0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Hipokrizia shoqërore

Më të lexuarat

Nga: ardhmeriaonline

Hipokrizia shoqërore

I ftuar: Doktor Nexhm Abdurrahman Khalef.
Profesor asistent i studimeve islame në universitetin e shkencave dhe teknologjisë në Axhman. Veprat e tij në fushën e studimeve islame arrijnë në 29.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Paqja e Zotit qoftë mbi ju! Ju urojmë mirëseardhjen në programin tonë javor “Familjet e lumtura”, për të cilin kemi zgjedhur si moto “Derisa lumturia të jetë tradita jonë”.
Tema e këtij emisioni është “Hipokrizia shoqërore”. Është e ditur që nëse flasim mbi marrëdhënet bashkëshortore, patjetër që do të flasim mbi sinqeritetin dhe çiltërsinë.
Kurse hipokrizia shoqërore është sëmundje, e cila nëse haset në marrëdhëniet bashkëshortore, padyshim që kontribuon në shkatërrimin dhe rrënimin e këtyre marrëdhënieve.
I ftuari ynë në këtë emision është doktori Nexhm Abdurrahman Khalef, të cilit i urojmë mirëseardhjen!”
Dallimi mes komplimentit dhe hipokrizisë
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Dallimi mes komplimentit dhe hipokrizisë është shumë i gjerë. Fjala kompliment (në arabisht muxhamele) rrjedh nga fjala “bukuri” (xhemal). Zoti është i bukur dhe e do bukurinë. Ai që bën komplimenta, e bën ngaqë i respekton të tjerët, mund t’a bëjë për diplomaci dhe xhentilesë etj… Ai di të reagojë sipas vendit, nuk nevrikoset dhe jep përgjigje të mirëpritura.
Ndërkohë që hipokrizia është e përbuzur tek të gjitha fetë dhe ideologjitë. Fjala hipokrizi (në arabisht nifak) rrjedh nga fjala tunele (nefakat). Miu i arave, zakonisht hap shumë tunele nën tokë. Këtë e bën, me qëllim që të humbasë kafshët grabitqare në raste sulmi. Në raste rreziku, ai përdor këto tunele dhe labirinte për t’i shpëtuar rrezikut. Madje, ndonjëherë ai e ndërton tavanin e tunelit shumë të hollë dhe në raste rreziku e shemb atë duke e bllokuar tunelin dhe shpëton. Po kështu është dhe hipokrizia, ajo ka shumë vrima, hyrje dhe dalje.
Prandja, Hasan Basriu thoshte: ”Origjina dhe baza e hipokrizisë është gënjeshtra”.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Kjo do të thotë që çdo hipokrit është gënjeshtar?!”
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Po, kjo është e  vërtetë.”
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Krahasimi që bëtë mes hipokritit dhe miut të arave, m`u duk një krahasim me vend dhe shumë i bukur. A mund të themi se një bashkëshort ose bashkëshorte hipokrite, përdor më shumë se një hile dhe dredhi? A i përngjan hipokrizia shoqërore asaj që bënte miu i arave?”
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Në fillim dua të bëj një vërejtje, ku hipokrizinë nuk duhet t’a marrim si diçka burimore dhe të mirëqenë në marrëdhëniet bashkëshortore. Në fakt, baza e marrëdhënieve bashkëshortore është larg çdo hipokrizie.
Hipokrizia dhe dyfaqësia, më bën të ndalem pak dhe në çështjen e konformizmit, pas të cilit fshihen synime dhe objektiva të shumta. Objektivat dhe synimet mund të jenë të ndershme por edhe jo të ndershme. Konformizmi ndonjëherë mund të përdoret për mirësjellje, për shkak të natyrës së butë të dikut, për t’u mbrojtur nga një e keqe e pritshme etj… Me konformizëm, ti ndonjëherë përpiqesh të ruash kompaktësinë, harmoninë familjare dhe atë bashkëshortore.
Mund të ndodhë, që konformizmi të përdoret dhe për qëllime fetare. Zoti thotë në Kuran duke iu drejtuar Musait dhe Harunit (a.s): ”Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet a frikësohet!” (Taha: 44)
Nëse dikush bën komplimente dhe tregohet konformist për qëllime fisnike dhe sidomos fetare, ai shpërblehet për këtë.
Gratë bëjmë komplimente më shumë se burrat
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Thuhet që gratë bëjnë më shumë komplimente se burrat. Cili është mendimi juaj doktor? A është e vërtetë kjo? Mos ndoshta kjo ndodh për shkak të anës sentimentale të saj? Mos vallë burrat janë më realistë, gjë që i bën ata më pak konformistë?”
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Nëse do të përqendroheshim tek vetitë dhe karakteristikat e burrit dhe gruas, do të gjenim se gruaja konsiderohet si miniera e dashurisë dhe dhembshurisë. Unë e përmend shpeshherë që kush martohet me një grua, e cila e ka arsyen dhe mendjen më të theksuar se ndjenjat e saj, t’a dijë se është martuar gabimisht me një burrë. Bukuria e gruas qëndron tek ndjenjat e saj dhe janë pikërisht këto ndjenja harku dhe shtrembërimi i brinjës, nga e cila u krijua. Shtrembërimi në këtë rast, është virtyt dhe vlerë. Është pikërisht gruaja ajo, që e qetëson dhe ia largon burrit shqetësimet dhe lodhjet e përditshme”.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”A nuk e vëreni, që shpesh herë fjalët tona duken shumë idealiste doktor i nderuar?”
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Padyshim që çdo gjë e ka zanafillën tek një ide, tezë, teori dhe mendim çasti. Më vonë, nëse kjo ide gjen përkrahës që e dëgjojnë dhe më vonë e aplikojnë, ajo kthehet në realitet. Ishte në traditën e të dërguarit të Zotit, që të tjetër t’i përshëndeste me “Selam” pra, paqe, mirësi dhe begati. Nëse burri dhe gruaja në marrëdhëniet e ndërsjellta mes tyre do i përvetësonin dhe zbatonin moralet dhe normat e mirësjelljes, duke i konkretizuar me vepra dhe qëndrime, padyshim që shtëpitë dhe familjet e lumtura do të shtoheshin mes nesh”.
Me dy fytyra
 
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Shumë familje gjenden në konflikt të vazhdueshëm, konflite të cilat përfundojnë me divorc. Kur kërkojmë shkakun, gruaja thotë: ”Burri im ishte njeri me dy fytyra. Para meje sillej ndryshe dhe para të tjerëve ndryshe”.
Disa gra i përshkruajnë burrat e tyre si të pakapshëm, nuk e dallon dot nëse të gënjen ose të thotë të vërtetën. Kjo hipokrizi dhe këto lajka të tepruara, refuzohen nga pala tjetër. Cili është mendimi juaj rreth kësaj?”
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Për raste të tilla unë do të këshilloja vetëpërmbajtjen, si gjënë më të vyer. Janë me dhjetëra, qindra madje me mijëra rastet e konflikteve familjare, polemikave dhe divorceve. Të gjitha këto, ndodhin për shkak të humbjes së kontrollit dhe vetëpërmbajtjes, për të cilën ka porositur vetë i dërguari i Allahut.
Shumë burra e thonë me krenari: ”Unë ia bëj kështu sime shoqeje, fëmijëve, ose vartësve në punë”. Ky është kulmi i ashpërsisë dhe dhunës familjare. Ne jemi dëshmitarë, që marrëdhëniet familjare, bashkëshortore etj… kanë hyrë në qorrsokakun e hipokrizisë, lajkave dhe servilizmit”.
 Prof. Xhasim El-Mutava: ”Si t’a kuptojmë servilizmin?”
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Të jesh servil dhe lajkatar do të thotë, që të sakrifikosh të vërtetën dhe të drejtën, të sakrifikosh vlerat dhe parimet e tua, për interesa meskine. Një njeri i tillë, e shikon të keqen tek fëmijët, bashkëshortja, miqtë dhe shokët etj… dhe jo vetëm që nuk përpiqet t’a ndryshojë, por për interesa të ngushta mund dhe t’a lëvdojë dhe mburrë”.  
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Atëherë mund të themi, që gënjeshtra është një pemë e madhe, me degë, si lajkat, servilizmat etj…”
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Po. Kjo është e saktë”.
Zbulimi i gënjeshtrës nga pala tjetër dhe si të përballemi
Përderisa komplimentet janë diçka e dëshiruar, çfarë duhet të bëjë një grua, nëse zbulon se burri i saj ka lidhje me një grua tjetër? Ose nëse i shoqi i ka dhënë një informacion të caktuar dhe më vonë është parë, që informacioni ishte i gabuar? Si duhet të sillet gruaja në një rast të tillë? Çfarë i këshilloni ju si ekspert të veprojë? A duhet të hiqet sikur nuk di gjë, apo duhet të ballafaqohet me të shoqin? Kjo vlen dhe për bashkëshortin, nëse zbulon diçka të ngjashme për bashkëshorten e tij”.
Dr. Nexhm:”Për raste të tilla, unë dua të përmend dy rregulla të arta, të cilat na i ka treguar vetë i dërguari i Zotit.
E para: “Çdo njeri është gabimtar dhe gabimtarët më të mirë janë ata që pendohen.” Diçka e tillë padyshim që e qetëson zemrën. Një koncept dhe këndvështrim i tillë është shumë real, pasi nuk ka njeri që të jetë i pagabueshëm. Kështu të pranosh që je i gabueshëm, është një faktor më shumë që e shtyn njeriun drejt autokritikës”.
E dyta: “Feja është këshillë”.
Nëse ndodhin gabime dhe faje, në të tilla raste ndërhyn shoqëria e mirë dhe e sinqertë, e cila përpiqet të korrigjojë gabimet dhe shkarjet, duke e këshilluar me dashamirësi dhe edukatë. Vetë Zoti nxit për diçka të tillë, ku thotë: ”Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë!” (Isra: 125) Vetëm në një formë të tillë, ne arrijmë që t’a kthejmë atë përsëri në rrugën e drejtë, pa e humbur.
Përsa i përket problemeve mes burrit dhe gruas, në këtë kontekst unë dua të bëj dallim mes fajeve dhe shkeljeve, që janë përmendur në Kuran dhe traditën profetike, si dhe atyre që dënohen nga ligjet njerëzore. Nëse shkelja është diçka e rëndë, unë mendoj që ndërhyrja duhet të jetë e shpejtë dhe e menjëhershme. Nëse dikujt po i digjet shtëpia për shembull, ai nuk ka kohë të mendohet dhe të planifikojë. Ai duhet të ndërmarrë hapa konkretë dhe të menjëhershëm për shuarjen e zjarrit.
Nëse shkelja ka të bëjë me një gjynah, këtu duhet të tregohemi të prerë dhe të patolerueshëm. Nëse nuk ka të bëjë me diçka që lartpërmendëm, si për shembull, nëse gruaja zbulon se burri ka lidhje me një grua tjetër, por që janë lidhje që i njeh dhe i respekton dhe dispozita islame, atëherë ndërhyrja dhe trajtimi i problemet duhet të bëhet ndryshe.
Me këtë rast, më kujtohet një ndodhi për të qeshur, por që është kuptimplotë. Kjo ndodhi, i ka ndodhur njërit prej shokëve të Profetit a.s, Abdullah ibnu Revahas (r.a). Ai kishte një skllave të bukur, të cilën e donte dhe e merrte malli për të. Por gruaja e tij ishte shumë xheloze për këtë dhe xhindosej, kur i shihte bashkë. Abdullah ibnu Revaha (r.a), gjithmonë përpiqej që të mos i bjerë në sy të shoqes. Një ditë, ai u veçua me skllaven dhe robinjën e tij, duke menduar se nuk do e shohë e shoqja. Por ajo i pa nga larg, morri një thikë dhe iu sul të shoqit duke i ulëritur:”Si e bërë këtë o Ibnu Revaha?! Si e shpërfill gruan tënde të lirë dhe shkon me një skllave?!:
Abdullah ibnu Revaha i tha:”Nuk kam bërë asgjë!”
E shoqja i tha: ”Ti nuk lexon dot Kuran nëse je xhunub. Nëse nuk je i tillë, atëherë lexo ndonjë pjesë nga Kurani!”
Tregon Abdullah ibnu Revaha: ”Duke qenë se isha xhunub dhe nuk mund të lexoja Kuran, i lexova disa vjersha të rimuara mirë”.
Kur i dëgjoi vargjet, ajo i kujtoi se janë pjesë Kurani dhe i tha: ”Për Zotin paske pasur të drejtë. Ndoshta më kanë bërë sytë!”
Në këtë rast, Abdullah ibnu Revaha (r.a), ishte në një të drejtë të tij dhe gruaja duhet t’a ketë parasysh këtë.
Një teleshikues nga Algjeria: ”Nëse ne i servilosemi dhe i bëjmë lajka një personi, vallë si mund të ndihet ai, nëse e kupton që është thjesht një lajkë dhe që ne nuk jemi të sinqertë në ato që themi? Së dyti, cili është shkaku që e bën burrin të jetë i qeshur dhe me humor të mirë jashtë shtëpie dhe kur shkel në shtëpi, kthehet në një person tjetër?
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Si ndjehet tjetri ndërkohë që unë e lëvdoj dhe lajkatoj? Nëse një njeri i tillë është mendjelehtë dhe torollak, e beson atë që thuhet për të edhe pse në thellësi e di, që nuk i merriton ato lëvdata. Por nëse është njeri i mençur dhe i zgjuar, ai i shpërfill këto lëvdata dhe i injoron. Një njeri që të lëvdon me cilësi dhe virtyte që nuk i ke, do të vijë një ditë kur do të shajë për gjëra që nuk i ke”.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Po përsa i përket pyetjes së dytë, rreth atyre bashkëshortëve, të cilët jashtë shtëpisë janë të qeshur dhe në humor, por me të hyrë në shtëpi kthehen të zymtë dhe të ashpër?”
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Për shkak se ne nuk dimë t’a jetojmë dhe ndërtojmë jetën, për shkak se ligjet e Zotit shkelen dhe nuk respektohen, për shkak se harmonisë familjare nuk i kushtohet kujdesi dhe përkushtimi i duhur, gjethet e saj do të fishken dhe thahen përfundimisht. Kushdo që i përkushtohet familjes, qoftë dhe me një buzëqeshje në buzë, me një fjalë të butë, me dhembshurinë, dashurinë, miqësinë, mëshirën etj… lidhjet bashkëshortore do të forcohen, dashuria do të shtohet dhe do të lulëzojë”.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”A është e mundur doktor, që burri të sillet në këtë mënyrë, për shkak të gruas grindavese dhe qaramane?”
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Nëse gruaja e tij është e tillë, ai duhet të përkushtohet që t’a ngrejë nivelin e saj, ashtu siç ngrihet niveli arsimor. Veç kësaj, ne duhet të kemi parasysh dhe diçka tjetër. Nëse gruaja është grindavece dhe qaramane, burri mund të jetë shumë i ndjeshëm dhe në një rast të tillë, faji është i të dyve.
Me këtë rast, më kujtohet Ebu Derda (r.a), një nga shokët e Profetit a.s, i cili i tha gruas: ”Nëse më shikon të nevrikosur dhe të inatosur, përpiqu të më qetësosh. Nëse të shoh unë të tillë, do të përpiqem të të qetësoj dhe kënaq. Në të kundërt do të divorcohemi shumë shpejt”.
Një nga dijetarët e brezit të tabi’inëve, i tha një ditë gruas së tij:
 
Tregohu zemërgjerë dashurinë time të fitosh
Mos nxirr asnjë fjalë, të inatosur kur të më shikosh
Kurrë dashuria dhe urrejtja bashkë nuk qëndrojnë
Po u bashkuan mllefet, dashurinë e dëbojnë.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Ndonjëherë shohim që edhe pse çifti duhen, divorci duket i pashmangshëm. Me këtë rast, më vjen në mendje një ndodhi, ku dy bashkëshortë vajtën në gjykatë dhe kërkuan divorcin. Pasi gjykatësi e pranoi kërkesën e tyre dhe i divorcoi, të dy u ulën duke qarë.
Dikush i pyeti: ”Përse qani, ndërkohë që ju vetë me dëshirë e kërkuat divorcin?!”
Të dy u përgjigjën: ”Ne e duam njëri-tjetrin por nuk mund të jetojmë bashkarisht!”
Kjo ndodhi, i përshtatet vargjeve, që sapo recituat më sipër”.
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Besoj se diçka e tillë ndodh, kur humbet konformizmi dhe administrimi i duhur i konflikteve dhe zënkave. Unë për shembull, mund të mos jem njëqind përqind i kënaqur me drejtorin ku punoj, as me gruan dhe as me fëmijët e mi. Ndërkohë, unë përpiqem dhe këmbëngul në forcimin e marrëdhënieve dhe lidhjeve mes nesh”.
Etika islame
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Në perëndim organizohen kurse dhe trajnime të veçanta, mbi etikën e të sjellurit në shoqëri. Madje janë hapur shkolla dhe universitete, mbrohen tema magjistrature dhe doktorature. Sot mënyrat e të sjellurit dhe etikën e mësojnë diplomatët, funksionarë të ndryshëm dhe personat, që kanë të bëjnë me njerëzit. Ata mësojnë çdo hollësi mbi mënyrën e të sjellurit me grupe të caktuara individësh dhe personalitetesh. Sipas mendimit tuaj, a e shihni të drejtë, që të rinjtë dhe të rejat, që janë gati për tu martuar, të marrin pjesë në të tilla trajnime?”
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Sot ne flasim mbi etiketën në perëndim, ndërkohë që vetë ne jemi umeti i etiketës. Hadithet që flasin mbi etikën e të dërguarit të Zotit janë të shumta, sidomos përsa i përket lidhjeve bashkëshortore. Pasi e shoqja e të dërguarit të Zotit pinte ujë, ai e merrte gotën me ujin e mbetur, dhe pinte ujë nga i njëjti vend ku kishte pirë Aisheja më parë.
Ai i mësonte muslimanët, që edhe për kafshatën që vendosnin në gojën e bashkëshorteve të tyre, do të shpërbleheshin.
Një herë, Aisheja po hante një copë mishi me kockë. Pasi përfundoi, e la kockën tek e cila kishte mbetur një fije dell. Profeti a.s e morri kockën dhe e thithi dellin derisa e hëngri. Diçka e tillë, padyshim që tregon mbi etikën islame në marrëdhëniet bashkëshortore”.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Sapo ka arritur një faks në redaksi, ku një teleshikuese nga Amerika thotë se ajo, burri dhe tre fëmijët e tyre e ndjekin emisionin tonë çdo të martë. Gjithashtu thotë, se nëse teleshikuesit do i dëgjonin dhe zbatonin idetë dhe porositë e këtyre emisioneve, shumë probleme do të zgjidheshin”.
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Edhe unë jam i të njëjtit mendim me teleshikuesen”.
Gënjeshtra për të pajtuar njerëzit në mëri
 
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Konfliktet mes babait dhe vëllait të tij, janë evidente në çdo shoqëri. Ajo që ndodh në të tilla raste është, se babai i porosit fëmijët, madje ua ndalon që t’a vizitojnë xhaxhanë e tyre. Në fakt, ç’më duhet mua konflikti mes babait dhe xhaxhait?! Nëse fëmijët e vizitojnë dhe e përshëndesin xhaxhanë e tyre dhe babai i pyet, nëse e kanë bërë diçka të tillë apo jo, si duhet të përgjigjen fëmijët? Cila është mënyra më efikase në trajtimin e ngjarjeve të tilla?”
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Një nga objektivat e konformizmit dhe komplimentave, është dhe pajtimi mes njerëzve në mëri. Të pajtosh mes njerëzve, që i mbajnë mëri njëri-tjetrit, është diçka shumë pozitive dhe me vlerë. Zoti thotë në Kuran rreth kësaj: “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë, për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh”. (Nisa: 114)
Nëse marrëdhëniet mes babait dhe xhaxhait kanë pësuar një të çarë, atëherë fëmijët duhet të vihen në lëvizje, derisa t’i pajtojnë, pasi konfliktet, zënkat, mëritë etj… janë brisk që rruan fenë dhe besimin që në rrënjë.
Me këtë rast, më kujtohet një ndodhi e vërtetë, ku një djalë shkonte fshehurazi tek xhaxhai i tij dhe e vizitonte. Gjatë vizitës, ai u tregonte mbi disa vlerësime dhe përshtypje të mira, që gjoja babai i tij i kishte thënë për xhaxhanë dhe familjen e tij. Në fakt, babai i tij nuk kishte përmendur asgjë nga ato që thoshte djali, por këtë e bënte me qëllim që të zbusë zemrën e xhaxhait. Kur kthehej në shtëpi, ai nuk u tregonte prindërve dhe i respektonte si më parë. Vetëm për pak kohë, ky djalë arriti që t’a pajtojë babanë me xhaxhanë, në sajë të zgjuarsisë dhe mprehtësisë.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Sipas jush, nëse një fëmijë i tillë pyetet nëse ka vajtur tek xhaxhai apo jo, ai duhet t’i thotë “Jo!”
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Të gënjesh është haram, përveçse në tre raste: Gjatë një proçesi pajtimi mes dy personave në mëri, gjatë luftës dhe në marrëdhëniet bashkëshortore”.
Gënjeshtra është themeli i hipokrizisë
Një teleshikues nga Amerika: ”Mendoj se hipokrizia e brendshme mes dy bashkëshortëve, është më e rrezikshme se ajo e jashtme. Si mund të jenë normale ato marrëdhënie bashkëshortore, të cilat kanë si themel gënjeshtrën dhe hipokrizinë?
Unë mendoj se nëse njëri nga bashkëshortët gabon dhe rrëshket, është më mirë që t’a vërë në dijeni partnerin. Duke ditur që gruaja është e dobët dhe e brishtë, ajo mund të përdorë gënjeshtrën si zgjidhje të problemit dhe fajit që ka bërë”.
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Hipokrizia është dy lloje: Hipokrizi kufri, e cila ka të bëjë me zemrën, e cila në këtë rast nuk i beson të vërtetës dhe ka të bëjë me çështjen e besimit. Në aparencë një njeri i tillë shfaqet si besimtar, ndonjëherë dhe i devotshëm, por në brendësi nuk beson në asgjë nga ato që thotë. Kurse lloji i dytë është në marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe shoqërore. Një njeri i tillë vazhdon të gënjejë, derisa të pranohet tek Zoti si gënjeshtar. Atëherë ai kthehet në burim dhe kamp gënjeshtrash. Siç e dimë, gënjeshtra është një nga degët e hipokrizisë”.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Një teleshikuese nga Amerika ka dërguar një faks, në të cilin thotë se i shoqi e gënjen përsa i përket familjes dhe të afërmve të tij. Ai i viziton ata dhe nuk i tregon të shoqes. Nëse ajo e pyet nëse i ka vizituar apo jo, i thotë që nuk i ka vizituar. Në anën tjetër, e shoqja e zbulon me një mënyrë apo një tjetër që i shoqi i ka vizituar. Nëse përballet me të, ai e akuzon për hamendësime dhe dyshime të kota”.
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Nëse burri e ndjen që  gruaja kërkon dhe e nxit që t’i vizitojë prindërit dhe të afërmit, ai duhet t’i tregojë dhe t’a falenderojë për këtë respekt dhe përkushtim. Por nëse burri e sheh që e shoqja bëhet xheloze, i keqkupton gjërat dhe mendon se i shoqi po u kushton më shumë rëndësi prindërve të tij se asaj, atëherë ai duhet t’a mbajë të fshehtë. Kjo bëhet, me qëllim që të mos vuajë nga keqkuptimet. Kështu, një sjellje e tillë i lihet në dorë burrit”.
Gënjeshtra, mes ndalimit dhe lejemit në disa raste
 
Një teleshikuese nga Libia: ”Unë kam disa vërejtje:
1 – Hipokrizia shoqërore është shndërruar në një sëmundje epidemike dhe po përhapet me ritme të shpejta në shoqëritë arabe.
2 – Përpjekjet e burrit për t’i mbajtur sekrete të shoqes unë e konsideroj shfrytëzim dhe shpërfillje të ndjenjave të saj.
3 – Komplimenti është vëlla i paturpësisë dhe i hipokrizisë. Motoja jonë duhet të jetë ose pro gënjeshtrës ose kundër saj”.
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Ne duhet t’a dimë, që dallimet mes komplimenteve dhe hipokrizisë janë të mëdha. Padyshim që gënjeshtra është e refuzuar sado e vogël apo e madhe qoftë, nëse nuk bëhet për një nga shkaqet e përmendura në hadithin e Profetit a.s.
Nëse gruaja e pyet të shoqin: ”A ke parë grua më të bukur se unë?” Si duhet të përgjigjet i shoqi? Mos vallë duhet t’i thotë “Po, kam parë më të bukura se ty!” Një përgjigje e tillë mund t’a lëndonte të shoqen. Ai mund të ketë pasur lidhje me një femër para gruas së tij, lidhje të cilat kanë përfunduar etj… A duhet t’i tregojë të shoqes për këtë? Ajo mund të jetë shumë xheloze dhe e ndjeshme dhe kjo mund t’a lëndonte dhe mërziste më shumë.
Kështu, unë mendoj se njeriu duhet të sillet me xhentilesë dhe zgjuarsi në raste të tilla, brenda kufijve që ia ka lejuar feja”.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Sapo na ka arritur një faks nga një teleshikues nga Amerika, i cili thotë se ka dashur një vajzë, por është martuar me dikë tjetër. Ai është besnik me të shoqen e tij, edhe pse zemra e tij vazhdon të jetë e lidhur me vajzën që ka dashur më parë.
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Kjo është mbresëlënëse. Edhe pse vazhdon të ndjejë diçka për vajzën që ka dashur, ai i qëndron besnike të shoqes”.
Hipokrizia shoqërore tek arabët
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Teleshikuesja nga Libia përmendi, që hipokrizia shoqërore mes arabëve ëshë më e theksuar se në vendet e tjera. Cili është komenti juaj?”
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Secili mund të shprehet si të dojë, por unë nuk pajtohem me ato që përmendi teleshikueseja. Për një periudhë të shkurtër kohore, kam qenë drejtor i qendrës islame në Mançester. Gjatë kësaj kohe, na vizitoi një delegacion nga Arabia Saudite, mes të cilëve ishte dhe vetë imami i Qabes dhe disa personalitete të njohura. Ata shprehën dëshirën për të vizituar varrezën e muslimanëve në Mançester dhe të gjithë u drejtuam drejt varrezës. Atje gjetëm një grua të moshuar, të cilës i kishte vdekur i shoqi. Ata e kishin sjellë të shoqin tek furra e djegies së kufomave, me qëllim që t’a digjnin. Ishte hera e parë që dëgjoja dhe shihja, që të krishterët i djegin të vdekurit e tyre. Ne e filmuam këtë ndodhi me video. Pasi përfundoi gjithçka, ne e pyetëm të moshuarën: ”Përse kërkove që ta digjnin kufomën e burrit tuaj?”
Ajo na tha: ”Para se të vdesë, im shoq qëndroi i sëmurë për gjashtë muaj. Gjatë kësaj kohe ai më lutej, që të mos ia djeg kufomën pas vdekjes. Gjatë gjithë jetës ai ka qenë egoist dhe para se të vdesë më la porosi që në funeralin e tij të mbahej një fjalim etj… Të gjitha këto janë të kushtueshme. Ndërkohë që djegia kushton vetëm disa centë! Fundin e tij të gjithë e dimë, do e hanin krimbat e tokës!”
Më vonë ne u informuam, se i shoqi kishte qenë një person me emër dhe i kishte lënë trashëgimi të shumtë. Megjithatë, asaj i dhimbseshin shpenzimet e funeralit.
Tani nuk e kuptoj ku është më e përhapur hipokrizia shoqërore më shumë, në perëndim apo në botën arabe!”
Një teleshikuese nga Amerika: ”Burri im ka pasuri të shumta, megjithatë shpenzon shumë pak për ne. Kur i kërkoj diçka, më thotë:”Kemi pak të holla!” A nuk konsiderohet kjo gënjeshtër dhe si duhet të veproj?”
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Të gjithë bashkëshortëve unë dua t’ju kujtoj thënien e Profetit a.s: ”I mjafton si gjynah dikujt, që t’i bëjë të vuajnë ata që ka nën kujdesin e tij”.
“Secili prej jush do të japë llogari  për personat që ka nën përgjegjësi”.
Burrat e kanë obligim, që të sigurojnë shpenzimet e domosdoshme të bashkëshorteve të tyre dhe fëmijëve.
Kjo që i ka ndodhur teleshikueses nga Amerika, ka ndodhur dhe në kohën e Profetit a.s. Hind bintu Utbe, vajti tek i dërguari i Allahut dhe iu ankua për kopracinë dhe makutërinë e Ebu Sufjanit, burrit të saj. Profeti a.s i tha: ”Merr (pa lejen e tij) aq sa të të mjaftojnë ty dhe fëmijëve të tu!”
Diçka e tillë bëhet në raste, kur kryetari i familjes tregohet neglizhent me të drejtat e pjestarëve të tjerë. Gjithashtu, shuma që merret duhet të jetë sa për të plotësuar nevojat. Gjithësesi, me qëllim që të ruhet kompaktësia dhe harmonia në familje, secili duhet t’a vlerësojë vetë si të sillet”.
Hipokrizia tek burrat dhe gratë
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Sipas telefonatave dhe ndërhyrjeve të shumta, duket sikur hipokritët janë vetëm në mesin e burrave. A nuk është e mundur që edhe gratë të jenë hipokrite? A nuk është e mundur, që ajo t’i thotë të shoqit diçka dhe në zemër të ketë diçka tjetër?”
 
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Padyshim. Profeti a.s ka thënë në një hadith: ”Gratë janë motrat e burrave”. Kurse në një hadit tjetër të transmetuar nga Muslimi, Profeti a.s thotë: ”Nëse nuk do të ishte Havaja, nuk do të kishte gra që e tradhëtonin burrin”.
Kur Havaja e pa dobësinë dhe lëkundjen e Ademit a.s, e ndihmoi dhe e nxiti për të ngrënë nga pema e ndaluar. Nëse një grua e mirë shikon ndonjë sjellje të papëlqyeshme nga i shoqi, ajo nuk duhet t’a lëvdojë dhe as të heshtë, por t’a këshillojë me të butë, një herë, dy, tre etj… Ajo duhet t’i bëjë preson me të gjithë mënyrat e mundura, të përdorë të gjithë rrugët emocionale, shpirtërore dhe fizike. Ashtu siç përdor çdo rrugë dhe mjet për të fituar të drejtat e saj, gruaja duhet të përdorë çdo rrugë dhe mjet për t’a udhëzuar të shoqin në rrugën e drejtë, në namaz, sinqeritet, çiltërsi etj…”
Shembuj të hipokrizisë shoqërore
Një teleshikuese nga Amerika: ”Unë kam një problem me hipokrizinë shoqërore. Jam e martuar dhe besoj se të afërmit e bashkëshortit janë hipokritë. Sa herë takohem me ta, më thonë fjalë të mira dhe gjithë respekt. Por kur takohen ose i viziton bashkëshorti, i thonë fjalë të mbrapshta, më shajnë etj… Kur vjen burri në shtëpi, vjen i nevrikosur dhe mes nesh ndodhin zënka”.
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Nëse emisionin tonë të sotëm do të donim t’a konkretizonim me një shembull, nuk do të gjenim shembull më të mirë se ky, që përmendi teleshikuesja. Diçka e tillë është hipokrizi me fjalë dhe vepra, gjë e cila padyshim nxitet nga shejtani, që të divorcojë burrin nga gruaja. Një baba dhe nënë e zgjuar dhe e mençur, duhet që të metat e nuses së djalit t’i mbajnë të fshehta dhe të mos ia tregojnë djalit. Madje, ata duhet t’a lëvdojnë nusen në sytë e djalit. Në të kundërt, një familje e tillë do të ketë vetëm vuajtje dhe zënka. Unë i këshilloj prindërit, që pasi t’i martojnë fëmijët, të distancohen nga nxitja e sherreve dhe shamatave. Ata duhet të kontribuojnë në shtimin e dashurisë mes çiftit dhe jo të kundërtën”.
 Një teleshikuese nga Libia: ”Unë nuk gënjej, por shpeshherë detyrohem të bëj komplimente. Një njeri që jeton në shoqërinë tonë arabe, besoj se është i detyruar të bëjë komplimente. Sa herë që i bëj komplimente ndonjë kolegeje, duke e ditur që ajo nuk është e tillë, kur bie të fle mendoj me vete:”Sot kam gënjyer kaq e aq herë dhe nuk e di si të shpëtoj nga ky kompleks!”
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Besoj se motra nga Libia është njeri me zemër të madhe, e ndërgjegjshme dhe e përkushtuar në fe. Zgjidhja e problemit bëhet më e lehtë, kur ne e dimë shkakun. Kështu, unë e këshilloj motrën që të jetë e sinqertë dhe e çiltër. Gënjeshtra është haram dhe duhet përdorur, vetëm në rastet e lartpërmendura”.
Hipokrizia e gruas është më e rrezikshme
Një teleshikues nga Amerika: ”Hipokrizia e grave është më e përhapur se ajo e burrave, por hipokrizia e burrave është më e rrezikshme. Gruaja mund të luajë rolin e hipokrites nga frika e burrit ose për t’i bërë atij qejfin. E kundërta ndodh me burrin. Komplimentet janë diçka e bukur, nëse nuk shkelin normat dhe dispozitat fetare”.
Dr. Nexhm Abdurrahman Khalef: ”Për Zotin, është gruaja ajo që e hapi derën e hipokrizisë. Zoti thotë në Kuran:” Patjetër që kjo është një nga dredhitë tuaja (të femrave). Në të vërtetë, dredhitë tuaja janë të mëdha!” (Jusuf 28)
Gjithësesi gratë janë motrat e burrave dhe ne nuk mbajmë as anën e burrave dhe as të grave”.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Në fund të këtij emisioni, u falenderojmë juve doktor Nexhm. Derisa lumturia të jetë tradita jonë, u përshëndesim:
Paqja e Zotit qoftë mbi ju!”
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit