Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier gjatë një vizite në Gjakovë rikonfirmoi mbështetjen e SHBA-së për vendin tonë.
Megjithatë, ai para mediave tha se ShBA-të por edhe partnerët tjerë kanë shqetësime lidhur me disa zgjidhje politike që i ka bërë Qeveria Kurti, transmeton Telegrafi.
“Sa i përket marrëdhënieve mes Kosovës dhe ShBA-së, nganjëherë ndjej se të gjithë doni të jeni psikiatër dhe të diagnostikoni ndonjë sëmundje mendore. Ka shumë njerëz të cilët kalojnë shumë kohë duke u brengosur për këtë çështje, do ta them atë që e them gjithmonë. Përkushtimi i ShBA-ve ndaj popullit të Kosovës është i fuqishëm dhe i hekurt gjithmonë. Kemi qenë me popullin e Kosovës, jemi me ta dhe do të jemi. Kjo nuk nënkupton që duhet të pajtohemi me çdo zgjidhje të bërë nga çdo Qeveri e Kosovës. Nuk është e fshehtë se qeveria ime bashkë me disa prej partnerëve që punojmë Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia e BE-ja kemi disa shqetësime për disa zgjidhje politike që i ka bërë Qeveria Kurti”, u shpreh ai para mediave.
Në konferencë për media, Hovenier deklaroi se pas miratimit të Ligjit për KPK-në dhe KPM-në, ka biseduar me zyrtarët e qeverisë.
Ai potencoi se qeveria duhet të sigurohet që legjislacionet të jenë në përputhje me normat evropiane.
“Kam pasur rastin që të bisedojë me zyrtarët e qeverisë lidhur me këtë çështje. Dua të them se e kuptoj që ka shqetësime se a janë ligjet në përputhje me standardet evropiane apo jo. Këshilla e qeverisë amerikane për qeverinë e Kosovës gjithmonë është e njëjta që të sigurohen që ligjet që miratohen në Kuvend të jenë në përputhje me normat evropiane sepse ne shohim që Kosova duhet të jetë një ditë pjesë e BE-së”, tha Hovenier. /Telegrafi/