Ndërsa afron 70-vjetori i Nakba-s – kur 700 mijë palestinezë humbën shtëpitë e tyre pas krijimit të Izraelit – familjet fermere në bregun Perëndimor rrëfejnë betejën e tyre të mbijetesës.
Në mes të shekullit të kaluar, banorët e fshatit Al Walaja, jo shumë larg prej Jerusalemit, e konsideronin veten e tyre me shumë fat.
Kodra pjellore, të tarracuara për të rritur perime dhe fruta, zbrisnin në luginë ku një hekurudhë e epokës osmane lidhte Jeruzalemin me portin mesdhetar të Jaffa-s. Afër një stacioni, fermerët e Al Walaja kishin gjithnjë blerës për thjerrzat e tyre, specat e kastravecët. Mohammed Salim, i cili thotë se po u afrohet të tetëdhjetave, pasi ka lindur “diku në vitet ‘40”, kujton fushat e pafundme, prona të familjeve të fshatit. “Nuk kishte asgjë tjetër”.
Sot, Salim jeton në atë që është shndërruar shpejt në enklavë. Në vitin 2018, Al Walaja qëndron në një grusht të vockël toke nga ajo që zotëronte kur ai ishte fëmijë. Gjatë jetës së tij, dy luftëra kanë zhvendosur të gjithë banorët e fshatit dhe kanë gëlltitur pjesën më të madhe të tokave. Më shumë toka u konfiskuan më pas për vendbanimet hebreje. Dhe në dy dekadat e fundit, një mur i lartë prej betoni dhe gardh me gjemba kanë ndarë atë që mbetet nga komuniteti ndërkohë që Izraeli pretendon edhe më shumë territore.
Çdo vit, më 15 maj, palestinezët shënojnë përvjetorët e Nakba, apo “katastrofës”, kur qindra mijë njerëz u detyruan të linin shtëpitë e tyre ose u larguan midis luftimeve që shoqëruan krijimin e shtetit të Izraelit, në vitin 1948 pas përfundimit të mandatit britanik. Për banorët e Al Walaja, Nakba ishte fillimi i shtatë dekadave të betejës për mbijetesë.
Salim dhe kushëriri i tij, Umm-Mohammed, kujtojnë se ishte muzg kur nisën luftimet në vitin 1948. Një luftë civile shpërtheu midis forcave hebreje dhe milicisë arabe ndërsa britanikët kërkonin të largoheshin, e shtetet fqinje u bashkuan me luftimet. Banorët kishin dëgjuar zëra për masakrimin e qindra fshatarëve arabë në Deir Yassin nga duart e paramilitarëve zionistë. Të vendosur të mos kishin të njëjtin fat, ata u larguan në tetor kur dëgjuan të shtënat e armëve.
“Si fëmijë, bombat më dukeshin si shalqinj që fluturonin përmes qiellit”, thotë Umm-Mohammed. Babai i saj, kujton ajo, e mbante në njërin krah ndërsa në tjetrin mbante vëllain, ndërsa drejtoheshin përmes shinave të trenit sipër kodrës në anën tjetër të fshatit.
“Ne ndërtuam shtëpi prej druri atje”, thotë Umm-Mohammed, e cila mund të shihte shtëpitë e rrënuara të fshatit prej ballkonit. “Menduam se do të ktheheshim pasi të ndalonin luftimet”.
Sipas agjencisë së refugjatëve të OKB-së, seksioni përgjegjës për refugjatët palestinezë, rreth 70 për qind e tokës së Al Walaja humbi pas shënimit të kufijve midis Izraelit dhe shteteve arabe në vitin 1949. Nga 1600 njerëzit që banonin në fshat, pjesa më e madhe u larguan drejt shteteve fqinje. Rreth 100 prej tyre, si Umm-Mohammed, qëndruan.
Pas luftës gjashtëditore në vitin 1967, kur shteti i ri i Izraelit mori bregun Perëndimor nga Jordania, Al Walaja e gjeti veten të pushtuar. Salim kujton një mesazh që filtroi përmes fshatit, me qëllim nga një komandant izraelit. “Ai tha: kini kujdes dhe mos rezistoni”.
Izraeli më pas aneksoi Jerusalemin Lindor, duke e zgjeruar praninë në qytet dhe praktikisht e preu fshatin më dysh. U imponuan ligjet izraelite, përfshirë edhe kufizimet strikte për ndërtimet, edhe pse pak njerëzve në Al Walaja iu ishin dhënë të drejtat e banimit.
Në majë të fshatit të ri ishte një bazë osmane, që ishte marrë me radhë në kontroll nga britanikët, jordanezët dhe në fund edhe nga ushtria izraelite. Gjatë viteve 1970, vendi u transformua në një vendbanim hebre, me emrin Har Gilo, që u konsiderua i paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar, e që së bashku me një vendbanim tjetër e bllokon fshatin Al Walaja nga të dyja anët. Flamujt izraelitë valëviten nga ballkonet.
Salim thotë se komunitetet flasin rrallë. “Deri tani, ata janë njerëz të sjellshëm”, thotë ai, duke vështruar lart murit të fortifikuar që rrethon vendbanimin.
Në fillim të viteve 2000, Izraeli nisi ndërtimin e një pengese në përgjigje të dhunës në të gjithë vendin, ku përfshiheshin edhe sulme vetëvrasëse. Al Walaja u rrudh sërish, duke e gjetur veten akoma edhe më shumë të izoluar me mure betoni. Rruga origjinale e pengesës do ta kishte ndarë fshatin ekzistues në dy, por gjykata e lartë e Izraelit e hodhi poshtë. Tashmë muri rrethon fshatin Al Walaja nga tre anë dhe izolon rreth 30 për qind të tokës së mbetur të tij.
“Eshtë bërë një shtet-rrethim rreth fshatit”, thotë 47-vjeçari Khader Al Araj, president i këshillit të fshatit. Ai manovron në tabelën metalike plot me harta të gjymtuara. “ Na është marrë e gjithë toka”.
Tashmë, i përbërë nga 2600 persona, Al Walaja ekziston ende, por e ardhmja e tij, për të thënë më të paktën, është e dyshimtë. Në dekadën e kaluar, policia izraelite ka vendosur një pikëkalim kontrolli në luginë që pjesa më e madhe e banorëve nuk mund ta kalojnë. Fushat e izoluara mbeten të pakultivuara, ndërsa bashkia e Jerusalemit ka shkatërruar me bulldozer dhjetëra shtëpi. Edhe shumë urdhëra të tjerë prishjeje mbeten pezull. Dikur i famshëm për burimet e tij, Al Walaja po i humbet edhe ato, po ashtu. Një gardh me tela rrethon burimin më të madh në fund të kodrës. Dhitë e fermerëve nuk mund të pijnë më atje.
Kërcënimi më i fundit në dukje është pa zarar – një park kombëtar izraelit në luginë. Bashkimi Europian thotë se parqet kombëtare në territoret e pushtuara përdoren për të ndaluar palestinezët të ndërtojnë në këtë tokë. Autoriteti i Parqeve thotë se mbështet punën në bujqësi, por nuk do të lejojë “ndërtime të paligjshme”. Përgjatë vitit të kaluar, pengesat janë shtuar edhe më shumë, me një gardh katër metra të lartë që mbuloi telat me gjemba. Një pikëkalim policor do të ngrihet më tutje në territorin e Al Walaja, duke i ndarë banorët edhe më shumë nga pjesa tjetër e tokës së tyre. Sfida ligjore kanë ngadalësuar planet izraelite, por në fund pjesa më e madhe e projekteve ia kanë dalë të zbatohen.
Megjithatë, Al Walaja duket ende si një prej fshatrave më tërheqës të tokës së Shenjtë. Pemë kajsish dhe lule zbukurojnë rrugët plot erë, mbjellë në shenjë krenarie, siç thonë banorët, për copëzën e vogël të tokës që ende kanë. Një simbol i shkatërrimit të jetës palestineze, Al Walaja ka tërhequr sponsorizime nga shtetet e huaja që kanë simpati për atë që ai përfaqëson. Rrugët e tij janë të mbuluara me pllaka, falë fondeve të disa qeverive për rrugë të reja.
Al Araj duket i dërrmuar, por beson se vetë-respekti është pjesë e betejës. “Ne përpiqemi shumë fort ta mbajmë fshatin të bukur”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/