1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Hekurudha e Hixhazit

Më të lexuarat

Sali Gylen

Para plot një shekulli, saktësisht në vitin 1908, trenat e avullit qarkullonin nga stacioni i trenave në “Hajdar Pasha” në Stamboll drejt Medinës së Ndritshme, duke shpallur dhe duke e bërë të ditur se një ëndërr u bë realitet, që shihet me sy dhe dëgjohet me vesh. Një shtatori i vitit 1908 ishte dita kur përfunduan punimet në hekurudhën e Hixhazit dhe, po atë ditë, treni qarkulloi për herë të parë pas plot tetë vjetësh punimesh intensive, që rezultuan me ndërtimin e një hekurudhe të gjatë 1400 km. Ëndrra për të parë tymin e dendur duke u ngritur në qiell nga treni me avull, që qarkullonte nga Stambolli deri në tokat e Hixhazit, u bë realitet, ndonëse ishte thuaja një ëndërr e parealizueshme.

Ideja e projektit

Vija e hekurudhës së Hixhazit në fletëregjistrat osmane është e njohur me emrin “Via Shemendfer e Hixhazit”, ose “Vija hekurudhore el-Hamidi e Hixhazit”, gjatësia e së cilës ishte prej Shamit (Damask) deri në Medinën e Ndritshme. Në projektplanin e vijës hekurudhore të Hixhazit ishte paraparë që ajo të zgjatej deri në Mekë dhe prej aty më pastaj deri në Xhedë (Xhedde), mirëpo asnjëri prej këtyre nuk u realizua.

Edhe pse ideja për ndërtimin e kësaj hekurudhe ishte shfaqur qysh në kohën e sulltan Abdulazizit, ajo do të realizohej në kohën e sulltan Abdulhamidit të Dytë.

Sulltan Abdulhamidi, edhe pse tërë mundin dhe veprimtarinë e tij e kishte përqendruar për të vepruar kundër copëtimit, shkatërrimit dhe mosfunksionimit të shteti osman, megjithatë mori mbi supet e veta barrën e realizimit të projektit të hekurudhës së Hixhazit. Sulltan Abdulhamidi i Dytë detyrën e realizimit të këtij projekti gjigant ia kishte besuar “Ahmet Izet Pashës”, i cili në histori njihet me emrin “Izet Pasha arab”. Ky projekt përfshinte ndërtimin e një linje hekurudhore në Hixhaz, e cila do të lidhte linjat hekurudhore të Anadollit dhe të Bagdadit, gjithashtu edhe themelimin e një lidhjeje të rrjetit telegrafik përgjatë linjës hekurudhore; për se sulltan Abdulhamidi ishte i bindur që ajo do të krijonte lehtësira në proceset e komunikimit dhe mbajtjes së lidhjeve në mes qendrës së shtetit osman dhe vilajeteve të tij në Sham dhe Hixhaz.

Motivet dhe qëllimet

Pati një gamë motivesh dhe qëllimesh që e kishin shtyrë sulltan Abdulhamidin për ta ndërtuar linjën e Hixhazit dhe rrjetin telegrafik. Këto qëllime ishin të llojllojshme: fetare, ushtarake, ekonomike, qytetëruese dhe politike. Qëllimi fetar, s’ka dyshim se ishte prioritar, sepse ky projekt kishte për qëllim t’u shërbej haxhinjve që vizitojnë Shtëpinë e Zotit, që ta kryejnë këtë obligim në mënyrë sa më të lehtë, të sigurt dhe të shpejtë, si dhe për mbrojtjen e haxhinjve nga sulmet e beduinëve gjatë udhëtimit të tyre tokësor, dhe nga sulmet e piratëve gjatë udhëtimit detar; këtyre mund t’ua shtojmë edhe faktin se njerëzve që kanë dëshirë për ta kryer obligimin e Haxhit, u jepej mundësia dhe rasti që ta kryenin më lehtë dhe më lirë këtë obligim.

Kjo, nuk ka dyshim, do të ndikonte që të shtohej numri i njerëzve që do të kryenin këtë obligim. Qëllimi ushtarak zë një vend të posaçëm në këtë kuadër nga qëllimet e kësaj linje hekurudhore, sepse përmes kësaj linje synohej të arrihej një lëvizje sa më e lehtë e forcave ushtarake, me qëllim të parandalimit të ndonjë sulmi eventual kundër rajoneve të Hixhazit, Detit të Kuq apo Jemenit. Përmes kësaj forme, rajoni do të ndjente edhe fuqinë e administratës qendrore të shtetit osman. E qëllimi tregtar shfaqet përmes rimëkëmbjes së ekonomisë së dobët në rajon, për të prodhuar një rilindje tregtare dhe ekonomike të qyteteve të Hixhazit dhe të të gjitha qyteteve që gjinden përgjatë linjës, duke bërë promovimin e prodhimeve komerciale dhe bujqësore me anë të bartjes më të shpejtë me tren nëpër rajonet e tjera, bile në projekt ishte paraparë që kjo linjë të zgjatej në drejtim të ndonjë porti të Detit të Kuq, që pa dyshim do ta rriste rëndësinë ekonomike dhe tregtare të kësaj linje. Dhe në këtë mënyrë rrugët tregtare do të barteshin nga kanali i Suezit në linjën hekurudhore të Hixhazit. Dhe me përfundimin e këtij projekti gjigant, projektuar dhe financuar nga shteti osman, do t’u sqarohej, do t’u bëhej me dije shteteve që dëshironin ta copëtonin dhe ta shkatërronin shtetin osman, se këtu janë duke përfunduar projekte civilizuese gjigante, të cilat shteti osman kishte fuqi t’i përfundonte pa ndihmën e atyre shteteve. Sulltan Abdulhamidi i Dytë kishte qëllime të rëndësishme politike për realizimin e linjës hekurudhore të Hixhazit. Ai ishte i bindur se realizimi i këtij projekti do të thoshte realizim i një pavarësie më të madhe të shtetit osman nga shtetet e Evropës, si në aspektin ushtarak, politik, ekonomik, ashtu edhe në atë teknologjik. Sulltan Abdulhamidi i Dytë, i cili veçohet nga paraardhësit e tij për dëshirën e tij të flaktë për mbrojtjen e Hilafetit Osman, të gjithë mundin e vet e përqendronte në bashkimin e myslimanëve dhe në formimin e një “Unioni Islam”, me qëllim të ballafaqimit me ambiciet e shteteve evropiane dhe sulmet e tyre të vazhdueshme kundër shtetit osman. Gjithashtu ai përkrahte lëvizjen e “Bashkimit Mysliman”, e cila ftonte për bashkimin apo tubimin e të gjithë myslimanëve nën ombrellën e shtetit osman.

Prandaj mund të themi se linja hekurudhore e Hixhazit mund të konsiderohet si një nga arritjet më të mira të sulltan Abdulhamidit të Dytë, me qëllim të ruajtjes dhe bashkimit të tokave të shtetit osman.

Ndërtimi dhe zbatimi

Sulltan Abdulhamidi i Dytë në memoaret e tij flet rreth linjës hekurudhore të Hixhazit, për se thotë: “Më në fund u realizua linja hekurudhore e Hixhazit, një ëndërr e cila shumë kohë ma ngacmonte imagjinatën time. Ajo linjë hekurudhore nuk ishte vetëm një burim ekonomik për shtetin osman, por në të njëjtën kohë, ajo linjë, ishte një burim shumë i rëndësishëm në aspektin ushtarak, sepse shërbente për rritjen dhe shërbimin e kapaciteteve tona ushtarake”. Administrata e sulltanit kishte lëshuar një dekret të veçantë për fillimin e punimeve në linjën hekurudhore të Hixhazit, më 2 maj 1900, kurse më 1 shtator 1900, që korrespondonte me vitin e njëzetepestë të uljes së sulltan Abdulhamidit të Dytë në fronin e shtetit osman, me një solemnitet të veçantë dhe shumë madhështor, – nisën punimet në linjën hekurudhore në mes Shamit dhe Der’as. Linja hekurudhore e Hixhazit në vitin 1903 arriti të përfundonte punimet deri në Aman, kurse në vitin 1904 deri në Mean. Më 1 shtator 1905 përfundoi faza e parë e punimeve të kësaj linje hekurudhore dhe filloi udhëtimi i parë i trenit në mes Shamit dhe Meanit, për transportimin e njerëzve dhe mallrave. Më 1 shtator 1906 punimet përfunduan deri në Medain Salih, kurse më 31 gusht 1908 punimet e përfunduara arritën deri në Medinën e Ndritshme. Gjatë tetë vjetësh të punimeve në projektin e kësaj hekurudhe, gjatësia e saj arriti në 1464 km. Ndërkaq, me bashkimin e linjave dytësore në periudha të mëvonshme, gjatësia e saj arriti në 1900 km, në vitin 1918. Ushtria osmane ishte burimi kryesor i fuqisë punëtore gjatë punimeve në linjën hekurudhore të Hixhazit. Gjithashtu kontribut të çmueshëm për realizimin e këtij projektit kanë dhënë edhe shumë punëtorë, të cilët kishin ardhur nga vende të ndryshme islame, më të shumtët nga Siria dhe Iraku.

Meqenëse numri i atyre punëtorëve ishte i kufizuar, ushtria osmane ishte ajo që barti barrën më të madhe për realizimin e këtij projekti. Ushtarët, gjatë punimeve të tyre në këtë projekt, paguheshin me një pagë simbolike, por atyre gjithashtu u mundësohej ta përfundonin shërbimin ushtarak para një viti. Si kryearkitekt i këtij projekti ishte një arkitekt gjerman, që quhej “Majsner Pasha”. Nën udhëheqjen e tij punuan edhe tridhjetë e katër arkitektë të tjerë, shtatëmbëdhjetë prej të cilëve ishin osmanlinj, kurse të tjerët shumica ishin gjermanë. Pasi që linja hekurudhore arriti deri në Medan Salih, pjesa e mbetur për t’u ndërtuar atëherë ndodhej në rajonin e haremit, dhe, meqenëse jomyslimanëve nuk u lejohet hyrja në këto vende, punimet e linjës hekurudhore nga Medan Salih deri në Medinën e Ndritshme i mbikëqyrën arkitektët myslimanë.

Sakrifica heroike

Realizimi i projektit të linjës kryesore të hekurudhës së Hixhazit u përfundua për tetë vjet. Aty punuan afro pesë mijë punëtorë, shumica e të cilëve ishin turq, disa ishin arabë e disa të tjerë nga shtete të tjera islame. Nuk ka dyshim që angazhimi i ushtrisë osmane në këtë projekt kishte ulur shumë shpenzimet. Dhe ky ishte një prej faktorëve kryesorë dhe shumë të rëndësishëm për realizimin e këtij projekti hekurudhor. Gjithashtu rol të rëndësishëm kishte luajtur edhe aspekti i elementit fetar dhe dashuria e ushtarëve osmanë ndaj Pejgamberit a.s., që të realizohej një projekt gjigant për një kohë që mund të konsiderohet shumë e shkurtër. Ndoshta mirënjohja/falënderimi më i madh, për realizimin e këtij projekti, u takonte atyre trimave të guximshëm, të cilët kishin ardhur nga Anadolli për ndërtimin dhe instalimin e kësaj linje hekurudhore në shkretëtirat e Gadishullit Arabik.

Ata trima, gjatë vendosjes së bazave dhe shtyllave të hekurudhës si dhe gjatë ndërtimit të stacioneve, gjithashtu vendosnin edhe shenja mbi varrezat e dëshmorëve të tyre; sepse shumë ushtarë gjatë ndërtimit të kësaj hekurudhe, ranë dëshmorë, ose nga etja e madhe për shkak të mungesës së ujit, ose nga të ushqyerit e lig, ose gjatë punimeve në hekurudhë apo edhe nga vërsuljet e beduinëve. Dëshmi varrezash të këtyre dëshmorëve thuajse kishte në çdo stacion. E sot, edhe pse gjurmë

të kësaj hekurudhe ndoshta gjenden diku, megjithatë varrezat i ka mbuluar pluhuri i harresës dhe ato nuk ekzistojnë më. Mjafton ta dimë se vetëm në vitin 1908 kishin rënë dëshmorë më shumë se 126 njerëz për shkak të vërsuljeve të beduinëve.

Pozicioni evropian

Evropa ishte tejet e habitur kur mori lajmin për linjën hekurudhore të Hixhazit. Ajo e konsideronte këtë iniciativë të shtetit osman një fantazi, sepse shteti osman asokohe ishte në një gjendje të mjerueshme ekonomike për shkak të borxheve të jashtme dhe të brendshme, saqë disa gazeta evropiane, përmes faqeve të tyre, filluan ta përqeshnin këtë projekt dhe sulltan Abdulhamidin e Dytë duke bërë shkrime të ndryshme dhe fotografi karikaturiste. Meqë ky projekt filloi të përparonte dhe të shfaqej falë sakrificave të shumta, shtetet evropiane filluan të bënin pengesa, në mënyrë që shteti osman të mos e realizonte atë projekt. Kësaj fushate i prinin Britania e Madhe dhe Franca. Këto shtete shpejtuan t’i pengonin popujt myslimanë që ishin në kolonitë e tyre, siç ishin indianët në koloni të anglezëve, që të mos jepnin para për projektin, duke përhapur propaganda të ndryshme në mes tyre. Një ndër propagandat ishte edhe kjo: “Këto para nuk përdoren për projektin e linjës hekurudhore të Hixhazit”, mirëpo fatmirësisht të gjitha këto propaganda u asgjësuan dhe myslimanët indianë vazhduan të jepnin para për projektin. Britania e Madhe ishte munduar të përdorte të gjitha metodat-rrugët, në mënyrë që shteti osman të tërhiqej nga Tokat e shenjta pas Luftës së Parë Botërore. Ajo që tërheq vëmendjen në këtë rast, është se puna e parë që bëri Britania e Madhe pas tërheqjes së osmanlinjve nga Meka dhe Medina ishte që ata shkatërruan (e bënë jofunksionale) këtë linjë hekurudhore; sepse ajo shtetin osman e konsideronte si një kërcënim potencial kundër ambicieve të saj imperialiste në Lindjen e Mesme dhe Lindjen e Largët, dhe kështu ajo ndjehej e qetë pas shkëputjes së lidhjeve në mes Anadollit dhe Gadishullit Arabik. Ndërsa Franca kishte vënë kufizime dhe pengesa për krijimin e kësaj linje hekurudhore përmes porteve që ishin nën administrimin e saj; aty imponuan taksa doganore marramendëse për të gjitha kërkesat e kësaj linje hekurudhore, si dhe ato i mbanin për një kohë të gjatë në portet e tyre. Edhe pse të gjitha këto pengesa kishin ngadalësuar ritmin e realizimit të atij projekti, megjithatë ato nuk arritën të ndalnin rrotën e përparimit drejt përfundimit dhe realizimit të projektit.

Burimet financiare

Periudha e sundimit të sulltan Abdulhamidit të Dytë ishte ndër periudhat më të vështira të shtetit osman për nga aspekti ekonomik. Megjithatë, sulltani nuk kurseu asgjë vetëm e vetëm që të shlyente borxhet e mëdha të jashtme që kishte trashëguar nga paraardhësit e tij.

Edhe pse ndërkohë ai u detyrua të merrte kredi të lehta nga shtetet e huaja, megjithatë shuma që shlyente pjesë nga borxhet, ishte shumë më e madhe sesa shuma që merrte kredi. Ai ishte në dijeni të plotë se borxhet e jashtme minonin ndikimin e shtetit, dhe gjithashtu se borxhet e brendshme minonin ndikimin e pushtetit. Për këtë arsye ai më pastaj nuk mendoi të merrte kredi nga jashtë për realizimin e linjës hekurudhore. Kontributet vullnetare – kjo kishte ndodhur për herë të parë në historinë e shtetit osman- ishin burimi kryesor dhe i parë për financimin e këtij projekti gjigant. Financimi i linjës hekurudhore të Hixhazit u realizua përmes kontributeve vullnetare të myslimanëve nga gjithë Bota Islame, pa pasur nevojë të financonte ndonjë shtet i huaj, ndryshe nga ç’kishte ndodhur me linjat hekurudhore të Anadollit dhe Bagdadit, të cilat ishin financuar edhe nga shtete të huaja. Shteti osman kishte ndarë 18% të buxhetit të tij për realizimin e këtij projekti, edhe pse kjo përqindje u konsiderua shumë e vogël karshi shumës së përgjithshme për realizimin e projektit, që ishte tetë milionë lira osmane. Më pastaj u shfaq nevoja e madhe për tubimin e mjeteve financiare për realizimin e këtij projekti, të cilin myslimanët e konsideronin si “çështje të krenarisë dhe dinjitetit” para evropianëve. Gjithashtu sulltan Abdulhamidi i Dytë dëshironte ta shpëtonte shtetin e tij nga huamarrje të mëtejshme dhe projekti të financohej nga burime tërësisht islame. Për këtë arsye ai i bëri një apel a thirrje Botës Islame që të kontribuonte për realizimin e projektit, dhe kjo realisht ishte një fushatë për tubimin e mjeteve financiare, së cilës nuk i gjen shoqen në historinë botërore. Kjo fushatë për herë të parë filloi në muajin maj të vitit 1900, kur sulltan Abdulhamidi i Dytë dha kontribut pesëdhjetë mijë lira turke nga buxheti i tij personal, dhe i ftoi myslimanët në përgjithësi që t’i bashkoheshin kësaj fushate, pa marrë parasysh nëse jetonin në tokat osmane apo jashtë tyre. Pas sulltanit kontribuan pashallarët osmanlinj, më pastaj nëpunësit e shtetit, tregtarët, ushtarët dhe i gjithë populli, duke bërë gara për këtë punë të mirë. Ftesa e sulltanit ishte hasur në një përgjigje të shpejtë e të menjëhershme në mesin e gjithë myslimanëve anë e kënd botës. Kontributet vullnetare kishin arritur në Stamboll nga të gjitha anët e botës, duke filluar nga India dhe Afganistani, më pastaj nga shtete të tjera, si Algjeria, Sudani, Tunizia,

Libia, Indonezia dhe Malajzia. Gjithashtu kontribut kishin dhënë edhe myslimanët e Evropës, të Afrikës dhe Amerikës, me gjithë pengesat që kishin hasur atje. Shuma e përgjithshme mbledhur nga ato ndihma vullnetare mjaftonte për realizimin e 1/3 së projektit të linjës hekurudhore. Shteti osman ishte shumë i interesuar që t’i nderonte donatorët e këtij projekti, për këtë arsye ai u dha atyre dekorime dhe medalje ari e argjendi, si ngulitje dhe përkujtim për linjën hekurudhore të Hixhazit. Karshi këtyre donacioneve të tubuara, shteti osman u detyrua të bënte zvogëlimin e detyrueshëm të pagave të nëpunësve të shtetit, në mënyrë që të realizonte projektin. Vlen të përmendet, me këtë rast, se gjatë zbatimit të kësaj mase, nuk gjejmë asnjë ankesë nga nëpunësit për shkak të zvogëlimit të pagave të tyre. Kjo konsiderohet një sinjal i qartë se një popull që ka synim një qëllim të përbashkët, mund të sakrifikojë çdo gjë të shtrenjtë vetëm e vetëm për të arritur atë qëllim.

Lëvizja e trenit

Më një shtator 1908, që korrespondon me vitin e tridhjetedytë të uljes së sulltanit Abdulhamidit të Dytë në fronin e shtetit osman, u bë ceremonia e hapjes së linjës hekurudhore të Hixhazit, me disa ceremoni zyrtare të mahnitshme. Para këtij evenimenti “Komisioni i linjës hekurudhore të Hixhazit” kishte bërë hapjen e stacioneve të shumta, të cilat gjendeshin në këtë linjë, në emër të sulltan Abdulhamidit të Dytë, gjithashtu me ceremoni zyrtare. Jomyslimanët kishin të drejtë t’i përdornin stacionet që gjendeshin në këtë linjë hekurudhore, mirëpo atyre nuk u lejohej të udhëtonin me tren deri në Medinën e Ndritshme. Kjo linjë kishte rol të rëndësishëm në transportimin e parave. Ky tren kishte realizuar shërbime të mrekullueshme për haxhinjtë që shkonin në Qabe; gjithashtu linja përdorej edhe për disa interesa ushtarake, sikur ishte transportimi i ushtarëve nga një rajon në një rajon tjetër. Ky tren shërbente po ashtu për transportimin e mallrave të ndryshme, gjë që ndikoi pozitivisht dhe bëri një freskim të ekonomisë dhe tregtisë. Oraret e qarkullimit të trenit u caktuan në përputhje me kohët e namazit, saqë asnjë lëvizje e trenit nuk ndikonte në humbjen e ndonjë namazi.

Rëndësia fetare

Vështrimi ynë ndoshta do të ishte i mangët nëse dimensionin fetar të kësaj linje do ta vështronim vetëm në bartjen e haxhinjve për të vizituar Qabenë. Treni i Hixhazit në të njëjtën kohë kryente një mision të kamotshëm dhe mbronte një traditë të vjetër historike, që është dërgimi i “Surretus- Sulltan”-it në Hixhaz. Sulltanët osmanlinj, që të gjithë, njiheshin nga një veprim që kishte të bënte me përgatitjen e një shume të konsiderueshme të të hollave që njiheshin me emrin “Surrets-Sulltan” dhe dërgimin e tyre në Hixhaz. Kjo ishte një traditë që i kishte rrënjët tek abasidët për t’u shtrirë më pastaj tek osmanlinjtë duke filluar nga sulltani “Jelldërëm Pajazit”. Në të kaluarën “Surretus-Sulltan” dërgohej çdo tre muaj përmes rrugës tokësore. Më pastaj, që nga viti 1864, ishte dërguar përmes rrugës detare, kurse pas vitit 1908 ajo kishte një vend të veçantë në trenin e Hixhazit.

Kjo shumë parash, e cila dërgohej nga sulltanët, ishte e përcaktuar që të shpenzohej për shërbimet e ndryshme në Mekë dhe Medinë, si p.sh.: çështjet e ndërtimit dhe rindërtimit, pagesa e pagave të punëtorëve; gjithashtu shpenzohej për t’ua lehtësuar qëndrimin haxhinjve që vizitonin Shtëpinë e Zotit etj..Prandaj kjo linjë i siguronte delegacionit të “Surretus-Sulltanit” një udhëtim të rehatshëm dhe të shpejtë. Krejt në fund, i drejtohemi të Madhit Zot që t’i mëshirojë të gjitha ata që kanë kontribuar për realizimin e kësaj linje hekurudhore dhe t’i shpërblejë ata me shpërblimin më të mirë!

Përktheu nga gj. arabe Vedat Shabani

www.hiramagazine.com Nr 16.2009

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit