1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Hetim i ri kundër Fatmir Limajt – dyshohet për vrasjen e dy civilëve shqiptarë

Më të lexuarat

Fatmir Limaj merret në pyetje në ora 16: 00 si i dyshuar për krime lufte.
Dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e dy civilëve shqiptarë më 2 tetor 1998.
Ramiz Hoxha dhe Selman Binishi ishin vrarë nga UÇK-ja.
Përgjegjësinë e kishte marrë Shtabi i Përgjithshëm.
Prokuroria Speciale, po e heton ish-komandant Çelikun për një rast të ri të krimeve të luftës. Po dyshohet për vrasjen e dy civilëve shqiptarë në rajonin e Malishevës.

Fatmir Limaj, i njohur si komandant Çeliku, dyshohet se ka dorë në ekzekutimin pa gjyq të Ramiz Hoxhës nga Bellanica dhe Selman Binishit nga Banja. Aso kohe Limaj ishte komandant i zonës.

Në këtë cilësi është ftuar që të enjten të merret në pyetje në Prokurorinë Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Insajderi ka mësuar se Limaj do të merret në pyetje sot në ora 16 në Prokurori. Ai është i dyshuari kryesor për këto dy vrasje.

“Është hapur një hetim i ri kundër z. Limaj për krime lufte kundër popullatës civile”, ka thënë burimi i Insajderit.

Prokuroria dhe mbrojtja nuk kanë folur për këtë rast.

“Më kanë pyetur edhe gazetarë tjerë nëse ka një hetim të ri për z. Limaj, por nuk mund të flas”, ka thënë avokati i Fatmir Limajt, Tahir Rrecaj.

Ramiz Hoxha, ishte pushkatuar nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 2 tetor 1998. Atij i ishte prerë edhe koka. Përgjegjësinë për vrasjen e tij e kishte marrë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së me komunikatën numër 4.

Po atë ditë ishte pushkatuar nga e njëjta skuadër edhe i riu Selman Binishi. Arsyeja pse ishte vrarë, dyshohet se ishte fakti se ai u kishte thënë ushtarëve të maskuar të UÇK-së, se e dinte se po i njihte se kush janë ata. Skuadra, e kishte futur në bagazh të veturës duke e dërguar në një mal dhe duke e pushkatuar së bashku me Ramiz Hoxhën.

Një letër e shkruar me dorë i ishte lënë Hoxhës në xhep. Me të njollosej se ishte bashkëpunëtor i armikut. Por, kjo akuzë demantohej nga komunikata e Shtabit të Përgjithshëm.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Drejtoria e Shërbimit të Policisë Sekrete, në emër të popullit shpall këtë fletëekzekutim: për shkak të bashkëpunimit me okupatorin, ndjelljes së frikës, panikës dhe urrejtjes, në emër të popullit shqiptar dhe në emër të luftës tonë çlirimtare dënohet me vdekje Ramiz Hoxha – Bellanicë si tradhtar i kombit. Fati i tillë do t’i pret çdo tradhtar tjetër”, shkruan në fletëekzekutimin që i ishte lënë në trup Ramiz Hoxhës, më 2 tetor 1998.

Ramiz Hoxha-Bellanic vrasja

Viktima ishte arrestuar në xhaminë e fshatit të tij në Bellanicë nga persona të maskuar dhe me uniforma të UÇK-së. Ishte dërguar në një vend tjetër dhe ishte ekzekutuar.

Pak ditë më vonë ishin arrestuar dy aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Shtabi i Përgjithshëm kishte lëshuar komunikatë për këtë. Konfirmonte vrasjen e Hoxhës dhe Binishit.

“Policia Ushtarake e nënzonës operative të Pashtrikut me datën 30. 10. 1998 ndërmori masën e arrestit ndaj Jakup Kastratit nga fshati Turjakë të Komunës së Malishevës, kryetar i LDK-së, Dega në Malishevë dhe Cenë Deskut, nga fshati Siqevë me vendbanim në Malishevë, nënkryetar i kësaj dege”, shkruan në komunikatën e Shtabit të UÇK-së.

“Në bazë të të dhënave të Shërbimit informativ të UÇK-së të lartpërmendurit kanë propaganduar për dorëzimin e armëve në bashkëpunim me kolaboracionistët, Selman Binishi nga fshati Banjë dhe Ramiz Hoxha nga Bellanica, kohë më parë i ekzekutuar nga UÇK-ja si dhe janë në koordinim të vazhdueshëm me Agim Krasniqin, anëtar i Kryesisë së LDK-së i cili shërbimit informativ të UÇK-së i është i njohur si inspirues i luftës speciale kundër UÇK-së dhe nismëtar i njëfarë policie autonomiste të Kosovës”, thuhet në tej në komunikatën numër 4.

Drejtoria Policisë Ushtarake të UÇK-së thoshte se sektori i hetuesisë, është duke kryer hetime kundër të arrestuarve, Jakup Kastrati dhe Cenë Desku në burgun hetues numër 3.

“Prishtinë, 1. 11. 1998. Drejtoria e Policisë ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Dëshmitarët kanë dhënë një version krejt tjetër të ngjarjes.

Djali i tij, Ramiz Hoxhës, Fadili dhe dëshmitarët tjerë që janë ndodhur në xhami dhe në shitoren e fshatit atë ditë, kanë thënë se i njeri ishte marrë për shkak se e kishte mbrojtur hoxhën e fshatit të cilin kishin shkuar ta merrnin persona të maskuar.

“Në xhami kanë hyrë njerëz të maskuar me pretekst për të arrestuar hoxhën e fshatit. Në atë moment ka dal Ramiz Hoxha dhe i ka pyet se kush janë dhe çfarë kërkojnë në xhami. Baba jem në atë moment ka thënë: këtu nuk ka hoxhë dhe ne nuk mund ta japim hoxhën në xhami, urdhëroni shkojmë te unë në odën time dhe atje do të vijë hoxha dhe do të bisedojmë”, i ka thënë hetuesve i biri i Ramiz Hoxhës. Ai ka thënë se në atë moment ishin tërhequr nga xhamia dhe kishin hipur në veturë.

“Baba jem ka hyrë në veturë të ushtrisë dhe nisen për në odë. Në mënyrë më mashtruese e tradhtojnë dhe shkojnë në drejtim tjetër me rast edhe e ekzekutojnë”, ka thënë Fadil Hoxha.

Për vrasjen e Selman Binishit, dëshmitarët kanë treguar se ai kishte hyrë në një shitore për të pirë diçka. Në atë moment kishin hyrë personat e armatosur e të maskuar duke pyetur për hoxhën e fshatin Bellanicë.

I ndjeri u kishte thënë atyre se po i njihte se kush janë. Sipas dëshmitarëve, njëri prej burrave të armatosur e kishte goditur me kondak të armës duke e alivanosur. E kishin futur në bagazh dhe e kishin ekzekutuar së bashku me Ramiz Hoxhën.

Ekzekutimi i tyre ishte bërë në fshatin Kravasari të Malishevës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit