9.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Historia e Xhejms Bartonit me plakun finok

Më të lexuarat

Kjo është një ngarje e vërtetë e rrëfyer nga udhëtari Xhejms Barton. Ai tregon se një herë ishte nisur me një karvan nga Turqia drejt Bagdadit. Karvani përbëhej nga nëntëdhjetë deve të ngarkuara me mallra nga më të ndryshmet, kurse numri i shoqëruesve të karvanit ishte diku tek njëzet burra.
Përgjegjësi kryesor i karvanit ishte një arab i moshuar me emrin Muhamed ibnu Musa. Ai ishte një burrë i zgjuar dhe finok që më ngazëlleu gjatë udhëtimit me historitë dhe kujtimet e tij magjepsëse.
Ditën e tetë të udhëtimit humba çantën time të lëkurës në të cilën ruaja me fanatizëm tetëdhjetë lira floriri, gjithçka që kisha. Kur vura re që çanta kishte humbur mu errën sytë, mu duke se jeta ime u mbyll aty dhe se udhëtimi im përfundoi me aq. Plaku e vuri re pikëllimin tim dhe më pyeti çfarë kisha. Unë i tregova mbi gjëmën që më kishte rënë. Ai u nxi në fytyrë dhe më bëri disa pyetje. Mandej, u ul vetëm, në heshtje të plotë duke menduar ndërkohë që me dorën e tij plot rrudha kapte mjekrën e bardhë.
Në një moment ai brofi në këmbë dhe duke përplasur dorën për kraharori më tha:”Ta gjej unë çantën!”
Pa pritur ndonjë përgjigje nga unë u nis tek gomari i tij, e zgjidhi dhe bashkë me të hyri në çadrën e madhe, të cilës ia mbylli dhe hyrjen, pasi u kishte kërkuar shoqëruesve të tjerë që të mos e bezdisë askush.
Çdo minutë që kalonte ma shtonte pikëllimin për çantën me lira floriri. Njeriu i vetëm që ma dinte hallin dhe që më premtoi se do e gjente tashmë kishte hyrë në çadër dhe po flinte i qetë. Të paktën kështu mendoja unë. Fillova të humbas besimin tek ai plak arab që tjetër thoshte e tjetër vepronte.
Pas tre orësh të plota, plaku doli nga çadra, i veshur me rroba që shkëlqenin dhe pasi hipi mbi një pirg mallrash të përdorura në mes të kampit, thirri me një zë gjithë pikëllim:”Të mblidhen të gjithë burrat këtu dhe tani në çast!”
Pasi u grumbulluan të gjithë shoqëruesit e karvanit, plaku arab qëndroi i heshtur për pesë minuta, mandej u drejtua nga njerëzit dhe tha:”Sot, emri dhe familja ime është turpëruar para një personi të huaj të cilin unë e konsideroj si mik dhe e respektoj. Ju e dini se çfarë statusi gëzon miku tek arabët, saqë ne flijohemi të gjithë për mikun. Ajo që ka ndodhur është se miku ynë i shtrenjtë është korritur dhe është vjedhur në kampin tonë, të cilin nuk e ka shkeluar asnjë njeri tjetër veç nesh.”
Mandej, duke bërë me shenjë nga çadra ku kishte qëndruar për tre orë shtoi:”Gomari im i cili rrjedh nga rraca e gomarit të mbretit dhe profetit Solomon është brenda asaj çadre. Ai, duke qenë i kësaj familje të madhe, ka trashëguar një cilësi të rrallë, zbulimin e të vërtetës. Prandaj, secili prej jush do të hyjë në çadër, një e nga një, do të kapë bishtin e gomarit, do e mbajë pak, pastaj do e lëshojë e do të dalë nga çadra për ti lënë radhën tjetrit. Në momentin që hajduti do të kapë bishtin e gomarit, ky do e ndjejë dhe do të pëllasë, sakaq, kur ta kapin bishtin e tij të tjerët do qëndrojë i heshtur.”
Të gjithë burrat u vunë në radhë dhe një e nga një hynin në çadrën e gomarit, kapnin bishtin e tij dhe dilnin nga çadra duke i lënë radhën shokut të tyre. Të gjithë hynë në çadër, por gomari nuk pëlliti me asnjërin.
Burri i moshuar zbriti nga pirgu me mallra të përdorur dhe u kërkoi shoqëruesve të vihen në rresht dhe të tregojnë pëllëmbët e duarve. Ashtu bënë. Menjëherë ai filloi tu marrë erë pëllëmbëve një e nga një, derisa arriti tek një burrë, të cilit me ti marrë erë në pëllëmbë, ia kapi duart dhe e tërhoqi fort poshtë duke e gjunjëzuar. Mandej i thirri:”Ti je hajduti more i pabesë!”
Burri u përul dhe filloi duke i puthur këmbët e mes qaravitjeve i kërkonte falje.
Mua mu kthye çanta bashkë me tetëdhjetë lirat e floririt.
E magjepsur nga urtësia e atij plaku vajta dhe e pyeta si e kishte dalluar hajdudit dhe ai, duke buzëqeshur më tha:”Ta tregoj por nuk duhet ta marrë vesh askush nga këta. Kur hyra në çadër bashkë me gomarin, ia leva bishtin me gjethe nenexhiku të thatë. Të gjithë e kapën bishtin e gomarit dhe aroma e nenexhikut u kaloi në duar, përveç hajdutit i cili pati frikë se mos pëllet gomari, e për rrjedhojë, duarve nuk u vinte erë nenexhik.”
Në atë çast unë Xhejms Berton se përmbajta dot veten dhe thirra me të madhe:”Mashalla! Allahu është më i madhi!”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit