0.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Hill: Njohja e Kosovës s’do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në BE

Më të lexuarat

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, shprehu bindjen se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE), por normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore me të.

Në një intervistë për edicionin e 13 qershorit të së përjavshmes NIN, Hill tha se evropianët po i kërkojnë Beogradit “pikërisht atë që thonë se po e kërkojnë, që është normalizimi i marrëdhënieve” dhe shtoi se BE-ja dëshiron paqe dhe siguri në rajon, natyrisht edhe mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj se ata e kanë thënë shumë qartë se ka vende anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja, e rëndësishme, është të përpiqemi të arrijmë normalizimin ku ata kufij nuk do të jenë kufij që ndajnë, por kufij që bashkojnë, kufij që i bashkojnë ata realisht”, tha Hill.

Në prill, Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian e miratoi vendimin përfundimtar për të ndryshuar kornizën negociuese për anëtarësim me Serbinë, duke e kushtëzuar pranimin e saj me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ai theksoi se SHBA-ja mbështet synimet e Serbisë për t’u bërë anëtare e BE-së dhe po përpiqet ta ndihmojë atë “në këtë përpjekje, sepse është mjaft e qartë se Serbia do të jetë në Bashkimin Evropian në të ardhmen”.

Hill nënvizoi se SHBA-ja “e bëri shumë të qartë” se do të dëshironte që Serbia t’u bashkohej sanksioneve kundër Rusisë, por shtoi se Serbia “ka ndërmarrë gjithashtu disa hapa të rëndësishëm për t’ia bërë të qartë Rusisë se nuk pajtohet me agresionin që ajo po kryen kundër fqinjit të vet”.

“Ne kemi një dialog shumë të mirë me Serbinë. Dhe, po, Serbia ka marrë disa masa shumë konkrete për t’ia bërë të ditur Rusisë se ajo që ka bërë në Ukrainë nuk mund qëndron. Dhe, herët a vonë, Rusia do të duhet të arrijë një marrëveshje paqeje dhe të tërhiqet nga Ukraina. Unë mendoj se ne shkojmë mirë me Serbinë”, u shpreh Hill.

Për marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë, Hill tha se “kanë një dialog shumë të mirë, edhe pse nuk pajtohen për gjithçka; për shembull për Kosovën”.

“Por, ne jemi dakord për domosdoshmërinë e paqes dhe sigurisë në Evropë. Dhe, unë mendoj se jemi shumë dakord për faktin se agresioni rus kundër Ukrainës duhet të ndalet. Do të doja që ne të bënim më shumë. Unë mendoj se dy kombet tona kanë shumë të përbashkëta dhe do të doja që lidhjet tona të forcohen në vitet e ardhshme”, shtoi Hill.

Në lidhje me “kuvendin gjithëserb”, i cili u mbajt të shtunën në Beograd, Hill tha se “të gjithë duhet ta kuptojnë se Marrëveshja e Dejtonit është baza e integritetit territorial të Bosnje e Hercegovinës (BeH) dhe integritetit territorial të entiteteve brenda BeH-së, si dhe se këto elemente të Dejtonit duhet të respektohen nga të gjitha palët”.

Hill shprehu shpresën se do të ketë gjykim “dhe njëfarë përgjegjësie” për sulmin e një grupi serbësh të armatosur kundër Policisë së Kosovës shtatorin e kaluar në veri të Kosovës, ku u vra një rreshter policor.

“Sigurisht që nuk ka qenë një ditë që u ka ndihmuar interesave serbe dhe sigurisht që nuk ka u ndihmuar as marrëdhënieve amerikano-serbe”, shtoi Hill.

Ai tha, gjithashtu, se SHBA-ja është “shumë e zhgënjyer” që në Qeverinë e Serbisë janë sërish dy person, të cilët janë nën sanksionet e SHBA-së – zëvendëskryeministri Aleksandar Vulin dhe ministri pa portofol Nenad Popoviq.

“E shihni, unë duhet të shikoj se cila është mënyra më e mirë përpara për gjërat që po përpiqemi të bëjmë me Qeverinë e Serbisë. Dhe, kur komentoni për individë në Qeverinë e Serbisë, nuk jam i sigurt se kjo është mënyra më e mirë. Përpara, sigurisht që kemi shprehur pikëpamjet tona për ata dy individë dhe mendoj se do ta lë mënjanë dhe do të vazhdoj me atë që po bëj këtu”, shtoi ai.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit