1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Historia e agjentit të CIA-s, që u kap rob dhe u pushkatua me shumë grekë tjerë nga regjimi i Enverit

Më të lexuarat

Më poshtë mund ta lexoni historinë e 23-vjeçarit Nikos Akrivojanis, të pilotit grek që u ul me aeroplanin e tij afër qytetit të Sarandës dhe u pushkatua pasi u zbulua se ishte agjent i CIA-s. Ai deklaroi se kishte shkuar në Shqipëri pasi e urrente regjimin shtetëror në Greqi. Por, në të vërtetë kishte tjetër mision. Detajet për 27.al i sjell Arben Llalla.

Në kufirin greko-shqiptar në zonën e Çamërisë funksionin disa zyra dhe baza sekrete të CIA-s për të përgatitur shqiptarët e arratisur për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës. Kampet ku stërviteshin të arratisurit shqiptar mbështeteshin në mënyrë sekrete edhe nga shërbimi inteligjent i Greqisë.

Gjatë viteve 1949-1956, në Shqipëri ishin strehuar rreth 35 mijë grekë të ushtrisë komuniste, të cilët erdhën pas luftës qytetare greke 1945-1949. Grekët e ushtrisë komuniste shiheshin si një rrezik i madh për rrëzimin e qeverisë së Greqisë që mbështetej fort ato viteve nga Anglia dhe SHBA.

Ishte prilli i vitit 1952, kur aeroplani i ushtrisë greke që e drejtonte piloti Nikos Akrivojanis, u ul në territorin e Shqipërisë. Piloti grek pretendonte se ishte një i arratisur nga Greqia, ndërsa gjykata shqiptare e dënoi me burgim për spiunazh.

Për disa vite Nikos Akrivojannis quhej tradhtar, por me kalimin e viteve ai u rehabilitua, pasi u vërtetua se kishte qenë me mision të zbulimit dhe kundërzbulimit grek në bashkëpunim me CIA.

Nikos Akrivojannis vinte nga një familje greke nga Selaniku dhe babai i tij kishte qenë ushtarak i lartë i regjimit të Elefteros Venizellos. Akrivojannis për dy vite u stërvit në kampet sekrete të CIA-së, nga 1950-1952, ku merr edukimin komunist – mënyrën politike marksiste-leniniste.

Emri i koduar i tij si agjent i CIA- ishte “Lokris”. Pas gjykimit, Nikos u dërgua në kampet ku ishin edhe të burgosur të tjerë grekë, të cilët ishin zënë rob në provokimet e gushtit 1949.

Sipas historianit grek Stavros Dajos, gjatë marrjes në pyetje dhe gjyqit nuk doli informata rreth misionit sekret të pilotit Nikos Akrivojannis. Ai u dërgua fillimisht në një kamp në Lushnjë ku gjendeshin edhe shumë grekë të tjerë. Në kamp Nikos Akrivojannis krijoi një organizatë sekrete të robërve me synim të t’u arratisur, por u spiunua nga një tjetër bashkatdhetar pranë autoriteteve shqiptare, kështu që u kap gjatë tentativës më 13 dhjetor 1953. Pastaj u dënua me vdekje nga Gjykata e Beratit në korrik dhe u pushkatua më 14 gusht 1954.

Kështu përfundoi piloti grek Nikos Akrivojannis, i cili u ngarkua me mision sekret nga sigurimi i Greqisë dhe CIA, por që në Greqi u gjykua zyrtarisht për tradhti kombëtare, ndërsa në Shqipëri u dënua për spiunazh.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit