1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Historiku i fituesve të zgjedhjeve parlamentare në RMV që nga vitit 1990 deri në vitin 2020

Më të lexuarat

Që nga pavarësia e shtetit, Republika e Maqedonisë (sot Republika e Maqedonisë së Veriut) ka zhvilluar nëntë zgjedhje parlamentare. Ky vit (2020), e fut RMV, në zgjedhjet e dhjeta parlamentare. Gjatë 30 viteve të shtetit ka pasur ndryshime në qeverisje, madje kanë dalë në skenë parti të reja, të cilat më vonë edhe janë shuar. Por, kryesisht me riemërimin e partive, përsëri në qendër të skenës politike kanë qenë LSDM DHE VMRO – DMPNE, nga partitë shqiptare PPD dhe PDSH, pas luftës së 2001, doli dhe faktori tjetër politik shqiptar BDI, i cili 18 vite qëndroi në skenën politike, gjegjësisht në qeveri, shkruan Portalb.mk.

Sot, në vitin 2020, këto parti politike, përpos PPD-së që u shua vite më herët, janë të njëjtat parti politike që kandidojnë, bashkë me parti të tjera, të cilat më vonë u formuan. Nga skena politike shqiptare, Lëvizja BESA, e cila shkon në koalicion me LSDM, në këto zgjedhje. Aleanca për Shqiptarët, në koalicion me Alternativën. Ndërsa, PDSH, dhe BDI dalin të vetme në këto zgjedhje parlamentare

Për të pasur një pasqyrë më të qartë opinionin publik, Portalb.mk sjell para jush një elaborim të zgjedhjeve parlamentare të tre dekadave, gjegjësisht qysh nga pavarësia e shtetit. Ku zgjedhjet e para u mbajtën në vitin 1990 dhe këto të fundit mbahen më 15 korrik, të vitit 2020.

Zgjedhjet parlamentare të vitit 1990

Zgjedhjet e vitit 1990 u mbajtën sipas sistemit zgjedhor të shumicës në dy rrethe të votimeve, në nivel të 120 njësive zgjedhore. Në zgjedhjet e para morën pjesë 18 parti politike dhe 43 kandidatë të pavarur.

Në njësitë zgjedhore, në të cilat partitë morën pjesë në mënyrë të pavarur, në rrethin e dytë të zgjedhjeve fituan:

  • VMRO-DPMNE – 38 mandate;
  • LKM-PTD – 31 mandate;
  • Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) – 17 mandate;
  • Lidhja e Forcave Reformiste në Maqedoni (LFRM) – 11 mandate;
  • Partia Socialiste e Maqedonisë (PSM) – 4 mandate;
  • Partia e Jugosllavëve (PJ) – 2 mandate;
  • VMRO-Partia Demokratike (VMRO-PD) – 1 mandat;
  • Partia Demokratike Popullore (PDP) – 1 mandat.

Si koalicione fituan:

  • Koalicioni PPD/PDP – 5 mandate,
  • Koalicioni LFRM/Partia e Re Progresive Demokratike (PRPD) – 6 mandate;
  • Koalicioni PSM/ LFRM/PRPD – 1 mandat;
  • Koalicioni Partia për Emancipimin e Plotë të Romëve (PEPR)/PSM – 1 mandat.

Në këto zgjedhje u zgjodhën edhe tre deputetë të pavarur.

Foto: Borçe Popovski, “Kolektiv.mk”

Zgjedhjet parlamentare të vitit 1994

Zgjedhjet e para parlamentare pas pavarësisë së vendit u zhvilluan në vitin 1994, në të njëjtën kohë me zgjedhjet e para të drejtpërdrejta presidenciale. Në zgjedhje kandidatë të tyre propozuan 38 parti politike, ndërkaq u kandiduan 283 kandidatë të pavarur, fitoi koalicioni “Aleanca për Maqedoni”, i udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), parti pasardhëse e LKM-PTD

  • LSDM fitoi – 60 mandate të deputetëve;
  • Partia Liberale (PL) – 29 mandate;
  • PPD – 11 mandate;
  • PSM – 9 mandate;
  • Partia për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve (PPDSH) – 4 mandate;
  • PDP – 2 mandate.
  • Partia Demokratike e Maqedonisë (PDM) – 1 mandat;
  • Partia Demokratike e Turqve (PDT) – 1 mandat;
  • Lidhja Demokratike e Shqiptarëve – Partia Liberale – 1 mandat;
  • Partia Socialdemokrate e Maqedonisë (PSDM) dhe PEPR – 1 mandat;

Qeverinë përsëri e formoi Branko Cërvenkovski në të cilën, përveç ministrave nga radhët e LSDM pozicione fituan edhe partitë PSM, PPD dhe PL.

Zgjedhjet parlamentare të vitit 1998

Në kë zgjedhje garuan 22 parti politike, 4 koalicione dhe 7 kandidatë të pavarur. Në listat proporcionale garonin 12 parti, 4 koalicione dhe një grup zgjedhësish.

Këto zgjedhje rezultuan me ndërrimin e pushtetit, me ç’rast fitues ishte:

VMRO-DPMNE – 49 mandate të deputetëve;  

  • LSDM me – 27 mandate;
  • PPD – 14 mandate;
  • Alternativa Demokratike (AD) – 13 mandate;
  • Partia Demokratike e Shqiptarëve (PDSH) – 11 mandate;
  • Partia Liberal – Demokrate (PLD) – 4 mandate;
  • PSM dhe Lidhja e Romëve të Maqedonisë (LRM) nga 1 mandat;

Pas zgjedhjeve, lideri i VMRO – DPMNE, Lubço Georgievski, formoi Qeveri koalicioni me AD dhe PDSH.

Vendvotim në Maqedoninë e Veriut
Vendvotim në Maqedoninë e Veriut

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2002

Zgjedhjet parlamentare të 15 shtatorit të vitit 2002 u zhvilluan në një atmosferë të tensionuar post-konfliktuale, pas vitit 2001, në të cilin ndodhi konflikti i armatosur ndërmjet forcave të sigurisë dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), i cili përfundoi me nënshkrimin e “Marrëveshjes Kornizë të Ohrit”.

Në këto zgjedhje përsëri kishim ndryshim të pushtetit:

Fitues ishte Koalicioni “Bashkë për Maqedoninë” i udhëhequr nga LSDM. Koalicioni fitoi 60 mandate, prej të cilëve:

  • LSDM – 43 mandate;
  • PLD – 12mandate;
  • PDT – 2 mandate; dhe nga 1 mandat të deputetit fituan
  • Partia e Bashkuar e Romëve në Maqedoni (PBRM) – 1 mandat të deputetit;
  • Liga Demokratike e Boshnjakëve (LDB)- 1 mandat;
  • Partia Demokratike e Serbëve (PDS) – 1 mandat;
  • VMRO-DPMNE – 27 mandate;
  • PL – 1 mandat;
  • Partia e Lëvizjes së Turqve në Maqedoni (PLTM) – 1 mandat;
  • Partia Socialiste e Maqedonisë (PSM) – 1 mandat;
  • BDI – 16 mandate;
  • PDSH – 7 mandate;
  • PPD – 2 mandate;
  • PDP – 1 mandat.

Mandatar i Qeverisë së re, të vitit 2002, pas 4 vitesh pauzë, përsëri ishte lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski, ndërsa në të u përfshinë edhe PLD dhe BDI. Për BDI kjo ishte pjesëmarrja e parë në një Qeveri të Maqedonisë.

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2006

Në zgjedhjet e vitit 2006,partia në pushtet LSDM kaloi në opozitë, ndërkaq opozita e deriatëhershme VMRO-DPMNE e fitoi shumicën në Parlament.

Koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE fitoi 45 mandate të deputetëve.

  • VMRO-DPMNE- 38 mandate;

Koalicioni “Bashkë për Maqedoninë” i udhëhequr nga LSDM – 32 mandate.

  • LSDM – 23 deputetë;

Koalicioni i tretë ishte BDI – PPD i cili fitoi 17 mandate të deputetëve.

  • BDI- 14 mandate;
  • PPD – 3 mandate;
  • PDSH – 11 mandate;
  • Partia e Re Socialdemokrate (PRSD) – 6 mandate;
  • VMRO – Partia Popullore (VMRO-PP) – 6 mandate;
  • Rindërtimi Demokratik i Maqedonisë (RDM) – 1 mandat dhe
  • Partia për Ardhmëri Evropiane (PAE) – 1 mandat.

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2008

Në zgjedhjet, të cilat u mbajtën më 1 qershor, me kandidat të tyre në lista morën pjesë 41 parti dhe dy grupe zgjedhësish.

Koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, nga gjithsej 120 deputetë të mundshëm fitoi 63 mandate.

  • VMRO-DPMNE – 53 mandate
  • PSM-ja – 3 mandate;
  • Lidhja Demokratike (LD) – 1 mandat;
  • RDM, Partia Demokratike e Turqve në Maqedoni (PDTM) – 1 mandat;
  • PDS, PBRM, VMRO-Maqedonase dhe Partia për Aksion Demokratik të Maqedonisë (PAD) – 1 mandat.

Në vend të dytë ishte Koalicioni opozitar “Dielli – Koalicioni për Evropë” i udhëhequr nga LSDM me gjithsej 27 deputetë.

  • LSDM – 18 mandate;
  • PLD – 4 mandate;
  • PRSD – 3 mandate;
  • PL dhe Alternativa e Re (AR) -1 mandat deputeti;
  • BDI – 18 deputetë;
  • PDSH – 11 deputetë;
  • PAE – 1 mandat.

Qeverinë përsëri e formoi Nikolla Gruevski, ndërsa në të, përveç ministrave të Koalicionit “Për Maqedoni më të mirë” u përfshinë edhe ministrat e BDI- së.

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2011

Më 2011 ishin zgjedhje të dyta të parakohshme për Kuvendin që nga pavarësimi i Maqedonisë.

Fitoi Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE me 56 mandate.

  • VMRO-DPMNE – 47 mandate;
  • PSM – 3 deputetë;
  • LD, RDM, PAD, PDTM, PDS dhe VMRO Maqedonase – 1 deputet;

Në vend të dytë, sipas numrit të vendeve të fituara, ishte Koalicioni i udhëhequr nga LSDM, me gjithsej 42 mandate.

  • LSDM- 29 mandate;
  • PRSD – 4 mandate;
  • PAE – 3 mandate;
  • PL, Lëvizja për Unitet Nacional të Turqve në Maqedoni (LUNT) – 1 mandat
  • PEPR, Partia Përparimtare Serbe në Maqedoni (PPSM) – 1 mandat;
  • Dhe dy deputetë të pavarur.

Në vendin e tretë, sipas numrit të mandateve të deputetëve në Kuvend ishte:

  • BDI – 14 mandate;
  • PDSH – 8 mandate;
  • RDK – 2 mandate dhe
  • Liga Demokratike e Boshnjakëve (LDB) 1 deputet.

Pas zgjedhjeve lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, për herë të tretë e formoi Qeverinë në të cilën si partner koalicioni përsëri u përfshi BDI, si përfaqësuese e shqiptarëve.

Zgjedhjet në Maqedoni

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2014

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 ishin zgjedhjet e teta parlamentare me radhë nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë, ndërsa të tretat me radhë zgjedhje të parakohshme parlamentare

Në këto zgjedhje përsëri fitoi koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe Nikolla Gruevski. Ky Koalicion fitoi 61 mandate.

  • VMRO-DPMNE – 52 mandate;
  • PSM – 3 deputetë;
  • LD – 1 deputet;
  • RDM -1 deputet;
  • PADM (Partia e Aksionit Demokratik të Maqedonisë) – 1 deputet;
  • PDTM -1 dhe PDSM (Partia Demokratike e Serbëve të Maqedonisë) – 1 deputet;
  • LRM (Lidhja e Romëve të Maqedonisë) – 1 deputet.

Në vendin e dytë, sipas numrit të vendeve të fituara, ishte Koalicioni i udhëhequr nga LSDM, me gjithsej 34 mandate.

  • LSDM – 27 mandate;
  • PRSD dhe  PLD – 3  mandate dhe
  • PLT (Partia e Lëvizjes së Turqve) – 1 mandat.

Në vend të tretë, sipas numrit të mandateve të deputetëve në Kuvend, ishte:

  • BDI – 19 mandate;
  • PDSH – 7 mandate;
  • RDK (Rilindja Demokratike Kombëtare)- 1 mandat dhe
  • OPQM (Opsioni Qytetar për Maqedoninë) – 1 mandat.

Pas zgjedhjeve, lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, për të katërtën herë formoi Qeveri në të cilën përsëri si partner i koalicionit i cili i përfaqëson shqiptarët hyri BDI.

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2016

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 ishin zgjedhjet e nënta parlamentare që nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që i bëri zgjedhjet e katërta të parakohshme parlamentare.

  • VMRO – DPMNE – 51 mandate;
  • LSDM – 49 mandate;
  • BDI – 10 mandate;
  • Lëvizja BESA – 5 mandate;
  • Aleanca për Shqiptarët – 3 mandate;
  • PDSH – 2 mandate;

Menjëherë pas zgjedhjeve pati bisedime intensive midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, dhe më vonë midis LSDM-së dhe BDI-së. Kuvendi me 62 vota pro, 44 kundër dhe 5 abstenime, miratoi qeverinë e re të koalicionit të udhëhequr nga LSDM.

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2020

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut të vitit 2020 hyjnë në garë 15 parti politike, të cilët kanë nënshkruar Kodeksin për zgjedhje të drejta dhe demokratike, në vend. Gara është tejet e ngushtë, ndërkohë që akoma ka shumë të panjohura. Situata është tejet më komplekse për shkak të situatës me Covid-19. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare tashmë janë caktuar për më 15 korrik 2020.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit