-3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Historia e shqiptarëve që e mbrojtën Sanxhakun nga çetnikët

Më të lexuarat

Lufta për mbrojtjen e Pazarit është shprehje e cila ka hyrë në histori si shprehje treguese për zhvillimet luftarake në Sanxhakun e quajtur Sanxhaku i Novi Pazarit, i cili deri në vitin 1912, kur u okupua nga Serbia, ishte pjesë përbërëse e Vilajetit të Kosovës. Në këto luftime, për qëllim të mbrojtjes së popullatës së rrezikuar nga shfarosja, janë ballafaquar trupat e armatosura shqiptare me ato sllave.

Në Sanxhak në vitin 1941, jetonin rreth 254 mijë banorë. Nga ky numër 57 për qind e popullsisë kanë qenë të besimit ortodoksë dhe 43 për qind myslimane ( shqiptarë e boshnjak). Analfabetizmi i popullsisë së përgjithshme ishte në shkallë prej 76 për qind. Në vitin 1931, Sanxhaku kishte në dispozicion shtatë mjekë dhe 171 shtretër në spitale. Prandaj, vdekshmëria foshnjave ishte 142 në 1000 foshnje të lindura.

Parë nga pikëpamja ekonomike, Sanxhaku ishte pjesa më e pazhvilluar e tërë shtetit të atëhershëm, pa asnjë objekt të veçantë industrial, me bujqësi krejtësisht ekstensive. Gjatë dimrit të 1941-1942 mbizotëroi uria e cila ka shkaktuar rritjen e vdekshmërisë së popullsisë. Përveç tjerash, popullsia joserbe e kësaj treve ishte e keqtrajtuar e pa të drejta elementare njerëzore; e urryer dhe duke iu hakmarrë në çdo aspekt ne emër të sundimit osman, e po ashtu duke u trajtuar nga Serbia si element i rrezikshëm dhe i urryer.

Në të njëjtën ditë kur kishte kapitulluar Mbretëria Jugosllave, më 17 prill 1941, Ushtria gjermane hyri në Pazarin e Ri. Banorët e Pazarit nuk fshihnin kënaqësinë me rastin e ardhjes së gjermanëve, sepse shpresonin se në kuadër të qeverisjes së re do të “frymojnë” më lirisht.

Aqif Blyta, me urtësinë që e karakterizonte, e njofton komandën e lartë gjermane me historinë jo vetëm të Pazarit, por krejt viseve shqiptare, të ndarë padrejtësisht nga shteti amë më vitin 1913. Pas kësaj, trimi i Pazarit do të shihet edhe në tubimet e popullit në Pejë e Mitrovicë ku me fjalën e urtë u tregon për qëllimet e komandës së lartë gjermane, duke i siguruar ata se trupat nuk mund të konsiderohen pushtuese.

E vërteta është (pavarësisht se ç’mund të kenë qëllimet strategjike të Gjermanisë) se me vendosjen e forcave gjermane në territoret e Mitrovicës, Pejës, Pazarit e Rozhajës, masakrat serbe pushuan.

Në malet rreth Pazarit të Ri, kah mesi i vitit 1941 u formuan njësitë të përbëra nga serbët e rrethit të Dezhevës dhe Moravicës. Malet e Kopaonikut, Rogoznës, Golisë, Javorit, si dhe luginat e lumit Ibër në drejtim te Rashkës dhe Kralevës, vlonin nga kriminelët çetnikë me në krye me Dragoljub Mihaloviqin -Drazhën..
Komanda gjermane, duke respektuar të drejtën për autonomi, u lejoi dhe u mundësoi krerëve të Sanxhakut të rikthejnë qeverisjen e cila iu ishte marrë pas Luftës Parë Ballkanike. Në takimin që u mbajt në Mitrovicë, të cilin e kishte organizuar Krajs komanda më 19 prill 1941.,qeverisja politike dhe udhëheqja iu dorëzua myslimanëve të Sanxhakut. Në këtë këshillim morën pjesë Aqif Blyta dhe Ahmet Daci. Vendet kyçe udhëheqëse në kryeqytetin e Sanxhakut – Pazarin, i morën Aqif-efendia, Ahmet Daci dhe Bahri Abdurrahmani (Abdurahmanoviq).

Të gjithë pozitat kryesore të cilat më herët i mbanin serbët, i morën sanxhaklinjtë, ndërsa nga xhandarmëria u larguan të gjithë serbët dhe malazezët, sepse Aqifi nuk kishte besim në ta. Largpamësia e tij u tregua më vonë shumë e qëlluar në ngjarjet të cilat u zhvilluan më vonë, si hap me vend në shpëtimin e Pazarit dhe me këtë edhe tërë Sanxhakun – sepse çelësi i mbrojtjes ishte në këtë qytet. Për komandant të xhandarmërisë u emërua Azem Haxhoviq.

Në radhë të qytetarëve më të respektuar të asaj kohe, pos Aqif Blytës ishin edhe krerët, si: Ahmet Daci, kryeshef i rrethit dhe kryetar komune në Pazarit; Ejup-agë Lajqi; Hafiz Ibrahim Rigjanoviq, gjykatës i sheriatit; Murat – efendia Sukiq, myfti;- Xhemajl agë Bosnja; Mahmut agë Elfiqi.

Egërsirat çetnike pa ndërpre përgatiteshin se si ta thyejnë “zemrën e Sanxhakut” – Pazarin e Ri. Atëherë në krye të Këshillit për mbrojtjen e Pazarit të Ri u vu Aqif Blyta. Këshilla të ngjashëm u formuan në shumicën e qyteteve të Sanxhakut. Aqifi në tërësi kontrollonte situatën në qytet dhe rrethinë. Menjëherë e mobilizoi tërë popullatën e aftë për luftë dhe shpërndau armët dhe në të njëjtën kohë dërgoi tri delegacione që të thërret në ndihmë vëllezërit shqiptarë nga Kosova dhe Peshteri, si dhe nga rrethet tjera.

Delegacionin i cili u nis për në Kosovë, e përbënin qytetarët e Pazarit të cilët ishin me namë: Hanefi Lajqi, Rasim agë Nishliu, Hazir agë Kërleshi dhe Fehim agë Hoqa. Fehim agë Hoqa ishte i lindur në Pazar, por babanë e kishte nga Kosova dhe kishte lidhje të shkëlqyeshme me udhëheqësit shqiptarë të cilët mbanin pothuajse tërë qeverisjen në Kosovë. Duke iu falënderuar ndikimit të tij u arrit ndikimi te udhëheqësit shqiptarë, si te Xhafer Deva, Pajazit Boletini, Adem Voca dhe të tjerë. Aqif Blyta me kohë armatosi popullatën. Pas marrjes së ftesës për ndihmë, 3200 shqiptar të Kosovës arritën me shpejtësi të pamenduar nëpër malet e Rogoznës, në Pazarin e Ri.

Forca të mëdha çetnike me vetëbesim kishin filluar të futen nëpër fshatra. Me shpejtësi marramendëse arritën vullnetarët nga Kosova nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës. Në të njëjtën kohë, nga drejtimi i Dohoviqit dhe nga Ribariqi arrinin luftëtarë nga Peshteri, Bisheva dhe luftëtarët e Xhemajl Koniqaninit. Çetnikët në panik iknin në drejtim të Rashkës, nga edhe kishin ardhur. Por, në tërheqje ua kishin zënë priten afër Banjës së Pazarit, shqiptarët që kishin ardhur nga Kosova e që në tërësi i shkatërruan. Tek kriminelët e vrarë në jangjikët (çantat) e tyre u gjetën gozhda të mëdha të cilat i kishin marrë me vete që kur ta marrin në dorë qytetin, myslimanët t’i kryqëzojnë dhe t’i gozhdojnë. Luftëtarët e Peshterit, të cilët kishin arritur, i detyruan çetnikët që të tërhiqen në drejtim të Rashkës.

Shqiptarët trima i udhëhiqte legjendari Shaban Polluzha, i cili me të arritur në Duga Polanë, fshati më verior i banuar me popullsi myslimane – shqiptare – njësive, gjegjësisht forcave ushtarake dhe banorëve, me një fjalim të shkurtër po me një autoritet të pakontestueshëm, iu thotë: “Të nderuar vëllezër, kemi ardhur këtu për të kryer një mision të shenjtë; jemi këtu për t’i mbrojtur familjet e rrezikuara nga çetnikët e tërbuar. Ju, siç jeni në dijeni, kriminelët serbë kanë vrarë e masakruar popullatën e pafajshme të kësaj ane. Ne, kur kemi pasur mundësi, gjithnjë kemi ndihmuar popujt e rrezikuar. Prandaj, në këtë kontekst, duhet kuptuar këtë mision i cili në planë të parë ka karakter humanitar e njerëzor. Por, me këtë mbrojmë edhe një pjesë të shqiptarëve që jetojnë në këto anë. Uroj që lufta të na shkoj mbarë dhe besoj se kemi forcë dhe moral që t’i dëbojmë hordhitë çetnike nga Sanxhaku i përgjakur”.

Ne kujtimet e Brahim Spahiut thuhet se luftëtarëve në Duga Polanë iu drejtua edhe Mulla Ilaz Brojës, i cili në kontekst të ritit fetar ka theksuar se “misioni juaj është njerëzor dhe se dikush mund të bjerë edhe në vijën e frontit, prandaj përshëndetuni me njëri-tjetrin. Te Zoti jeni të drejtë. U priftë e mbara”.

Për fat të keq, në Sanxhak e edhe në Kosovë dihet pak për kontributin e Shaban Polluzhës dhe bashkëluftëtarët e tij, duke mos llogaritur qytetarët e vjetër të Pazarit të cilët me respekt të madh flasin për ato kohëra.

Në Luftën për mbrojtjen e Pazarit kanë dhënë jetën 144 luftëtar shqiptarë nga Kosova, varret e të cilëve ndodhën në varrezat më të Mëdha të Pazarit në Gazillar. Nga Peshteri dhe krahina e Rozhajës kishin arritur rreth 2000 ushtarë të udhëhequr nga Mulla Jakup Kombi (Kardoviq). Çetnikët gjatë këtyre 65 ditëve (nga 2 tetori deri më 7 dhjetor 1941), organizuan tri sulme drejt Pazarit të Ri, ndërsa policia e Pazarit, nën udhëheqjen e Haqif Blytës, kishte kryer një kundërsulm të fortë në drejtim të Rashkës.

Në këtë luftë pranë Rashkës u dallua “ trimi në kalë të bardhë”, Xhemajl Koniqanini, cili udhëhoqi luftëtarët e rrethinës së Tutinit. Ejup Mushoviq, në veprën e tij “Novi Pazari dhe rrethina” thotë: “Sulmi i parë ndaj Pazarit të Ri është kryer me 4 nëntor 1941. Qëllimi i sulmit ishte marrja e qytetit nën kontroll dhe shfarosja i popullsisë myslimane. Sulmi ka zgjatur nga ora 4:00 deri në ora 10:00. Ky sulm i çetnikëve ishte i pasuksesshëm. Pas këtij sulmi, Aqifi në qytet solli forca të reja dhe në shenjë hakmarrje organizoi sulmin ndaj Rashkës. Ky sulm filloi më 16 nëntor në ora 10:00 dhe u krye më 17 nëntor rreth orës 16:00. Në këtë sulm morën pjesë 2600 shqiptarë dhe boshnjak të armatosur më mirë”.

Pas sulmit të parë të çetnikëve, Aqif Blyta organizoi një kundërsulm me qëllim që t’ju shkaktoj dëme të mëdha. Me këtë rast ishte i ndihmuar nga komandanti i milicisë së Tutinit, Xhemajl Koniqaninit, dhe nga vëllezërit Dreshaj. Kishin pasur mundësi ta marrin Rashkën nën kontroll, por ishin ndalur nga gjermanët që mos të bënin një gjë të tillë.

Sulmi tjetër i çetnikëve në Pazarin e Ri është kryer më 21 nëntor me forca më të mëdha sesa herën e kaluar. Ky sulm zgjati vetëm një ditë. Gjatë këtij sulmi, çetnikët i djegën të gjitha fshatrat myslimane. Kësaj here Pazari i Ri me sukses është mbrojtur. Sulmi i tretë i Pazarit të Ri ka qenë më specifik. Në këtë sulm kanë marrë pjesë edhe gjermanët, të cilët çetnikët i kishin mashtruar sepse iu kishin thënë se qytetin e kanë nën kontroll komunistët. Posa filloi sulmi, rreth orës 4:00 më 4 dhjetor, gjermanët kishin zbuluar mashtrimin dhe ishin kthyer në Rashkë bashkë me çetnikët.

Lufta për mbrojtjen e Pazarit, gjegjësisht popullsisë nga shfarosja, ishte jo vetëm veprim i duhur dhe i domosdoshëm, por edhe më tepër human. Kjo luftë është ndër luftërat e rralla në të cilën u tregua jo vetëm ndihma vëllazërore por edhe organizimi brilant i udhëheqjes së trupave mbrojtëse.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit