Haxhi Hafiz Sabri Koçi, lindi më 14 maj të vitit 1921 në fshatin Orenjë të Librazhdit. Babai i tij ishte larguar në kurbet, në Selanik për të përballuar jetën e rëndë. Pa u mbushur ende viti i gëzimit të djalit, erdhi lajmi i kobshëm. Idrizi kishte vdekur. Sabriu mbeti jetim. Kështu filloi një jetë plot vuajtje për nusen e re. Nënë Zenja mposhti dhimbjen dhe u bë për djalin e vogël jo vetëm nënë e dhembshur, por edhe babë, iu përkushtua rritjes dhe edukimit të të birit. E qe kjo edukatë e një nëne shqiptare, që diti të kombinojë me kujdesin për mirërritjen e djalit me detyrën për t’i dhënë atij një drejtim në jetë, duke e stërvitur në të gjitha punët për kapërcimin e vështirësive. Falë kësaj edukate, Sabriu i vogël përballoi travajet e jetës.
Vdekja e babait e bëri që në fëmijëri të hershme të hyjë shpejt në jetë, të mësojë e të përballojë vetë vështirësitë e t’i zgjidhë ato mbarë e mirë, si e lyp e drejta e zakoni i mirë e mësimet fillestare të fesë islame që kishte marrë në shtëpinë e vet, e shquar për tradita fetare.
Një zotëri nga Shkodra, Kryetari i Komunës, Adem Kastrati, duke e parë zgjuarsinë e Sabriut të vogël 10 vjeç, ia mbushi mendjen nënës Zenjë dhe kushërinjve që ta dërgonte në Shkodër për të mësuar. Dhe kështu i vetëm, në vitin 1932 filloi njëjtë plot sakrifica e vështirësi, jeta e shkollës dhe jeta e punës. Djaloshi i vogël me sjelljen e tij, me devotshmërinë e tij, me përkushtim e mençuri, fitoi shpejt respektin e të gjithëve, e posaçërisht të mësuesit të besimit, Hafiz Muhamedit, i cili ishte edhe muezin në xhaminë e Rusit të Vogël. Hafiz Muhamedi, duke admiruar zërin e tij aq të bukur e lejonte të kryente ndonjëherë detyrën e muezinit. Pasi mori mësimet fillestare të fesë, Hafiz Muhamed Kastrati duke parë përparimin e shpejtë të Sabriut në mësime dhe zellin e përpjekjet e tij, u interesua te myderrizi i shquar, Haxhi Muhamed Bekteshi, që ai ta pranonte si nxënës të vetin (telebe). Kështu me ndihmën e pakursyer të Haxhi Muhamed Bekteshit, i cili e trajton si fémijën e vet, Sabriu i përkushtohet plotësisht studimeve. Për këtë kohë H. Sabriu thotë: “Me sa mbaj mend unë, kah fundi i vitit tridhjetë Shkodra kishte arritur një zhvillim të madh të fesë … Në fakt ishte ashtu siç i thonë arabët: “Mehdul el ilmi”, djepi i diturisë dh e i kulturës Islame”.1 Duke folur për punën e mirë që bëhej në Shkodër për përgatitjen e kuadrove të rinj për fenë Islame, H. Sabriu shkruan: ” … janë përgatitur kuadro me njohuri të larta fetare, saqë mund të krahasoheshin me ato që vinin nga tokat arabe”.
Mbas 15 vjet punë këmbëngulëse, më në fund arrin të marrë diplomën (ixhazetin) nga Hafiz Muhamed Bekteshi. E përkthyer në gjuhën shqipe, diploma (ixhazeti) ka këtë përmbajtje:
“Kjo është formula e diplomës sime me të cilën vëllain tim Për Zotin, Zotninë tonë Sabri Idriz Koçi, i cili është i pajisun me të gjitha cilësitë e nalta Islame dhe i plotësoi shkëlqyeshëm të gjitha mësimet teologjike të mbështetuna në Kur’anin e Madhnueshëm dhe në Hadithet e Hazreti Muhammedit a.s. të mbështetuna edhe në arsyet mendore filozofike dhe unë nevojtar i varfér tek mëshira e të Madhit ZOT, i quajtur Muhamed Mahmud Beqir Shkodrani (Begteshi).
Një vëmendje e veçantë i kushtohej zotërimit të gjuhës arabe, gramatikës dhe sintaksës së saj, që shërbente si bazë për mësimin e Kur’anit, ilustrimin dhe komentimin e tij. Por, duke marrë parasysh se shtrohej detyra e mësimit të Kur’anit përmendësh, për atë që dëshironte të fitonte titullin “Hafiz”, vështirësitë shtoheshin, aq më tepër duke marrë parasysh kërkesat e larta që kishte Myderrizi i shquar, Haxhi Muhamed Bekteshi.
– Mësimi zhvillohej i pandarë nga praktikat fetare, prandaj studentët që herët fillonin punën si mësues për nxënësit fillestarë, shërbenin si muezinë ose kryenin dhe detyrën e imamit në xhamitë që kishin nevojë.
– Gjatë seancave mësimore studentët nxiteshin që të kërkonin literaturën burimore tek studiuesit më në zë, nxiteshin të lexonin, të gjurmonin, të kërkonin diturinë tek dijetarët më të shquar dhe në librat më të zgjedhur.
Gjithashtu studentët gjatë praktikës nëpër xhami nxiteshin që të kërkonin ndihmën e dijetarëve më kompetentë. Kështu psh, shkon për t’u këshilluar me profesorin e nderuar, Hafiz Ibrahim Kaduku. Profesori jo vetëm i dha shpjegimet e duhura, por i dha edhe libra për të studiuar.
Roli i kësaj përgatitjeje solide duket fare qartë edhe sot në nivelin e lartë të ligjëratave, në lehtësinë për të cituar ajetet e Kur’anit e thënie të Profetit, apo të poetëve më të shquar të botës Islame, në komentet dhe argumenter bindëse, në aftësitë për t’u orientuar në problemet që shtron jeta sot. Bagazhi i njohurive të fituara në 15 vjet studim janë ato themele të shëndosha të hedhura në rini, që formuan tek Hafiz Sabriu një personalitet të plotë në lëmin e shkencave fetare Islame.
Pas vitit 1939 emërohet imam në një lagje të vjetër të qytetit të Shkodrës, rrëzë kështjellës “Rozafat”, në Lugu çesme, pastaj në Xhaminë e Bardhë e më vonë në lagjen Dudas. Ai me këmbëngulje u afrua me popullin, u njoh shpejt me burrat e nderuar besimtarë të lagjes, zuri miqësi me ta, përpak kohë ia ndryshoi gjendjen xhamisë, e zbukuroi atë.
Në vitin 1952 emërohet imam në Xhaminë e Rusit të vogël. Në pak kohë ndryshoi pamja e xhamisë.
Hafiz Sabriu plot përkushtim, me përgatitje të lartë fetare, me argumente bindëse, duke rrokur probleme që shqetësonin besimtarët, me fjalën e thjeshtë, por të zjarrtë shtonte radhët e besimtarëve, gjithnjë e më shumë të rinj vinin në xhami e ndiqnin ritet fetare, gjë që binte në kundërshtim të hapur me ideologjinë komuniste, me propagandën e Partisë. Dhe kundërshtimet e goditjet nuk vonuan.
Lidhur me këtë Hafiz Sabriu kujton: “Sekretari i Parë i PPSH për rrethin e Shkodrës në atë kohë, me paturpësi vjen e futet në xhami brenda dhe ma nxjerr rininë përjashta, ndërsa Kryetari i degës më bën presione nga më të ndryshmet duke më thënë: “Ti je me reaksionari i të gjlthë klerikëve, pasi po na e helmon rininë, po ju jep opium, më thotë se duhet të zhvishesha nga petku fetar. Në asnjë mënyrë nuk mund të pranoja diçka të tillë dhe të tërhiqesha nga ajo rruge që kisha nisur qysh në fëmijëri.”
Me kërkesën e besimtarëve të lagjes Rus i Vogël emërohet përsëri imam në Shkodër.
Tashmë përvoja e fituar në shërbim të fesë që në moshë të re kishte arritur pjekurinë dhe Xhamia e Rusit, siç quhej, u bë objekt diskutimesh të ndryshme në familjet e besimtarëve dhe në zyrat e pushtetit. Ndryshimi i pamjes së xhamisë, frekuentimi i saj si në asnjë xhami tjetër, pjesëmarrja e të rinjve dhe e fëmijëve, dëgjimi i zërave të tyre të ëmbël, të përgatitur me aq kujdes e aftësi nga Hafizi, pra kjo ringjallje e fesë nuk iu pëlqente organeve të pushtetit komunist. Populli kërkonte që të kultivohej feja, ashtu siç duhej, ndërsa diktatura gjithnjë e më shumë ashpërsohej. Të gjitha këtyre u erdhi fundi më 4 qershor 1966, kur i vunë hekurat dhe e arrestuan.
Hafiz Sabriu kujton: “Ishte e Xhuma. Pas faljes xhemati po përshëndetej me mua si asnjëherë tjetër. Të gjithë vinin e nuk po largoheshin. Kjo më bëri shumë përshtypje. U përmallova … E me të vërtetë, kjo qe Xhumaja e fundit për mua dhe për besimtarët”.
Arrestimi i Hafiz Sabriul ishte një provë e qartë se organet e regjimit nuk lejonin asnjeri, qoftë ky edhe hoxhë apo prift të vepronte i lirë, të shkonte i lirë kundër interesit të politikës së Partisë në fuqi. Nuk është aspak rastësi që u vendos të arrestohej Hafiz Sabriu. Ai ishte ndër hoxhallarët e paktë, që gjithnjë e më shumë po pengonte luftën ideologjike që kishte projektuar Partia për “edukimin e njeriut të ri”. Ky hoxhë aktiv dhe me kulturë, që grumbullonte rreth vetes rininë, duhej qëruar, ai ishte bërë pengesë. Me dënimin e Hafiz Sabriut me akuza të sajuara synonin të shuanin besimin në fjalën e Zotit, në mësimet e fesë, synonin t’i hapnin shtegun ideologjisë komuniste, synonin të përgatitnin vitin 1967, vit kur u ndalua me forcë e me dhunë besimi, një nga të drejtat më të vjetra, një nga liritë më të shenjta të njeriut.
E priste burgu, puna e rëndë fizike, tortura e shoqëruar me të gjitha mungesat, Prej 4 qershorit të vitit 1966 kur është arrestuar ka qëndruar nëpër burgje deri më 22 tetor të vitit 1986 Në burg ka qëndruar 20 vjet, 4 muaj e 18 ditë burg.
Hapja e xhamisë së Plumbit qe ngjarje e shënuar. Pas 23 vjetësh u këndua EZANI dhe u fal Xhumaja.
Hafiz Sabriun tani e prisnin shumë punë, punë të mëdha e shtimë të vështira. Dhe ai filloi të përvijonte të ardhmen e fesë në Shqipëri. Besimi në Zotin do ta udhëhiqte atë në gjithë ato shtigje vërtetë të vështira. Ndërsa mitingu madhështor përfundoi dhe njerëzit po shpërndaheshin duke mbajtur me vete gëzimin e harenë e asaj dite të madhe, në xhaminë e Plumbit u organizua një mbledhje e vogël nga përmasat, por me një rëndësi të veçantë historike për të ardhmen e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Në këtë mbledhje, si të themi në ilegalitet, u vendos krijimi i “Bashkësisë Islamike Shqiptare” me qendër në Shkodër. Vdiq në vitin 2004.
/https://www.radiokosovaelire.com/