1.3 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Helmimi në Deçan: dy zyrtarëve të “Hidrodrinit” në akuzë

Më të lexuarat

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të kompanisë rajonale ‘Hidrodrini’ lidhur me helmimin e mbi 1,500 qytetarëve të Deçanit dhe fshatrave përreth në korrik të vitit të kaluar.

Prokurori i rastit, Dorjan Juniku tha se drejtori teknik i “Hidrodrinit” dyshohet për veprën penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe kimistja e kësaj kompanie dyshohet për veprën penale “mosevitim i rrezikut”.

“Në rastin konkret është e vërtetë se mbi 1,500 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, mirëpo 872 kanë pasur simptome që i referohen helmimeve nga uji i pijshëm, për çka edhe nga raporti gastroenteritit epidemiologjik i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike është konstatuar se të njëjtit kanë pasur bakterie Escherichia Coli dhe bakterin e njohur si Novo Virus”, tha Juniku.

Ai shtoi se në ujë ka pasur mungesë të klorit dhe se kompania “Hidrodrini” nuk ka bërë testime të rregullta për cilësinë e ujit.

Në korrik të vitit të kaluar, mbi 1,500 persona në Deçan dhe dhjetë fshatra përreth kishin kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare, për shkak se kishin simptome të helmimit. Prokurori Juniku tha se në mesin e personave që kërkuan ndihmë ishin edhe 51 fëmijë.

Pas rritjes së numrit të pacientëve që kërkonin ndihmë mjekësore, autoritetet lokale të Deçanit kishin rekomanduar qytetarët që të mos e përdornin për pije ujin e ujësjellësit në këtë komunë. Për më tepër, Komuna e Deçanit kishte njoftuar se ka nisur hapa për të themeluar një ndërmarrje të re komunale, me qëllim që të shkëputet nga “Hidrodrini”.

“Hidrodrini”, përveç Deçanit, furnizon me ujë edhe Pejën, Istogun, Klinën dhe Junikun. /rel/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit