0.8 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

HAXHI (kushtet dhe forma)

Më të lexuarat

hajj1Haxhi është obligim (farz) dhe njëri nga pesë kushtet e Islamit. Obligueshmërinë e tij e dëshmon Kur’ani, Suneti, si dhe konsensusi i dijetarëve islamë.

Thotë Allahu i Lartësuar: “Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo, e kush nuk e beson; Allahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që bëjnë) njerëzit”. (Ali Imran 97).

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Islami është ngritur mbi pesë shtylla: shqiptimi i shehadetit, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe shkuarja në haxhillëk për atë që ka mundësi”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).

Imam Neveviu dhe dijetarë të tjerë, Allahu i mëshiroftë, thonë: “të gjithë dijetarët islamë thonë se haxhillëku është obligim dhe shtylla e pestë e Islamit”.

Haxhillëku është obligim për myslimanin një herë në jetë. ثshtë bërë obligim në vitin e nëntë nga hixhreti. “O ju njerëz! U është bërë obligim haxhillëku, kryejeni atë. Një njëri i tha: a për çdo vit? Sikur të thosha po, do t’u obligohet dhe nuk do të mundnit ta kryenit”. (Transmeton Muslimi). “Haxhillëku është obligim një herë, e nëse dikush shton, ai është vullnetar”. (Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi, Ibën Maxhe). Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka bërë vetëm një haxhillëk.

Myslimani duhet të nxitojë në kryerjen e haxhillëkut sipas mundësisë. Nëse e vonon kryerjen e tij pa arsye, bën mëkat. Në lidhje me këtë thuhet: “Nxitoni në kryerjen e haxhit, ngase askush nga ju nuk e di se çfarë do t’i ndodhë” (Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi, Ibën Maxhe).

Vlera e haxhillëkut

Për vlerën e haxhillëkut flasin shumë hadithe, ndër të cilët janë edhe këto: “ثshtë pyetur Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: cila punë është më e mira? ثshtë përgjigjur: Besimi në Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Pastaj cila? Lufta në rrugë të Allahut, është përgjigjur. Pastaj cila? Haxhi i pranuar”. (Transmeton Buhariu). “Kush bën haxhillëkun për hir të Allahut, nuk i afrohet gruas dhe nuk bën ndonjë mëkat, kthehet sërish në gjendjen kur e ka lindur nëna” (Transmeton Buhariu). “Umreja deri në umre tjetër, i fshin mëkatet që bëhen mes tyre dhe për haxhillëkun e pranuar nuk ka shpërblim tjetër, përpos Xhenetit”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi). “…dhe haxhillëku i fshin mëkatet që janë bërë para tij”. (Transmeton Muslimi). “ثshtë pyetur Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se a ka luftë (xhihad) për gratë? Po – iu është përgjigjur. Po për ato ka xhihad pa luftë. Ai është haxhi dhe umreja” (Transmeton Ahmedi, ibn Maxhe, ibn Huzejme).

Dobitë e haxhillëkut

Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe thirr ndër njerëz për haxhillëk, se të vijnë ty këmbësorë, edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta. (vijnë) Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre dhe ta përmendin Allahun në ato ditë të caktuara”. (el-Haxhxh 27-28).

Thotë Ibën Abasi: “Dobitë e kësaj bote dhe të botës tjetër. Dobitë e Ahiretit, arritja e kënaqësisë së Allahut, ndërsa dobitë e kësaj bote, ajo që arrijnë nga mishi i kurbaneve dhe tregtia.” Thotë Muxhahidi: (Allahu e mëshiroftë) “tregtia dhe kënaqësia e Allahut në çështje të kësaj bote dhe Ahiretit”. Në një vend tjetër thotë: “shpërblimi në Ahiret dhe tregtia në këtë botë”.

Dobitë që haxhiu arrin në këtë botë, nuk krahasohen me ato të Ahiretit. Dobi të tilla si: shpërblim të madh, falje mëkatesh, kënaqësia e Allahut, myslimani i arrin nëse është i devotshëm në haxhillëkun e tij. I praktikon urdhrat e Allahut dhe largohet nga ndalesat e Tij. Nuk ka dobi më të mirë se pastrimi i haxhiut nga mëkatet dhe kthimi i tij sërish në gjendjen që e lindi e ëma.

Kufijtë (mikatet) e haxhit

Kufijtë kohorë. Shumica e dijetarëve janë të mendimit se koha e haxhillëkut përfshin: muajt Sheval, Dhul-kide, si dhe nëntë ditët e para të muajit Dhil-hixh-xhe. Umreja nuk ka kufij kohorë. Ajo mund të kryhet gjatë tërë vitit.

Kufijtë vendorë. Transmeton Ibën Abasi se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i caktoi kufijtë; për banorët e Medinës Dhul-hulejfe-n, për banorët e Shamit el-Xhuhfe, për banorët e Nexhdit Karnul-Menazil, për banorët e Jemenit Jelemlem (dhe për banorët e Irakut Dhate Irk)(1) , pastaj tha: këta kufij janë për banorët e këtyre vendeve dhe për ata që nuk janë të këtyre vendeve dhe vijnë përmes tyre në haxhillëk apo umre”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).

Umreja

Umreja mund të kryhet gjatë tërë vitit. Rreth dispozitës së saj, dijetarët kanë dy mendime. Disa nga ta thonë se umreja është sunet, disa të tjerë thonë se ajo është vaxhib (e obliguar). Shumica e haditheve që flasin për dispozitën e umrës janë të dobëta. Hadithi më i fortë që transmetohet rreth kësaj çështjeje, është ai me të cilin argumentojnë dijetarët që e obligojnë umren. “ثshtë pyetur Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se a ka luftë (xhihad) për gratë? Po: iu është përgjigjur. Por për ato ka xhihad pa luftë. Ai është haxhi dhe umreja” ( Transmeton Ahmedi, Ibën Maxhe, Ibën Huzejme).

Ky është mendimi më i saktë. Këtë mendim e përkrahën hoxhallarët e nderuar si: AbdulAziz b. Baz, Albani, Muhamed Uthejmini (Allahu i mëshiroftë). Allahu e di më së miri.

 

Llojet (mënyrat) e haxhit

Për kryerjen e haxhillëkut ka tre mënyra:

Haxhi Temetu. Forma e tij: Nëse kryejmë Umrën gjatë kohës së haxhillëkut dhe lirohemi nga ihrami, pastaj vendosim kryerjen e haxhit. Ky lloj i haxhit kushtëzohet me therjen e kurbanit.(2)

Haxhi Kiran. Forma e tij: nëse vendosim kryerjen e Umres, mirëpo para se të mbarojmë atë, vendosim edhe kryerjen e haxhit, apo e kundërta. Edhe ky lloj kushtëzohet me therjen e kurbanit.

Haxhi Ifrad. kjo mënyrë e haxhit realizohet nëse vendosim vetëm kryerjen e haxhit.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka kryer Haxhin Kiran, mirëpo janë transmetuar disa hadithe ku nxiste sahabët në kryerjen e Haxhit Temetu. Dijetarët islamë s’janë të njëzëshëm se cila mënyrë e haxhit është më me vlerë. Mendimi i saktë është: Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë se vlera e llojit varet nga gjendja e haxhiut. Ibn Kajjim el-Xhevzije, Allahu e mëshiroftë, thotë: Adhurimi më i vlefshëm është ai në të cilin bëhet dhikër më tepër; agjëruesit më me vlerë janë ata që bëjnë më tepër dhikër gjatë agjërimit. Haxhilerët më me vlerë janë ata që më tepër bëjnë dhikër në haxhin e tyre dhe kështu në çdo vepër. Gjithashtu hoxha i nderuar Muhamed Uthejmin, Allahu e mëshiroftë, thotë: nëse transmetohet se ka kryer ndonjë adhurim në disa forma, është e rrugës që të praktikohen të gjitha format. Kështu praktikohen të gjitha sunetet.


Kushtet e obligueshmërisë së haxhillëkut:

1. të jetë mysliman;

2. mendërisht i shëndoshë;

3. në moshë madhore;

4. të ketë mundësi. Mundësia është dy lloje: fizike dhe ekonomike.

Këtyre kushteve i shtohet edhe një, që ka të bëjë vetëm me femrat. Ai është:

5. shoqërimi i saj nga një mashkull i rritur me të cilin i ndalohet martesa (mahrem).

Shtyllat e haxhit

Të gjithë dijetarët janë të një mendimi se haxhi ka katër shtylla, dhe nëse njëri nga ta, me dije apo pa dije, me qëllim apo pa qëllim, shkelet, haxhillëku është i pavlefshëm dhe duhet kryer prapë. Ato janë:

1. Nijeti për haxhillëk. Kjo shtyllë kërkohet në të gjitha adhurimet. Nijeti mjafton vetëm me zemër dhe nuk ka nevojë shqiptimin me gojë. Pas nijetit duhet të thuhet kjo lutje:

-nëse vendosim kryerjen e haxhillëkut Ifrad, themi: “Lebbejk Allahumme haxhen” – të përgjigjem o Allah me haxh.

-nëse vendosim Temetu, themi: “Lebbejk Allahumme umreten” – të përgjigjem o Allah me umre. Pastaj në Mekë, kur të vendosim fillimin e haxhillëkut themi: “Lebbejk Allahumme haxhen”.

-E nëse vendosim atë Kiran, varësisht nga ajo që kemi vendosur, themi: “Lebbejk Allahume haxhen” për haxhillëk, a nëse vendosim umren themi: “Lebbejk Allahume umreten”.

Vërejtje: Për atë që frikohet se nuk do të mund ta mbarojë haxhillëkun për shkak të sëmundjes apo për ndonjë shkak tjetër, preferohet që këtu të thotë: “Allahumme mehil-li hajthu habeseni habis” – o Zot do ta ndërpres haxhillëkun, aty ku më ndalon diçka. Sepse, ndërprerja e haxhillëkut kushtëzohet me therje të kurbanit, e nëse thuhet kjo lutje, lirohet nga ky shpagim. Kjo shtyllë, është edhe shtyllë e umres. E bëjmë nijetin për umre dhe themi: “LebbejkAllahum-me umreten”.

2. Qëndrimi në Arafat. Kërkohet qëndrimi prej namazit të drekës e deri në perëndim të diellit, ditën e nëntë të Dhul Hixhës.

3. Tavafi i haxhit. Ky travaf duhet bërë shtatë herë duke filluar nga Haxherul Esvedi (guri i zi). Abdesi është kusht për tavaf tek shumica e dijetarëve. Kjo shtyllë është edhe në rastin e umres.

4. Sa’ji (nxitimi nga kodra Safa deri tek ajo Merva). Ky nxitim duhet bërë shtatë herë, duke filluar nga kodra Safa. Kjo shtyllë është edhe në rastin e umres.

Obligimet (farzet e haxhit)

Haxhi ka obligime, të cilat nëse nuk respektohen, duhet therur kurban si shpagim. Ato janë:

1. Veshja e rrobave që njihen si ihram, dhe atë nga mikati. Ihrami përbëhet prej dy pjesëve. Ai nuk duhet të jetë i qepur. Gjatë kohës së ihramit ndalohet veshja e çfarëdo rrobe tjetër.

2. Qëndrimi në Muzdelife prej perëndimit të diellit natën e dhjetë të muajit Dhul Hixhe deri në agim. Për të sëmurët, gratë, të moshuarit, si dhe përcjellësit e tyre, mjafton qëndrimi deri pas mesnate.

3. Hedhja e gurëve. Hedhja e gurëve bëhet ditën e dhjetë, njëmbëdhjetë dhe dymbëdhjetë të muajit Dhul Hixhe. Nëse qëndrojmë në Mina natën e trembëdhjetë, atëherë duhet hedhur gurët edhe ditën e trembëdhjetë.

4. Qëndrimi në Mina. Në Mina duhet të qëndrojmë natën e njëmbëdhjetë dhe të dymbëdhjetë. Qëndrimi natën e trembëdhjetë është sipas dëshirës. Allahu i Lartësuar thotë: “Kush ngutet (të largohet prej Mines) për dy ditë, nuk bën mëkat, po edhe ai që e shton (edhe një ditë) nuk bën mëkat” (el-Bekare 203).

Kërkohet qëndrimi gjatë tërë natës, apo në pjesën më ta madhe të natës.

5. Rruajtja apo shkurtimi i flokëve. Rruajtja është më e preferuar.

6. Therja e kurbanit për ata haxhilerë që janë Temetu apo Kiran.

7. Tavafi lamtumirës. Ky tavaf duhet të jetë kontakti i fundit i haxhiut me Meken.

 

(1) Kjo pjesë është hadith në vete që e transmeton Aisheja, shënon ebu Davudi dhe Nesaiu.

(2) Për këtë lloj haxhillëku, është e botuar broshura e veçantë “Haxhillëku – me foto” që karakterizohet me metodën e lehtë për shpjegim. (sh. K.)

 

Shkruan: Rasim Haxha

www.albislami.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit