Pas rënies së al-Assadit, Damasku përforcon marrëdhëniet rajonale dhe hap derën për investime strategjike
Al-Shibani, i emëruar ministër më 21 dhjetor nga qeveria e përkohshme siriane, do të zhvillojë këtë vizitë në javën e parë të vitit të ardhshëm. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Kuvajtit, Abdullah al-Yahya, në Damask, ai bëri thirrje për rihapjen e ambasadës kuvajtiane dhe rikthimin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Vizita e al-Yahya në Damask përfaqëson një qasje të re rajonale për të forcuar bashkëpunimin pas ndryshimeve politike në Siri. Duke folur për mediat, al-Yahya vlerësoi përgjigjen e qeverisë së re siriane ndaj këtyre përpjekjeve dhe bëri thirrje për rishikimin e sanksioneve ndërkombëtare kundër Sirisë, duke nënvizuar nevojën për ndihmë të menjëhershme humanitare.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), Jasem Mohamed Al-Budaiwi, i cili gjithashtu vizitoi Damaskun, theksoi gatishmërinë e vendeve të Gjirit për të investuar në Siri dhe për të ndihmuar në rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar nga lufta civile.
Shtetet arabe sunite kishin bojkotuar Sirinë nën sundimin e al-Assadit për shkak të aleancës së tij me Iranin dhe Rusinë. Megjithatë, ndryshimet e fundit politike dhe rënia e al-Asadit kanë hapur rrugën për rivendosjen e marrëdhënieve rajonale dhe integrimin e Sirisë në botën arabe.
Ndërkohë, gjatë ditës së hënë, liderët sirianë zhvilluan gjithashtu takime me homologë nga Ukraina, ku u njoftua një partneritet i ri strategjik dhe dërgesa e parë e ndihmës ushqimore nga Ukraina drejt Sirisë.
Vizita e ardhshme e al-Shibani në Arabinë Saudite konsiderohet një moment kyç në përpjekjet e Sirisë për të përmirësuar marrëdhëniet rajonale dhe për të siguruar investime të domosdoshme për rimëkëmbjen ekonomike. /Tesheshi.com/