-2.1 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Hoxha i Shkupit, Bekir Halimi: Pse jemi kundër kishave dhe kryqeve politike të maqedonasve

Më të lexuarat

Vendimi dhe nisja nga puna për vendosjen e një kryqi ortodoks në qendër të komunës Butel të Shkupit, ka trazuar opinionin në Maqedoni.

Nga pjesa shqiptare është parë si një akt tendencioz i pushtetit; pra si një kryq politik sesa fetar, aq më tepër që do lartohet në një komunë me një përqindje të lartë shqiptarësh myslimanë.

Reagime të forta ka patur nga politika shqiptare, madje dhe nga BDI-ja në pushtet.

Por si e shohin kryqin klerikët myslimanë? Si e komentojnë atë? A është ai vërtet fetar apo më së shumti politik?

Bekir Halimi, një hoxhë i njohur në Shkup e në të gjitha hapësirat mbarëshqiptare të rajonit, thotë se myslimanët nuk kanë asgjë, as më kryqin, as me kishat, e as me maqedonasit e krishterë. Përkundrazi, thotë se nga feja e kanë që të bashkëjetesojnë paqësisht me tjetrin ndryshe.

Por sipas tij, kryqet që po lartohen janë politike, të iniciuara nga njerëz politikë, dhe që nuk i shërbejnë bashkëjetesës paqësore…             

Intervistoi: Mensur Krasniqi

Halimi, ju jeni një klerik i njohur, por dhe një vëzhgues i imtësishëm i zhvillimeve politike, sociale dhe shoqërore në Maqedoni. Me rastin e fundit të vendosjes së një kryqi në komunën e Butelit, duket sikur janë bërë lëmsh, politika, nacionalja, feja…pra, ç’po ndodh?

Partitë politike në pushtet me dështimet e tyre të shumta, dëshirojnë që atë nacionale (BDI) dhe atë fetare (VMRO) ta përdorin si parapërgatitje për zgjedhjet e parakohshme në 5 qershor, nëse plotësohen kushtet.

Gjëra të cilat më populli i lexon syçelë dhe nuk bie në këto gracka.

Shih, kryqit në Maqedoni, i cili ka një dimension ekstra fetar, i thonë ndryshe dhe ”kryqi maqedon”. Nodh kjo në fjalorin e maqedonasve, por dhe të shqiptarëve. Mos ka një nonsens që prej këtu? Sepse, edhe pse kryqi nuk ka ekuivalent në Islam ( dhe mesa dijmë, as gjysmëhëna e as minarja nuk përbërjnë ekuivalenca), është njësoj si të thuash gjysmëhëna apo minarja shqiptare…!

Shumë gjëra nuk kanë sens e logjikë në veprimet e partive në pushtet. E vetmja logjikë që mund të sqaron veprimet e tyre është insistimi që me çdo kusht të ngelen në pushtet. Për dy arsye: për të mbuluar pisllëqet e sundimit të tyre dhe për të vazhduar me vjeljen e përfitime të tyre nga qëndrimi në pushtet.

Sa i përket identifikimit të fesë me kombin, te sllavët kjo është e vjetër edhe vazhdimisht ashtu veprohet. Pranimi apo refuzimi i autoqafelisë së një kishe ortodokse varet edhe nga pajtimi apo mospajtimi politik të atyre kombeve mes vete. Një prej arsyeve që kisha ortodokse serbe nuk e pranon kishën autoqefale maqedonase është aspekti politik dhe jo ai fetar.

Gjatë vendosjes gurthemelit të kryqit, kreu i Kongresit  Maqedon, Todor Petrov, përmendi dhe sheriatin, biles në një kontekst provokues. Dhe nuk është e qartë nëse ka folur si nacionalist a si fetar. Nëse ka folur si fetar, çfarë do i thonit?

Edhe Todor Petrovi është një figurë politike, andaj edhe ai përdorë metoda makiavelista për të ngritur tensionet mes shqiptarëve dhe maqedonasve; në këtë rast në aspekt të konfliktit fetar, për të fituar poena politike, secili në taborin e vet. Sheriati Islam shpesh herë përfolet nga figura politike, edhe atë në kontekst negativ, ngase nuk e njohin. Për dallim prej tyre, njohësit e ligjeve të ndryshme të botës nuk e lënë pa e përmend në kontekst pozitiv.

A dalloni një prirje vitet e fundit në Maqedoni, ku dy komunitetet, ai maqedonas dhe ai shqiptar garojnë, njëri me lartësi kryqesh e tjetri minaresh, kur është rasti që ndërtohen xhami të reja?

.Shqiptarët muslimanë ndërtojnë xhami vetëm aty ku duhet dhe ka nevojë. Asnjë xhami e cila është ndërtuar nuk ka mbetur bosh dhe pa njerëz. Janë këta të fundit që i shfrytëzojnë ato xhami për nevojat e tyre. E kundërta ndodh me kishat dhe kryqet. Ato ndërtohen për inat dhe pa ndonjë arsye logjike të vërtetë. Shqiptarët muslimanë kanë mbijetuar me kishat e vjetra dhe që kanë plotësuar nevojat e tyre në lagjet e vjetra të Shkupit. Kurrë nuk i kanë dëmtuar e as që i kanë lejuar tjerët t’i dëmtojnë. Madje as gjatë konfliktit të vitit 2001, në një kohë kur me dhjetëra xhami dhe minare janë shembur nga bombardimet e artilerisë maqedonase. Mirëpo shqiptarët muslimanë janë kundër kryqeve dhe kishave politike. Muslimanët janë madje edhe kundër xhamive politike. Feja dhe lidhja me Zotin kërkon sinqeritet dhe pa të nuk pranohen te Zoti; andaj çdo veprim që e cenon këtë sinqeritet në raportet e njeriut me Zotin, ne e kundërshtojmë.

A mos vallë shumë keqkuptime me fenë dhe besimin shpërfaqen dhe me faktin se një numër maqedonasish të konvertuar në Islam, ose që i tërheq Islami,  ankohen pasi akuzohen nga të afërmit dhe familjarët e tyre se po bëhen “shqiptarë”?

Po, shpeshherë te ne keqkuptohet fetarja me nacionalen. Një maqedonas që kthehet në Islam, familja dhe rrethi i perceptojnë si një tradhtar të kombit, dhe jo si një ndërrim të fesë. Madje edhe janë shumë agresiv ndaj tyre. Kjo është edhe shkaku që numër mjaft i madh i atyre që bëhen muslimanë nga ana e maqedonasve, e fshehin konvertimin e tyre.

Ndoshta shumë maqedonas kanë një perceptim të pasaktë mbi atë që ndodh brenda xhamive tek ju. Çfarë ndodh e çfarë flitet aty se ndoshta duan ta dijnë? A flitet aty dhe për kryqin, Jezuin, ndoshta dhe maqedonasit vetë…

Mund të jetë e saktë kjo. Sepse zakonisht në xhamitë tona flitet në gjuhën shqipe dhe në mungesë të pranisë së hoxhallarëve në emisione televizive ku do të flitnin mbi fenë edhe në gjuhën maqedonase, populli ngel viktimë i keqinterpretimeve mbi fenë që i bëjnë njerëz të politikës.

Në disa zona ku ka edhe muslimanë që flasin në gjuhën maqedonase ka ligjërata në gjuhën maqedonase, porse duhet të ketë edhe përkthime të ligjëratave në gjuhën e tyre që të rehatohen se ligjëratat që fliten në xhami kanë të bëjnë me religjionin, kujdesin dhe drejtësinë ndaj secilit, respektivisht edhe fqinjëve tanë maqedonas.

Juve, personalisht dhe si komunitet, jua vrasin sytë kryqet e tyre, apo spekullimet nacionale apo politike me to?

Çdo vepër me prapavijë politike dhe me tendencë për markim tokash apo shfaqje dominance na pengojnë. Edhe nëse këto veprime do të bëheshin nga muslimanët.

Jeni të “dënuar”, ose siç quhet ndryshe në gjuhën fetare, të sprovuar, të jetoni bashkë, pra shqiptarë e maqedonas. Ç’duhet bërë që t’ja kaloni sa më mirë dhe në paqe me njëri-tjetrin, pavarësisht “gjakut” dhe besimit ndryshe?

Ne e llogarisim begati të jetojmë me fqinjë të fesë dhe nacionalitetit tjetër, por që kjo jetesë të ndërtohet në parimin e drejtësisë. Për ne kuptohet si një mundësi që t’u ofrojmë kulturën e lartë islame në sjelljen e mirë me fqiun jomusliman, por edhe për ata që të shohin dallimin mes njerëzve të sinqertë dhe të tjerëve që nuk i kanë këto virtyte.

Thuhet se në Islam fqinji ka një vend të nderuar. Dhe deri diku, fiqnji juaj është dhe maqedonasi. A janë ata në gjendje të kuptojnë këtë dhe a jeni ju në gjendje t’jua përcillni këtë virtyt?

Dëshmitë e jetës në lagjet e vjetra të popullatës së përzier, shqiptar dhe maqedonas, tregojnë se ne kemi jetuar me diversitet dhe kemi jetuar mirë; madje kujtimet e atyre ditëve krijojnë një nostalgji e cila vetvetiu tregon se kohërat e sodit janë tepër të elektrizuara me elektricitet të politikës dhe jo me atë të fetares. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit