3.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Haxhiu i parë i Llapit, në vitin 1932 pritet nga kolona e gjatë 15 kilometra

Më të lexuarat

Në pjesën e parë të shekullit XX, të paktë ishin ata shqiptarë që kishin mundësi për të shkuar në haxhillëk. Asokohe, udhëtimi ka qenë tejet i gjatë dhe i mundimshëm dhe të jesh haxhi ishte respekt dhe nder i madh, tregon për Anadolu Agency (AA), Shemsi Ajvazi, nipi i haxhi Ajvazit, haxhiut të parë nga Llapi, rajon në verilindje të Kosovës.

Sot 75 vjeçar, nxënësi i gjeneratës së parë të Medresesë Alauddin në Prishtinë, teologu dhe profesori shumëvjeçar i gjuhës arabe në Fakultetin e Orientalistikës të Universitetit të Prishtinës, jeton në Baku të Azerbajxhanit. I martuar me diplomaten azerbajxhanase, ish ambasadoren e këtij shteti në Lituani, me të cilën i ka dy fëmijë, Shemsiu shpesh vjen për ta vizituar Kosovën, në veçanti Llapin, prej nga i ka rrënjët.

Çdo herë kur kthehet në vendlindje, ai me ëndje dhe mallëngjim e kujton tregimin për gjyshin e tij. Këtë tregim, atij ia kishte rrëfyer babai Bajram Ajvazi, përndryshe një figurë dhe personalitet i njohur i historisë së shqiptarëve të Kosovës, i shquar për patriotizëm dhe ndihmën e bërë për arsimimin e shqiptarëve në Llap.

Bajram Ajvazi ishte njeri shumë i respektuar, i shkolluar dhe shumë i pasur. Duke folur për babanë e tij, Shemsi Ajvazi thotë që ai ishte tregtar i jashtëzakonshëm dhe shumë i pasur, me prona në Prishtinë dhe Tiranë.

Gjatë viteve të 20-ta të shekullit të kaluar, për dy vite rresht, Bajrami shëtiti tërë Turqinë dhe pjesën më të madhe të kohës e kishte kaluar në Stamboll, por në fund vendosi të kthehet në Kosovë. Qëllimi i kthimit të tij në vendlindje ishte që të ndryshojë për të mirë gjendjen, për të ndihmuar zhvillimin e popullit të tij përmes arsimimit dhe tregtisë.

Pas kthimit në Kosovë, ai investoi parat e tij në hapjen e Medresesë së Pirinazit, shkollë kjo fetare nën hijen e të cilës ka punuar shkolla në gjuhën shqipe, që ishte e ndaluar gjatë periudhës së Mbretërisë Serbe.

Sikurse edhe shumë veprimtarë të kohës, pasurinë e tij personale e vuri në funksion të shkollimit dhe emancipimit të shqiptarëve të Kosovës, njëherësh duke hyrë edhe në politikë. Si njeri që ka gëzuar respekt të madh në verilindje të Kosovës, Bajram Ajvazi kryen detyrat e kryetarit të Podujevës dhe Qarkut të Llapit, ndërsa fundi i Luftës së Dytë Botërore e gjen në detyrën e kryetarit të Prishtinës.

Megjithatë, Bajrami nuk e linte anash as familjen e tij dhe sidomos kujdesej për babanë, Ajvazin, një fetar i madh, i cili kishte dëshirë të madhe për ta vizituar Qaben.

Pasi Ajvazi si i ri nuk pati mundësi financiare të shkonte në haxhillëk, duke e parë se babai i tij kishte ardhur në moshën kur ishte koha e fundit që do të mund ta përballonte rrugën e gjatë dhe të mundimshme, Bajrami i cili kishte arritur të pasurohej dhe të krijojë mundësi, vendosi t’ia plotësojë dëshirën jetësore babait të tij. Në vitin 1930, ia organizoi udhëtimin për në Mekë.

“Pasi që babai i tij ishte afër 60 vjeçar dhe ka patur dëshirë të shkojë në haxhillëk, ai ia ka mundësuar dhe ka paguar njeriun që e dërgon deri në Shkup, tjetri e ka çuar nga Shkupi në Stamboll, sepse ka patur lidhje edhe në Stamboll. I ka treguar te cili të shkojë dhe ata e kanë çuar deri në kufi me Sirinë. Nga Siria e kanë marrë arabët, të cilët e kanë çuar në haxhillëk”, rrëfen Shemsi Ajvazi.

Ai tregon se si gjyshi i tij ka vuajtur shumë gjatë rrugës, duke udhëtuar me deve dhe gomar nga kufiri i Turqisë deri në Mekë. Gjatë qëndrimit në Arabinë Saudite, haxhi Ajvazi ka jetuar jetën e vendasve, duke fjetur dhe qëndruar në tenda, është ushqyer me ushqimet dhe mënyrën se si janë ushqyer arabët, gjë që nuk ka qenë aspak e lehtë për të. Një problem tjetër ishte mosnjohja e gjuhës.

“Është kthyer pas një viti, gati në Bajramin tjetër, sepse rruga ka qenë shumë e gjatë. Ai ka udhëtuar vetëm dhe nuk ka ditur gjuhë, as turqisht, as arabisht dhe kur është kthyer i ka mbajtur në mend dy fjalë: ‘erkep’, do të thotë hip dhe ‘inzid’ apo zbrit, prej devesë ose prej gomarit”, thotë Shemsiu duke mos fshehur krenarinë për të arriturën e gjyshit të tij.

Sa i përket kthimit në vendlindje, pas një udhëtimi që kishte zgjatur më se një vit, nipi i haxhiut të parë të Llapit thotë se një pritje e tillë nuk mbahet në mend, në ato vise.

“Ajo ka qenë një ngjarje e madhe për këtë pjesë të Llapit, këto fshatrat që janë në dalje të Prishtinës. Ai ka qenë haxhiu i parë, që mbahet në mend, i kësaj ane dhe ka pasur një pritje madhështore. Të gjitha fshatrat me të dalë nga Prishtina dhe Besiana, kanë dalë me qerre me kuaj për ta pritur rrugës e cila çon për në Peran. Rendi i qerreve me kuaj ka qenë i gjatë 15 kilometra . Do të thotë ka qenë një ngjarje shumë e madhe dhe njerëzit nga të gjitha anët kanë ardhur ta shohin dhe të bisedojnë me të, sepse ai ka qenë në haxhillëk”, rrëfen Shemsi Ajvazi.

Ai shton se, shikuar nga perspektiva e sotme, udhëtimi për në haxhillëk asokohe ka qenë mision i vështirë dhe nuk është për t’u çuditur pse ata që e kanë kryer këtë obligim fetar, me t’u kthyer në vendlindje janë pritur si heronj dhe janë respektuar shumë.

“Populli në atë kohë nuk ka patur mundësi të shkojë dhe kur ka ardhur dikush prej haxhillëkut, kanë konsideruar se të shkuarit tek ai është gati si me qenë në haxhillëk, do të thotë e kanë çmuar shumë haxhiun, kush ka qenë haxhi në atë kohë, sepse njeriu që ka qenë konkretisht te varri i pejgamberit, që ka qenë në Qabe, ajo ka pasur një kuptim dhe rëndësi shumë të madhe”, thotë nipi i haxhiut të parë nga Llapi.

Shemsi Ajvazi i cili e ka kryer edhe Medresenë e Gazi Husrev Begut në Sarajevë, në Bosnjë e Hercegovinë dhe ka magjistruar historinë në Prishtinë, thotë që ka qenë tre herë në Umre, por ende nuk e ka kryer haxhillëkun. Duke folur për vizitat e tij në Mekë dhe tregimin e udhëtimit të gjyshit të tij, para gati një shekulli, ai konsideron se këto dy përjetime nuk mund të krahasohen.

“Sot është sigurisht edhe përjetimi i haxhinjve totalisht tjetër, do të thotë ka ndryshuar”, thotë Shemsi Ajvazi.

Në fund, ai theksoi se, përparimi i teknologjisë e ka lehtësuar dukshëm udhëtimin dhe qëndrimin në haxhillëk, gjë kjo e cila më nuk është e vështirë sikurse ishte në vitin 1930 kur haxhi Ajvazi u nis nga Llapi i Kosovës për në Mekë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit