri gjuhët klasike të Lindjes muslimane turqishten, persishten e arabishten. Ai bëhet kështu në një figurë qendrore të historisë shqiptare të Pavarësisë, së bashku me Ismail Qemalin. Në vitin 1892, në moshën 25 vjeç emërohet myfti i Dibrës, duke zëvendësuar babain e tij[1]. Vehbi Efendiu lozi një rol të rëndësishëm në Kongreset e Manastirit 1908, 1910, ku mbështeti Dervish Himën e dom Nikollë Kaçorrin dhe alfabetin e gjuhës shqipe me germa latine. Ai i drejtoi me shumë kujdes punimet e Kongresit të Dibrës më 1909, ku me shumë zgjuarsi amortizon presionin e partisë xhonturke e pranishme në këtë kongres me një numër të madh pjesëmarrësish. Merr pjesë në ngritjen e Flamurit në Vlorë së bashku me bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Hafiz Sherif Langun, si delegatë të Dibrës dhe aty zgjidhet Kryetar i Pleqësisë (Senatit) së Parë Shqiptare, të Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemal bej Vlorës, ku me fetvanë e tij ngrihet flamuri me shkabën dy-krerëshe, si dhe hedh firmën së bashku me delegatët e tjerë në shpalljen e pavarësisë në Vlorë dhe në ngritjen e qeverisë së parë të Shtetit Shqiptar.

Dokumenti-i-Pavarsise--Kel-Marubi-1 Shpallet nga qeveria e Vlorës Myfti i përgjithshëm i Shqipërisë dhe zëvendësohet në postin e kryetarit të Senatit nga Eqerem bej Vlora. Në ato vite shumë të trazuara të dy luftërave ballkanike dhe menjëherë të Luftës së Parë Botërore, ai si një politikan i aftë dhe njeri me veti të larta organizative jep kontributin e tij të vlefshëm në saje të emrit të mirë që gëzonte në popull si klerik i lartë dhe teolog i ditur. Gjithashtu jep kontributin e tij në ngritjen e flamurit kombëtar nëpër rrethe të ndryshme të vendit, si dhe në krijimin e organizimin e pushtetit lokal në prefektura e nënprefektura. Nga dokumentet e Qeverisë së Vlorës shumë prej tyre mbajnë firmën e tij, si zëvendëskryetar pasi Ismail bej Qemali largohet në mars 1913 drejt Evropës me mision dhe e ngarkon Vehbi efendiun ta zëvendësojë në këtë detyrë shumë të vështirë për kohën, që po përjetonte vendi. Në shtator 1913 kontribuoi gjerësisht në organizimin e kryengritjes kundër serbëve në Dibër. Më 1 Mars 1918 ndodhi një akt i pazakontë, ku disa të krishterë shkodranë hodhën parulla ofenduese ndaj muslimanëve nëpër qytet, si: “Poshtë xhamija”, “Poshtë Mevludi”, por akoma më e keqja ishte therja e derrit në derën e xhamisë. Kjo u prit me indinjatë të thellë nga muslimanët e Shkodrës, të cilët normalisht që reaguan me shumë zemërim ndaj këtij akti vandal, por kryemyftiu Vehbi Efendiu bëri takime e bisedime me klerikë të ndryshëm të krishterë, dhe në mënyrë demonstrative tha se këto veprime nuk i sjellin ndonjë dëm bashkimit të popullit, dhe se 4 apo 5 ferra nuk përfaqësojnë komunitetin e krishterë dhe nga ana tjetër iu drejtoi një notë proteste autoriteteve Austro-Hungareze, pastaj bëri përpjekje të shumta për të qetësuar gjendjen. Më 1916-ën, pasi Shqipëria ishte krejt e pushtuar nga fuqitë e huaja, ai ia del të krijojë Gjyqin e Naltë të Sheriatit, të cilin e drejtoi vetë, duke u përpjekur që shqiptarët të mos e humbnin pusullën në ato vite të turbullta lufte. Qysh në këto momente kur ai drejton Gjyqin e Naltë ai nxjerr një qarkore për përdorimin e shqipes në administratë, si dhe porosit vulat në gjuhën shqipe me shqiponjën dy-krerëshe. Ky institucion e vazhdon jetën e tij deri në shkurt të vitit 1923, ku po me iniciativën e tij, të Hafiz Ali Korçës, Hafiz Ismet Gurit etj., mblidhen 36 delegatë nga e gjithë Shqipëria për të marrë pjesë në Kongresin e Parë të Xhamisë në kryeqytetin e sapozgjedhur të vendit Tiranën. Menjëherë pas fillimit të punimeve H. Vehbi Dibra zgjidhet drejtues i këtij Kongresi, që e shkëput Xhaminë shqiptare nga qendra e Stambollit, Kalifati dhe Meshihati, duke shpallur mëvetësinë e saj. Në këtë Kongres u bënë një sërë reformash ku Gjyqi i Naltë i Sheriatit kthehet në Këshillin e Naltë të Sheriatit. U mor vendimi për nxjerrjen e reviste që do të ishte zëdhënëse e Komunitetit Mysliman (Zani i Naltë), si dhe hapja e sa më parë e një Universiteti (Medrese Alije-e lartë), ku do të mësoheshin jo vetëm arabishtja e shqipja, por edhe gjuhë të tjera perëndimore. Gjithashtu shumë shkrime të tij me karakter fetar janë botuar në faqet e revistës “Zani i Naltë”, si dhe ka shërbyer si vaiz në xhami të ndryshme të Tiranës, ku është shquar për oratorinë dhe shërbimet e tij të vyera. Deri në vitin 1929 shërben si kryetar i Komunitetit Musliman të Shqipërisë dhe për arsye moshe tërhiqet për t’ia lënë vendin kryetarit pasardhës dr. Behxhet Shapatit. Vdes në Tiranë në mars të 1937-ës, e varroset duke u përcjellë nga respekti dhe nderimi i qindra-mijëra muslimanëve nga të katër anët e Shqipërisë, ku në varrimin e tij morën pjesë funksionarë të lartë të shtetit.[2]

[1] Gaçe, Bardhosh. Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare, Sh.B. Naim Frashëri, Tiranë 1997.
[2] Xhelili, Qazim. Vehbi Dibra- Personalitet dhe veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare, Albin, Tiranë 1998.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit