1.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Hovenier: Kosova ta themelojë Asociacionin nëse do të anëtarësohet në strukturat evropiane

Më të lexuarat

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është detyrë urgjente e Kosovës.

Hovenier tha se Asociacioni është element thelbësor në marrëveshjen për normalizim të raporteve me Serbinë, dhe si i tillë duhet zbatuar për të siguruar anëtarësimin në strukturat evropiane dhe euro-atlantike.

“Kosova është zotuar në vitin 2013 për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ne kemi qenë shumë të qartë publikisht për një kohë të gjatë dhe presim të bëhet dhe tani është më urgjente dhe në kohë sepse është një element fondamental i përgjegjësisë së Kosovës dhe përkushtimit të Kosovës edhe me Marrëveshjen e Brukselit por edhe kur bëhet fjalë për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve”, deklaroi Hovenier në RTV 21.

“Ne duam ta shohim atë të ketë ecur përpara dhe atë urgjentisht dhe mendojmë se është koha tani. Jo sepse ne po provojmë të krijojmë probleme për Kosovën por në të kundërtën. Ne e kemi thënë shumë qartë se rruga e Kosovës për ta përmbushur vizionin e saj si një shtet i integruar plotësisht në strukturat evropiane dhe euro-atlantike bëhet vetëm përmes zbatimit të marrëveshjes bazë dhe aneksit. Dhe kjo nënkupton se detyra urgjente për Kosovës është që ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, tha ai.

Kur u pyet për presionin që po i bëhet Kosovës për ta themeluar Asociacionin, Hovenier tha se ShBA ka vetëm qëllime të mira dhe se duan ta shohin Kosovën si shtet “shumëkombësh, sovran, i pavarur dhe demokratik”.

I njëjti shtoi se nuk është presion, por inkurajim.

“Merrni parasysh këshillat tona më të mira. Dëshirën tonë për të ndihmuar Kosovën të krijojë kushtet për të arritur këtë vizion të përbashkët”, u shpreh Hovenier.

Ai tha se ShBA e mirëpret draft-vizionin e kryeministrit Kurti për Asociacionin, por shtoi se tash duhet hyrë në çështjet praktike të hartimit të statutit që vë në zbatim këtë vizion.

“Deri në këtë kohë nuk kam parë më shumë, në kuptimin e një teksti specifik, nga ajo që është bërë publike”.

“Jam në dijeni se Ekipi Menaxhues ka paraqitur propozim në tavolinë, jam në dijeni se shumë veta kanë vlerësuar se ky propozim i Ekipit Menaxhues shkon përtej kësaj kornize apo kufizimeve që i përshkruajta. Në rregull. Marrëveshja e Brukselit e përshkruan se ekipi menaxhues e bën këtë punë dhe e paraqet propozimin në tavolinë, por Marrëveshja e Brukselit gjithashtu kërkon që palët pastaj e diskutojnë dhe e negociojnë atë”, tha ambasadori amerikan.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit