Ky artikull është shkruar Jurija Brnada, e lindur gjatë luftës më 1993, me ndihmën e heroinës myslimane që shpëtoi jetën e nënës së saj.
Ulfeta Tuco – mamia nga Vitezi i Bosnje dhe Hercegovinës – në jetën e saj ka ndihmuar në lindjen e 11 mijë foshnjave. Në duart e saj asnjë nënë e asnjë bebe nuk ka humbur jetën.
Gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, në një maternitet të improvizuar në shtëpinë e saj, gratë kanë lindur nën dritën e qiririt. Nuk kishte as energji elektrike e as ujë. Në përroskë lante, në bodrum ziente. Shtëpia e saj ishte strehë për nënat nga e gjithë Bosnja qendrore, pavarësisht nga feja dhe kombësia.
“Kurrë nuk i kam ndarë njerëzit. Për mua ishin të njëjtë. Por, ndodhi të mos ishin… Unë as sot nuk e di se çfarë ndodhi”, ka thënë Ulfeta për portalin dnevnik.ba, transmeton Telegrafi.
Në ditën e katërt të fillimit të luftës, ajo merr një telefonatë nga fshati Krizhanqevë. Nga ana tjetër e dëgjueses vinte zëri i vuajtur që kishte nevojë për ndihmë e që thoshte: “Gruaja po vdes”!
“E thirra Policinë për të parë se çfarë mund të bëja. Më thanë se nuk jam normale. Pasi insistova të shkoja, polici erdhi tek unë. E vesha jelekun anti-plumb dhe u shtriva në ndenjësen e pasme. Rrugës shtinin nga të gjitha anët. Për fat, arritëm me kohë dhe gruaja mbijetoi. Quhej Ruzhica. Edhe foshnja e saj shpëtoi”, thotë ajo.
Gjatë luftës, në një maternitet të improvizuar, në shtëpinë e saj lindën 325 gra. Por, se lufta e shfaq më të keqen njerëzve është bindur edhe ajo.
“Lufta është gjëja më e keqe në jetë që mund t’i ndodhë individit. Lufta më kishte ndarë nga njerëzit që i konsideroja si të mijtë. Kurrë këtë nuk kam mundur ta përballoj”, thotë ajo. “Njerëzit tregonin karakteret e liga. Një i ri më rreh para shtëpisë, për toke. Pas një jave, pa pikë turpi ma sjell gruan për të lindur. Fqinji i parë e vjedh lopën me të cilën ushqeja të porsalindurit. Kanë shtënë me plumba drejt meje”.
Deri në përfundimin e luftës, një organizatë italiane dhuron mjetet për lindje normale, të cilat dërgohen në shtëpinë e shëndetit në Vitez. Aty, me ndihmën e saj, lindin 125 gra tjera, transmeton Telegrafi.
Ulfeta ka lindur në Zhepçë. Babai i vdes kur ishte dy vjeçe e nëna e vetme rritë shtatë fëmijë.
“Të gjithë jemi shkolluar. Kurrë nëna nuk ka thënë se e ka të vështirë e se nuk mundet diçka. Ishte siguria dhe forca ime”, thotë ajo.
Në vitin 1955 mbaron shkollën e Mjekësisë në Sarajevë dhe menjëherë punësohet në Vitez ku kalon tërë jetën. Në vitin 1995 shkon në pensionim të parakohshëm, që e përjeton si moment tjetër të rënd të jetës së saj.
Ulfeta sot lufton me kancerin. Por, nuk dorëzohet!
“Për të gjithë kanceri është tmerr. Por, në jetë duhet pranuar atë. Çfarëdo qoftë. Duhet ta pranosh dhe të luftosh sa të mundesh. Jetoje të sotmen, më së miri që di. Jep gjithçka për të tjerët. Bëhu njeri”, thotë ajo.