1.4 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

HAXHI HAFIZ ISMET DIBRA – I arrestuar për bindje fetare

Më të lexuarat

HAXHI HAFIZ ISMET DIBRA

I Arrestuar Për Bindje Fetare

Dibra është vendlindja e Haxhi Hafiz Ismet Dibrës, Stambolli është vendi ku bëri studimet e larta. Tirana është vendi ku zhvilloi veprimtarinë e tij. Revista “Zani i Naltë” është tribuna ku shpalosi njohurit e tij në fushën e legjislacionit islam, të filozofisë islame, tefsirit, hadithit, logjikës, teorikës etj. Medreseja e Lartë e Tiranës qe institucioni ku ai zbatoi në praktikë edukatën islame dhe mjeshtërinë e mësimdhënies. Kishte një kulturë të gjerë, një qëndrim demokratik dhe patriotik. Zotëronte më së miri gjuhën arabe, perse dhe atë turke.
Kur mbaroi studimet i ofruan katedren në një shkollë të lartë të Stambollit, por ai e refuzoi, duke parapëlqyer të shërbente më mirë në atdhe. Ai është drejtori i dytë i Medresesë së Lartë të Tiranës pas Qamil Balës. Duke ndjekur traditat e të parit aktivizoi trupin mësimor, përsonel të përgatitur siç qenë: Hafiz Ali Korça, Haki Sharofi, Sheh Qazim Hoxha etj.
Në tërë veprimtarinë e tij ai udhëhiqej nga mësimet e Kur’anit dhe në përshtatje me përbërjen e popullit shqiptar ai nisej nga toleranca në mes besimeve dhe besimtarëve. Medreseja e Lartë e Tiranës, e drejtuar nga I.Dibra, ruante dhe vazhdonte traditen e edukimit të nxënësve, krahas asaj të fesë, dhe të frymës patriotike dhe kalitjes së ndërgjegjës kombëtare.
I.Dibra vizitoi varrin e Profetit (a.s.) dhe fitoi të drejtën të quhej Haxhi.
Në vitet ’30 të shekullit tonë zhvilloi një aktivitet të gjerë intelektual, fetar e patriotik. Janë të përmendura ligjëratat e tij të njëpasnjëshme që patën për subjekt temen “A ka dyshim në qenien e Zotit?”. Në këto ligjërata Hafiz Ismet Dibra, duke u mbështetur në ajetet e Kur’anit, zbërtheu shumë teza dhe koncepta që në ato vite ishin bërë objekt bisede në qarqet intelektuale. Ligjëratat bënin pjesë në luftën që kleri islam po i shpallte ideve komuniste, që kishin filluar të përhapen në Shqipëri. Hfz. Ismet Dibra iu referua shumë figurave të shquara të rrymave të ndryshme filozofike si: Dekartit, Berksonit, Spenserit etj.
Më vonë ato ligjërata u botuan në faqet e “Zanit të Naltë” dhe më 1993 u botuan edhe në Miçigan të SHBA-së. Pushtuesit fashistë dhe ata gjermanë, më vonë, i ofruan ofiqe dhe dekorata, por ai, ashtu si më 1919 që nuk pranoi postin e profesorit të katedres nga Turqia, edhe kësaj radhe nuk pranoi nga pushtuesit e rinj asnjë dekorim, as post. Pushteti komunist, të cilit ai iu nënshtrua, e arrestoi në moshen 60 -vjeçare dhe e dënoi pa asnjë arsye, por vetëm për bindjet e tij fetare, antimaterialiste, me 12 vjet heqje lirie, të cilat i bëri si shumë e shumë të tjerë në burgjet e diktaturës komuniste. Vdiq në moshën 69- vjeçare.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit