Në jetën e tij kishte një mungesë që nuk mund ta mbushnin as futbolli dhe as politika; ishte njëzet e tre vjeç dhe beqar!
Kur në vitin 1977, në një mbledhje të organizuar nga partia hasi në një palë sy të drojtur që e ndiqnin me admirim, kuptoi se mungesa brenda tij nuk do të vazhdonte për shumë kohë. Po të kemi parasysh se ndjesinë e tij në atë moment e shpreh me fjalët: “Ishte një ndjesi që nuk e kisha provuar deri atëherë”, mund të themi se ndoshta ishte hera e parë që binte në dashuri.
Pak kush mund ta mendojë por presidenti turk Recep Tajjip Erdogan kur ishte adoleshent mendonte se do bëhej futbollist. Pasioni për futbollin që i pat nisur që në fillore, vazhdoi duke u rritur gjatë viteve të gjimnazit dhe talenti i tij për këtë sport u zhvillua më tej.
Tajjip Erdogani i cili në atë kohë tërhiqte vëmendjen me shkathtësinë e tij në fushë, pranoi një propozim që iu bë dhe për një mijë lira u transferua në klubin e sportit Xhamialltë. Të frymëzuar nga stili i tij i lojës që të kujtonte Bekenbauerin e famshëm, i ngjitën nofkën ‘Imam Bekenbauer’.
Në vitin 1975 transferohet në ekipin e IETT-së, Ndërmarrjes së Transportit Urban të Stambollit. Tashmë e fitonte jetën duke luajtur futboll. I ati mendonte se marrëdhënia e të birit me futbollin ishte një pasion kalimtar dhe dukej indiferent ndaj ecurisë së tij profesionale. Kur pa kaluar shumë mori vesh propozimin që iu bë për t’u transferuar në Eskishehirspor, i hipën kacabunjtë. Duke i thënë “Unë dua që ti të studiosh e të bëhesh njeri kurse ti merresh me punë të kota,” nuk e lejon ta pranojë propozimin.
Vite më vonë Tajjip Erdogani do t’i pohonte një gazetari: “Për shkak të tim eti kam humbur shumë raste si ky.”Një nga rastet që me peng në zemër i quan “të humbura”, ndoshta më i rëndësishmi, ishte propozimi për t’u transferuar në klubin e Fenerbahçes.
Në vitin 1976, në stadiumin e Vefas luheshin ndeshjet finale të kategorisë amatore të Stambollit. Performanca e Tajjip Erdoganit i cili luante në sulm me ekipin e IETT-së, arriti ta emocionojë trajnerin e Fenerbahçes të asaj kohe, Toma Kaleperoviçin i cili po ndiqte ndeshjen. Kaleperoviçi ia propozoi klubit Erdoganin duke kërkuar blerjen e menjëhershme të tij.
Tajjip Erdogani fluturoi nga gëzimi kur mori vesh për propozimin e Fenerbahçes, megjithatë, duke menduar se do të haste në kundërshtimin e babait, kërkoi dy ditë kohë për t’u përgjigjur. Si përfundim, si pa që përpjekjet e tij për të bindur të atin nuk do të jepnin rezultat, u detyrua ta refuzonte këtë propozim që ndoshta do t’ia kthente jetën drejt një rrjedhe krejt të ndryshme.
Ndërkohë që vazhdonte të luante futboll, nuk e la pas dore karrierën politike. Në vitet kur filloi universitetin vazhdoi në detyrat që kishte marrë përsipër në Unionin Kombëtar të Studentëve si dhe i hapi derën periudhës së “çirakllëkut” të karrierës së tij politike duke mos neglizhuar asnjë aktivitet të degëve rinore të Milli Selamet Partisi.
Në vitin 1976, kur u bë kryetar i degës rinore të MSP-së për Bejollunë, ishte i ndërgjegjshëm se kishte hyrë në një rrugë pa kthim dhe se politika do të zinte një vend shumë të rëndësishëm në jetën e tij paskëtaj. Pa kaluar shumë u ndërgjegjësua edhe për diçka tjetër.
Në jetën e tij kishte një mungesë që nuk mund ta mbushnin as futbolli dhe as politika; ishte njëzet e tre vjeç dhe beqar! Kur në vitin 1977, në një mbledhje të organizuar nga partia hasi në një palë sy të drojtur që e ndiqnin me admirim, kuptoi se mungesa brenda tij nuk do të vazhdonte për shumë kohë. Po të kemi parasysh se ndjesinë e tij në atë moment e shpreh me fjalët: “Ishte një ndjesi që nuk e kisha provuar deri atëherë,” mund të themi se ndoshta ishte hera e parë që binte në dashuri.
Fjala që shpreh ndjenjat e Tajjip Erdoganit në atë çast, ndonëse e ka të vështirë ta pohojë, në formën më të pafajshme është ‘dashuri me shikim të parë’, dhe emri i kësaj zonje të re për të cilën thotë: “Edhe ne e ndjemë atë në zemrën tonë,” ishte Emine Gylbaran.
Emine Gylbaran ishte nënkryetare e Shoqatës së Gruas Idealiste, shoqatë që e kishte themeluar bashkë me Shule Jykselin në Yskydar. Siç e përshkruajnë shoqet e saj, “ndonëse ishte shumë e ndjeshme, ishte gjithashtu e vetëpërmbajtur, e vendosur, e hedhur dhe e realizonte atë çka e vinte në kokë. Gjithashtu lexonte shumë bukur Kur’an.”
Tajjip Erdogani nuk humbi aspak kohë për ta vlerësuar këtë rast të bukur që i nxorri fati. Më 4 korrik 1978 u martuan. Patën katër fëmijë: Ahmet Burakun, Nexhmeddin Bilalin, Esranë dhe Symejjen.
Teksa pranonte propozimin e Tajjip Beut për martesë, Emineja e dinte se kujt do t’i thoshte po ose jo. “Çdo grua dëshiron që bashkëshorti i saj të jetë pranë fëmijëve,” thoshte në një intervistë.
“Por megjithëse edhe unë e dëshiroja këtë gjë, gjithmonë i kam mbështetur detyrat e tij. Në lutjet e mia kam kërkuar të martohem me dikë që i është përkushtuar kësaj pune.” Nëse gjatë jetës së tij politike të kaluar me një mijë e një vështirësi Tajjip Erdogani nuk është detyruar të kthejë kokën prapa e të shqetësohet për fëmijët që ka lënë pas, roli i Emine Erdoganit në këtë ka qenë i madh.
“Kur Tajjip Erdogani hyri në burg, Emine Erdogani i vazhdonte punët e vetme. Do të mbante një fjalim për të ngushëlluar anëtarët e partisë të mbledhur në një sallë dasmash në Çekmekoj. Salla qe mbushur plot. Pronari erdhi dhe na paralajmëroi duke thënë se ndërtesa ishte gati të shembej. Hekurat e ballkoneve dhe parmakët e shkallëve qenë thyer.
Burgimi i padrejtë i Tajjip Beut kishte shkaktuar zemërim të madh dhe kushdo që kishte dëgjuar se kishte ardhur Zonja Emine, qe derdhur në rrugë duke qarë. Fjalimin e kishte shkruar vetë, dhe ishte një fjalim shumë i fuqishëm. Kur tha ‘Këto ditë do të kalojnë, ditë të bukura na presin,’ i dridhej zëri. I qetësoi të gjithë ata që qanin.
Forca e saj e karakterit ishte e pabesueshme. Ishte aq e fortë dhe aq e mbushur me besim sa dukej si një amazonë kokëzbuluar. Nuk i la aspak pas dore punët. Prandaj dhe s’mund të them thjesht ‘grua lideri’ për të; ajo është një grua me shpirt dhe karakter prej lideri.”